Hysen Ibrahimi: VEPRA 1

0
1626
Hysen Ibrahimi - vepra 1

Fetah Bahtiri
RECENSION

Hysen Ibrahimi: VEPRA 1, VLERËSIME, OPONIONE, INTERVISTA, RECENSIONE, Prishtinë, 2015

Në fund të vitit 2015 doli nga shtypi libri i autorit Hysen Ibrahimi me titullin: ” VEPRA 1, VLERËSIME, OPONIONE, INTERVISTA, RECENSIONE”. Botues është Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Disa të dhëna teknike dhe karakteristike për librin janë si vijon: libri është i shtypur bardh e zi, ka 320 faqe të formatitt 17 x 24 cm. dhe është i ndarë në katër kapituj: Kapitulli 1 – Vlerësime, Kapitulli 2 – Oponione, Kapitulli 3 – Intervista dhe Kapitulli 4 – Recensione, kritika letrare.

Vetë autori në parathënie orienton lexuesin në brumin të cilin e gjen në libër. Ai sqaron se ky libër ngërthen disa vlerësime e opinione që në mjetet e informimit janë shkruar dhe shprehur nga autorë të ndryshëm përkitazi me veprimtarinë e tij shumëvjeçare në shërbim të atdheut, kombit dhe për disa nga angazhimet e kontributet e tij në këtë drejtim, ashtu siç janë parë dhe vlerësuar nga autorët e shkrimeve në mjetet e informimit. Në të vërtetë, shkrimet e vlerësimet janë të shumëta dhe të llojllojshme, por kësaj radhe prezantohen vetëm disa prej tyre, siç janë për shembull intervistat me autorin e këtij libri, opinione, pikëpamje, vlerësime etj.

Autori shton se atë në jetë e kanë preokupuar e munduar shumë edhe ecuritë politike në tërë gjeografinë shqiptare. Çdo lëvizje, çdo veprimtari pozitive apo negative qoftë ajo, ka krijuar emocione e qerdhe në shpirtin dhe në zemrën e autorit Hysen Ibrahimi. Ai sqaron më tutje se gjatë tërë jetës është përpëlitur me ato ndjenja, të cilat kurrë nuk e kanë lënë të qetë. Kjo ndjenjë ka bërë që të veprojë e të veprojë, të punojë për t´u shërbyer atyre që kanë pasur nevojë, për t´i organizuar njerëzit (sidomos në mërgatën tonë të madhe jashtë atdheut), në mënyrë që një ditë populli i tij t´i korrë frytet e bereqetit që quhet liri e plotë dhe pavarësi, gjë të cilën e gëzojnë të gjithë popujt e botës së civilizuar. Në këtë libër janë paraqitur disa pikëpamje të autorit për disa çështje, njerëz e rrethana me të cilat është rrekur ndër dekada.

Duke bërë përpjekje që ai t´i kuptojë mirë e plotësisht mesazhet e krijuesve edhe në gjini të ndryshme letrare, ka bërë përpjekje të depërtojë në shpirtin e autorëve të veprave të këtilla dhe ka shkruar e botuar bukur shumë recensione, kritika letrare dhe vlerësime për vepra të autorëve të niveleve të ndryshme. Recensionet, kritikat letrare dhe vlerësimet i ka bërë ashtu siç i ka parë, përjetuar dhe kuptuar mesazhet e autorëve. E ndien veten të nderuar që disa prej tyre t´i prezantojë në këtë libër.

Pra, në këtë libër vërehet një spektër i gjerë i veprimtarisë dhe i angazhimeve të autorit. Autori ka kthetruar bukur thell në politikën aktuale të kombit shqiptar, por edhe në krijimtarinë letrare në prozë e poezi të shumë autorëve shqiptarë.

Edhe vetë titulli ”VEPRA 1 (Vlerësime, opinione, intervista, recensione)” na bën të kuptojmë se çka gjejmë në te: pra, aty hasim shkrime për autorin Hysen Ibrahimi, por edhe shkrime të tij të cilat peshojnë në aktualitetin edhe politik, e edhe të krijimtarisë së tij letrare, po ashtu edhe publicistike. Pra, ky libër pjesërisht është publicistik, por në te hasim edhe kritika letrare për vepra të shumta të autorëve shqiptarë.

Ajo që është më karakteristike në këtë libër qëndron në sa vijon: këtu hasim një energji të madhe e të pabesueshme gjigante të autorit, një vrull e vullnet tepër voluminoz për t´u kacafytur me tema të shumta, për çka secili duhet t´i lakmojë për një elan kaq të madh krijues. Kacafytja e tij shumëfare me shumëllojshmëri temash del se është shtytje nga brendia e qenies së tij me synimin e vetëm: t´i shërbejë njerëzimit, ambientit, atdheut – të gjithë atyre që u nevojitet një shërbim i këtillë.

Autori në parathënien e librit ka theksuar: ”Nëpër kokë më sillen shumë koncepte e ide, kam shumë materiale dhe nëse më shërben shëndeti, synoj që në të ardhmen të gjitha idetë t´i shtrojë në letër, ndoshta në katër, pesë apo edhe më shumë libra, gjithnjë duke vazhduar me numrat 2, 3 e kështu me radhë, në mënyrë që edhe pasardhësit tanë të mësojnë për këtë periudhë përpjekjesh e sakrificash nëpër të cilën kanë kaluar paraardhësit e tyre.” Pra, ky është një paralajmërim se Hysen Ibrahimi do të vazhdojë me vepra të tjera të këtij zhanri, me numrat 2, 3, 4 e tutje.

Kjo e zgjon kureshtjen e secilit lexues, prandaj me këtë zgjohet kërshëria e tij (e lexuesit) dhe gjhithësesi do të jetë interesante të përcillet kjo veprimtari krijuese (e shkruar) e Hysen Ibrahimit. Ai në parathënien e librit premton: ”Çdo lëshim eventual në këtë vepër, do të plotësohet në librin e radhës. Prandaj, vërjetjet e lexuesit janë shumë të mirëseardhura, sepse ato do ta pasurojnë krijimtarinë time dhe atyre do t’u jem shumë mirënjohës.”

Si redaktor i këtij libri, Hysen Ibrahimit i dëshiroj shëndet të mirë dhe realizimin e plotë të planifikimeve të tij për shkrimin me sukses të gjitha veprave të paralajmëruara, pikërisht ashtu siç i ka menduar.

Të priftë e mbara në krijimtari dhe në veprimtari!