SHQIPJA LETARE GJATË SHEKULLIT XVIII

1
1198
Zymer Mehani, portret

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Pas luftërave të pandërprera me Austro-Hungarinë dhe Rusinë, Perandoria osmane u dobësua dukshëm dhe kjo krijoi mundësi që disa qendra të rëndësishme shqiptare si Shkodra, Elbasani, Durrësi, Voskopoja, Janina etj. të shënonin një përparim të dukshëm ekonomik, të mbështetur mbi ekonominë monetare, zejtarinë dhe tregtinë që nga fillimi i shek. XVIII. Këto rrethana të reja krijuan mundësi edhe për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore: në rend të parë u bënë përpjkekje të mëdha për ta futur gjuhën shqipe në kishën ortodokse. Për këtë qëllim u përkthyen materiale të ndryshme fetare në gegërishten e mesme dhe në variantin e toskërishtes, që shënojnë risi të rëndësishme për historinë e gjuhës letrare shqipe.

Tradita e pasur e shkrimit të shqipes në variantin e Veriut, edhe pse nuk u ndërpre plotësisht, pësoi një rënie të ndjeshme.

Materialet e “Kuvendit të Arbënit”, Gramatikat e Grotaferratës dhe Françesko Maria da Leçes si dhe katekizmi i Gjon Nikollë Kazazit e vazhduan këtë traditë shkrimi gjatë shek. XVIII, duke plotësuar koloritin e aktiviteteve të shumëllojshme arsimore e kulturore të kësaj periudhe. Me forcimin e kësaj prirjeje shpjegohen nismat e një anonimi nga Elbasani, të Kostë Beratit, të Grigor Voskopojarit, mitropolit i Durrësit nga viti 1769 dhe të Theodor Haxhifilipit (rreth vitit 1730-1805) nga Elbasani, i njohur me emrin Dhaskal Todri, që krijuan alfabete të posaçme të shqipes. Ky i fundit nismën e tij e pagoi me jetën e tij duke mbetur i vrarë, pa arritur të ngrinte një shtypshkronjë në Elbasan që do të botonte vepra shqip.

Gjatë këtij shekulli njohu një gjallërim më të madh literatura e qarkut kulturor konfesional ortodoks e mysliman. Anonimi i Elbasanit solli në shqip copa të ungjillit, si dhe Grigor Voskopojari, kurse Dhaskal Todri solli në shqip “Dhiatën e vjetër dhe të re”, ndonëse nuk arriti ta botonte. Këto përpjekje u shumuan në shekullin pasues me botimin më 1827 të tekstit të plotë të “Dhiatës së re” të përkthyer nga Vangjel Meksi dhe të redaktuara nga Grigor Gjirokastriti, si dhe me korpusin e madh të përkthimeve fetare të Konstandin Kristoforidhit (1827-1895) në dy dialektet e shqipes.

Qyteti i Voskopojës në këtë shekull u bë një qendër e rëndësishme kulturore, me një lëvizje të gjerë arsimore e me institucione përkatëse.

Edhe pse letërsia që u zhvillua në Voskopojë ishte kryesisht në gjuhën greke, nevoja për t`i vënë gardh rrezikut të asimilimit, bëri të pashmangshme edhe përdorimin e gjuhës amtare, duke inkurajuar objektivisht zhvillimin e kulturave kombëtare. Në shkollat e Voskopojës u përdorën edhe shqipja e arumanishtja për mësimin e greqishtes.

Dukuria më e rëndësishme e zhvillimit letrar në Shqipëri gjatë shek.XVIII është poezia shqipe me alfabet arab, që u quajt poezia e bejtexhinjve. Kjo ishte një dukuri kontradiktore, sepse në të poetët bejtexhi shprehën nga një anë, prirjen për ta dalluar veten nga kombësitë e tjera përmes shkrimit të shqipes, si gjuhë e poezisë së tyre, nga ana tjetër, ata ishin nën ndikimin e fortë të kulturës orientale dhe të moralit islam.

