Shpërthimi

0
180
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi

tregim

Tërë natën nuk do të fiket drita në dhomën e vogël, të pikturuar me një ylber të përndezur mes dy dritaresh. Piknin vetëtimat e ditës e të natës që ikte mes dy stacionesh, njëra nga lindja e tjetra nga jugu, me tufa dritash magjike të përziera ndërmjet vete. Në këtë ambient të gërshetuar mbi letrat e shkruara i kishte kryqëzuar duart për t’i bërë ngjashëm me jastëk, të zgjatur mes rrëfimesh, mbi të cilat gërhiste autori i tri librash me shkrime nga jehona e madhe e ditëve që mbaronin.

Autori e përfundon librin e vet të punuar me shumë përpjekje, me përkushtim dhe e nis në rrugën e gjatë të arrij te lexuesi, i cili tashmë e ka të njohur stilin e shkrimit të tij. I mësuar tashmë me magjinë e shkrimit që me vjet e pret nga ai, të lexojë dhe t’i dallojë shkrimtarët e mirë dhe të dashur të tyre. Ja pse i gëzohet librit të mirë lexuesi, veç të mos ndihet me librin asnjëherë i vetmuar, t’ia gjej fshehtësitë dhe ato t’i kuptojë në mënyrën e vet.

Secilën fjalë, secilën fjali, kryeradhë, secilin shenjë të pikësimit është mësuar t’i ndjek me një përkushtim të veçantë.
Kjo për të është dhurata më e mirë.

Nuk thuhet e shkruhet kot, se libri më i mirë është libri i thjeshtë, i kuptueshëm, me vjegëza të shumta të nisura nga ai dhe të përfunduar në të njëjtat faqe, të arrijnë te lexuesi.

Autori ende fle mbi shkrimin e vet. Ja, sesi gërhet…
Gërhet dhe ecën dhiaret e fëmijërisë së vet. Ulet para kopesë së deleve dhe gjatë gjatë e vështron qielli. Bën përpjekje t’i lidh me pamje dhe ngjarje të ndryshme figurat e krijuara bardh e zi në mes të kuptimit dhe imagjinatës së lidhur aty për aty me lojërat e një fëmije të lazdruar, të një zbritje deri te kroi i mollës, apo te kroi i Kishës, pranë të cilit qëndronte me etje të shuar me mixhën Ahmet, i cili tymoste duhan kaçak dhe sa herë kishte nevojë e detyronte të kujdesej për bagëtinë. Ngjante kështu të ngatërroheshin e të mos flisnin tërë ditën mes vetes… Atëherë ai lozte me qenin larosh të shtëpisë dhe nuk mërzitej për asgjë.

E shfaqte në këtë mënyrë kryeneçësinë. E shfaqte unin e vet dhe prapë gjërat pak-pak binin në kallëpin e vet. Pajtohej me mixhën Ahmet dhe i kërkonte leje të ikte për pak kohë të lozte me moshatarët e vet me lojëra baritore… Sidomos e përshkruante, natyrisht në vija të trasha, Ukën, të birin e Hasës së Kullës, pranë shtëpisë së të cilës kalonte verë e dimër, duke iu pri deleve për të ecur Kodrës së Oracës, për të këputur bar e për pirë ujë në pusin-burim, pa rreth që do ta cilësonin nga larg.

Do të futem brenda faqesh të njërit nga librat e gërshetuar me rrëfime, inserte bisedash dhe përfundime, të cilat do t’i lidh lexuesi siç i mendon vetë. E ndërmjet do të rindërtojë kulla me motive imagjinare. Pikërisht, siç i ka shkruar apo më afër i ka folur populli.
Do të bëj përpjekje të shkruaj-unë hija e autorit, i zgjuar ndërmjet bukurisë që sjellë shkrimi dhe natyrisht ndërmjet ëndrrës. Një shkrim ndërmjet recensionit dhe tregimit, pak i pa rëndomtë, veç i shkëlqyeshëm në rrjedhën e vet. Shkrim për gjërat e vogla që e përbëjnë botën. E përbëjnë jetën. I këtillë , do të jetë dhe ky libër që e shkruaj me kërshëri, të cilin e kam shkruar tërë jetën. Natyrisht e kam fjalën për librin e radhës. Ai është i koordinuar nga tregime për fëmijët dhe të rinjtë, veç mund ta lexojë cilido lexues.

