LIRIA E ESESË

0
241

Prend Buzhala Prend BUZHALA:

(Vëllimi me ese “Dhembja e kohës” i Fejzë Demirit)

Janë njëmbëdhjetë ese që shqiptojnë reflektim-shqetësimet, preokupimet dhe kërkimet, vlerësimet dhe gjykimet personale. me një fjalë, eseja është ajo fushë, në të cilën ti e sprovon vetveten (edhe fjala ese rrjedh nga latinishtja exigere, që do të thotë, ndër të tjera, edhe sprovë). Përpos karakterizimeve të mësipërme, autori i ri, Fejzë Demiri, e kupton që kjo trajtë e shkrimit, sado që mund të shprehet në pak fjalë apo të ketë gjatësi trajtimi, megjithatë aty kërkohet dhe pikasja tematike, përqasjet me fusha të ndryshme të dijes, një formësim i intelektit krijues.

Që nga eseisti francez Michel de Montaigne, kur më 1570 përdori emërtimin “Ese” për tre libra të tij, të ndarë në 107 kapituj, e deri në ditët e sotme, tipi i shkrimit të tillë mori tiparet e një zhanri specifik, ku gjatësia e një shkrimi nuk ishte kriter, dhe ku strukturimi tematik e stilistik merrte herë karakter didaktik e herë karakter intelektual e dituror, me citime filozofësh, veprash nga autorë antikë, nga tekste latine e greke, apo dhe nga koha e tij. Deri kah shek 19 konsiderohej zhanër letrar, por gjithnjë e më tepër eseja mori formën midis artit dhe studimit, dijes dhe krijimit.

Në fakt, lënda e trajtimit është e shumëllojshme, e ndryshme, e pakufizuar. Këtë shumëllojshmëri trajtimi e kupton edhe autori i ri Fejzë Demiri, që e titullon vëllimin e tij “Dhembje kohe”, një titull nga pak lirik, me ngjyresa sentimentale: te kjo dhembje ai shqipton shqetësimet reflektimet e tij, kërkimet dhe rrugëkryqet e kohës. Meqë është dhe student i psikologjisë, atëherë strukturat e këtyre eseve ngërthejnë shtresime të kërkimeve të botës së brendshme. Ne po i ndajmë në tri grupe këto ese: në ato që ligjërojnë për kujtimet e  fëmijërisë në kapërcyell moshës, në ato për dashurinë dhe në ato për meditimet e realitetit e të jetës.

  1. Kapërcyelli i moshës: kujtesa ëndërrimtare e pafajësisë

E nis me esenë “Kujtimet”.

Vërtet, çka mund të kujtojë një i ri?

Është thënë që autori a krijuesi i ri në moshë i takon tipit të krijuesit a autorit puer (i riu është ëndërrimtar më shumë), kurse ai në moshë tipit senex (njeri i përvojës, që rri e kujton të kaluarën, frytet e kësaj përvoje). Kësisoj, edhe kjo ese, sado që ngërthen tipin e shkrimit të përvojës (kujtesa shqipton një përvojë), megjithatë ai nuk mund t’iu ikën ëndërrimeve rinore, atij ngazëllimi të lumturisë e gazit të parë fëmijëror.

I riu sapo ka nisur ta njohë botën në nuancat, ngjyrat, labirintet e shqetësimet e saj. Nuk ka se si të mos i kundërvë dy kohë-formime: atë të kohës së padjallëzisë, virgjërisë fëmijërore, dhe atë kohës së problemeve e shqetësimeve jetësore. Autori e ndien dhe reflekton për gjurmët që lë fëmijëria, për gjurmët që lënë kujtimet:

