ATDHEU IM

1
403
Violeta Kadriu

Violeta Kadriu

ATDHEU IM

Të shkruaj për të shtrenjtin e të bukurin Atdheun tim
më duhet ngjyrë nga shtatë ngjyra Ylberi,
më duhet penë nga krahë e sqep shqiponje
e syqelësi e thellë marrë nga sy skifteri.
Atdheu im është vendi më i bekuar Perëndie,
është vend i trimërisë, urtësisë, nderit e besës,
vend me portë të hapur çdoherë karshi lirie,
trëndafil i kuq që i qeshet vesës.
Atdheu im peshon aq shumë rëndë,
stërmbushur në çdo skaj murana e lapidarë,
para të cilëve përulen shekujtë trimërorë të Kombit
e na bëjnë krenarë se jemi shqiptarë.
Atdheu im shkëlqen nën rreze të arta Dielli,
me vargmale të larta martire, mbuluar me dëborë,
që me aq hijeshi rrethuar me hapërime shqiponjash qielli,
u rrinë dimërave idhnakë si nuse me kurorë.
Atdheu im lahet në det, liqene, lumenj, ujëvara e prroje,
reflekton ylbere e nur hëne në çdo luginë, mal e shpat,
flet me gjuhë shqipe, si më e ëmbla mjaltë në hoje,
përkund pa nda djepa ilirë, në çdo qytet e fshat.
Për çdo verë arat e Atdheut tim gumëzhijnë nga “tëërr-tëërr “thëllanze,
ndër kopshtije me aromë dredh belin zambaku e karanfili,
çdo nektar lule fushe puthet nga buzë blete e anëze,
teksa në degë të blirëve ia thotë me mallë bilbili.
Në vjeshtë çdo gjeth që bie ka aromë pishe, lisi e dafine,
ka shushurimë e aromë qershie, kumbulle, molle, ftoi,
ka ngjyrë kuqaloshe e verdhoshe shege, portokalli e mandarine,
ka gurgullimë lumi kristal e freski ujë përroi.
Atdheut tim i vie erë mantelbardhë,
i vie erë dritëdije, libër e fletore,
ka jehonë kënge, çiftelie, violine, lahute për çdo ditë të bardhë,
e gaz e hare nxënësish, ulë në banka shkollore.
Atdheu im qëndron në këmbë mbi kulla e kala kreshnike,
ku ende ndihet gjama e krisma e martinave ndër frengji,
krenohet me burra, gra, djem e vasha fisnike,
që për të janë më të mirat poema, lirika e elegji.
Atdheu im ka notuar në pellgje të thella gjaku,
ka mbirë prej tyre e ruan lule bozhure në gji,
është vend ku për liri flijohet fëmiu, i riu e plaku,
e s’ duron perandorë, mbretër as krajli.
Atdheu im çdo herë do të frymojë i lirë,
ngre kështjella lirie çdo ditë kat më kat,
jo, Atdheu im kurrë s’ duron pranga, zingjirë,
që jem gjak, kockë e tru i Tij, oh, sa jem me fat!
Atdheu im i lashtë rritë KADRI KADRIA,
ADEM JASHARA, ZAHIR PAJAZITA,ILIR KONUSHEVCA, AFRIM MALIQA,
ALI AJETA, AFRIM ZHITIA, EDMOND HOXHA, BAHRI FAZLIA,
që kurrë në këto troje mos t’ shkelin “MILLOSHEVIQA”.
Atdheut tim të ndritur, oh sa mirë i rri Dyngjyrëshi,
ku Shqipja jonë krenare ka t’ përjetshmën fole n’ kuqlim larë,
i rrinë bukur në çdo cep emrat Nënë, Baba, Motër, vëlla,
por më së bukuri i rri emri “ATDHEU YNE SHQIPTAR”.

VIOLETA KADRIU, 17 QERSHOR 2021 – PODUJEVE, KOSOVE

1 KOMENT

  1. Te lumte per kete poezi atdhedashurie.

    Poezite me te sinqerta dhe me te mira per atdheun shkruhen kur jeton ne atedhe… e jo sikur disa qe ikin sot nga atedheu …dhe neser shkruajne shkarravina patriotike kinse e dua atedheun….

Komentet janë mbyllur.