E përgatiti Prof. Zymer Mehani
Sipas albanologut kanadez Robert Elsie, shqiptarët hynë në skenën e historisë së shkruar pasklasike në gjysmën e dytë të shekullit XI dhe vetëm në këtë shekull, sipas tij, mund të flitet me siguri mbi një popull shqiptar ashtu siç e njohim sot. Sipas këtij studiuesi të shquar, në Historinë e tij të shkruar në vitet 1079-1080, historiani bizantin Mihal Ataliates (Michael Attaleiates) flet për Albanoi si pjesëmarrësit e një kryengritjeje kundër Konstantinopolit në vitin 1043 si dhe për Arbanitai si një popull i princit të Durrësit.
Gjithashtu rreth vitit 1081, Jan Skilica (Joannes Skylitzes), një historian tjetër bizantin, flet për Arbanites si ushtarë në trupat e mbledhura në Durrës nga Nikeforos Basilakios. Me përjashtim të veprës së gjeografit Ptolemeus nga periudha romake, këto janë rastet e para të përdorimit të shkruar të fjalës Alban-, Arban- ëka, që tregon se populli shqiptar fillon të marrë një fizionomi dhe një identitet edhe për popuj të tjerë.
PËRMENDJA E EKZISTENCËS SË GJUHËS SHQIPE Edhe ekzistenca e gjuhës shqipe sipas R. Elsie përmendet për herë të parë në fund të shekullit XIII dhe në fillim të shekullit XIV. Bile brenda këtyre viteve, 1285 deri në 1332, ekzistenca e gjuhës shqipe permendet katër herë:
I. Rasti më i hershëm, i vitit 1285, i takon jo Shqipërisë vetë, por krahinës së Dubrovnikut ose të Raguzës, ku jetonin mjaft shqiptarë. Në hetimet për një vjedhje në shtëpinë e Petro del Volcio nga Belena, njëfarë Matheus, biri i Markut prej Mençe, i cili ishte, siç duket, një dëshmitar i krimit, raportoi kështu latinisht: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” (Dëgjova një zë duke thirrur në mal në gjuhën albaneske).
II. Rasti tjetër, ku përmendet gjuha shqipe gjendet në një vepër anonime të quajtur “Anonymi Descriptio Europae Orientalis”
(Përshkrim Anonim i Evropës Lindore). Kjo vepër mesjetare latine e vitit 1308 trajton vendet dhe viset e Evropës Lindore, veçanërisht vendet e Gadishullit Ballkanik. Mendohet se autori ishte një prift frëng i urdhërit dominikan, i cili u dërgua nga kisha në Sërbi.
Teksti i “Anonymi Descriptio Europae Orientalis” ekziston në disa dorëshkrime, si për shembull Ms. Lat 5515 dhe Ms. Lat. 14693 në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, Ms. 263 në Bibliotekën e qytetit Poatie (Poitiers) në Francë dhe Cod. Lat. 66 në Bibliotekën Universitare të Laiden-it të Hollandës. Përshkrimi Anonim ka kapituj mbi viset e ndryshme të Greqisë bizantine, mbi Rashën, Bullgarinë, Ruteninë, Hungarinë, Poloninë, Boheminë si dhe një kapitull mbi Shqipërinë, një përshkrim të rrallë të këtij vendi dhe të këtij populli në shekullin e katërmbëdhjetë.
Në këtë tekst thuhet se Shqipëria ka “banorë me të vërtetë luftëtarë, të cilët janë harkëtarë dhe ushtarë të shkëlqyeshëm… të cilët nuk kanë qytete, kampe, fortifikime ose ferma, por jetojnë në çadra dhe janë gjithmonë në lëvizje nga një vend në tjetrin.” Kapitulli mbi Shqipërinë mbaron duke theksuar, edhe këtu, ekzistencën e gjuhës shqipe: “Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus” (Shqiptarët e lartpërmendur kanë një gjuhë të veçantë nga gjuha e latinëve, e grekëve dhe e sllavëve, kështu që nuk mund të komunikojnë fare me kombe të tjerë);
III. Rasti i tretë, ku gjuha shqipe përmendet, gjendet në një vepër të shkruar nga një shtegtar i krishterë në udhëtim për në Tokën e Shenjtë në vitin 1322. Shkrimet e shtegtarëve në rrugë për në Tokën e Shenjtë përbëjnë një burim kryesor informacioni mbi vendet e Mesdheut Lindor në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë. Në këtë rast, dy shtegtarë angloirlandezë me emrat Symeon Semeonis dhe Hugo Illuminator, që mund t’i quajmë shqip Simon Simoni dhe Hugo Iluminatori, kaluan në Shqipëri në vitin 1322 dhe Simoni shkroi përshtypjet e tij në një lloj udhëpërshkrimi. Kjo vepër na jep një përshkrim mjaft të vlefshëm të bregdetit shqiptar në shekullin XIV.
