MBI FIJE BARI NË BRIGJE

0
195
Mustafa Spahiu
Mustafa Spahiu

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

MBI FIJE BARI NË BRIGJE

REFLEKSET

Liqeni me shtambë i heshtjes
Pasqyra e mështeknave ndruajtjeje

Heshtja është pasqyrë e hënës
Lutje e hapave të rritur në bar

Rrënjët në ne janë shprushur
Pasqyrës mbi pëllëmbë shullehet

Malet gri me kriptograme n’intimitet
Tregohen në pëshpëritje e drithëritje

Shtigjet janë shprehje t’bredhëritjeve
Nëpër rëmimet blu të hapësirës

Reflekset zogj të padukshëm dëshire
Valët luhaten n’ardhmëri parzmë dielli

PLAGË NË FYTYRË

Plagët janë plagë në fytyrë jo stoli
prej të cilave rrjedhin fjalët pa brengë
rruaza të bardha gjakut.

Plagët janë plagë në fytyrë si shiu
që s’duan të rritet nën gjuhë
sepse ne patjetër duhet ta themi
at më të bukurën – fjalën!

Fjalët e kanë krijuar at prerje
vertikale që (s) dhemb klith ylli!

Dhe ne për çdo ditë me fjalët
(me flatra agimi të shpirtit)
i plagosim buzët – blerimi
e rrit këngën mbi lumë.

RIPËRTËRITJE

Do e lajë shqisën me heshtjen
më të kulluar qumësht dallëndysheje
dhe sytë me shuplakat e kaltërsisë
(duke shpuar pëlhurën e territ);
pas kësaj fjala do të jetë e ndriçme
e pastërt dhe e papërlyer mermer
jeshil i Prespës, pa pluhur meteorësh
dhe çdo imazh i buzagazit
ia ka mbathur pas kaçubës s’yjve –
nga syri i entuziazmuar…

S’di pse troket udhëtari i vonuar!

FJALËT E PATHËNA

Fjalët e pathëna janë zjarr në sy
pëllumbeshë e argjendtë bleruar,
kur s’do asnjëherë nata mbi oxhak
të kërcënohet kur kumbon qetësia

Pa dyshim
kur do të mundem t’i shqipëroi
ato do jenë fjalët e (para)fundit
do takohen me vetveten me mua
do ngeli ngulmueshëm
vetëm me ato fjalë –
që do vijnë me vrapin e sorkadhes.

SYTË NGJARJE E FUNDIT

Shikimet e mia s’janë gjilpërë me kokë
të mbërthehen në kraharorin e jetës
Shikimet e mia derdhen së prapthi
përtej harfës së veshit si zurkajë…
Ninëzat e mia janë ngulfatur në fund
të vetvetes së detit të padukshëm!
Unë i ndiejë si dy therra ç’më therrin
në kikën e thembrës.
Unë jam bërë verbërak
dy flutura më sogjojnë me dhimbje
dhe kurrë më nuk do mundem
të ngjitem në algjet e harrimit
dhe ate që e kam parë
asnjëherë më si lindje
s’do ta ndërmendi…

mars/prill 2021, në
Dardaninë Ilire