Pas përhapjes së gjerë të islamizmit, në Shqipëri në shek.
XVIII u ngrit një rrjet i gjerë institucionesh arsimore e kulturore islame, mejtepet e medresetë ku jepej feja islame, letërsitë orientale në gjuhët osmane e arabe. Numri i njerëzve të shkolluar në këto institucione u rrit, duke formuar kështu një shtresë intelektualësh të brumosur me kulturën dhe ideologjinë e pushtuesit. Prej kësaj shtrese dolën poetët bejtexhinj, që sollën në krijimtarinë e tyre idetë e fesë e të moralit islam, të shprehura me një gjuhë të mbytur nga orientalizmat. Ata e shkruan shqipen me alfabet arab, ndoqën modelet e poezisë orientale dhe rimorën kryesisht motivet e atyre letërsive.

Megjithatë krijimtaria e bejtexhinjve pati rëndësi për zhvillimin e letërsisë shqipe nga disa anë. Në radhë të parë, sepse përmes saj shqipja bëri jetën e vet të shkruar, edhe pse me alfabet arab, në një kohë kur tradita e letërsisë fetare-katolike të shek. XVI-XVII ishte fashitur dhe tradita e letërsisë kishtare ortodokse në jug ishte fare e kufizuar, edhe kur shqipja u shkrua me alfabetin grek ose me alfabete të krijuara enkas. Duke shkruar në gjuhën shqipe poetët bejtexhinj dëshmonin vetëdijen e kombësisë së tyre; ata e dallonin veten nga popujt e tjerë të perandorisë, si kombësi me gjuhën e vet të veçantë.

Nga ana tjetër, edhe pse e mbështetur në motivet dhe modelet e poezisë orientale, ajo nuk mund të ishte e shkëputur nga trualli ku lindi, nga bota e njeriut shqiptar. Për pasojë ajo u tregua e ndjeshme edhe ndaj përjetimeve të individit dhe ndaj konflikteve të tij morale me institucionet e kohës. Në këtë vështrim krijimtaria e bejtexhinjve shënon një hap përpara në zhvillimin e brendshëm të poezisë shqipe. Duke mbetur jo vetëm në kufijtë kronologjikë të letërsisë së vjetër, por edhe brenda caqeve të përmbajtjes së saj, ajo përsëri e kapërceu atë në disa drejtime. Me të nisi trajtimi në rrafsh të gjerë i temës laike dhe pasqyrimi i disa elementeve të jetës shqiptare të kohës.

Me rëndësi të veçantë është shkëputja e saj nga letërsia e vjetër, si akt krijimi. Poezia e bejtexhinjve nuk plotëson funksione didaktike, utilitare, ajo është produkt i përjetimeve subjektive dhe i frymëzimit krijues, sepse solli në traditën poetike shqipe botën subjektive të individit, edhe kur zhytet në mjegullën e misticizmit ose shkëputet prej saj, edhe kur ngrihet në spekulacione metafizike ose zbret në tokë, duke trajtuar disa anë të jetës dhe të realitetit të kohës.

Krijimtaria e bejtexhinjve u shfaq si një rrymë e gjerë poetike që u shtri në të gjitha trevat shqiptare. Ajo ishte rezultat i zhvillimit të jetës intelektuale në disa qytete e qendra të mëdha shqiptare, si Berati, Elbasani, Prishtina, Shkodra, Prizreni, Tetova, Gjakova, Gjirokastra, Kolonja, Frashëri, Konispoli etj.

Një nga më të shquarit përfaqësues të saj është Nezim Frakulla (vdekur më 1760) nga Berati. Ai është autor i shumë poezive turqisht, arabisht e persisht, por vepra e tij kryesore është “Divani” shqip që thyen skemën tradicionale të divaneve orientale, sepse, krahas motiveve të njohura në to, poeti solli disa aspekte të jetës së kohës në Shqipëri. Një pjesë e mirë e vjershave të tij janë gazelet, ku i këndohet bukurisë e dashurisë, por nuk mungojnë dhe vjersha me nota kritike për disa vese morale e dukuri negative të kohës.

Bashkëkohës me të është dhe Sulejman Naibi (vdekur më 1772) po nga Berati. Edhe ky shkroi një “Divan”. Vjershat e pakta që njohim prej tij janë të frymëzuara e me vlera artistike. Ndryshe nga poetë të tjerë myslimanë, ai shkruan me një shqipe më të pastër e më të lakuar.