Simon Simoni, një murg i urdhërit françeskan, u nis nga Klonmeli i Irlandës në pranverë të vitit 1322 me shokun e tij Hugo Iluminator. Ata kaluan në Londër, Kantërbëri, Dovër, Visant, Paris, Bon, Lion, Avinjon, Nisë, Gjenovë, Bobbio, Piaçencë, Parmë, Mantovë, Veronë, Viçencë deri në Venedik. Nga Venediku udhëtuan me një anijë tregtare për në Tokën e Shenjtë duke qëndruar gjatë rrugës në Pulë, Zadar, Dubrovnik, Ulqin, Durrës, Korfuz, Qefaloni dhe Kretë, para se të arrijnë në Aleksandri. Vepra e Simonit, e njohur si Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam (Rruga e Simon Simonit nga Irlanda deri në Tokën e Shënjtë) ruhet në Bibliotekën e Kolegjit Corpus Christi në Kembrixh të Anglisë. Duke udhëtuar në bregdetin shqiptar, Simoni shënoi ndër të tjerat:
“Albanya est provincia inter Sclavoniam et Romanyam, per se linguam habens” (Shqipëria është një krahinë midis Sllavonisë dhe Romanisë, e cila ka një gjuhë të vetën). Për qytetin e Durrësit vazhdon kështu: “Inhabitatur enim Latinis, Grecis, Judeis perfidis, et barbaris Albanensibus” (Banohet kështu nga latinët, grekët, çifutët e pabesë dhe barbarët shqiptarë). Në trajtimin e qytetit të Dubrovnikut flet edhe për gjuhën e këtyre barbarëve, duke thënë: “In eadem dominantur Veneti, et ad eam confluunt Sclavi, Barbari, Paterini et alii scismatici negotiatores qui sunt gestu, habitu et lingua Latinis in omnibus difformest”
(Në këtë [qytet] mbretërojnë venedikasit dhe qarkullojnë këtu edhe sllavë, barbarë, paterinë dhe tregtarë të tjerë skismatikë, të cilët ndryshojnë krejt nga latinët në zakonet, veshjet dhe gjuhët e tyre); IV. Rastin e katërt, ku përmendet ekzistenca e gjuhës shqipe e kemi në vitin 1332 në veprën e një murgu frëng të urdhërit dominikan me emrin Brokard (Lat. Brocardus monacus). Në traktatin e tij latin, i quajtur Directorium ad passagium faciendum (Udhëzime për kapërcimin e detit), Brokardi shënon fjalinë tashmë të njohur në letërsinë shqipe:
“Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Shqiptarët kanë një gjuhë tjetër, krejt të ndryshme nga latinishtja, megjithatë përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre). Kjo fjali u interpretua nga shkencëtarët shqiptarë si një dëshmi për ekzistencën e librave në gjuhën shqipe, por ka më shumë të ngjarë se Brokardi e kishte fjalën për gjuhën latine të përdorur në Shqipëri.
Çfarë rëndësi u jepet këtyre katër rasteve, që u shënuan brenda një periudhe prej dyzet e shtatë vjetësh (1285-1332)? Ata tregojnë me qartësi se në atë kohë, për herë të parë, shqiptarët kishin dalë përfundimisht në skenë si komb me një gjuhë dhe me zakonet e veta.
Çfarë kishte ndodhur?
Që nga mbrritja e sllavëve në jug të Gadishullit Ballkanik dhe në Shqipëri deri në pushtimin turk në shekullin XV, shqiptarët jetuan në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me fqinjët sllavë. Mund të flitet bile për një simbiozë apo bashkëjetesë sllavo-shqiptare në shumë krahina të Shqipërisë.
Gjatë kohës së kësaj bashkëjetese, fiset nomade shqiptare po asimiloheshin nga sllavët. Një pjesë e popullsisë shqiptare qe asimiluar krejtësisht dhe një pjesë tjetër u tërhoq dalë ngadalë në tokën e mirëfilltë shqiptare, në malësi. Në Mesjetë nuk kishte shumë banorë shqiptarë nëpër qytetet e bregdetit shqiptar. Banorët e Durrësit ishin kryesisht venedikas, grekë, çifutë dhe sllavë. Në Shkodër banonin venedikas dhe sllavë, kurse në Vlorë grekët bizantinë. Ashtu si indianët në Amerikën Veriore pas kolonizimit evropian, popullata shqiptare qe mënjanuar në vendin e vet.
Në fund të shekullit X Perandoria e Madhe Bullgare u pushtua nga grekët e Bizantit duke u dhënë fiseve shqiptare, po ta quajmë kështu, një mundësi për ta zgjeruar tokën. Gjatë shekujve XI dhe XII shqiptarët filluan të lëviznin nga malësia, duke zënë vend në fushën bregdetare të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme. Në këtë periudhë u themelua shteti i parë shqiptar Arbanon, i cili pati jetë prej vitit 1190 deri në vitin 1216. Në shekullin e XIII, shqiptarët u konsoliduan si komb dhe u zgjeruan dalë ngadalë në drejtim të jugut, duke marrë Shqipërinë e Jugut dhe Maqedoninë Perëndimore.
Me kohë, zunë vend edhe në gjithë Greqinë. Me këtë zgjerim tokësor dhe me këtë konsolidim kuptohet që në këtë periudhë shqiptarët nuk ishin më barbarë nomadë të rrallë, të cilët bridhnin nëpër luginat e largëta të malësisë, por kishin filluar të bëheshin të dukshëm si komb për popujt e tjerë.
Në periudhën 1285-1332, siç e pamë, gjuha shqipe për herë të parë u bë një dukuri për shkrimtarët e huaj që kishin kontakt me pjesën jugperëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në shekullin XV dolën dokumentet e para të shkruara në gjuhën shqipe: 1405, 1462, 1483, 1497 dhe kështu, pas shumë shekujve në errësirë, kultura dhe letërsia shqipe filluan më në fund të lulëzojnë. Ironia e fatit për ne është se hapi i parë i daljes në skenë të gjuhës shqipe lidhet me një vjedhje.