Libri i Fatmir Çitakut për mësuesin veteran Jakup Muharremi është monument kulturor që i bën nder çdo shqiptari

0
301
Fatmir Çitaku - Jakup Muharremi

Zymer Mehani

1.
iPërcaktimi i autorit Fatmir Çitaku për prezantimin e figurës së mësuesit veteran, JAKUP MUHARREMI nuk është vetëm i karakterit përkujtues, por është edhe obligim për të si studiues i jetës dhe veprës së tij, që këtë pishtar të arsimit tonë kombëtar t’ua sjellë si model gjeneratave të reja se si duhet të punohet për komb dhe për atdhe.

Në fillim, me iniciativën e ndërmarrë nga familja e mësuesit veteran JAKUP MUHARREMI, autori Fatmir Çitaku iu rrek punës që të shkruajë për këtë figurë kolosale të arsimit kombëtar, me qëllim që të bëjë një monografi, në të cilën ai do të paraqesë jetën dhe veprimtarinë edukativo-arsimore të mësuesit veteran JAKUP MUHARREMI. Puna eci mirë, ngase, autori pati mundësi të hulumtojë në arkivën personale të këtij mësuesi (që sot e ruan familja e tij) dhe kështu arriti t’i sigurojë shumë të dhëna të rëndësishme për këtë pishtar të arsimit. Pra kësisoj, në faqet e librit të tij, z. Çitaku ka sjellë disa shënime, kryesisht të dhëna biografike, dokumente personale dhe arsimore të mësues JAKUPIT, si dhe ca fotografi, që e kompletojnë portretin e këtij mësuesi veteran.

Meqë familja shprehu gatishmëri dhe e dha lejen për të shkruar për JAKUP MUHARREMIN, ajo autorit Fatmir Çitaku ia mundësoi që të ketë qasje edhe në arkivën personale të mësuesit veteran, kështu që autorit iu dha rasti të mësojë edhe më gjerësisht për jetën dhe për veprimtarinë arsimore të Jakup Muharremit.

Ai ishte shembull prej atdhetari të denjë, i pafjalë, konkret dhe i vendosur.
Autori i kësaj monografie z. Fatmir Çitaku dhe unë, Zymer Mehani, redaktor i këtij libri e falënderojmë publikisht familjen e mësuesit JAKUP MUHARREMI, me të cilën kemi mundësi për të kontaktuar dhe jemi gjithnjë në kontakt që nga fillimi i punës sonë rreth librit.
Libri “Jakup Muharremi-pishtar i arsimit kombëtar” i autorit Fatmir Çitaku është konceptuar në gjashtë kapituj. E tërë lënda është mbarështruar dhe sistematizuar edhe në disa nënkapituj.

Kapitulli I përmban të dhëna për familjen Muharremi, prej së cilës doli edhe mësuesi veteran Jakup Muharremi. Këtu autori Çitaku ka shkruar për vështirësitë nëpër të cilat kaloi kjo familje atdhetare, për prindërit e Jakupit, për vëllezërit Ahmetin, Nezirin e Hazirin, duke bërë përpjekje që sado pak të sjellë ca dromca nga historiku i kësaj familjeje.

Kapitulli II, faktikisht paraqet edhe temën bosht të librit, ngase i tëri i është kushtuar figurës së mësuesit veteran Jakup Muharremi. Pra, në të trajtohet jeta dhe fëmijëria e hershme e këtij mësuesi të devotshëm, vështirësitë gjatë shkollimit, jeta e tij dhe e vëllezërve pas vdekjes së babait, urrejtja e mësuesve serbë ndaj shqiptarëve, në këtë rast edhe ndaj Jakupit si nxënës, brumosja e karakterit të tij në frymën atdhetare të familjes, vështirësitë e familjes së Jakupit dhe të banorëve lokalë përgjatë kohërave, prindërit e tij dhe devotshmëria e tyre, barra e familjes mbi shpatullat e Ahmetit, si vëlla më i madh në familje, trashëgimia kulturore dhe arsimore si dëshmi e së kaluarës, thjeshtësia, puna e devotshme, karakteri, personaliteti dhe shëmbëlltyra e tij prej frymëzuesi dhe ndriçuesi; vizioni i tij atdhetar etj.