Po të kishte qenë e mundur, shumë gjëra do të kishin nevojë për përmirësime, dhe shumë gjëra do t’i ndryshonim apo edhe t’i nxjerrim nga ekzistenca si të paqena. Kjo gjë është e pamundur, sepse jeta nuk na e ka dhënë këtë mundësi. Ne kalojmë vite jete, ka vite e kujtime që ndoshta edhe mund t’i harrojë koha, mirëpo mund të ketë çaste për të cilat ia vlen jeta. E pra, atëherë kujtimet e veçanta janë ato që pavarësisht moshës që kemi, kujtohen të freskëta në mbamendjen e vetëdijes sonë. Ato lënë gjurmë dhe mbresa të paharrueshme, të cilat edhe pse me bagazhin e madh të viteve janë epitaf i pashlyeshëm për çdo njeri.”

I kësaj natyre, në kapërcyell moshe e njohjeje, ku njeriu tashmë merr vetë vendimet e tij në jetë, është edhe eseja “Letërnjoftimi i fëmijërisë”. Tashmë ai ka depërtuar më cipën e kësaj gjurme jete, në shoqërinë e shqiptimit të këtij kapërcyelli, me esetë “Porosia e babait” dhe “Vogëlushi im”.dhe përplasja mes realitetit të dëshirave e idealeve, dhe ashpërsisë së jetës, sjell te një njohje tjetër, te një konceptim i ndryshëm gjërash, përjetimesh, veprimesh:

Kur erdhëm, në këtë botë, menduam se të gjitha të mirat do të na i sjellë jeta. Menduam se të gjitha gjërat do t’i kemi të gatshme, madje ndoshta edhe pa mund fare…. Me kohë dhe moshë filluam ta shikonim botën nga një kënd tjetër. Me kohë dhe moshë të pjekurisë njeriu kuptuaka gjërat ndryshe dhe më shtruar. Në këtë moshë, kuptuam se çdo gjë sado e vogël të ishte, dashka punë, mund e sakrificë.

I kapërthyer mes kësaj dhumbjeje, ku kiha më nuk ta lejon një mundësi të dytë, si e ndien këtë “dhembje kohe” (eseja “Dhembje kohe”), për shkak se idealiteti i kërkuar sot (i sinqeritetit dhe fisnikërisë) ka ikur me moshën e fëmijërisë dhe kjo kohë është e mbarsur me diçka tjetër.

  1. Lartësimi i emocionit: epistemologjia e dashurisë

Dhe mosha e rinisë identifikohet me zjarrin e dashurisë.  Nuk ka se si t’i ikën këtij emocioni të bukur, ashtu sikundër shprehet, me vrulle lirike, te eseja “Zjarr zemre”. Preokupimet sa emocionale, aq edhe rweflektive,, mbi dashurinë, vazhdojnë edhe në shkrimet tjera. Te eseja “Fisnikëri apo dobësi…” Dhe shkrimi i tillë, duke ndjekur thyerjen e kornizave të hapësirës tematike, pretendon të jetë herë shkrim që reliktin për erosin që lëviz mes shqetësimit dhe lumturisë, për epistemologjinë e situatës reale jetësore të dashurisë… e deri te dashuria si agape, humanitet apo trop. Le ta kujtojmë, për një çast, veprën “Gostia” të Platonit” që ligjëron për dashurinë e ku Fedri e nis bashkëbisedimin a dialogun e tij mbi natyrën erosit si gjakim ndaj diçkaje, si gjakim për të poseduar a fituar qenien që do. Prandaj dhe modeli i shkrimit të tillë është model i gjakimit të dashurisë. Mandej shfaqet ky gjakim për atë që të mugon a që nuk të dhurohet,. Kështu reflekton Platoni, por le ta shohim se si futet në hapësirat e kësaj epistemologjie, krejt natyrshëm, edhe i riu Demiri:

“Mirëpo në ditët e sotme sa e ëmbël aq edhe e hidhur qenka dashuria. Ka njerëz që japin pa rezervë dashuri, ama njësoj nuk e marrin atë dashuri, madje as nga ata që vërtet i dashurojmë. Dashuria, thuhet se, është një ndjenjë fisnike, atëherë e përse për dikë të dashurosh qenka dobësi?! Të dashurosh dikë aq zjarrtë, e nxehtësisht do të thotë ta harrosh veten, do të thotë të jetosh dynjerëzisht…”

