NJË VËSHTRIM MË NDRYSHE I LETËRSISË SHQIPE

0
187
Vladimir Muça - Isak Ahmeti

Nga Isak A H M E T I

1. Në vend të hyrjes

Në filim të muajit qershor kam pasur një takim shumë miqësor, te Hotel Shala, në Durrës, me shkrimtarin e njohur e të talentuar shqiptar, Vladimir Muça, autor i dhjetra veprave zhanresh të ndryshme me vlera shumështresore. Me atë rast kemi biseduar gjërë e gjatë për rrjedhat në letërsinë shqipe, për kritikën letrare në Shqipër dhe Kosovë, etj… Gjatë bisedës kemi këmbyer mendime dhe vlerësime interesante dhe me vlerë edhe rreth letërsisë botërore me theks të veçantë rreth trinomit poetik italian të Hermetizmit: Ungaretti, Quasimodo dhe Montale, për të cilët që të dytë kishim njohuri solide…

Kemi këmbyer edhe vepra me dedikim të veçantë. Kështu prandaj takimi ynë miqësor ishte jo vetëm shumë i rëndësishëm por edhe mbresëlënës.

Shkrimtari në fjalë, i njohur në letrat shqipe, Vladimir Muça është autor edhe i këtyre veprave të cilat po i japim në vazhdim:

1. Gjeneza e familjes Muça, monografi,
2. Burimet e jetës, poezi,
3. Akuarel, poezi,
4. Rrezëllime, poezi,
5. Trashëgimtarët, novela – tregime,
6. Yje endacakë, poezi tanka,
7. Kaleidoskop, kritikë-ese,
8. Në gjurmët e ëndrrave, roman,
9. Ekuinoks, poezi tanka,
10. Jetë e dyjëzuar, novela-tregime,
11. Pegasiane, poezi,
12. Unë mendoj, vëzhgime, kritikë dhe ese,
13. Ankth pritjesh, tregime.të shkurtëra,
14. Zërat e shpirtit, poezi,
15. Një jetë në letërsi, përmbledheje vlerësimesh e kritikash,
16. Mbi flatra vargjesh, poezi etj.

UNË MENDOJ (Botimet ADA, 2017)
———————————————————
(Vëzhgime të një tranzicioni letrar)

Po t’i hedhim një sy krijimtarisë letrare të Vladimir Muçës, vëmë re se në veprat e tij ka lëvruar me shumë sukses thuaj të gjitha gjinitë letrare :poezinë, tregimin, romanin, kritikën letrare, esenë etj. Ndonëse vepra zhanresh të ndryshme, ato, siç e ka vlerësuar edhe shkrimtari Shpendi H.Topallaj ( te: Alternativa e kritikës letrare, SHB 2M, 2020 fq. 84-89), në të vërtetë kanë një të përbashkët shumë domëthënëse: talentin, kulturën dhe sidomos dashurinë e këtij autori për të tjerët dhe respektin e vlerësimin për krijimrarinë e tyre, gjë që vërehet në mënyrën më të theksuar te vepra:UNË MENDOJ, të cilën po ju paraqesim këtu, kësaj radhe.

Librin në fjalë (përmledhje vëzhgimesh, kritikash dhe esesh me 503 faqe), autori e ka struktururuar në katër pjesë dhe atë:

A- PËRQASJA E ROMANIT TË SOTËM SHQIPTAR DREJT RISIVE MODERNE,
B- PROZAT TREGIMTARE ME DUKURI MODERNE BIO SHQIPTARE,
C- PARADIGMA TË POEZISË MODERNE NË POEZINË SHQIPTARE dhe
D- SPROVË VLERËSUESE.

Duke u nisur nga vetë titujt e këtyre kapitujve, shohim se autori në fjalë ka trajtuar me shumë përkushtim një gamë të gjerë temash, veprash dhe autorësh për të cilët ka dhënë mendime dhe vlerësime të rëndësishme dhe me peshë edhe për letërsinë shqipe në përgjithësi. Në këto vëzhgime, kritika letrare dhe ese kemi një qasje ndryshe, gjithsesi moderne, për autorët dhe veprat e tyre që përmbajnë, kush më pak e kush më shumë, vlera shumë shtresore.

Pa hyrë në nanalizë më të thellë, krejt në fund le të theksojmë se shkrimtari Vladimir Muça, me vargun e veprave që ka botuar deri më tash, ka dëshmuar fuqishëm se ka kulturë shkrimi, ka stil origjinal, ka këndvështrime të veçanta, moderne, për artin e të shkruarit, për letërsinë.

Kritikat letrare të tij, siç e ka vënë re Shpendi H.Topallaj, jo vetëm që është profesionale por edhe shumë dashamirëse dhe këtë e ka manifestuar dhe e manifeston jo vetëm në veprat e tij por në çdo veprimtari letrare.

Në Durrës,
22 qershor 2021.