Në kapitullin III flitet për Shkollën Shqipe të Bistricës së Shalës; për punën edukativo- arsimore të mësuesit Jakup Muharremi në këtë shkollë prej vitit 1963, kur edhe inkuadrohet aty; për rolin e tij në zgjerimin e rrjetit shkollor; për tekstet dhe lëndët mësimore të shkollës së Bistricës së Shalës, ku punoi ai; për sistemin shkollor në periudhën 1945-1966; për sfidat dhe vështirësitë e shkollës shqipe të Bistricës gjatë viteve ’80 dhe punën atdhetare të mësuesit Jakup Muharremi me shokë; për planet dhe programet mësimore, në vitet ’80; për plan-programin (e “korrigjuar”) të vitit 1982; për vitet 1981 – 1989 – periudhë e përpjekjeve për rrënimin e pavarësisë së sistemit të arsimit në Kosovë; për shkollat dhe arsimin shqip në Kosovë 1990 – 1999 (edhe në Mitrovicë); për uzurpimin e objekteve shkollore të Kosovës nga pushteti serb; për mobilizimin e shkollës shqipe për rezistencë kundër sistemit serb të arsimit; për ndarjen e Shkollës shqipe në Kosovë nga sistemi arsimor i Serbisë; për dhunën dhe terrorin e pushtetit serb ndaj shkollës shqipe; për legjitimitetin e shkollës shqipe gjatë viteve ’90. Ky kapitull mbyllet me një shkrim për përkrahjen e shkollës shqipe nga bota përparimtare.

Në kapitullin IV është paraqitur shtrirja gjeografike dhe kufijtë; territori dhe popullsia; klima dhe zhvillimi ekonomik i Shalës së Bajgorës dhe i Batahirit, vendlindjes së mësuesit Jakup Muharremi; pastaj është folur për Batahirin dhe luftën e tij më 1947, duke iu referuar shkrimeve të të tjerëve dhe fakteve të historisë.

Në kapitullin V autori Fatmir Çitaku ka shkruar për fillet e arsimit në trevat shqiptare; për shkollat e hershme shqipe si shkolla tipike shqiptare dhe për lidhjet e historikut të arsimit tonë shqip me fatet e kombit dhe me përpjekjet e tij për liri; për mjetet mësimore që u përdorën në shkollat e para shqipe; për sistemin e arsimit te ne pas Luftës së Dytë Botërore; etj.

Kapitulli VI përmban evokim kujtimesh për mësuesin Jakup Muharremi nga ish-kolegët e tij, me të cilët ai punoi. Janë përfshirë kujtimet e mësuesve Abaz Ademi, Avdi Bekteshi, Rexhep Abazi, Gëzim Vitaku Ramadan Kajtazi dhe Osman Osmani, të cilët autori Fatmir Çitaku i falënderon për kontributin e tyre që dhanë për ndriçimin e figurës së mësuesit veteran Jakup Muharremi.

Librit vlerën ia shton edhe një shtojcë me SHËNIME DHE DOKUMENTE PEDAGOGJIKE TË MËSUESIT JAKUP MUHHARREMI dhe FOTO-ALBUMI I TIJ.

Libri “Jakup Muharremi-pishtar i arsimit kombëtar” i autorit Fatmir Çitaku është një monument kulturor dhe pëkujtues për jetën dhe për veprimtarinë arsimore e atdhetare, për vullnetin e pashoq për punë të mësuesit Jakup Muharremi, i cili me sakrificë, me guxim dhe me atdhedashuri, edukoi breza të tërë, duke vënë para vetes interesin e përgjithshëm kombëtar dhe duke sakrifikuar gjithçka vetëm për arsimim në gjuhën shqipe.

Ishte ky mësuesi, që pa rezerva punoi dhe veproi me mund dhe me përkushtim për zhdukjen e analfabetizmit në Kosovë dhe për arsimimin e shqiptarëve të Kosovës. Ai me shokët e tij u përpoqën dhe ia arritën qëllimit që Kosova të bëhet shoqëri me arsim dhe shkollë kombëtare shqipe.

Na mban shpresa se mangësitë eventuale apo gabimet lëndore, që mund të kenë rrjedhur në këtë libër, do të plotësohen dhe do të evitohen në të ardhmen, me rastin e ndonjë ribotimi të këtij libri.

Autorin e kësaj monografie z. Fatmir Çitaku e falënderojmë që na e besoi redaktimin e këtij materiali të rëndësishëm dhe njëkohësisht e urojmë nga zemra për punën e bërë, ngase pishtari i arsimit, JAKUP MUHARREMI me shokë meritojnë mirënjohje, respekt dhe lavdi.
Zoti qoftë me ta!

