UKSHIN HOTI DHE VIZIONI I TIJ POLITIK PËR SHQIPTARËT

0
158
Ukshin Hoti - Vizioni i tij politik

Sabahajdin Cena

Kumtesa dhe fjalime. Botoi Shoqata për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare. 42 fotografi dokumentare. Shtëpia botuese “Art muza” Rahovec 2021

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
 Se ç’mu kujtua sot për dreq:
 “Të zgjuarit janë bashkë në botë,
 Kurse të fjeturit janë veç.

Në ditëlindjen e Tirteut të shtetësisë së Kosovës, të profesorit Ukshin Hotit, urojmë që të jemi të zgjuar; edhe dy dekada pas luftës së lavdishme të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës nuk jemi unik dhe nuk e rrahim një tel.

Pasi e nisëm paraqitjen tonë me atë thënien e vjetër të Heraklitit, që iu pat kujtuar, si për dreq, edhe Ismail Kadaresë, na sillet rreth nesh edhe Fidipidi, ai far marathonomaku i Nolit të Madh, ai far lajmëtari i fitores së grekëve mbi persianët në grykat e Termolileve e të Salaminës deri në Fushën e Maratonës, i cili vije me turr e vrap rreth dyzetedy kilometra në fushat e Maratonës për ta ndarë me bashkëvendës gëzimin e fitores së shumëpritur greke dhe pikërisht në çastin e arritjes, me të kumtuar lajmin e fitores, vdiq në vend pa e shijuar çlirimin, pa e shijuar lirinë, pa e parë shtetin, ose arriti që vetëm ta thotë: “E fituam” dhe u përpëlit përdhe sipas Nolit tonë të Madh. Edhe Mojsiu i munduar duke notuar mbi valët e jetës dhe të shpresës, i drejtohet Jehovajt:

Pse kaq gjatë Zot m’arratise?!
 Pse m’përplase e m’përpëlise?!
 Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve?!
 E sot ma preve!

Pra, sot, më 17 qershor 2021, sërish jemi mbledhur për ta shënuar ditën kur u lind Titani dhe Tirteu i shtetbërjes së Kosovës, prof. Ukshin Hoti, por edhe për ta promovuar përmbledhjen me kumtesa e fjalime që mban titullin “Ukshin Hoti dhe vizioni politik për shqiptarët”, të botuar nga Shoqata për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare “Arbëria” të Rahovecit (shtypur në Shtëpinë botuese “Art Muza”), kushtuar profesor Ukshin Hotit të cilin libër me 175 faqe tekst, me 42 fotografi dokumentare, me 20 kumtesa, me një fjalë të shkurtër, elegante e inventive, me diskurs tejet selektiv në frymën e politikës, filozofisë e diplomacisë, të redaksisë së nderuar të zotërinjve e zonjave; Dervish Çadraku, Qemajl Krasniqi, Dr. Besa Hoxha – Beqiri, Msc Fjlollë Duraku, e Msc. Frashër Behra, me 1 fjalë rasti të kryetarit të komunës së Rahovecit, zotëri Smajl Latifi, me 1 biografi të shkurtë të prof. Ukshin Hotit e me punën dhe ndihmën e zotërinjve: Bujar Hajrizi, Kushtrim Dacaj, foto-video “Eti” nga Krusha e Madhe, me një bibliografi, dhe me ndihmën materiale të komunës së Rahovecit, këto ditë edhe doli nga shtypi ky libër.

Pra, teksti që po promovohet do të bëhet pjesë integrale e veprave të fushës së politikës, të strategjisë, të mendimit teorik e filozofik dhe të diplomacisë për të cilën kishim dhe sot kemi aq nevojë për udhëzimet e fanarit të shkencës politike të kalibrit të Ukshin Hotit.

Librin që po e promovojmë sot ndahet në tri pjesë pothuajse simetrike e të barabarta duke përfillur kriterin kronologjik të tipit të krestomacisë. Pjesën e parë e zënë kumtesat e paraqitura në konferencën shkencore të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, të mbajtur më 16 qershor të vitit 2019 nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotëri Ramush Haradinaj e të Kryetarit të komunës së Rahovecit, zotëri Smajl Latifi.

Pjesën e dytë e zënë kumtesat e tribunës së mbajtur më 17 qershor të vitit 2018 në vendlindjen e profesorit, pra në Krushë të Madhe, ndërsa në pjesën e tretë janë përmbledhur kumtesat nga tribuna në temën: “Rëndësia dhe roli i veprës së profesor Ukshin Hotit” mbajtur në Krushë të Madhe më 2012 e në të cilat morën pjesë për ta dhënë kontributin e tyre akademikët si Pajazit Nushi e Moikom Zeqo, profesionistët e fushës, studiuesit dhe studentët e degëve të ndryshme.

Pjesën e parë e bëjnë 5 kumtesa të Universitetit “Ukshin Hoti” të Prizrenit. Fillon me kumtesën kulmore të zotëri Sabri Kuçmarit me titull “Filozofia dhe etika politike e Ukshin Hotit” që karakterizohet me një diskurs performant e me një stil elegant të nivelit politik e diplomatik. Këtë kumtesë e ndjekin ajo e bashkëpunëtorit, mikut dhe njohësit të mirë të profesor Ukshin Hotit, Bislim Elshanit me titull “Politika si intelekt cinik”, ku trajtohet megalomania e Shkollës sovjetike e ushqyer përherë me cinizëm ndaj të tjerëve, pason ajo e Dr. Nimet Balilit me titull “Politiko-filozofia kombëtare shqiptare e Ukshin Hotit” dhe e tërë kjo pjesë përmbyllet me kumtesën e profesor Shkëlqim Millakut “Roli dhe komunikimi ndërmjet Ismail Kadaresë dhe Ukshin Hotit në esenë kadarean “Bisedë përmes hekurash” që del ndër trajtesat më të lexuara të Ismail Kadaresë për dy arsye; Kadareja i Madh, Ukshini prapa grilave, dialogu prej së largu.

