Joseph Brodsky – Çmimi Nobel për letërsi (1987)

0
260
Joseph Brodsky

Brodski u dëbua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1972, për pjesmarrjen e tij në grupin e separatistëve rus të kohës

“Në vitin 1963, poezia e tij u dënua rëndë nga regjimi i kohës, duke e cilësuar
si një vepër anti-sovjetike. Ata ia konfiskuan të gjitha veprat, duke ia hequr
nga qarkullimi. Ata pasi e morën për orë të tëra në pyetje, vendosën që ta
çonin në një institut për të meta mendore dhe më pas e arrestuan.”

Josif Aleksandroviç Brodski ishte një ndër poetët më të njohur sovjetikë, i cili u natyralizua si amerikan. Brodski u dëbua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1972, për pjesmarrjen e tij në grupin e separatistëve rus të kohës. Ai kaloi kufirin rus me ndihmën e madhe të W. H. Auden, i cili e ndihmoi atë të shkonte drejt Amerikës. Në Amerikë ai do të punonte si profesor në universitetet më të njohura si: Yale, Michigan dhe Cambridge.

Brodski do të nderohej nga akademia suedeze me çmimin Nobel për letërsi në vitin 1987, me motivacionin “Për një mendim të qartë dhe të thellë”. Në vitin 1991, Josif Brodski u nderua me çmimin si poeti amerikan më i mirë në Amerikë.

Vitet e para:
Josif Brodski lindi më 24 maj të vitit 1940, në një familje çifute në Leningrad. Babai i tij punonte si fotograf profesionist në marinën sovjetike, ndërsa e ëma ishte aktore profesioniste. Ata jetonin në një apartament në kushte të mjeruara shoqërore, sepse ata ishin çifutë. Në këtë kohë, Brodski përjetoi një gjëndje të rëndë shpirtërore, kur familja e tij u persekutua nga regjimi i kohës, duke vuajtur për bukën e gojës, prej së cilës Brodski do të sëmurej shumë rëndë për shumë kohë. Shumë kohë më pas Brodski do të deklaronte se në atë kohë ai ndjehej si dizident në shkollë, sepse shumë nga mësuesit e tij ishin antisemitë.

Ai shtoi se në atë kohë, Leninin nuk e urrenin vetëm për politikën e tij, por dhe për imazhin e keq që ai përcolli në arenën ndërkombëtare, e cila e penalizoi shumë vendin. Në moshën 15 vjeçare, Brodski e la shkollën dhe u përpoq që të futej në marinë, por pa sukses. Më pas ai do të punonte si punëtor i thjeshtë. Më pas ai do të mbaronte studimet për fizikë me rezultate të shkëlqyera. Pas dipllomimit, ai filloi të punonte pranë morgut të burgut Kresty.

Po në këtë kohë Brodski ndoqi një kurs vet-edukimi për mësimin e gjuhëve të huaja. Ai mësoi shumë mirë gjuhën polake dhe filloi të përkthente poetët më të mirë polakë të kohës së tij, ku ndërmjet të cilëve ishte edhe Czeslav Milosz. Brodski gjithashtu përktheu edhe autorë amerikanë si John Donne, të cilët falë tij u njohën edhe në vendet jo anglisht folëse.

Karriera dhe familja:
Josif Brodski e filloi karrierën e tij letrare në vitin 1955, duke publikuar një seri të madhe me poezi dhe përkthime të autorëve të huaj. Gjithë këto ai i bënte në fshehtësi, duke i publikuar në gazetën “Sintaksis”, për shkakun e vetëm se ishte i deklasuar. Në vitin 1960, Brodski u njoh me poeteshën Ana Akhmatova, e cila më vonë u bë edhe këshilltarja e tij.

Në vitin 1958, ai ishte shumë i njohur në rrethet letrare të kohës me poemat e tij me titull: “Varreza çifute pranë Leningradit” dhe “Pelegrinët”. Në një intervistë të dhënë për një gazetë, pyetjes se si vendosi të shkruante poema, ai iu përgjigj: “Ishte viti 1959, kur unë isha në Yakutsk, aty shkova në një librari dhe fillova të lexoj poemat e Baratynskyt. Pas leximit të atyre poemave, unë vendosa se çfarë do të bëja për të jetuar”.

