Situata politike në Gadishullin Ballkanik është jo pak komplekse, por se sidoqoftë ka diçka të përbashkët në skenën politike të shteteve të rajonit. E përbashkëta është se thuajse në të gjitha vendet, kemi maxhoranca të fuqishme dhe opozita, të mbetura tanimë të dobëta dhe të përçara, në shumë raste. Në disa vende ka ndodhur “përmbysja e madhe”, teksa opozita e fuqishme është bërë tanimë pushtet i pandalshëm, ndërsa në të tjera ruhet “status-quo”-ja. Vendet e Ballkanit, sido të jetë ndryshojnë për nga mënyra si e prodhojnë politikën.
Serbia vazhdon të ruajë formën tradicionale të politikbërjes, ku nacionalizmi gjendet gjithnjë në krye, Shqipëria mbetet në dorën e më të “fortëve” për nga numrat, Maqedonia është tabloja e zbehur e Serbisë, Mali i Zi është vendi që shkon drejt BE-së, e që kërkon të heqë hijen e së shkuarës serbe e ruse. Kosova mbetet meridian politik, mes Shqipërisë dhe shtetit serb, të cilat shpesh ngrenë valët e madhështisë së tyre, nën pretendimin për territorin kosovar. Bosnja ngjan sot si sheshi i betejës, si tabloja e zbehtë e luftrave më të fundit në rajon, për shkak se aty përplasen ende etnitë dhe kërkohet me çdo kusht dominim i serbëve.
Shqipëria
Opozita e dikurshme, e madhe në numra, por se nuk mundi ta kishte qeverinë, mori aleaten e saj të vjetër dhe së bashku kanë formuar një qeveri, që për nga numrat, ështe tepër e fuqishme. Analisti politik Fatos Lubonja e ka quajtur madje dominancën e tanishme politike nga dy parti relativisht të fuqishme edhe si “putinizëm”.
( http://www.panorama.com.al/analiza-lubonja-ne-panorama-dibra-si-kercenim-i-putinizmit/ ).
Opozita ishte e ngarkuar me shumë “njolla”. Vendi njohu “përmbysjen e madhe” sa iu takon partive politike, por se duket se gjendja në popull vështirë se ka ndryshuar. Madje, si kurrë më parë, shqiptarët po marrin arratinë për të ikur jashtë vendit, sikur të ishin në luftë, duke u renditur pas sirianëve. Partitë pushtetare e kanë rritur propagandën, përmes medieve e të tjera mekanizmave, edhe këto të kthyera të bezdisura, për një popull që dëshiron shpresë e besim. Të shumtët e shoqërisë civile e shohin shpresën vetëm në ndonjë lëvizje të re, që do të kthehej në parti politike, e cila të mos mbështesë interesa të caktuara, por të masës së gjerë të popullatës.
Kosova
Shteti i Kosovës, në fillimet e saj si një qenie e brishtë e pavarësuar, e ka nisur vrullshëm rrugëtimin shtetëror. Ky vrull shoqërohet me ato dukuri, që kemi parë edhe në vende të tjera të rajonit, të Evropës e të botës. Korrupsioni, militantizimi dhe të tilla “njolla” mbizotërojnë kudo në Kosovë. Këtë gjë dëshmoi më së miri rasti i përgjimeve, me personazh kryesor Adem Grabovcin, e ku hapeshin konkurse false, kur në fakt fituesit ishin përcaktuar. Partia Demokratike e Kosovës, dëshmoi, se përmes legjitimitetit ndërkombëtar, kontrollon shtetin në mënyrë thuajse perfekte.
Në biseda dëgjohej edhe zëri i Hashim Thaçit. Ky i fundit duket se dallonte për nga Grabovci, në veprime, vetëm se ishte i kujdesshëm në ato që fliste, duke i shkuar përshtat nofka politike që mban: “gjarpri”. Dukuria e Grabovcit vështirë të jetë e izoluar, por e kthyer në sistem. Opozita është shumë e dobët. PDK formoi qeverinë me LDK-në, duke ia lëshuar kësaj të fundit postin e kryeministrit, e se përballë u vendosën “Vetëvendosje”, AAK-ja dhe NISMA. Opozita u përça, siç ishte paralajmëruar.
( http://lajmi.net/maliqi-te-kete-carje-ne-opoziten-e-bashkuar/ ).
AAK-ja dhe NISMA tanimë sulmojnë jo rrallë edhe VV-në, kurse Lëvizja Vetëvendosje, e vetme përpiqet t’i bëjë ballë një koalicioni, jo të pastër, por e vështirë shumë të rrëzohet, pasi ka forcën e numrave. Problem mbetet kontrolli qeveritar në mbarë vendin, sidomos në Veri, ku ende ndihet dora e zgjatur serbe.
