Ben Blushi: Ligji i plehrave, fundi i moralit të një grupi të ndotur keqbërësish

0
781

Nga Ben Blushi, 22 Shtator 2016

Kushdo që kerkonte një provë ngjashmërie mes Rilindjes dhe Partisë Demokratike ja ku e ka sot:
Rilindja po voton ligjin e PD për importin e mbetjeve, një ligj të cilin e pati shfuqizuar vetë në vitin 2013.
Besoj se me këtë akt, morali politik i këtij grupi të ndotur keqbërësish merr fund.

Nga nesër, të dyja bashkë, Rilindja dhe PD, do të nxjerrin kokën nga kazanët e plehrave dhe do të na buzëqeshin. Natyrisht nuk na mbetet tjetër vetëm të kalojmë aty dhe t’ua hedhim plehrat në kokë për t’i mbuluar.

Ky ligj për heqjen e kufijve për mbetjet që vinë nga Evropa është kriminal.

Duke hequr kufijtë për helmet që do hynë në Shqipëri, ai do jetë përgjegjës direkt për shëndetin e rrezikuar të qindra mijëra shqiptarëve, toka, uji dhe ushqimet e të cilëve do të helmohen për shkak të rritjes së sasive të mbetjeve që shkakton ky ligj.

Nëse duhet të them pse erdhi ky ligj sërish në parlament, pasi ai u hoq në vitin 2013, natyrisht e kam një përgjigje: ky ligj është i blerë. Dikush ka paguar për ta sjellë në parlament. Pa asnjë dyshim.

Rilindja nuk e fsheh më se e ka shitur ligjin në treg. Eshtë krijuar me sa duket nën kujdesin e veçante të Partive Tregtare të Rilindjes edhe një treg i ri: tregu i ligjeve.

Nëse ke para e blen një ligj, nëse nuk ke, e blen kundërshtari yt.
Dyqani i Rilindjes funksionon non stop për të shitur ligje.
Vetë Rilindja pra, e pranon se ligji vjen këtu në emër të disa firmave të riciklimit, të cilat pretendojnë se kanë mbetur pa punë.
Kjo pra është çështja. Ligjin nuk e ka sjellë në Kuvend interesi publik, por interesi privat.
Interesi publik kërkon pastërti,interesi privat kërkon para. Qeveria u rreshtua me të dytën.
Eshte kaq e thjeshtë, kaq e poshtër dhe kaq kriminale.
Prandaj pyetja mbetet prej shumë kohësh: Kush e qeveris Shqipërinë?

E qeveris një grusht biznesmenësh, të cilët dje kishin kapur PD dhe sot kanë kapur Rilindjen. Pra rotacioni i pushtetit nuk vlen më në Shqipëri. Shqiptarët votojnë dhe gjithmonë nga kutia e votimit del një grup biznesmenësh, pronë e të cilëve janë edhe dy partitë e mëdha, PD dhe Rilindja dhe, një pak më e vogël, e cila bën transportin e bizneseve nga njëra të tjetra. Mes dy brigjeve që i ndot i njëjti moçal, ka gjithmonë nevojë për një kazan lundrues.

Fillimisht, Rilindja e kaloi me sukses heqjen e doganave për mbetjet brenda Partisë Socialiste. Ajo e bëri provën gjenerale duke hequr doganat morale për mbetjet e biznesit, për mbetjet e krimit, për mbetjet e vulgaritetit dhe injorancës në këtë vend. Mbetjet e shoqërisë Rilindja i bëri deputetë. Sot ata po bëjnë atë për të cilën erdhën këtu: po votojnë për mbetjet.

Megjithatë pa shkuar larg në këtë lirikë të zezë, që duhet ta kishte titullin: “Si të jetosh në kazan”, kam disa çështje për të sqaruar ligjin.

Së pari.
Rilindja thotë se industria e riciklimit ka fitime të vogla dhe prandaj duhet të blejë mbetje jashtë vendit. Pyetja është si ka mundësi që ricikluesit investuan kaq shumë për të rritur kapacitetet e tyre, ndërkohë që ligji ishte anulluar prej tre vitesh.

Kjo është njelloj si të investosh në industrinë e përpunimit të kanabisit, ndërkohë që ai nuk është legal. Me të njëjten llogjikë, nesër mund të legalizohet kanabasi, çka nuk është çudi, pasi kultivuesit do t’i kërkojnë qeverisë mbrojtje dhe punë për investimet që ata kanë bërë kur kanabisi ishte i paligjshëm.

