Anton Nikë Berisha
Rreth tregimit “KULLA” të Anton Pashkut
Asnjë antologji e tregimit shqiptar, hartuar mbi bazën e kritereve letrare poetike, nuk do të mund ta linte anash tregimin “Kulla” të Anton Pashkut. Themi kështu duke pasur parasysh faktin se ky tregim nuk është vetëm ndër më artistikët brenda krijimtarisë tregimtare të autorit e të prozës tregimtare shqiptare në përgjithësi, por është edhe ndër më komplekset si qasje e si shtjellim, si strukturë tekstore dhe si sistem i ndërliqshëm kuptimor, e si rrjedhojë e gjithë kësaj, edhe krijim me një kontekst poetologjik jashtëzakonisht të pasur, për shumëçka i papërsëritshëm.
Çka e bën të këtillë këtë tregim?
Shqiptim artistik i mitit të kullës
Në qenësinë e vet tregimi “Kulla” ngrihet mbi mitin për kullën, që nënkupton mitin për qenësinë, për ekzistencën dhe për qëndresën e njeriut tonë në rrjedhë të shekujve. Mbi bazën e përvojës historike, e cila materializohet e metaforizohet në mënyrë të veçantë në këtë prozë, shqiptohet dhe interpretohet një botë komplekse, realitet, që në esencë është vetëdije mitike e krijuar në një diakroni të pafund të ekzistencës. Në tregim nuk jepet as platforma, as modeli i gjallimit, nuk jepen as përgjigje për problemet e ndryshme e as për shkaqet e krijimit të mitit të kullës, por shqiptohet qenësia e këtij vetëdijesimi; në të nuk gjakohet e vërteta e thjeshtë historike – në kohë e hapësirë të veçantë – pra nuk transponohet realiteti i zhveshur, por perceptohet e shprehet thellësisht rrafshi metafizik i kësaj ekzistence si dhe padrejtësia metafizike, që u manifestua në rrjedha të kohës.
Me fjalë të tjera, në këtë prozë nuk bëhet qartësimi i rrjedhave dhe i fakteve të njohura historikisht, i personave e i ngjarjeve konkrete, por mbi bazën e përvojës historike, që lidhet sidomos me dramën, tragjiken, me qëndresën e me sakrificat, krijohet realiteti i veçantë, i cili, nxitur nga fakti historik, bëhet qenësi, bëhet fakt i ri, fenomen i realitetit dhe i botës shpirtërore.
Në të vërtetë, kjo qenësi artistike e krijuar merr funksion të dyfishtë: shpreh qenësinë e së kaluarës e të tashmes, i bën ato artistikisht të përjetshme, por bëhet edhe vetë pjesë e pandashme e veprimit, e konkretësisë ekzistenciale; njëherit krijon bazën e perspektivës së të ardhshmes. Duke shprehur dhe duke bërë njësimin e kohëve – përmes rrëfimit – tregimi “Kulla”, gjithnjë si projeksion artistik i vetëdijes, merr përmasën e theksuar mitike. Në esencë shqiptimi i objektit artistik, mënyra e qasjes dhe e interpretimit të qëndresës së njeriut tonë në rrjedhë të shekujve, nuk pohohen, nuk shprehen në mënyrë eksplicite, gjë që është e lidhur ngushtë me mënyrën e shtjellimit të strukturës së tekstit e të gjuhës së përdorur poetike.
Përkundrazi, “Kulla” është krijim që ngrihet mbi një bazë që cilësohet me një sistem jashtëzakonisht të veçantë të të shprehurit thellësor. Po qe se këtë e themi me termat e gramatikës gjenerative të Çomskit, atëherë gjithë ajo që trajtohet në këtë prozë, konkretësia e metaforizuar, ngjet në rrafshin thellësor, ku përqendrohet dhe realizohet thelbësisht gjithë proza e këtij autori (ajo tregimtare dhe romaneske), por dhe dramat e tij. (Pikërisht kjo thellësi e perceptimit, e transponimit dhe e trajtimit të çështjeve të ndryshme i ka shtyrë disa studiues të theksojnë “hermetizmin”, “moskomunikativitetin” e kësaj proze, të pohojnë se tregimet e tij janë “fantastike”, që shprehin botën obsesive të autorit, pra janë pa objekt konkret trajtimi, pa bazë reale!)