Maqedonia
Nëse mund të flasim për “putinizëm” të mirfilltë, kjo ndodh sidomos në Maqedoni. Ky është vendi i çudirave dhe më kontraversali në rajon. Maqedonia nuk e ka të qartë të ardhmen e saj. Për momentin, në këtë shtet ka qeveri teknike, por kryeministër, njeriu më i fuqishëm mbetet Nikola Gruevski. Nacionalizmi këtu ngjan paksa me atë në Serbi, por vetëm se është pak më i fshehur. Kjo, sepse Gruevski shpesh thotë në publik se i respekton shqiptarët. Projekti që u zhvillua këtu “Shkupi 2014”, padyshim mbetet më i tmerrshmi në historinë moderne të Ballkanit. Aty u tranformua historia dhe dolën disa statuja, të cilat janë një përçundim total i së vërtetës.
Të gjitha këto i bën partia në pushtet, VMRO-DPMNE, e cila merr edhe një parti shqiptare në koalicion, e që prej kohësh është BDI-ja. Siç ndodh në Rusi, ku Putini është partia dhe partia është Putini, edhe këtu Gruevski është partia dhe partia është Gruevski. Opozita, LSDM-ja është e dobët dhe përpjekjet e saj janë të vakta, duke u përballur edhe me një popull, që ngjan se është shumë nacionalist. Maqedonia shfaq probleme të theksuara me fqinjët. Shteti maqedonas ka probleme me Serbinë për Kishën, me Bullgarinë për identitetin, me Greqinë për emrin kushtetues, ndërsa çuditërisht nuk ka me Shqipërinë, edhe pse 40 për qind e popullatës në këtë vend vlerësohet se është shqiptare, e nuk kanë të drejta të barabarta me maqedoneët…
Serbia
Shteti serb ka hyrë në rrugën e “modernitetit” me politikanë në moshë disi më të re, por me mendjen e baballarëve dhe të gjyshërve të tyre. Kështu janë dyshja kryesore e politikës në Beograd, Daçiç dhe Vuçiç. Ndërsa Nikoliç është pikërisht fytyra e vërtetë e nacionalizmit serb, pa pasur nevojë për maskë. Pushteti është tepër i fortë, ndërsa opozita bën disa “cicërima”, por askush nuk i dëgjon.
Edhe kur opozita merr guximin të dalë kundër pushtetit, duke thënë se “Kosova ka ikur”, populli nuk e do. Vendi mbetet orbitë mes dy “botëve”, Rusisë dhe BE-së. Situata është që duke qenë se askush nuk ka besim te opozita, mbështesin pozitën. Vendi ka përqëndrim të madh në politikën e jashtme, duke u përzier shpesh me Kosovën, me Bosnjën e me Kroacinë.
Bosnja
Bosnja është shteti më i sakatuar gjatë luftrave në ish-Jugosllavi dhe duket se ngjan më i dobëti, edhe tanimë. Në këtë shtet, vazhdon përçarja mes tre etnive kryesore: serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Ata, në parlament, përfaqësohen njëlloj. Mirëpo, tensioni i fundit është se serbët duan 9 majin si Ditë të Etnitetit në Republikën Srpska, ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka kundërshtuar një datë të tillë, e cila ka kuptim vetëm për serbët, duke përjashtuar etnitë e tjera në vend.
Duke shkelur hapur fare sovranitetin e Bosnjës, në diskutim u përfshinë liderë të Serbisë dhe të Kroacisë. Nikoliç ka deklaruar, se lidhur me këtë situatë, për referendumin e popullit serb për Ditën e Etnitetit, duhet zhvilluar patjetër takim urgjent ose ka gjasa të mbledhë Këshillin e Shtetit. Edhe Ivica Daçiç ka reaguar ashpër, gjithnjë në mbrojtje të serbëve. Presidentja kroate, Kitaroviç nënvizoi se edhe ajo do të mbrojë me çdo kusht kroatët në Bosnjë. Shkurt, shteti boshnjak mbetet ende i dobët dhe ku sovraniteti shkelet me dy këmbë. Aty ende serbët duan dominim, duke mos respektuar tri-etnitetin e Republikës.
(http://www.shekulli.com.al/p.php?id=497366&nikolic-mund-te-perdorim-edhe-ushtrine-per-serbet-e-bosnjes ).
Lideri lokal serb, kryetari i Republikës Srpska, Milorad Dokik, edhe për nga fytyra, ngjan si “qeni” i Beogradit në Bosnjë, që gjithnjë nxit sherr e konflikte në këtë vend, që sa duket ende nuk e ka marrë veten nga dara e gjakut dhe e dhunës, ushtruar ndaj këtij shteti, kryesisht prej serbëve.
Greqia
Kryeministri Aleksis Tsipras ka marrë pushtetin me partinë e tij populiste të majtë, SYRIZA dhe duket se vështirë se do ta lëshojë shpejt. Kjo, edhe sepse kanë rënë ndjeshëm partitë e tjera, të cilat u mësuan hapur se e kishin mashtruar popullin grek. Pra, kemi një pushtet të fortë në numra, që ka sfumuar thuajse totalisht partitë tradicionale, PASOK-un dhe Demokracinë e Re. Edhe pse fillimi ishte shpresëdhënës, duket se në shtetin grek, ngjau si me “Fermën e kafshëve” të Xhorxh Oruellit, ku parimet nisën të bien me radhë.