Arti ose është i mirë ose nuk vlen. Nuk ndahet në art për të vegjlit apo për të rinjtë. Libri që po e shfletoj është i tillë. Ky libër merret me të përditshmen dhe shpërthimin e afshit të parë të ndjenjës së dashurisë, të shkrepjes së xixave të para të dashurisë, me fshehtësitë që dallohen aty aty, me t’u lexuar. Ja, seç merret çdo gjë me sytë, me dridhjet e lehta të zemrës, me çastet e fshehta dhe ndjesitë e vajzës dhe të djalit, ende në klasë të fillores, të cilët sa herë ballafaqohen me njëri tjetrin, ndiejnë diçka të veçantë dhe të bukur në vete, diçka që do t’i vë në rrjedha të ëndërrojnë.

Libri dallon në shumë rrjedha nga shkrimet paraprake të tregimit tonë në veçanti, sidomos nga forma dhe përmbajtja, nga tematika specifike, nga pikëpamja gjithnjë e re dhe ec bashkë me tre apo katër shkrimtarët udhës së mirë shqipe, e cila për ndonjë kohë sikur mbeti e këputur nga ikja nga kjo jetë e disa penave të talentuara. Tashmë pa mëdyshje mund të thuhet se udha krijuese që e ec sigurt hapësirës së mbetur bosh nga brezat që e ngritën lart nivelin e krijimtarisë së krijuar në këtë pjesë të letërsisë dhe në shumë aspekte e begatojnë dhe i japin kuptim dhe zgjerim të ri krijimtarisë poetike për fëmijë e të rinj. Krijuesit në radhë, para e prapa tyre, më tepër janë frymëmarrje të rastit, të cilat harrohen aty për aty, me të përfunduar leximin.

E pikërisht këtu, në këtë pjesë, ai që ende fle nga lodhja e shkrimit artistik, e nis diçka të ngjashme me vjegëzën dhe natyrisht risi në libër janë Vjegëzat, të cilat kapërcejnë nga detajet e vogla, te lërimet e mëdha, që i kanë nisur krijuesit popullor, artistët autodidaktë, të cilën në rrëfimet e tyre veçanërisht e kanë përkryer synimin e vet dhe krijimet e tyre kanë mbetur të tregohen në të gjitha kohët dhe brezat.

Rrëfime që të rrëqethin apo të endin buzë valës së dashurisë.
Arti i mirë e ka vetëm këtë rrugë, e ka vetëm një kohë, atë të lindjes e nuk vdes kurrë… Ja, pse risi tjetër në këtë rrëfim është forma dhe përmbajtja. Autori në shumë raste imazhet i merr nga e përditshmja, ato i krijon natyrshëm, duke i eliminuar foljet të shumtën e herës dhe duke e krijuar esencën pa elemente të tepërta që do ta lëndojnë krijimin. Më pastaj, ai krijon pamje herë herë të njohura dhe prapë herën tjetër çaste, të lidhura me vjegëza të reja. Në këtë rrjedhë ka nyja, ka përshkrime, dialogë, kujtime, ndjesi dhe zgjime të reja të fjalës, e cila në krijimtari merr kuptim të ri.