Tema-bosht në tribunën e 17 qershorit të vitit 2018 të mbajtur në Krushë të Madhe ishte “Mendimi politik dhe shkencor i Ukshin Hotit për zgjidhjen e çështjes shqiptare në kontekstin evropian”. Duke iu përmbajtur parimit “Verbae volant, scriptae manent”, pra “Fjalët fluturojnë, por shkrimet mbesin”, redaksia gjeti vend për nën temat e kësaj teme-bosht dhe kështu, pjesën e dytë të këtij libri, që sot po promovohet para jush, e zënë kumtesat: “Çështja shqiptare si provë e modelit evropian”, shtruar edhe nga njëri prej njohësve më të mirë të profesorit, pra nga i nipi i profesor Ukshinit, prof. dr. Arben Fetoshi, kumtesë që reflekton invencionin e studiuesit kompetent në fushën e teorisë së politikës dhe të komunikimit me masën; pastaj trajtesa e prof. dr. Emin Kabashit (një njohës i madh e mik i ngushtë i profesor Hotit), me titull “Ukshin Hoti, Kosova dhe çështja e pazgjidhur shqiptare” dhe kumtesa e Sabahajdin Cenës me titull “Imazhet reciproke të raportit Ukshin Hoti-Ismail Kadare në veprën “Bisedë përmes hekurash” ese e Ismail Kadaresë, realizuar me ndihmën dhe ndërmjetësimin e Dr. Rexhep Hotit; kumtesa e prof. dr. Vehbi Rexhepi me titull “Mendimi politik i Ukshin Hotit për zgjidhjen e çështjes shqiptare”, e Ph D. Emin Z. Zenunit me titull “Bashkimi kombëtar dhe vizioni politik për integrimin evropian të shqiptarëve” dhe ajo e Dr. Sc. Afërditë Dervishit me titull “Figura emblematike e Ukshin Hotit dhe mendimi i tij politik për zgjidhjen e çështjes shqiptare”. Pjesa e dytë mbyllet me një bibliografi si instrument i domosdoshëm e aparaturë shkencore që mund t’u shërbejë hulumtuesve të gjeneratave më të reja.

Në pjesën e tretë të librit janë përfshirë materialet nga Tribuna e mbajtur në Krushë të Madhe më 2012 e që për temën-bosht kishte “Ukshin Hoti për çështjen shqiptare”. Duhet përmendur kumtesat e akademikut, tashmë të ndjerë, Pajazit Nushi me titull “Largpamësia e Ukshin Hotit për çështjen shqiptare” e ndjekur nga trajtesa e mikut të ngushtë të profesor Ukshinit, zotëri Moikom Zeqos me temën “Ukshin Hoti-ndër shqiptarët më fisnik e më vizionar të shekullit XX”, kumtesën e Agim Vincës kushtuar maksimës së profesor Ukshin Hotit “Bëje ose vdis, kjo ishte kredoja e tij”, trajtesa e Genc Nimanbegut “Rëndësia dhe roli i veprës së profesor Ukshin Hotit për çështjen shqiptare”, e Mr. Belgzim Kamberit me titull “Kosova lindore dhe Ukshin Hoti” dhe përmbyllet me atë të Arben Imamit “Rëndësia dhe roli i veprës së Ukshin Hotit për çështjen shqiptare”.

Këto kumtesa e trajtime sollën risi në metodologjinë e qasjes e të interpretimit dhe në ankorimin stabil që shpien kah rezultatet e pritshme në problematikën diskutabile të fushës së shtetndërtimit, të cilin profesor Ukshin Hoti e bëri transparente në tubimin e madh gjithë popullor në fshatin Fortesë me rastin e varrimit të Elmi Popajt, ushtar të vrarë si shumë shqiptarë në kazermat e ish-armatës jugosllave.

E veçanta e botimit të këtij vëllimi qëndron në faktin se kumtesat janë shoqëruar me fusnota, me burime citatesh e me referenca që flasin për seriozitetin e aparaturës përcjellëse shkencore të publikimit të mbrojtur me ISBN 978-9951-535-32-8 e me signaturë 323.1(496.51(063) E 929 (=18:496.510 të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Jemi të mendimit se falë seriozitetit shkencor që u manifestua në vrojtimet e autorëve përkitazi me temat bosht, libri do të ketë lexues por edhe studiues të veprimtarisë atdhetare e poetike të profesor Ukshin Hotit, në një vijimësi nga ditët e para kontinuitet deri në ditën e zhdukjes pa varr e nishan më 16 maj të vitit 1999, ndërsa e veçanta e këtij libri është se është i pajisur me një aparaturë shkencore,  pra është një vëllim që zgjon kureshtjen e lexuesit, e mban të zgjuar e të tensionuar tërë kureshtjen dhe në fund pas leximit të secilës kumtesë.

Përkundër këtij fakti, lexuesi edhe më tej mbetet pa përgjigje: Ç’u bë me këtë njeri, nga i vinte e tërë kjo energji, të gjitha këto frymëzime e i tërë ky stoicizëm pas tërë asaj që lexon e sheh dhe nga fotografitë që janë pjesë integrale e këtij teksti.

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet & shkrimtar