2.

Për të shkruar për figura dhe për personalitete të shquara kombëtare, siç është edhe ajo e mësuesit veteran, JAKUP MUHARREMI, duhet pasur, së pari përkushtim, pastaj edhe informacion të bollshëm, dokumentacion dhe material tjetër, që flet për jetën dhe për veprimtarinë e tij edukativo-arsimore, të cilën e ushtori me pasion GJERSA U PENSIONUA.

Libri monografik për mësuesin JAKUP MUHARREMI paraqet jetën dhe veprimtarinë arsimore të tij. Pra, një jetë të tërë kushtuar edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj (1963-2005).

Me këtë libër të autorit Fatmir Çitaku po i shtohet edhe një gur përkujtues kalasë së pamposhtur, siç është arsimi ynë kombëtar, që e nderon jetën dhe veprën e mësues JAKUPIT, por edhe arsimimin shqip përgjithësisht.

Historia jonë e gjysmës së parë të shekullit XX është e njohur për sakrificat dhe për përpjekjet e pareshtura të shqiptarëve të viseve shqiptare të ish-Jugosllavisë (Kosova, Maqedonia e Veriut, viset shqiptare të Malit të Zi, Kosova Lindore) për liri dhe të drejta, ngase edhe pse ata luftuan kundër nazi-fashizmit, prapëseprapë ngelën nën regjimin jugosllav, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Me gjithë represionin që ushtrohej haptas mbi popullatën shqiptare nga regjimi sllav, shqiptarët asnjëherë s’u ndalën së vepruari. Veçanërisht, edhe pse në numër të vogël, ata u shkolluan nëpër shkolla të kohës, nëpër vende e në gjuhë të ndryshme, sepse e dinin fare mirë se vetëm arsimimi i sjell kombit përparim dhe të ardhme të sigurt. E njëri prej djemve të BATAHIRIT DHE TË SHALËS SË BAJGORËS, që veproi kësisoj është edhe JAKUP MUHARREMI, i cili, në radhë të parë u brumos me edukatë dhe me atdhedashuri nga prindërit dhe familja e pastaj u pajis me dije duke u shkolluar në shkollat e kohës, siç qe edhe SHKOLLA E LARTË PEDAGOGJIKE E PRISHTINËS, të cilat i pat kryer me sukses.

Siç mësuam nga materiali i këtij libri të autorit Fatmir Çitaku, JAKUPI asnjëherë nuk hezitoi për rrugën drejt shkollimit të tij dhe përherë ishte i mbështetur moralisht dhe materialisht nga familja. Misioni që kishte marrë për t’u arsimuar ishte sa njerëzor, po aq edhe atdhetar, ngase mbi supet e tij dhe të mësuesve të tjerë po peshonte barra tejet e rëndë, në radhë të parë për zhdukjen e analfabetizmit dhe të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe edhe BISTRICË E SHIPOL, ku ai qe mësueS.

Personalitetet e shquara të kombit, siç ishte mësuesi JAKUP MUHARREMI, i duheshin popullit, ngase ai u shndërrua në pishtar që përhapte dritë kudo që vepronte. E kjo është detyrë shumë humane dhe hyjnore, prandaj kërkon persona me karakter të fortë, të arsyeshëm dhe të ndërgjegjshëm. Fatmirësisht, i një kalibri të tillë ishte edhe djaloshi nga BATAHIRI, JAKUP MUHARREMI.

Të GJITHA gjeneratat që i nxori duke i edukuar dhe arsimuar (1963-2005), mësues JAKUPIN e patën shembull se si duhet punuar me përkushtim për të mirën e familjes dhe të kombit. Këto gjenerata qenë me fat që e patën mësues një atdhetar të tillë, i cli me pasion e me përkushtim s’reshti asnjëherë për mësim dhe dije të tyre, gjithmonë në frymë të shëndoshë kombëtare. Prandaj, mësuesin JAKUP MIHARREMI, ata breza që i edukoi dhe i mësoi do ta kenë model se si punohet për interesa madhore kombëtare, siç ishte edhe edukimi dhe arsimimi i brezave në gjuhën shqipe, në një kohë, kur kjo e drejtë legjitime dhe universale po u mohohej shqiptarëve të ish-Jugosllavisë.