Në vitin 1962, gjatë një feste në Shën Petersburg, Ana Akhmatova e prezantoi Brodskin me artisten Marina Basmanova. Që nga ajo kohë dhe deri në vitin 1972, ku ai u dëbua nga vendi ata qëndruan bashkë, duke patur edhe një djalë me emrin Andrey, i cili më vonë do të regjistrohej me mbiemrin e së ëmës, për shkak se Brodski ishte i deklasuar.

Basmanova i qëndroi pranë Brodskit në luftën e tij gjyqësore në Archangelsk, por ajo nuk u martua kurrë me të, sepse autoritetet e kohës nuk ia lejuan një gjë të tillë. Megjithëse në dhé të huaj, Brodski nuk i braktisi ato. Ai iu shkruante atyre gjithmonë, duke i mbajtur kontaktet me to.

Denoncimi:
Në vitin 1963, poezia e tij u dënua rëndë nga regjimi i kohës, duke e cilësuar si një vepër anti-sovjetike. Ata ia konfiskuan të gjitha veprat, duke ia hequr nga qarkullimi. Ata pasi e morën për orë të tëra në pyetje, vendosën që ta çonin në një institut për të meta mendore dhe më pas e arrestuan. Pas një gjyqi sekret, në vitin 1964 ai u akuzua si një parazit social.

Ai u dënua me 5 vjet burg me punë të detyruar dhe më vonë me 18 muaj për të punuar në një fermë në Archangelsk, e cila ishte një rajon shumë i largët, në të cilin ai duhej të bënte punë të rënda fizike. Pas këtij vendimi çnjerëzor, në vitin 1965 në Bashkimin Sovjetik pati shumë protesta nga të gjithë poetët dhe figurat më të njohura të kohës si: Evgeny Evtushenko, Dimitri Shostakovich dhe Jean Paul Sartre, të cilët iu bashkuan Akhmatovës për ta rrëzuar këtë vendim absurd. Në këtë kohë vendimi i gjykatës doli jashtë kufijve, duke rënë në duart e amerikanëve, të cilët i shëndërruan figurat e Brodskit dhe të Akhmatovës në simbole të luftës kundër totalitarizmit.

Pas dënimit, Brodski u rikthye përsëri në Leningrad. Ai vazhdoi karrierën e tij aty ku e la, duke publikuar për shtatë vjet me radhë shumë poema, të cilat u përkthyen në gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht, duke e bërë atë shkrimtarin më të suksesshëm në perëndim. Në këto vite, figura e tij u rrit akoma më shumë me publikimin e librit të tij me titull: “Poezi dhe poema” në Uashington.

Dy vite më vonë në Londër, u publikua libri me titull: “Elegji për John Donne” (1967), ndërsa në Nju Jork u publikua “Një ndalesë në shkretëtirë” (1970). Në Leningrad, Brodskit iu botuan vetëm katër poema, të cilat dolën në shitje midis viteve 1966-1967. Shumë vepra të tij në Leningrad qarkullonin në fshehtësi të madhe deri në vitin 1987. Për shkak se ishte çifut, Brodskit iu ndalua reptësisht që të udhëtonte jashtë vendit. Në vitin 1971, Brodski mori një ftesë për të shkuar në Israel, të cilën ai e refuzoi menjëherë.

Në vitin pasardhës policia hyri me forcë në apartamentin e tij, duke konfiskuar të gjitha veprat dhe më 4 qershor të 1972, e dërguan në Vienë. Këtu Brodski u njoh me Auden, i cili e ndihmoi atë të arratisej drejt Amerikës, ku ai jetoi në mërgim deri në fund të jetës së tij, duke mos u kthyer kurrë në atdhe.

