Ilir SEFAJ
Në një e recension timin të publikuar në fillim të vitit 2020, për librin “Dritë mbi plagë“, të hartuar nga krijuesit Lulëzim Etemaj e Isuf Sherifi, (që me të drejtë e quajnë, sprovë për antologji), në të cilin i pranishëm me vargjet e tij është edhe poeti e studiuesi Agim Vinca, ndër të tjera, pata shkruar: “Së këndejmi, mendoj se libri Dritë mbi plagë edhe pse brenda tij ka vuajtje, dhembje, varre, uri, dënesje, lot e gjak, është dhurata më e mirë me të cilën lexuesi ynë do ta fillojë këtë decenie të re, e cila pa mëdyshje se do të jetë më premtuese se ato që kaluan, e për të cilat lutemi që të mos kthehen kurrë më”.
Si për inat, nuk u desh të kalonin edhe shumë ditë që të përmbysej kjo lutje “shpresëdhënëse” të cilën ia dëshiroja kombit tim të shumëvuajtur. Qysh në javët e para të vitit 2020, madje edhe më herët, diku kah fundi i vitit 2019, botës mbarë po i përgatitej një ogur i zi, pandemia COVID-19, e cila edhe tash kur veç po kalon gjysma e vitit 2021, po merr jetë njerëzish e po trazon shpirtrat tanë, por kësaj radhe pa zgjedhur popujt.
Jo rastësisht e fillova në këtë mënyrë këtë përqasje timen, meqë target i saj është pikërisht pandemia në fjalë, por e shikuar nga një perspektivë tjetër. E shikuar nga prizmi i krijuesit, poetit, shkrimtarit e studiuesit, Agim Vinca.
Në rreth 300 faqe sa i ka libri Ditari i pandemisë, Agim Vinca i ka regjistruar përshtypjet dhe përjetimet e tij si individ, mënyrën se si e kundroi ai këtë mynxyrë, këtë zezonë, për plotë 80 ditë të kaluara në karantinë teksa qëndronte në banesën e tij në Prishtinë.
Profesor Vinca e nis Ditarin e tij me një parathënie nëpërmjet së cilës ia bën me dije lexuesit se e gjitha filloi “si diçka e vogël, por që ditë pas dite e javë pas jave, erdhi duke u rritur, ashtu siç rritet topi i dëborës kur niset nga maja e bjeshkës për të përfunduar në fund si ortek a rrungajë”.
Dihet se teoritë letrare ia njohin prozës dhe poezisë, por edhe zhanreve të tjera letrare “autonominë” e tyre, dhe po ashtu nuk janë të rralla krijimet në të cilat hasim hibridizim zhanresh, sikurse ta zëmë është proza poetike apo poezia prozaike, e që zakonisht njihen si forma që dalin jashtë rregullave që lidhen me ecurinë e një proze apo poezie, mirëpo Ditari i pandemisë i krijuesit Vinca, është më shumë se kaq, është edhe prozë edhe rrëfim edhe histori.
Në tetëdhjetë ditë sa edhe ka mbajtur shënime profesor Vinca në Ditarin e tij, përveç që shpalosë detaje me rendësi nga përditshmëria e tij, telefonatat e zhvilluara me miq, njerëz të artit e të kulturës, përcjelljen me vigjilencë të lajmeve që vijnë nga vende të ndryshme të botës, rrëfimet për mënyrën se si këto vende përballen me virusin vdekjeprurës, ai po me kaq interes i ndjekë dhe i gjykon edhe zhvillimet politike në Kosovë.
Nëse shtetet e tjera të botës ia kishin shtrirë dorën e solidaritetit njëra-tjetrës, duke përfshirë edhe Shqipërinë tonë, e cila i dërgoi rreth 30 mjekë e infermierë në Itali për t’i dalë në ndihmë shtetit fqinj të dërmuar nga koronavirusi, lufta e ashpër mes taborëve politikë në Kosovë është në kulmin e saj, anipse pamëshirëshmërinë e tij vazhdon ta shfaqë hapur virusi enigmatik, i njohur si COVID-19.
Ani pse i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Telekomunikacionit, neve që kemi zgjedhur ta studiojmë shkencën e letërsinë, e që e konsiderojmë veten kompetent kur luajmë rolin e “demiurgut” kundrejt një vepre të caktuar letrare, sikur na bënë xheloz konstatimi i kryeministrit Kurti, dhënë për librin Ditari i pandemisë të profesor Agim Vincës: “Përsiatjet individuale të autorit në kohë izolimi, ndryshimi i detyruar i raporteve dhe rutinave familjare e shoqërore, virusi në politikë e politika me virusin… Mediet në Kosovë e Shqipëri me polemikat e panumërta (më shumë dërrmuese sesa shteruese), librat shqip dhe të huaj që i ka për qejf autori apo që i rebelohen atij nga përgjumja në kujtesë, ngjeshin radhët e tekstit 300 faqesh të ditarit 80 ditorë nga pranvera 2020 e Kosovës”.
Studiuesi i shkencave kompjuterike e lexuesi pasionantë i letërsisë, lideri i Lëvizjes studentore dikur, tash kryeministër i vendit, kur flet për verbin krijues të profesor Vincës, shton: “Ka libra që nuk mund t’i lexosh për një ditë. Ka libra që nuk mund të mos i lexosh brenda ditës.
I këtillë është Ditari i pandemisë së Agim Vincës. Po e more në dorë dhe e hape faqen e parë, s’e shqet dot nga dora deri në faqen e fundit”.
E di që do të ishte ideale që ky vështrim imi për librin e profesor Vincës të përmbyllej me konstatimin e kryeministrit aktual të vendit! Megjithatë, kujtoj që nuk është e tepërt nëse themi se pandemia, ky emër qe është bërë pjesë e përditshmërisë sonë për pothuajse tri vitet e fundit, pa mëdyshje se një ditë edhe do të kalojë.
Kjo dergjë që trazoi botën, në të ardhmen e afërt (shpresojmë!), në rastin “më të mirë” do të përmendet shkarazi. Por, një gjë është e sigurt, kjo situatë makthi me të cilën vazhdon të përballet edhe më tej njerëzimi, do të jetojë gjatë në memorien tonë, vetëm se jo edhe aq sa në librin Ditari i pandemisë, të krijuesit të rrallë, autoritetit të kulturës shqiptare, profesor Agim Vincës.
Dhe, nëse e parafrazojmë atë që me modesti e thotë autori i librit, profesori i nderuar, do të thoshim: Le të mbetet një dëshmi, nëse jo për histori, së paku për jetën e përditshme të njerëzve të një kohe, të cilët e përjetuan pandeminë COVID-19.
80 dite te tmerrshme te Agim Vinciut… ishin me te tmerrshme se 28 vitet e Adem Demaqit…
Agim po i hjekes ish kone….c.c.c.c.c.c.c.c.c.
Do idiota ma shumë jane ankuar per lirine 22 vjeqare se sa Adem Demaqi per 28 vite burgu… Qosja, Vinca, Kurtoglu edhe do qisi budall tjere… ankimues te lirise… JQQN.
Komentet janë mbyllur.