Qëndrimet e mësuesit atdhetar, JAKUP MUHARREMI për arsimim të shqiptarëve në gjuhën e tyre amtare janë fare të ngjajshme me qëndrimet e atdhetarit të madh, të shkrimtarit dhe të pedagogut të devotshëm Ernest Koliqi, që ishte ministër i arsimit të Shqipërisë, i cili pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë do të shpërndante rreth 300 mësues nga Shqipëria për t’i dhënë dërmën analfabetizmit, duke shpërndarë dije kudo me arsimim të popullit tonë në gjuhën shqipe. Pra, qëllimi i dërgimit të këtyre mësuesve ishte që të ndihmohej Arsimi Kombëtar Shqiptar në Kosovë.

Vendimi i JAKUP MUHARREMIT për t’u bërë mësues nuk ka qenë i rastësishëm, por ishte i menduar dhe i analizuar mjaft mirë, ngase ishte i orientuar drejt së ardhmes së sigurt të një realiteti i cili do të krijohej, kur gjuha shqipe, pas shumë pengesash nga regjimet e huaja, më në fund do të futej në përdorim legalisht kudo ku kishte shqiptarë. Ky ishte qëllimi dhe vizioni i këtij mësuesi atdhetar, që fëmijët shqiptarë t’i edukonte dhe t’i arsimonte në shkollat shqipe dhe në gjuhën shqipe. Vizioni i tillë përqafohej nga të gjithë të rinjtë që përgatiteshin për t’u bërë mësues, ngase ata kësisoj po e sendërtonin realizimin e projektit të madh kombëtar-arsimimin e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë në shkollat e tyre në gjuhën shqipe.

Ky brez mësuesish, bashkë me ta edhe JAKUP MUHARREMI, treguan se fuqishëm dhe dinjitetshëm po e mbronin interesin dhe të drejtën e shqiptarëve për arsimim në gjuhën e tyre amtare.

Një qëndrim kësofare i atyre pak intelektualëve shqiptarë, kryesisht i mësuesve, bëri jehonë të madhe në raport interesi kombëtar- regjim, duke ia bërë me dije këtij të fundit se populli shqiptar i Kosovës nuk do të pajtohet me liri gjysmake, por dëshiron t’i realizojë të drejtat e veta, siç është edhe arsimimi në gjuhën shqipe, si e drejtë themelore.

Nga këto qëndrime, kuptohet se edhe JAKUP MUHARREMI ishte tejet i shkathët dhe largpamës, ngase kishte përkushtim të veçantë në kërkim dhe në realizim të së drejtës për shkollë në gjuhën shqipe, që ishte parësor dhe interes kombëtar. Nga kjo pikëpamje, mësojmë se mësuesi JAKUP MUHARREMI dhe vargani i mësuesve shqiptarë i viteve ’60 të shekullit XX qëndrimet e tyre i ndërlidhnin me idetë e mendimtarëve iluministë të Rilindjes sonë Kombëtare dhe të atyre evropianë, të cilët së pari kontribuuan në ngritjen e vlerave shoqërore, siç është arsimimi në gjuhën amtare, pastaj liria e individit dhe e kombit.

Ideali i mësuesit JAKUP MUHARREMI për edukim dhe arsimim të brezave në gjuhën shqipe ishte njëkohësisht edhe ndërgjegjësimi i tij personal dhe përmbushje e obligimeve të tij intelektuale dhe nacionale që i kishte kundrejt kombit, të cilit i përkiste.

Shembulli i një plejade mësuesish shqiptarë të viteve ‘40, sikurse edhe i JAKUP MUHARREMIT do t’i shërbejë kombit për ndërtim të një jete më të mirë dhe tipike shqiptare në trojet e veta. Prandaj këta pishtarë të arsimit dhe të shkollës shqipe, bashkë me ta edhe mësuesi JAKUP MUHARREMI, do të jenë udhërrëfyesit më të mirë të gjeneratave të ardhshme për inspirim kombëtar plot atdhedashuri, maturi e largpamësi.

Dihet fare mirë se asnjëherë nuk zbehen figurat e mëdha të tabanit kombëtar, por me kalimin e kohës, ato shkëlqejnë edhe më tepër. Një figurë e tillë emblematike është edhe mësuesi JAKUP MUHARREMI, emër i shquar i arsimit tonë kombëtar.
Lavdi u qoftë mësuesve të kombit shqiptar!

Lavdi mësuesit të arsimit kombëtar, JAKUP MUHARREMI!
Respekt penartit z. Fatmir ÇITAKU, që po na e dhuron një perlë të vërtetë kombëtare-monografinë dedikuar mësuesit veteran JAKUP MUHARREMI!