Meqë i riu dhe e reja e përplotësojnë dhe e mbushullojnë qenien njeri në realizimin e kësaj ndjesie, atëherë vjen natyrshëm edhe përqasja eseistike-lirike e Demirit:

Ajo i jep frymëzim jetës, ngjyrë, peshë e rëndësi. Dashuria ia shton vullnetin jetës, pa të, beso, jeta është e zbrazët.”

Për ta shpjeguar, me gjuhën e esesë, këtë të vërtetë personale mbi dashurinë, ai jepet mbas kërkimit të sublimimit a lartësimit të kësaj ndjesie, pa u hedhur në kërkimet e kënaqësisë së kësaj ndjenje në aspektin e dashurisë trupore, fizike mes djalit e vajzës. Ai ndalon te ky lartësim, mbushullim. Nuk ndien nevojë të hidhet as në kërkimet tjera të kësaj ndjesie: te ato të nderka hyjnore e idesë së dashurisë. Aty, pa dashas, vjen edhe skepsa, ai “demoni” i brendshëm, kur ai kërkon me ngulm fisnikërimin e vetes, qenies dhe dhurimit të dashurisë. Nuk është e habitshme, prandaj, përse në vend të kontemplacionit ka më shumë lirizëm të shprehjes, dhe në vend të gërmimit të të fshehtave e misterit të saj, ai përqendrohet te shkalla e lartësimit dhe mbushullimit të kësaj ndjesie. Nuk ndien nevojë, po ashtu, si këngëtari popullor, që ta përshkruajë bukurinë fizike të femrës, sepse këtë autori e arrin nëpërmes vargut poetik, meqë shkruan edhe poezi. Kësisoj, krahas eseve të lart-theksuara, i këtij kërkim-shqiptimi lirik, është edhe eseja “Një det kujtimesh”:

“Ti e kupton, e dashur, se dremitjet e shpirtit nuk më lënkan të qetë në këtë hon dhimbjesh? Ti e kupton, e dashur, se zjarrëngrohtësia e dashurisë, depërtuaka gjer në palcë?  Dashuria “vret” qenien e dashur, aty ku dhemb më së tepërmi. Dashuria i ka rrënjët e thella në kujtesë, sikurse një lis qindravjeçar dhe vështirë se do të shkulen. Mos e merr dashurinë si diçka të ikur, ajo çdo ditë po rritet, se i ka thelluar rrënjët.”

  1. Sfidat e jetës

Grupin e tretë të eseve, e përbëjnë ato me tematikë mbi jetën dhe fatin, mbi misteret e ekzistimit dhe problemeve e përplasjeve në jetë që shkaktojnë “dhembje kohe” e që zënë pjesën qendrore të librit: “Mësimdhënie apo mësimnxënie efektive”, “Kur koha largon njerëzit e dashur”, “Heshtje e pazbuluar” dhe “Një det kujtimesh”. Kësisoj, porta nëpërmes të ciës depërton brezi i ri, me formim të shlndoshël arsimor, jetësor, dituror e etik, është ajo e mësimdhënies efektive (eseja “: “Mësimdhënie apo mësimnxënie efektive”), meqë realitetin tonë e kanë goditur e lënduar shumë pamje të rënda devijuese.