A. Pashku mitin për kullën, që në esencë shpreh mitin për qëndresën dhe ekzistencën, nuk e shpreh dhe nuk e shqipton me gjuhën dhe me stilin që e cilëson mitin si lloj letrar e si formë e transponimit të fenomeneve të botës metafizike. Tregimit të vet Pashku nuk i jep përmasën sakrale, me të cilën cilësohet miti, por sakralitetin e zëvendëson me shumëkuptimësinë, me krijimin e strukturës tekstore nga e cila del mesazhi artistik dhe krijohet një kontekst poetologjik i pasur, që është i lidhur ngushtë me gjuhën poetike. Pikërisht gjuha poetike në këtë tregim, si dhe në prozën e tij në përgjithësi, merr karakter mitik në kuptimin e forcës shprehëse artistike dhe amshueshmërisë së funksionimit dhe të ekzistencës së saj.
Rrënimi – zhvendosja e konvencave
Tregimi “Kulla” nuk ka një objekt artistik të thjeshtë – tradicional, ku do të mund të ndiqeshin rrjedhat e gradacionit të fabulës (ndodhisë): fillimi, etapat e zhvillimit, mbarimi. Ai nuk është i ndërtuar mbi një ide qendrore, as nuk përdor vetëm një formë të rrëfimit, të monologut, të dialogut etj.; objekti i tij është një shumësi objektesh artistike, një spektër, një mozaik tërësor, ku pjesët nuk janë krijuar mbi bazën e radhitjes hierarkike, por janë krijuar e funksionalizuar mbi bazën e krijimit e të forcimit të tërësisë shprehëse e kuptimore, të tërësisë së ndikimit estetik, duke u lidhur e duke u plotësuar me njëra tjetrën nga rrafshe e forma të shumta e të ndryshme, qofshin kur ato ndodhen në raport të ndërsjellë kushtëzues e determinues, qoftë kundërvënës e kundërshtues.
Mënyra e perceptimit, e shtjellimit dhe e shqiptimit të objektit artistik në tregimin “Kulla” në esencë shprehet si rrënim i konvencave të prozës së realizmit, pra në këtë krijim rrënohen – zhvendosen konvencat e fabulimit dhe narracionit tradicional. Në vend të parimit hierarkik e të kronologjisë, me çka cilësohet proza tradicionale, në tregimin “Kulla” vendosen lidhje shumëplanëshe paradigmatike; krijohet një sistem kompleks paradigmatik, që nuk veçohet për përshkrimin, vlerësimin, shpjegimin, pohimin, por për thellësinë dhe begatinë e shprehjes, për krijimin e realitetit sa më të ndërliqshëm e të pavarur artistik.
Ndërtuar mbi parime të këtilla është krejt e natyrshme që për të depërtuar në strukturën tekstore e në sistemin kuptimor, që del nga struktura gjuhësore e tregimit, kërkohet më shumë përkushtim e dije, pra perceptimi dhe receptimi i “Kullës” është i vështirë. S’do mend se kjo vështirësi nuk nënkupton abstraksionin e objektit të trajtuar në këtë prozë, por përkundrazi, ndërliqshmërinë, shumështresinë dhe pasurinë e strukturës gjuhësore tekstore. Pra rrënimi i konvencave të prozës tradicionale nuk është vlera kryesore e këtij tregimi, por para se gjithash mënyra origjinale e vrojtimit, e shtjellimit të tekstit poetik, e ndërtimit të tërësisë shprehëse e kuptimore nëpërmjet të pjesëve, të cilat shprehin forcën e tyre qenësore në krijimin e tërësisë si kohezion i përbërësve kryesorë të krijimit letrar-artistik dhe si forcë e ndikimit estetik te marrësi.
Uniteti i rrafsheve kundërvënëse – kontrastike
Proza “Kulla” është ndërtuar mbi bazën e dy rrafsheve të ndryshme kundërvënëse, të cilat mu në raportin kontrastik të tyre shprehin madhështinë e tërësisë, kohezionin e tyre. Tregimi është perceptuar si një sistem i antitezës poetike, jo për të theksuar pavarësinë e rrafsheve kundërvënëse brenda strukturës tekstore, por për ta shprehur, në nivelin sa më të lartë, unitetin shprehimor dhe kuptimor, që krijojnë mikrostrukturat e krijimit artistik në rrafshet e këtilla kontrastike. Në këtë prozë, siç theksohet qysh në faqen e parë, çdo gjë që ngjet – ndodh: fillonte prej dikah thellë në pafundësi dhe mbaronte diku lart, por gjithashtu thellë në pafundësi.