Natyrisht, në shumë raste bëhet metaforë.
Ndonjë insert flet për dukuri, pak apo fare të prekur te ne, me dashurinë dhe xixat e para që i shkrepin sytë e zemra e atyre, të cilin fillojnë të hetojnë simpati për ndonjërin nga shokët e lagjes apo të shkollës. Ky guxim ka bërë që autori të krijoj një libër mjaft të suksesshëm dhe ta dëshmojë këmbëngulësinë e vet lidhur me gjërat e pranishme mes nesh, të cilat tashmë i ka preokupime të përditshme brezi më i ri. Sepse,
E bukura është e thjeshtë dhe e lidhur me ndjenjën, me etjen! Pikërisht për këtë është e veçantë …

Autori, i cili i ka shkruar tregimet e tash është lëshuar mbi duar e veta të gërshetuara mbi tavolinën e shkrimit dhe gërhet, bën gjumë me shqetësim, ballafaqohet me vjegëzat dhe nyjat, për t’i përkryer me sukses pamjet, përmbajtjet dhe format. Ja, i ka pikturuar rastet, të cilat mund t`i hetojë vetëm ndonjë penë e sprovuar dhe që e ngrit deri në përsosmëri tematikën me të cilën merret. Rastet e shpërthimit të dashurisë, të shumtën të mbetura vetëm në përpjekjet dhe peripecitë e një simpatie, e cila ndërkohë ikën bashkë me vitet e pjekurisë së personazheve, për ta kujtuar një gjë tejet të bukur dhe të afërt, të këndshme, për ta mbajtur mend kohë të gjatë me mallëngjim.

Në këtë rrjedhë ka dhe raste të realizuara me përkushtim, me tension, të cilat e flasin natën pa gjumë, e flasin preokupimin deri në drithërimin imagjinativ me të zgjedhurin e vet, i cili në imagjinatën e prekshme bën dritë. E shohin ëndërr njëri tjetrin, e pëlqejnë në sjelljet e përditshme, në ecjet e veçanta, në të gjitha gjërat që i bën dhe kjo e zgjon kërshërinë që ai apo ajo të jetë i dashuri apo e dashura ideale. Pse është i dashuri i saj apo atij, veç pse ai tërë kohën e ka hijen e tjetrit pranë vetes, e ka afër dhe e pëlqen. Me të pranë, me frymën e tij i kryen detyrat e gjuhës, detyrat e matematikës… herë-herë ngelë e hutuar, në gjysmë të rrugës, pa kuptuar çfarë bën dhe ku i ik mendja.

Dashuria e vërtetë fillon gjithnjë nga gjërat e vogla, të bëhen pjesë e jetës së pandarë më vonë, në rrjedhat e kohës së pjekurisë së atyre që tashmë vetëm imagjinojnë. Është kohë tjetër kjo dhe flet me gjuhën e vet, e prek një tematikë tjetër gjithsesi të pranishme në moshë shumë më të re sesa e kemi përjetuar ne, brezat e kaluar.

Veç, sido të jetë, e tillë apo e këtillë, e ka brenda kornizës së shpirtit vendin e merituar, të cilin e ruan për gjithë jetën. E ka brenda shpërthimin, i cili nuk e lë të ikën sipërfaqes së pafund të harresës. Ja, sesi merr frymë shkrimtari me vetëtimë, bën gjumë gjatë tërë rrjedhës së akorduar dhe gërhet me cikle, me rrjedha uji dhe gjaku, e tregon vetmin dhe vjedhjen e tokës së shqiptarit ndër nyjat historike, ndër vjegëzat e rikthimit të vetes përsëri në flakën e pashuar të gjakut…

Ja sesi gërhet dhe e flet Mujin, Gjergj Elez Alinë dhe shpërthen flaka e Oso Kukës dhe vetëflijimi në motivet me jehonë. Në dhomë ndrit shkrimi i përfunduar dhe niset me ngjyra ylberi për te lexuesi, për të cilin është shkruar çdo gjë. Bie vetëtimë e papërshkruar ndërmjet muresh të kullës të ndezur flakë nga gjaku e nga gjaku çelin trëndafilat e ditës ndër vjegëza.

E një muzikë derdhet Sheshit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit e lëvizin gjethet në degët e Marashit e ti e zgjon veten lulëzimit të gurit dhe rrjedhës së Lumëbardhit, poshtë kalasë mitike, brenda muresh të të cilës do të vdesin për ideal shumë zemra, për ta prekur lirinë në tokën e vet të gjakut!