Edhe SYRIZA shkeli premtime të shumta dhe u dorëzua edhe përballë fuqisë gati perandorake të Evropës, duke pranuar borxhe nga ajo. Sidoqoftë, vlerësimet për shtetin grek kanë shkuar sa i takon politikave ndaj emigrantëve. Greqia është shteti që mban sot peshën më të rëndë të emigrantëve, së bashku me Italinë. Shumica e emigrantëve të ardhur në kontinent kanë pëfunduar në këto dy vende. Shtetet e tjera të Evropës nuk kanë pranuar që të marrin emigrantë, duke bërë që plani i BE-së për shpërndarje të emigrantëve thuajse në mënyrë të barabartë në disa vende, thuajse të dështojë.
Turqia
Situata politike në Turqi ka muaj që është “nxehur”, qysh prej 15 korrikut, natën kur u mendua se u organizua grushti i shtetit ndaj presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Në atë natë, të gjithëve po iu shkonte ndërmend se Erdogani po rrëznohej dhe se “perandoria” e tij pushtetare do të merrte fund. Të gjithë po mendonin se çfarë do të ndodhte tanimë me shtetin turk. Të shumtë hamendësonin se mund të ikte një gjysmë-diktator si Erdogani e se skenarët politikë për shtetin turk mund të ishin akoma edhe më keq.
Një nga skenarët e errët mundet të ishte ai se Turqia mund të bëhej sikundër Siria. Kjo, pasi në Siri e vende të tjera të Lindjes së Mesme, fill pasi ranë diktatorët, u krijuan trazira dhe kaos politik. Mirëpo, asgjë nuk ndodhi, sa i takon lëkundjes së mundshme të Erdoganit. Ky i fundit mbeti në pushtet dhe madje nisi edhe persekutimin e njerëzve të kundërshtarit të tij politik, Fehtullah Gylen. Erdogani i burgosi dhe i internetoi si mos më keq njerëzit e kleriut mysliman, me banim në SHBA.
Nëse ka ndonjë vend ballkanik, ku vërtetë meritohet të thuhet se ka “pashallarë” në pushtet, ky vend është pikërisht Turqia. Madje, pashallarët turq e kthejnë politikën, aty ku kanë interesa dhe ku fryn era e pushtetit. Kështu, Ankaraja i tensionoi raportet fillimisht me Moskën, por se më tej Erdogani, pasi u veçua nga komuniteti ndërkombëtar, i shkoi Putinit në zyrë. Jo vetëm kaq, por politika e shtetit turk karshi Bashar-Al-Asadit në Siri, ndryshoi menjëherë, sipas kahut të Rusisë.
Nëse dje, Asadi ishte njeri i urryer për Turqinë, ai u kthye në engjëll. Erdgonai më tej tha se “mund të arrihet në kompromis me Asadin”, duke gjetur shprehjen shpëtimtare se “na mjafton ta luftojmë ISIS-in”. Ankaraja mbetet vendi, ku pashallarët janë në pushtet dhe ata kontrollojnë thuajse çdo pushtet tjetër, atë të drejtësisë e çështjet e hetimeve. Gjithashtu, lufta politike ndër më të egrat në Ballkan, zhvillohet pikërisht në shtetin turk. Parimet, sidomos për ata që kanë karrige të pushtetit, duken tepër larg. Çdo gjë duket se bëhet për para dhe mirëqenie.
Në vend të mbylljes
Në thuajse të gjitha shtetet e Ballkanit, nuk ka pasur thuajse aspak ndryshime radikale, nga sa kanë qenë. Pushteti, fuqia ekonomike, biznesi është ai që përparon furishëm, përballë pafuqisë. Pushteti i forcuar është realitet në shumë vende të gadishullit. Lidhjet mes politikës – medias – biznesit, kanë bërë që shumë bukuri natyrore të shkatërrohen në vendet e rajonit, në krye të jenë thuajse të njëjtët njerëz dhe se “ndryshimi i madh” jashtë rrethit vicioz të interesave të ngushta, të duket tepër i largët.
/Dionis Xhafa/
I nderuari Dionis Ballkani,
Eshte ndjenje e veçantë kur e sheh nje Shqiptar sikur ti, qe mendon dhe vajton per Ballkanin. Njerezit sikur ti jane te mire te kendshem, dhe merzia e juaj per popullin Serb, maqedon, grek, tyrqeli… eshte shumë domethenese. Qe per shembull un jam njeri shum i keq, sepse nuk kam as me te voglen ndjesi se çka bejen ballkanasit… Dmth. si une ka shumë njerez te poshter, edhe sikur ti ka shum pak njerez te mire, qe merziten dhe vuajnë per problemet Ballkaniit. Un te pergezoj per kete filantropi dhe te lutem te shkruash sa me shume … per serbë, maqedonë, grekë, tyrqeli.
Je i mrekullueshem… fenomenal… fantastik
Komentet janë mbyllur.