Tahir Efendi Gjakova (fundi i shek. XVIII-shek. XIX) hartoi një vepër shqip, në vargje dhe në prozë, me titullin “Emni Vehbije” që përmban porosi e këshilla në frymën e moralit islam. Vepra u botua më 1835 në Stamboll, kuptohet me alfabetin arab. Ajo paraqet interes si dokument gjuhësor i të folmes së Gjakovës.

Muhamet Kyçyku (1784-1844) nga Konispoli është autor i dy poemave me subjekt me motive biblike e kuranike “Erveheja” dhe “Jusufi e Zelihaja”, të përshkuara nga fryma e moralit islam. Poeti që me krijimtarinë e tij qëndron më afër jetës së kohës është Hasan Zyko Kamberi (shek. XVIII-XIX) nga Starja e Kolonjës. Është autor i një “Mevludi” dhe i shumë poezive lirike, me temë shoqërore e erotike. I lidhur me jetën e fshatit dhe jo me jetën orientale të qyteteve e mjediseve feudale, ai pasqyroi në poezinë e tij halle dhe dilema të njeriut të varfër, zakone e probleme shoqërore të kohës. Vjersha më e fuqishme e tij është “Paraja”, një satirë e fortë ndaj realitetit të korruptuar dhe ndaj rolit shkatërrues të parasë. Vjershat e Hasan Zyko Kamberit kanë gjurmët e ndikimit të traditës poetike popullore dhe janë shkruar me një gjuhë më të pastër, afër së folmes popullore.

Poezia e bejtexhinjve mbeti brenda disa mjediseve të mbyllura dhe shterroi gradualisht përpara zhvillimit të një letërsie të re të shekullit që erdhi, të frymëzuar nga idetë e Rilindjes. Ajo mbijetoi përtej shekullit të saj për arsye historike të njohura vetëm në disa qendra kulturore e fetare të Kosovës.

Gjatë shek. XVIII pati një gjallërim të lëvizjes letrare e kulturore edhe te arbëreshët e Italisë. Autori më i shquar i letërsisë arbëreshe të këtij shekulli është Jul Variboba (1724-1788), i cili botoi më 1762 veprën “Gjella e Shën Mërisë virgjër” nje poemth që shtjellon jetën e Marisë dhe të Krishtit, e përshkuar nga një notë humanizmi tokësor e lirizmi të vetvetishëm, e shkruar në frymën e poezisë popullore, me një ngjyresë lokale. Vepra ka rëndësi si një krijim artistik i frymëzuar që shënoi kërcënimin nga kuadri i ngushtë didaktik-utilitar, drejt një letërsie me vlera të dukshme artistike.

Midis autorëve arbëreshë të këtij shekulli duhen përmendur edhe poetët Nikollë Brankati (1675-1741), Nikollë Filja (1691-1769) dhe Nikollë Keta (1742-1803). Ky i fundit është edhe autor i një vepre historiko-etnografike me titull “Thesar njoftimesh për maqedonasit”, që u botua pjesërisht te revista “La Sicilia” (Palermo, 1867).

Letërsia e shek. XVI-XVIII ka rëndësi jo vetëm si etapa e parë e zhvillimit të letërsisë shqiptare, por edhe sepse ajo vuri bazat e shkrimit shqip.

1 KOMENT

  1. Si ka mundesi qe nji profesor si Prof. Zymer Mehani shkruen dhe publikon nji studim me titull “SHQIPJA LETARE GJATË SHEKULLIT XVIII” dhe nuk din asgja per KUVENDIN E ARBERIT te datave 14 e 15 janar të vitit 1703, në Mërqi, afër Lezhës?

    Prandej Arben te lutem publikoje kete shkrimin ma poshte ne menyre qe lexuesit shqiptar dhe TE HUEJ ta dijne se shqipja ka marre hov te madh pikrisht nga interesimi i Papes shqiptar Kelmendi i XI:

    Papa shqiptar Kelmendi i XI – Kuvendi kishtar i Arbërit e mbrojtja e identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve
    https://albemigrant2011.wordpress.com/2017/01/15/papa-shqiptar-kelmendi-i-xi-kuvendi-kishtar-i-arberit-e-mbrojtja-e-identitetit-kombetar-e-fetar-te-shqiptareve/

Komentet janë mbyllur.