Zymer Mehani
(Mësuesit, gazetarit, poetit dhe veprimtarit të Çështjes Sonë Kombëtare, Rasim Thaçi)
1.
Në një kohë të shkuar,
Por të paharruar
Ty të kishim mik,
Të urtë dhe besnik,
Me zemrën si det,
Me penë majeprehtë.
Jotja fjalë flut’ronte,
Në ylber pushonte
E pastër, e dëlirë,
E ngrohtë dhe e mirë…
2.
Breshër lëshonte pena jote
Për kuçedrën në kohë shqote
Si rrufeja që çan qiellin
Për armik, që sillte tmerrin
Kurrë s’u trembe as u stepe
Që nga lindja gjer në vdekje.
3.
Kur tirani shkeli vatanin
Gra e pleq dhe fëmjë qanin
Majethikat na u ngulën thellë
Nga xhelatë e kriminelë
Por vdekja s’e tremb shqiptarin-
Rasim Thaçin- dritëfanarin
4.
Me penën tënde hollake
Zemrat tona ç’i përflake!
Edhe hënës rrotullake
I vjershërove me tik-take
Xherdan t’verdhë i veshe vetë
Ti, poeti i vërtetë…
5.
Yjet ta kishin lakmi
Kur këngëtoje për liri
E unë, miku yt poet
N’këtë botë t’rreme, vërtet
Lulëkuqet e k’tij trolli i dua
Ngase ruajnë kujtimet tua
Dhe dashurinë për to që pate
Në vargjet e këngës sate…
6.
E ti, o yni mësues
Për ne ishe udhëdëftues
Prore ne na këshillove
Si të hecim na tregove:
– Rrugën me leqe e kemi
Prandaj vigjilentë të jemi!
Portat, dritaret, rruginat
Çerdhet ku rrinë gjeraqinat
Këtë truall në këtë nënqiell
T’i mbrojmë me gjokset-kështjellë!
K’shtu na pate thënë, o mik
I atdheut luftar besnik…
7.
Dhe k’shilla tjera na dhe
Të bashkuar t’jemi ne
Të flasim me tonin gjak
Me vëllanë, mikun në oxhak
Ti, shpirtin e kishe heshtë
Në vuajtje ishe syvjeshtë
Për atdhe – zemrën vullkan
N’ skëterrë ishe flakadan
Ti ishe shkëndijë zjarresh
Ishe dhe dëlirësi ujëvaresh
Prore shkrove shqip dhe qartë
Me atë penë tënden të artë…
Shpirti t’ndrittë si galaksion
Dhe lavdia ty të takon