A ka njeri që investon 200 milion euro për një biznes që ligji e pengon? Çfarë tregon kjo? Që ricikluesit e dinin se një ditë moratoriumi do të hiqej dhe prandaj investuan. Në fakt çdo njeri, që njeh Rilindjen, e dinte.

Së dyti.
Shqipëria është vendi më i ndotur në Evropë, që do të thotë se më pak 20 për qind e mbetjeve tona mblidhen dhe riciklohen. Të tjerat janë rrugëve dhe na shoqërojnë çdo ditë. Kjo do të thotë se industria e riciklimit ka ende miliona ton mbetje për të përpunuar këtu, çka nëse ndodh, do t’ia rriste asaj fitimet dhe ne do të na e pastronte territorin. Pse nuk ndodh kjo atëherë?

Sepse dikush jashtë Shqipërisë do të sjellë mbetjet e tij këtu. Pra çështja nuk është se Shqipëria nuk prodhon mbetje, por se Italia apo Gjermania apo kush të dojë, duhet të gjejnë një fushë magazinimi dhe trajtimi të mbetjeve të tyre dhe tregu dhe fuqia më e lirë e punës është Shqipëria.

Ne Shqipëri ka Arditë sa të duash që punojnë për bukën e gojës dhe pas këtij ligji, ditët e Arditëve do të shkurtohen. Kaq e thjeshtë është.

Së treti.
Meqë industria e riciklimit paska kaq shumë fitime, atëherë pse nuk ndodh e kundërta? Si ka mundësi që italianët apo francezët apo gjermanët nuk i blejnë plehrat tona për t’i kthyer në lëndë të parë? A nuk kanë ata fabrika përpunimi? A nuk duan të fitojnë? A nuk u duhet lëndë e parë?

Nëse fitimet do ishin kaq të mëdha, të jeni të bindur se secili do të kishte një italian me qese te dera e shtëpisë duke pritur të mbaronim drekën për të na fshirë pjatat dhe për të na mbledhur shishet e ujit. Kjo do të thotë se nuk është çështje tregu, por çështje politike.

Italia ka vendosur të mbrojë natyren e vet. Evropa e mbron natyrën e vet. Ne kemi vendosur ta ndotim. Ose më saktë ta shesim.

Së katërti.
A ka ligj të ngjashëm në Ballkan? A mendoni se vende si Mali i Zi, Kroacia, Greqia, që jetojnë me turizëm, do ta merrnin një vendim të ngjashëm? Aboslutisht jo. Kjo do të thote se argumenti që ky ligj është rentabël nuk qëndron, se ndryshe do ta kishin bërë të tjerët. Nëse ai është rentabël, industria e riciklimit fiton, por shoqëria humb.

Ajo që humbim në imazh, në turizëm, në shëndet, në ilaçe, është pa dyshim shumë më e madhe se ajo që fiton duke rritur koshin e plehrave. Nga sot, fatura e shëndetit në Shqipëri është rritur. Ja kjo është kosto e vërtetë e këtij ligji.

Së pesti.
A nuk ka vende të tjera që mund të pranojnë importimin e plehrave të Evropës? Pse nuk e bën këtë gjë të themi Serbia që nuk ka det, apo Sllovenia apo Hungaria? Si ka mundësi që kur vjen puna për të derdhur mbetje apo materiale të rrezikshme gjithnjë del Shqipëria në vend të parë? Kështu ndodhi me armët kimike, me ujgurët, me muxhahedinët, me të burgosurit e Guntanamos dhe së fundi, me mbetjet e riciklueshme. Si ka mundësi që jemi gjithmonë ne të gatshem të marrim atë që të tjerët e refuzojnë?

Së gjashti.
Ku do shkojnë mbetjet e mbetjeve? Riciklimi është një proces teknologjik që pa dyshim ka shumë mbetje dhe derdhje ujërash të ndotura dhe materialesh të pariciklueshme. Ku shkojnë pra mbetjet e mbetjeve?

Ua them unë: në ushqim, në bark, në mushkëri, në stomak, në gjak dhe, në fund, në varr.

Së fundi.
Duke mos patur asnjë dyshim se të gjithë ata që e votuan kundër këtë ligj përpara tre vitesh, sot do ta votojnë pro, çka i fut ata në katalogun njerëzor të qënieve të pashpresa, unë do të thosha se ata meritojnë një ndëshkim.

Dhe në këtë rast ka vetëm një ndëshkim të merituar:

Çdo deputeti që voton sot këtë ligj, duhet t’i shkruhet emrin në kazanin e plehrave të lagjes. Sepse ka ardhur koha, që çdo kazan të ketë një emër.

Emrin e deputetit që e voton sot këtë ligj.

/ekskluzive për lapsi.al/