Amerika:
Pasi erdhi në Amerikë, Brodski u vendos në Ann Arbour. Shumë shpejt ai do të bëhej profesor në universitetin e Miçiganit, ku do të punonte për një vit. Më pas në vitet 1973-1974, ai do të ishte profesor në disa universitete të njohura sikurse ishin: Queens, Smith, Columbia dhe në Cambridge. Më vonë në vitet 1974-1980, Brodski u rikthye përsëri të punonte pranë universitetit të Miçiganit.

Gjatë këtyre viteve ai do të fitonte shumë çmime prestigjoze letrare, ku mund të përmendim: çmimin Endriu Mellon për letërsi, doktor letërsie në universitetin e Yales në vitin 1978 etj. Më 23 maj të vitit 1979, Brodski u bë anëtar i akademisë amerikane dhe institutit të arteve e letërsisë. Në vitin 1980, ai u vendos në fshatin Grenuiç, ku jetoi për disa vjet. Një vit më vonë ai do të nderohej me çmimin John D. dhe Catherine T. McArthur.

Brodski gjithashtu ka marrë çmimin Excellence, nga qëndra ndërkombëtare e Nju Jorkut. Në vitin 1986, koleksioni i tij me ese i titulluar: “Më pak se një” fitoi çmimin kombëtar të kritikës dhe për këtë atij i dhanë një doktoraturë honorifike për letërsi nga universiteti i Oxfordit. Në vitin 1987, Josif Brodski u nderua me çmimin Nobel për letërsi.

Ai ishte i pesti rus që e kishte fituar atë. Gjatë një interviste të dhënë pas marrjes së çmimit, ai u pyet: “Ju jeni një shtetas amerikan, që po merrni një çmim për poezinë më të mirë ruse. Çfarë jeni ju, një amerikan apo një rus? Brodski iu përgjigj: “Unë jam një çifut, një poet rus dhe një eseist anglisht-folës”. Brodski u zgjodh nga akademia suedeze si fituesi i këtij çmimi me motivacionin: “Për një mendim poetik të qartë dhe të thellë”.

Pas fitimit të këtij çmimi, Brodski do të theksonte se ky ishte një hap shumë i madh në karrierën e tij letrare. Në vitin 1991, Brodski u bë një ndër poetët më të shquar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas disa vjetësh, Brodski u nderua me një tjetër çmim honorifik nga universiteti i Silesisë në Poloni dhe u bë anëtar me të drejta të plota në akademinë nderkombëtare të shkencave.

Në vitin 1995, Brodski mori një ftesë nga redaktori Gleb Uspensky për t’u rikthyer në Rusi në kuadër të një turi letrar, por ai e refuzoi atë kategorikisht. Në vitet e fundit të jetës, Brodski ishte nën një presion shumë të madh, i cili vinte prej atyre të cilët e quanin atë si: “i puthuri nga fati”, gjë që ai e mori me të qeshur. Në vitet ’90, Brodski e ftoi djalin e tij Andrey për të vizituar Nju Jorkun. Ata të dy qëndruan bashkë deri në vdekjen e tij. Andrey u martua dhe pati tre fëmijë, ata tani jetojnë në Shën Petërsburg. Në vitin 1990, Brodski u martua me studenten e tij Maria Sozzani, e cila ishte ruso-italiane.

Ata të dy patën dhe një vajzë, të cilën e quajtën Ana. Brodski vdiq nga një atak në zemër në moshën 55 vjeçare, në apartamentin e tij në Nju Jork City më 28 janar të vitit 1996.

Përpara se të vdiste, Brodski në vitin 1979, kishte bërë një operacion në zemër dhe më pas kishte pësuar edhe dy baj-pase. Ai u varros në ishullin San Mikele, në varrezat e Venecias në Itali. Në vitin 1997, pranë shtëpisë së tij në Shën Petërsburg është vënë një pllakatë, në të cilën shkruhet: “Në këtë shtëpi, nga viti 1940 deri në vitin 1972 ka jetuar poeti i madh rus Josif Brodski.

Përktheu nga anglishtja:
Endrit Shtylla
09.12.2010