Në këtë diakroni të pakufi (skaje të kundërta paradigmatike) nëpërmjet të formave të ndryshme të shqiptimit, autori fut një varg elementesh të shumësisë së objektit artistik. Dhe pikërisht raportet e krijuara midis këtyre elementeve, si sistem mikrostrukturash në raport me makrostrukturën, veçoritë shprehëse e kuptimore, forca që ato marrin brenda strukturës së tekstit, shprehin disa nga tiparet kryesore e origjinale të këtij tregimi dhe të Pashkut si prozator.
Rrafshet kundërvënëse paradigmatike të “Kullës” janë, me një anë: tymi, errësira, fillimi i natës, heshtja, shikimi i ngrirë, hapësira e përhimtë, kjasina, rëra përvëluese, lot e tym, galtina, gërmadhat, kulet, kulja e madhe fantazmagorike, psherëtima, gjaku, hejza, zapullima, thika, thika në sy, zëri i përvajshëm, pylli (që) ka sulmuar kullën, kasapi (si njollë) më e errët si errësira, kukuvriqi etj., ndërsa në anën tjetër: kulla, plaka, bardhoka, tarrabeci, kali, kreu i rrënjëve, delta e lumit, zogjtë, këmbora, dielli që në ag zinte të flakëronte etj.
Këto dy rrafshe janë jashtëzakonisht të lidhura e të varura midis tyre; nga aspekti tematik dhe kuptimor ata nuk synojnë hierarkinë. Në vend të këtij raporti, që shpesh e ndeshim në krijimet tona letrare, ata varën e kushtëzohen në mënyrë të ndërsjellë; i cilëson një varësi e brendshme, qenësore, sepse në këtë mënyrë e bëjnë më të plotë imazhin, ashtu siç ngjet edhe me mesazhin poetik, që del si rrjedhojë e ballafaqimit dhe e funksionalizimit të tablove, të situatave e të mendimeve brenda strukturës së veçantë tekstore.
Raporti kontrastik nuk shprehet vetëm në ballafaqimin e dy rrafsheve, që i përmendem, por edhe brenda një rrafshi. Kështu, fjala vjen, kjo shprehet me vdekjen dhe jetën e plakës, e cila është kreu i rrënjëve; për të mësojmë vetëm pas vdekjes; vetëm pas këtij akti shpaloset esenca e veprimit dhe e simbolizimit të saj; mbas varrimit ajo përtërihet në kujtesën e njerëzve, sakralizohet simbolika e rrudhave, e rrënjëve të saj. Ngjashëm ndodh edhe me kullën: ajo ekziston ndërmjet qëndresës dhe rrënimit – shkatërrimit; atë e mban gjallë dhe e ripërtërin këmbora, e cila, përkundër pësimeve të kullës, është e pazhdukshme, e paasgjësueshme.
Pra plaka vdes, por nuk vdes esenca e qenësisë, e simbolikës, e funksionit të saj, nuk vdesin rrënjët, siç nuk zhduket e nuk asgjësohet kulla, po prej mbetjeve (gërmadhave, kuleve etj.) ringjallet, vazhdon ekzistimin dhe qëndresën. Ky ekzistim dhe kjo qëndresë në tregimin “Kulla” marrin një përmasë mitike, e cila bëhet pjesë e vetëdijes dhe merr tiparin sakral. Dhe sa më shumë që kulla (bashkë me këtë edhe qëndresa) pëson, sa më shumë që ndihet prania e kuleve, e gërmadhave, e kulprave (që kanë veshur gati të gjitha muret e kullës dhe kanë zënë të hyjnë edhe nëpër frëngji), dega e rrapit (që don të hyjë ndërmjet gurëve të kullës) etj., aq më tepër ajo bëhet më e qëndrueshme, siç bëhen më konzistent e shenjëzues kryet e rrënjëve, këmbora, tarrabeci, delta etj., që koekzistojnë fuqishëm brenda tërësisë; ato varen dhe i japin njëra tjetrës në nivele e përmasa shumëplanëshe:
“Paj, si të them, më vonë, disi, nuk më pëlqente ta krahasoja (plakën) vetëm me rrënjë”.
“Por, rrënjët janë të bukura!”.
“Janë, por nuk më duket se kryet e plakës sonë mund t’i ngjante vetëm kreut të rrënjëve të thella”.
“Kurse mua më duket se mund t’i ngjante vetëm rrënjëve që s’ndahen dot nga thellësitë e veta”.
