SOKOL DIBRANI, STUDENTI I DY FAKULTETEVE – DËSHMOR

0
578
Gani I. Mehmeti
Gani I. Mehmeti

Gani I. Mehmeti

Shkrimi është i 25 majit 2001, para 20 vitesh!

“Ti, Nënë, një herë në javë, i përqfon në vend timin motrat e mia! Çiftelinë, në mos ma paçin djegur, ruama fort. E, nëse telat i ndryshken a i këputen, bleja tjerët të rinj! Mos ia jep kurrkujt, ruaje sikur syt e ballit! Edhe librat e fletoret në banesë, nëse më kanë shpëtuar, ti Nënë, ruami vetë, sepse nuk dihet si sillet puna, ndoshta nuk takohemi më…!”

Të shkruash për dëshmorët studentë që i mori lufta – është bukur vështirë, e aq më vështirë të shkruash për atë që e ke njohur. Në rastin konkret na vie vështirë të bindemi dhe të pajtohemi me atë se ish nxënësi i pesave dhe studenti i dy fakulteteve, rapsodi dhe njeriu me një talent të rrallë krijues – nuk jeton më!

Sokol Dibrani lindi më 1 prill 1975 në Dumnicë të Epërme. Katër klasat e para të shkollës fillore i kreu në vendlindje, të tjerat i vazhdoi në Llaushë.

Shkollën e mesme e mbaroi në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”në Podujevë në vitin shkollor 1993/1994 me sukses të shkelqyeshëm, ku edhe u shqua me aktivitete të lira, përveç mësimit në grupin letrar të shkollës me krijime letrare poetike, në të cilat dominonte tematika atdhetare.

Sokoli kishte një njohuri të gjërë. Ai lexonte shumë dhe ishte i formuar me të gjitha tiparet njerëzore e posaçërisht  në atë patriotike, që kishte marrë nga fëmijëria prej familjes e prindit të tij, Nazmiut.

Mbas mbarimit të shkollimit të mesëm, ai arrin të regjistrohet në dy fakultete në Universitetin e Prishtinës: në Fakultetin Filologjik në degën e Gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe në Fakultetin  Ekonomik. Nga viti 1994/1995, kur u regjistrua, i ndoqi studimet përnjëherë në të dyja këto fakultete, duke arritur deri në vitin e katërt të studimeve. Ishte i dhënë shumë pas leximit të veprave dhe nuk mundi të ndahet për së gjalli prej tyre.

Përveç si student i dalluar, Sokoli shquhej edhe për rapsod, i cili me zërin e tij të bukur, përcjellë me çiftelinë që i binte vet, këndonte këngët e Dervish Shaqës, të Fatime Sokolit e të rapsodëve tjerë të shquar.

Sokoli u vra te Shkolla e Zhitisë së Podujevës më 26 maj 1999. Një lule e çelur në prill, u vyshk, u shua në maj, mbasi kishte hyrë në vitin e 25-të të jetës së tij, në lulen e rinisë, në kohën kur pritej t’i shërbente Atdheut e shoqërisë.

Për dy muaj, nga 24 marsi e deri në ditën e rënies më 26 maj, ai nuk bëhet rehat, nuk kishte pushuar nga dita që kishin lënë shtëpinë, të ndjekur nga ushtria serbo-çetnike. Ai rrezikon jetën e tij e kthehet në shtëpi për ta marrë babain e tij të plagosur, të cilin ia vrasin një ditë më parë, më 25 maj 1999, por që Sokoli nuk arrin fare ta kuptojë për vrasjen e babait, sepse vetëm një ditë më pas vritet vet, pa mundur të takohet me babain e tij të vrarë!

Nëna dhe motrat i dhimben shumë, ndërsa dy vëllezërit i kishte në Gjermani dhe kjo ishte një lehtësim i madh për të, siç merret vesh nga shkrimet e tij, që i kishte shkruar nëpër krisma pushkësh  dhe shpejt e shpejt në mal. Ai kishte pasur parandjenja se nuk do të ketë shpëtim, prandaj, në shkrimet e tij prej nëntë faqesh, që ia kishte dhënë nënës së vet më 26 maj 1999, vetëm 2-3 orë para se të vritej, i lë edhe porosinë e tij të fundit, sikur ishte plotësisht i bindur se jeta e tij shpejt do të marrë fund!

Më poshtë sjellim  disa nga porositë e tij shumë prekëse, përshëndetëse e lamtumirëse, me të cilat shihen edhe parandjenjat e tij  se do të vritej: ”Çiftelinë , Nënë, në mos ma paçin djegur, ruama fort. E, nëse telat i ndryshken a i këputen, bleja tjerët të rinj! Mos ia jep kurrkujt, ruaje sikur syt e ballit! Edhe librat e fletoret në banesë, nëse më kanë shpëtuar, ti Nënë, ruami vetë, sepse nuk dihet si sillet puna, ndoshta nuk takohemi më…!

Ti Nënë, nganjëherë çohu heret në kohën që më thirrje për në autobus të shtatëve (orës shtatë) dhe bëje bukën sikur po të isha edhe unë vet. Edhe, një herë në javë merri çikat e vogla e dil këqyre udhën në kohën e autobusit të treve (orës 15:00), sikur kur vi unë, këqyrni a po më shihni kund mua! M’u ka dashur të shkruajë shumë shpejt në mal, nëpër krisma pushkësh, sepse jemi rrethue në Mavriq…!”

Sokoli ka qenë i të gjithëve. Ai nuk ka ditur të mendojë keq për  askë. Ai bisedonte edhe me fëmijë. Përpiqej ta ofronte rreth vetes secilin, edhe fëmijët, edhe të rinjtë, ndërsa tek të vjetrit shkonte vet. – thotë kushëriri i tij, Ejup Dibrani.

Në mesin e 159 studentëve të vrarë të Universitetit të Prishtinës, Diplomën “STUDENTI MARTIR”, Sokolit i lëshohet nga një diplomë prej të dy fakulteteve që i ndiqte studimet, më 23. 11. 2000, me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit. Diploma e Fakultetit Filozofik mban numrin 24, ndërsa ajo e Fakultetit Ekonomik ka numrin 164 të të njëjtës datë.

Sokol Dibranin e njoha në Shkollën e Mesme Ekonomike “isa Boletini” në Podujevë, kur ishte nxënës i klasës ketërt. Nuk i jipja mësim, por ai vetë u ofrua në aktivitetet e lira, veçanërisht në Grupin letrar të shkollës. Ishte tejet entuziast. Ai shkrunate poezi, ai i binte çiftelisë bukur, ai këndonte vetëm këngë patriotike. Sytë i qitnin flakë nga dashuria për Lirinë dhe Atdheun.

Ishim afruar aq shumë me Sokolin, sa e kisha nderin ta kem edhe në familjen time bashkë me çiftelinë. Ishte tepër i papërtueshëm qoftë në ekzekutimin e valleve të ndryshme me çiftelinë që aq shumë e donte, qoftë edhe me këngë. Kishte shumë plane Sokoli, e donte jetën dhe aktivitetet e punën. Ai lexonte shumë, prandaj ishte i gjithanshëm. Shkruante poezi, këndonte, i binte çiftelisë, lexonte e studionte.

Sokoli, përveç studimeve në dy fakultete, kishte ndjekur edhe kurse për mësimin e gjuhës gjermane dhe e kishte përvetësuaar mjaft mirë.

Vrasja e Sokolit është vrasje e rinisë, vrasje e diturisë, vrasje e këngës, vrasje e krijuesit, vrasje e ardhëmrisë së Kosovës.

25.05.2021