Zymer Mehani
Në Ditën e Çlirimit të Besianës, autori Fatmir Çitaku lexuesve llapjanë ua sjell librin “Shkollat dhe arsimi në Bajçinë përgjatë kohërave”
Autori Fatmir Çitaku, librin monografik “Shkollat dhe arsimi në fshatin Bajçinë përgjatë historisë” e ka shkruar duke u mbështetur në të dhënat historike, si dëshmi, që flasin për përpjekjet e shqiptarëve për shkollim dhe arsimim në gjuhën shqipe që nga kohërat më të hershme e deri më sot (2021). Materialin për këtë libër z. Çitaku e ka gjetur duke hulumtuar nëpër shkolla dhe biblioteka përgjatë viteve, në bashkëpunim me mësues veteranë e të rinj dhe me njerëz, të cilët kishin njohuri për rrethanat, në të cilat u hapën shkollat shqipe në Llap e veçanërisht në Bajçinë.
Me një përkushtim të veçantë autori Çitaku bashkëpunoi, sidomos me dy veteranët e arsimit, që punuan në Shkollën fillore të Bajçinës dhe të Podujevës, z. Nazif Ahmet Çitaku dhe z. Ibrahim Xh. Çitaku, të cilët ndihmuan duke evokuar kujtime me foto e biografi mësuesish, si dhe duke ofruar shënime historike për kohërat e mëhershme dhe për mësimëdhënsit përgjatë viteve. Një punë kësofare e kryen edhe shumë të tjerë, sidomos pasardhës të mësuesve tanimë të ndjerë, siç janë Sheribane Çitaku, Fehmije Toplica-Halimi, Naime Sylejmani, Refiku, djali i heroit Shaban Shala, Marjeta Gjata, veteranët e arsimit Ahmet B. Hoti, Selman Hoti, Hilmi Hoti e shumë të tjerë, me ndihmën e të cilëve, autori i kësaj monografie ka arritur të grumbullojë një material të rëndësishëm, që flet për të gjitha periudhat, kur shqiptarët bënin përpjekje të parreshtura për të mësuar në gjuhën shqipe dhe në shkollat shqipe.
Pra, iniciativa për të shkruar një monografi për shkollat dhe arsimin në fshatin Bajçinë përgjatë kohërave u mor nga vetë z. Fatmir Çitaku, i cili me një përkushtim të madh dhe me një punë shumëvjeçare i rreket kërkimit të fakteve nga koha në kohë dhe grumbullimit të të dhënave për hartimin e kësaj monografie. Ai ishte i fokusuar gjithnjë në ndriçimin e historikut të fshatit, ku u lind, pra, të Bajçinës dhe për rrethanat, në të cilat u hapën shkollat, së pari mejtepet, pastaj shkollat serbe dhe më vonë edhe shkolla shqipe, mësuesit e së cilës arritën, shumica syresh t’u mbijetojnë stuhive të atyre kohërave, në të cilat përjetuan represalje, sidomos nga pushtuesi serb.
Për ta bërë më të begatshëm librin në fjalë, autori shpalos dromca historike nga lashtësia (banorët e parë të Llapit (Çitakët, pastaj Zhjeqët e Begollët) e deri në kohërat e sotme, ku me një përkushtim të veçantë shtjellon në mënyrë të detajuar historikun e vendlindjes së tij, e sidomos etapat e zhvillimit të shkollave e të arsimit në Llap e Bajçinë përgjatë historisë. Me një fjalë, autori Çitaku nxori në pah periudhat nëpër të cilat kaloi edhe popullata e këtij fshati (e Bajçinës) gjatë shekujve e dekadave, duke bërë përpjekje për çlirim kombëtar dhe për arsimim në gjuhën shqipe, për çka shumë hoxhallarë, priftërinj, mësues e atdhetarë të tjerë pësuan, ngase u vranë, u helmuan e u masakruan nga armiqtë, siç ndodhi me pionierin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Naum Veqilharxhin, me mësuesin e Shkollës së Parë Shqipe të Korçës, Pandeli Sotirin; me martirët e gjuhës shqipe Petro Nini Luarasin e Papa Kristo Negovanin e deri te periudha e mëvonshme, kur pësuan mësuesit Remzi Demolli (në Llap), Halit Geci (në Skënderaj), Shaban Jashari (në Prekazin heroik) e shumë të tjerë.
Në këtë monografi autori mundohet t’i përfshijë të gjitha etapat historike, që nga vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), Lufta e Parë Botërore (1914-1918) e po ashtu edhe periudhën e fillimmbarimit të Luftës së dytë Botërore (1939-1945) e deri në ditët e sotme (1921), duke u përqëndruar veçanërisht në segmentin e arsimit dhe të shkollës shqipe në fshatin Bajçinë.
Në këtë monografi s’domend se s’ka patur mundësi të shtjellohen të gjitha ngjarjet që flasin për shkollat dhe arsimin në BAJÇINË, ngase pas luftës së vitit 1999, edhe Shkolla e këtij fshati u dogj nga forcat paramilitare dhe militare serbe, e bashkë me të edhe i tërë dokumentacioni pedagogjik e historik.
Dhe fare në fund, autori Fatmir Çitaku i falënderon të gjithë kontributdhënësit (mësuesit veteranë, mësimdhënësit e rinj, pasardhësit e mësuesve të ndjerë, studentë e miq) që ndihmuan me materialet e tyre (me fotot, me shënimet historike, me biografitë e mësuesve etj.) për ta jetësuar botimin e këtij libri. Në veçanti, autori përshëndet veteranët e arsimit Nazif e Ibrahim Çitakun dhe drejtorin e Shkollës Fillore dhe të mesme të Ulët “Emin Duraku”ntë fshatit Bajçinë, z. Bashkim Lepaja, të cilët e ndihmuan me material të rëndësishëm dhe me të dhëna për të kaluarën dhe aktualitetin e Shkollës së Bajçinës.