Masakra e Tivarit – preludi i zbatimit të gjenocidit serb kundër shqiptarëve në përfundim të Luftës së Dytë Botërore

1
228
Nail Draga - Masakra e Tivarit

Nail Draga, Masakra e Tivarit – Gjenocid kundër shqiptarëve, Botoi: Art Club, Ulqin, 2020

Përkufizimi që i ka bërë që në titull të librit Masakrës së Tivarit studiuesi Nail Draga, si, “gjenocid kundër shqiptarëve”, është përkufizim adekuat, së pari në aspektin juridik, e natyrisht edhe në aspektin politik e ushtarak. I përmbledhur dhe i redaktuar nga artikuj të shumtë, studime, recensione e intervista nga autorë të ndryshëm, libri i Nail Dragës ia arrinë ta sforcojë rëndësinë e trajtimit të një masakreje që ka ndodhur në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kundër shqiptarëve të viseve etnike të mbetura jashtë Shqipërisë londineze, respektivisht kundër shqiptarëve të ish-Jugosllavisë.

Pa dyshim se një prej autorëve më kontributdhënës në trajtimin e çështjes së Masakrës së Tivarit është historiani Uran Butka, i cili këtë masakër e përkufizon saktësisht si “gjenocid me motive politike dhe spastrim etnik”, studimin e të cilit Nail Draga e ka përfshirë në këtë libër. Nga të gjitha studimet dhe intervistat e përmbledhura nga studiuesi Nail Draga rezulton se Masakra e Tivarit i ka të gjithë elementët përbërës të një gjenocidi të përgatitur nga përfaqësuesit ushtarakë të një grupi etnik-shtetëror, kundër një grupi tjetër etnik.

Nga autorët e ndryshëm, por edhe nga dëshmitarët okularë vërtetohet mënyra e organizimit të spastrimit etnik në përbërje të shumë akterëve të parapërgatitur e të mirëpërgatitur, me një metodë me përfiditet të lartë të maskimit dhe zbatimit të gjenocidit me kosto shumë të lirë nga gjenocidkryesit e me kosto shumë të lartë për viktimat.

Pushteti i ri jugosllav, i kryesuar nga shovinistët serbë, me futjen në lojë të komunistëve të Shqipërisë londineze, partinë e të cilës, Partinë Komuniste të Shqipërisë, e kishin themeluar në vitin 1941 agjentët serbë Milladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha, e zbatuan planin e shfarosjes së trevave etnike shqiptare, duke filluar me pjesën më vitale të saj, me të rinjtë dhe me burrat shqiptarë.

Shovinistët serbë, i futën në lojë krerët komunistë të Shqipërisë, që ishin vazalë të komunistëve jugosllavë e sovjetikë, për t’i bindur shqiptarët e trevave shqiptare të ish-Mbretërisë së Jugosllavisë për t’u mobilizuar kinse kundër pushtuesve të përbashkët, nazistëve. Kështu, partizanët serbë e malazezë ia arriten t’i grumbullonin mijëra shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare të ish-Jugosllavisë, kinse për ta luftuar ushtrinë naziste, në kohën kur atëbotë ushtria hitleriane e shkatërruar nuk mund t’i mbronte as dyert e kryeqytetit të tyre, Berlinit, pra në kohën e shpartallimit të saj. Strategjia për shfarosjen e burrave të aftë për mbrojtje, një pjesë të skenarit të cilën e realizuan në Tivar, bëri që pushtuesit serbë në vitin 1945 me lehtësi ta fusnin nën kontroll krejt Kosovën dhe viset e tjera shqiptare.

Nga studimet e përmbledhura në librin e Nail Dragës potencohet agjenda e një plani të gjenocidit të drejtuar kundër një populli. Masakra e Tivarit në asnjë variant nuk rezulton të ketë qenë e rastit, apo si hakmarrje e zakonshme e një formacioni ushtarak kundër formacioni tjetër ushtarak. Leximi i vëmendshëm i këtyre studimeve, leximi i faksimileve të dokumentuara nga arkivat, me akterë si: Enver Hoxha, Ramiz Alia, Gjin Marku, Rrahman Perllaku, e të tjerë, e shpërfaq vërtetësinë e një masakreje me plane gjenocidi, ku emrat e lartpërmendur janë bashkëpjesëmarrës në shfarosjen e një pjese të kombit të vet shqiptar.

Artikulli i 2 i Konventës për Gjenocid i miratuar më 9 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjenocidin dhe format e gjenocidit i përkufizon si më poshtë: “të gjitha aktet e kryera me qëllim të shkatërrimit, tërësisht ose pjesërisht, të një kombi, etnie, grupi fetar ose racor, si:

(a) vrasja e anëtarëve të grupit;
(b) lëndimi i rëndë fizik ose mental i anëtarëve të grupit;
(c) vënia e grupit qëllimisht në aso kushte të jetës që rezultojnë me zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij”.

Të tria këto kategori të përcaktuara në Konventën për Gjenocid e përbëjnë realitetin e Masakrës së Tivarit si gjenocid, që me të drejtë autori e përkufizon si të tillë.

Për Masakrën e Tivarit duhet të hulumtohen më ngulm arkivat e ushtrisë jugosllave në Beograd e Podgoricë, por edhe arkivat anglezë, amerikanë e gjermanë dhe tash e tutje kjo masakër të trajtohet me vërtetësi si gjenocid për të cilën kërkohen veprime adekuate juridike. Historinë duhet mësuar e kuptuar me të gjithë përbërësit e saj, me vërtetësi e me syçeltësi. Popujt që nuk dinë ta kuptojnë e kujtojnë të kaluarën e kanë të paqartë dhe të rrrezikuar të ardhmen. Kuptohet se studiuesi nga Ulqini, Nail Draga, e ka pasur si synim parësor ndriçimin e Masakrës së Tivarit nga shumë qasje dhe rrëfime nga dëshmitarët e mbijetuar.

Përpjekja e Nail Dragës për t’i hulumtuar të gjitha referencat e dokumentuara për Masakrën e Tivarit e ndihmon historiografinë të fokusohet në një temë që për më shumë se shtatëdhjetë vjet nuk është trajtuar me prioritetin e duhur sipas përmasës që e ka pasur: njërin prej gjenocideve serbe kundër shqitptarëve etnikë.

Ardian Haxhaj

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Prizren, më 11.6.2021)

1 KOMENT

  1. Partia Komuniste Jugosllave i ka vra pas luftes se dyte boterore ne perioden 1945-1948… 61 mije SHQIPTARË ne Maqedoni, Kosove dhe Mal te Zi…

Komentet janë mbyllur.