Nga MUSTAFA V. SPAHIU
STOLI DHE KRENARI
I ka hije deteve vala
i ka hije kalit shala,
po më shumë nga të gjitha
i ka hije burrit fjala.
I ka hije malit dëbora
i ka hije – besës – dora,
po më shumë nga të gjitha
i ka hije kombit Vlora.
I ka hije bujku tokës
i ka hije niposhi lokës,
po më shumë nga të gjitha
i ka hije plisi kokës.
I ka hije nxënësit shkolla
i ka hije degës molla,
po më shumë nga të gjitha
i ka hije bandillit belholla.
I ka hije foshnjës gjumi
i ka hije brigjeve lumi,
po më shumë nga të gjitha
i ka hije magjes brumi…
I ka hije kohës durimi
i ka hije urtisë mendimi,
po më shumë nga të gjitha
i ka hije malësorit kushtrimi…
I ka hije nuses-o qepalla
i ka hije urtakut – mëhalla,
po më shumë nga të gjitha
i ka hije kreshnikut palla…
I ka hije trishtilit cicërima
i ka hije qiellit vetëtima,
po më shumë nga të gjitha
i ka hije Anamoravës gurgullima.
Te Çezmja e Molla Nuhës,
maj/qershor 1992
NGA MERR DRITË – DITURI
Herake ia nisin mbarësisë,
Punës me ëndje dhe vlerë.
Të vyeshme – krahëlehta –
Punëtore – përngaherë…
Pa përtesë lule më lule,
Gjithnjë hudhen në garë!
Në koshere mbushin hojet
Pëplot mjaltë – nektar…
Çdo vocërrak kureshtar
I admiron, ua ka lakmi!
Me gëzim kridhet në libër
Nga përthithë dritë – dituri.
PORTRET MBI DËBORË
Një vogëlush hapi krahët
Dhe mbi dëborë u shtri,
Rrezet ia puthën faqet,
Në flokë iu ndalën stoli.
Hopla n’këmbë u ngrit
Se ç’u mbajt me dorë,
N’ekspozitën e bjeshkës,
Portret ngeli mbi dëborë.
Andejza shëtiste poeti,
Mbi portret i ndali sytë!
Shprushi qindra kujtime:
– Fëmijërinë time t’ikur,
– Kush po ma përsëritë?!
Në Dhévendlindje, 1978