Imazh vetëdijsor dhe kohë mitike
“Kulla” nuk është as prozë fantastike, as e ngritur mbi bazën e ëndrrës, as shprehje e realitetit të mirëfilltë historik; ajo s’është as realitet i modelit të përrallës, që shprehet si kundërvënie e realitetit të vërtetë, si mohim i tij. Siç theksuam edhe më parë, realitetin, faktin historik ky tregim e merr vetëm si bazë, si nxitje, si motivim, si rrafsh bazor njohës – njohje që nuk është e rastit, siç nuk është asgjë e rastit në këtë prozë për shumëçka komplekse.
Realiteti i tregimit “Kulla” qenësisht lidhet me përvojën e historisë kombëtare të popullit tonë, që është krijuar në vetëdije si refleksion i konkretësisë historike. Ky realitet, kjo empiri historike, shprehet nëpërmjet një shumësie çështjesh, veprimesh, situatash, personazhesh, objektesh, shpresash të rrëfimit dialogësh etj. Nëpërmjet shumësisë së objekteve të trajtuara, krijohet një gjerësi e thellësi, një unitet i qëndrueshëm e funksional, që e shpreh më plotnisht realitetin, mundëson, nëpërmjet strukturës tekstore poetike, shqiptim dhe interpretim më kompleks të tij. Pra kjo shumësi, pos tjerash, shpreh përshtypjet e ndryshme subjektive të personazheve ndaj realitetit të njëmendtë objektiv (në kohë të ndryshme), që është qenësore për qasje moderne, sepse në këtë mënyrë shmanget mundësia e subjektivizmit të një personazhi (sipas Erich Auerbach-it).
Veprohet në këtë mënyrë për arsye se vetëdija, natyrisht edhe krijimi i veprës letrare mbi bazën e funksionimit të saj, siç ndodh dhe në tregimin “Kulla”, nuk është e varur nga rrjedha kronologjike (term i David Daiches), nga ndodhitë, vijimësia e veprimit, i mendimit etj., por në formë sistemi (zbatohet edhe paralelizmi), ajo anticipon dhe vepron në retrospektivë. Nëpërmjet aluzioneve dhe kundërshtimeve të brendshme qenësore, krijohet në vetëdije rrjedha e ballafaqimit të dukurive në raporte kundërvënëse e kundërshtuese, pra krijohen të gjitha mundësitë për unifikimin maksimal të rrëfimit, që në kushte të tjera, të shqiptimit tradicional të realitetit objektiv (bardh-zi, mbi bazën e varësisë së rrjedhës kronologjike etj.) ose të imitimit të tij kjo do të bëhej pjesërisht ose nuk do të mund të bëhej fare. Në këtë mënyrë brenda vetëdijes, rrjedha e ngjarjeve, perceptimi i imazheve, shqiptimi i botës së personazheve veprojnë pavarësisht nga kategoria e kohës dhe e hapësirës, pra fushëveprimi në diakroni e sinkroni është i pakufi.
Personazhet në tregimin “Kulla”, si dhe në gjithë prozën e tij tregimtare madje dhe në romanin “Oh”, nuk janë asgjë tjetër pos shenja, figura në funksion (term i Gunther Anders-it), në të vërtetë janë funksione, që brenda strukturës tekstore, funksionalizohet në tërësinë e sistemit kuptimor, gjë që për A. Pashkun gjithnjë ka rëndësi të dorës së parë. Kjo tërësi si e tillë pastaj do të krijojë një nëntekst të veçantë që e bën këtë tregim artistikisht më konzistent. Mënyra e perceptimit dhe e shqiptimit shumindividual në vetëdije, shprehimësia e shumëfishtë në vetëdije (term i Auerbach-it) nuk është çështje e re për letërsitë e tjera.
Mirëpo Pashku është origjinal në këtë tregim, sikur se në gjithë prozën e tij, sepse nuk ndjek e nuk imiton asnjë autor që krijon sipas kësaj mënyre, edhe pse prej tyre ka mësuar në mënyrë kreative. Ai ndryshon prej të tjerëve për këndvështrimin e problemeve, për kompleksitetin e varësisë dhe të raporteve që i krijon në strukturën gjuhësore, pastaj për të “folurit e përjetuar”, për “monologun e brendshëm”, për “sigurshmërinë objektive”. Pra Pashku dëshmon origjinalitetin pikërisht për funksionet dhe sistemimin e përbërësve brenda tërësisë, brenda konceptit artistik të krijimit, duke i parë në dritën e empirisë historike nacionale. (Në qoftë se, fjala vjen, për Kafkën bota në përgjithësi është objekt i frikës dhe i qëllimit, në këtë tregim bota shqiptohet si raport i ndërsjellë i tragjikes dhe i qëndresës).
