Fatmire Duraku
Lulja apo e kaluara
Trioleta
Shkojnë dhe vijë zogjtë shtegtar
Çdo muzg dal të pres buzë deti
E ti në çfarë ujëra je zhytur vallë
Shkojnë e vijë zogjtë shtegtar
Rrezet vdesin në faqe tërë mall
Valët e detit përplasen mes veti
Shkojnë dhe vijë zogjtë shtegtar
Çdo muzg dal të pres buzë deti
II
Dua të iku e heshtur nga vetja
Deri tash askush nuk ka ikur dot
Gjithnjë vetja me vjen pas, etja
Dua të iku e heshtur nga vetja
kujtoj bankën e kalbur nga tretja
Bari ja ngrirë prej brymës o zot
Dua të iku e heshtur nga vetja
Deri tash askush nuk ka ikur dot
III
Kujtim është lulja a veç e kaluara
Veç zjarri brenda shpirtin e djeg
Veç hija ikën nën re të vetmuara
Kujtim është lulja a veç e kaluara
Shpërndahen gjethe të harruara
Shenjë që ngelën te pema në breg
Kujtim është lulja a veç e kaluara
Veç zjarri brenda shpirtin e djeg
Ike me vjeshtën
Trioleta
I
Zogu gushëverdhë këndon në gem lisi
Trëndafilat kuqërremtë çelin në mëngjes
Kujtimi për kopshtin e vogël më krisi
Zogu gushëverdhë këndon në gem lisi
Ardhja s’ ishte gjë vetëm një ikje plisi
Fjalë e shpresa vjen e mi zgjon një ves
Zogu gushëverdhë këndon në gem lisi
Trëndafilat kuqërremtë çelin në mëngjes
II
E sorkadhja e ndiqte me sy shtegtarin
Lëkundej vjeshta e pikëlluar, binte shi
Te shelgu i harruar e vërej vetmitarin
E sorkadhja e ndiqte me sy shtegtarin
Qan mali, ik dreri, hija ndjek gjahtarin
Udhëtari nuk do të rikthej këtu përsëri
E sorkadhja e ndiqte me sy shtegtarin
Lëkundej vjeshta e pikëlluar, binte shi
III
Secili pyll i ka lisat, i ka krojet nën yll
Secila fushë krenohet me lulen e saj
Çdo shtëpi ka vatrën e ritmin me fyell
Secili pyll i ka lisat, i ka krojet nën yll
U venitën lisat, shterën krojet në pyll
Iku zjarri në vatër, dita errësoi në maj
Secili pyll i ka lisat, i ka krojet nën yll
Secila fushë krenohet me lulen e saj.