(Prend Buzhala, recension)
Kësisoj, ky vëllim vjen si një ftesë e re për ta realizuar e përqafuar ëndërrimin tonë jetësor, me gjitha pasiguritë që i kemi përpara. Autori sikur e rizbulon te secili prej nesh një prind me të birin, i zbulon ato marrëdhënie që na drejtojnë të marrim rrugën tonë në jetë.
Në pamje të parë janë tekste miniaturash, janë pjesëza frymëzuese. Është dëshira e autorit që t’i ndajë me lexuesit udhëzimet, meditimet psiko-spirituale, dhe pse jo, edhe psiko-etnike: shqiptari është ai që prindin e hyjnizon në përmasa qiellore. Dhe prindi do një trashëgimtar të përmasave të tilla. Autori na fton që në shtegtimet e jetës, do ndjekur edhe një rrugë tjetër, atë të zhvillimit të brendshëm shpirtërore, të rritjes së brendshme të personalitetit tonë.
Babë, më tregoje që jeta të hedhë deri në buzë të abisit po lejove. Duhet të jesh shumë i fortë të përballesh me jetën. Po rave në gjunjë ajo do të t’i përtypë të gjitha ëndrrat, shpresat, do të t’i vrasë edhe kohët më të çmuara. Kafshatën në fyt do ta zë, nuk do të të lërë as të buzëqeshësh. Do të t’i largojë edhe miqtë, shokët, të afërmit, zjarrin që me vite e ke ndezur do ta shuajë. Pasurinë që me vite e mund e ke krijuar, do ta bëjë terak të thatë. Do ta humbë entuziazmin, bir, ecjen nuk do ta kesh më si më parë e vullnetin për koke do të ta marrë.
15.
Ç’na gjeti gjithë kjo vetmi brenda shpirtrash që si demon i egër e i pështirë po na hakmerret. Pse koha e pashpirt na ka ndarë atje larg?!
Ku na mbeti gjithë ajo dashuri që patëm për njëri-tjetrin?!
Po gëzimi, lumturia ku mbetën apo ia kanë mbathur me të katrat! Kohë lakuriqësish, nervash e andrallash. Kohë judësh, nopranësh zemërgurësie. Biri im, një ditë çdo gjë do të ndryshojë, lolitë sheshit do të dalin…
17.
Biri im, mendja është si fara, varet në çfarë toke do e mbjellësh dhe sa kujdesesh për të. Po e mbille në një tokë të ujitur, të pllenuar dhe të pëlleshme, fara shpejt sjell fryte të bollshme dhe të ëmbla. Në të kundërtën sjell produkt të keq. Edhe në mendjen e njeriut duhet “mbjellë” të mirën, pozitiven, motivueshmërinë. Po “mbolle” negativen, mandej do të përballesh me pasojat. Ndrysho mendimin, se nga ai varet edhe jeta. Në jetë mos u bëj zemërak dhe andrallëtar, lumturia sjell gëzimplotën dhe dobiprurjen. Biri im, jeta është në ty, për ty, dhe në duart e tua, vazhdo e mos u ndal drejt yllit tënd prijatar.