Mënyra komplekse e perceptimit të botës e të dukurive të saj dëshmohet në këtë tregim edhe me përdorimin e kategorisë së kohës. Në esencë koha e prozës “Kulla” është kohë që ngjet në vetëdije; është pjesë e vetëdijes, prandaj ajo është e pakufi; i përket të kaluarës, të tashmes dhe të ardhshmes. Kjo mënyrë e perceptimit të kohës i jep asaj përmasën mitike, por njëherit edhe përmasën e objektivimit. Nëpërmjet të kohës së “jashtme” dhe kohës së “brendshme”, kohës “reale” dhe kohës “subjektive” zgjerohet mundësia e perceptimit thellësor e kompleks, e integrimit të shumësive shprehëse e kuptimore, e shpalimit të shumësisë së shtresave të vetëdijes historike, por edhe të vetëdijes transcendentale, metafizike.
Duke përdorur kohën në këtë mënyrë krijohet mundësia për t’u thelluar e për ta kuptuar më thellësisht realitetin ekzistues, por edhe të perspektivës së kohës dhe të simbolikës gjithëpranuese të ndodhive (sipas E. Aurbach-it). Kjo formë krijon mundësinë e projeksionit të të folurit mitik, i cili në këtë mënyrë e krijon realitetin e ri; nga rrafshi i empirisë historike kalon në vetëdije e prej aty, nëpërmjet të artit të fjalës, e pasuron atë realitet nëpërmjet rrëfimit që shndërrohet në shenja dhe si i tillë funksionon në formë të mëvetësishme. Kështu, plaka, kasapi, tarabeci etj., janë refleksione të realitetit historik, por nga realiteti “real” janë transponuar në realitetin “subjektiv” i cili në tregim funksionon si i pavarur dhe i mëvetësishëm, si përvojë e re.
Koha “reale”, e “thjeshtë” në prozën “Kulla” është fare e shkurtër: nis me fëllimin e natës e mbaron po ashtu me fëllimin e asaj nate. Ndryshimi midis fillimit dhe mbarimit të kësaj kohe ekziston. Në fund të tregimit thuhet: “[…] dhe fëllimi i natës, që përvidhej nëpër frëngji. Më duket se është afruar agu”. Koha “fiktive”, “subjektive”, e “brendshme” është e pakufishme (diakroni e pafund). Në esencë gjithë koha – kohësisht shumë e gjatë – e tregimit “Kulla” zgjat në vetëdije, siç ngjet edhe në romanin “Oh”, por dhe në disa proza të tjera të këtij autori. Kjo kohë preferohet, përfillet e përdoret nga Pashku për arsye të krijimit të hapësirës sa më të madhe, të pakufishme për shtrirjen e rrëfimit, unifikimit të shtresave të tij, për të shqiptuar probleme komplekse të realitetit jetësor, që manifestohen e koekzistojnë në formë tjetër në vetëdijen e njeriut, në vetëdijen si qenësi sintetike aktive. Pikërisht shprehimësia e shumëfishtë e vetëdijes ndonjëherë shkakton hutimin e lexuesit të këtij tregimi ose krijon përshtypjen se ai është abstrakt, tejet i “ngarkuar”, së këndejmi i vështirë për kuptim.
Kjo ngjet për shkak se Pashku në këtë prozë e thyen konceptin e kronologjisë së ngjarjes, rrëfimit, veprimit, të shqiptimit të karaktereve, të situatave. Ai me qëllim e përqendron vëmendjen në detaje të “parëndësishme”, por që sugjerojnë dhe krijojnë kontekst kompleks qenësor, nëpërmjet të të cilëve në mënyrë të pabesueshme, shprehet dhe vërehet pasuria e realitetit dhe thellësia e secilit çast që i jepemi pa qëllim (Auerbach). Mbi bazën e perceptimit të këtillë të çështjeve e të dukurive të ndryshme nga qenësia e përvojës së historisë sonë, Pashku krijon një realitet artistik të papërsëritshëm. Dhe po qe se në tregimin “Kulla” ka diçka që ngrihet mbi të tjerat, që synon të mitizohet në mënyrë konzistente, atëherë ky mitizim shprehet para se gjithash në rrafshin e thënies artistike, si vlerë gjithëkohor. Nëse në këtë kontekst mund të bëhet fjalë për krijimin e mitit të prozës shqipe si art, si vetëdije artistike, atëherë Pashku me tregimin “Kulla” i ka dhënë një nga përmasat më të thella, ka arritur njërën ndër pikat më të larta.