Ai kërkon njeriun e çliruar, dhe ky formim arrihet kur mësuesi zhvillon qëndrim kritik e vetëkritik, është krijues, dhuron diçka të re, qëllimi për të arritur cilësinë, që zhvillon komunikim, është i thjeshtë e në këso rastesh nxënësi lirohet, shfaq kureshtje për dije e për njohje të jetës dhe botës. Fejzë Demiri dëshiron ta shohë të tillë, të çliruar, edhe shkollën tonë, edhe shoqërinë tonë, ku ndërtohen ura mirëkuptimi. Te seja “Kur koha largon njerëzit e dashur”, e trajton edhe njëherë idenë e përjetimit të moskthimit të asaj që ikln e shkon përgjithmonë:

Nga brendia na tundon një gjakim i thellë shpirtëror që së paku t’i shohim edhe një herë, sepse ikën pa na thënë lamtumirë!”

Ai e ka regjistruar këtë mbamendje, me porosinë që lë prapa jeta e secilit njeri:

“Sa keq që njeriu nuk ia di edhe aq rëndësinë personave që dikur së bashku me ne ishin në jetë.”

Meqë jemi qenie momentale, atëherë të mos ia lëmë gjërat rastësisë a kohës. Ja si reflekton për kohën autori:

“Koha nuk është afat bankar me mundësi kthimi. Shpesh mjafton edhe një çast i vetëm që  t’i japë rëndësi një kujtimi të gjatë e të paharruar. Ta çmojmë e ta shfrytëzojmë maksimalisht kohën. Koha kalon aq shpejt kur afër kemi njerëz të sinqertë e të dashur.”

Sfidat e jetës, dhembjet e kujtimet, përbëjnë edhe boshtin tematik e trajtimor të eseve të kësaj natyre, si “Heshtje e pazbuluar” dhe “Një det kujtimesh”.

  1. Në përfundim: eseja dhe poezia

Sado që janë ese të shkurta, lënda që ato ngërthejnë, është e pasur. Ndryshe nga shumë eseistë të sprovuar, Fejzë Demiri e parapëlqen atë ese që nuk meret me fluturime imagjinative, por që mbështetet në rrënjët e realitetit e të ejtës, përjetimit dhe përvojës personale. Madje, ai arrin që subjektin ligjërues, vetveten, ta shndërrojë në realitet të tillë të përvojës, e ku na shfaqen prirjet për ta thurë e ushqyer mendimin, përjetimin. Pikërisht pse ai shkruan me një stil lirik, eseja e tij më shumë anëson kah shkrimi letrar, i ndërthurur me esenë meditative-filozofike.

Janë ese, pse jo, të mirëfilltë, pikërisht, pse shkrimi i tillë kërkon individualitetin, botën personale, profilin personal të meditim-përjetimit, ku shpesh e shpesh ligjëron edhe zemra krahas mendjes. Ai nuk ndien nevojë të futet shumë në abstraksione a në metafora anekdotike, sikundër veprojnë eseistë të rryer, as të jepet pas thurjeve ekzibicioniste të fjalive, ku brenda një thënieje shfaqet një paradoks jetësor a meditativ, e, megjithatë, ai arrin të përzgjedhë aso mjetesh të thjeshta shprehëse e meditative që e zgjojnë kureshtjen dhe lirinë e përsiatjes.

Nuk përdor citate, mbase, kësisoj, eseja referencë ka vetë autorin e mendimin e tij të lirshëm. Eseja e Demirit i ngjet poezisë: është lënda personale e përzgjedhur, intimisht e trajtuar, ligjëron, posi në pezi, me zërin e tij, i ndërron kahet e mendimit lirshëm, pa u kufizuar te ndonjë paralajmërim a njoftim paraprak. Ai është zot i kësaj lënde, sillet ashtu si ai mendon dhe shkruan si ai përjeton, mediton për ta dhuruar edhe porosinë aspak të imponuar.

Dhe lexohet me një frymë, ashtu si lexohet një poezi.

Pikërisht pse eseja kërkon lirinë e vëzhgimit, autori ndjehet i lirë në lëndën që e eseizon dhe për të cilën reflekton.

Dhe, kësisoj, ai ia dhuro n lexuesit lirinë e leximit, mendimit dhe përjetimit.

23 janar 2018