ZJARRI I SHTËPISË DHE LOTËT E MACES

0
287
Macja

Gani I. Mehmeti

Një rrëfim sapo i dëgjuar

Gani I. Mehmeti
Gani I. Mehmeti

Strukturat serbe ushtarake, paraushtarake e policore kishin kaluar si shpejt nëpër fshatin Sllatinë të Mavriqit të Llapit më 1999.
Diku kishin kontrolluar e diku jo, diku kishin kontrolluar më shumë e diku më pak. Ndodhte që aty ku nuk kontrollonin, po ia jepnin zjarrin shtëpive.

Njëra nga shtëpitë që i kishin dhënë zjarrin, ishte edhe ajo e Ilmi Mhemetit në lagjen e Shalëve të Sllatinës. Kjo ishte si në të dalë nga fshati e në të hyrë në Dvorishtë.
Kur kishin arritur aty luftëtarët e UÇK të kësaj ane bashkë me ata të Mbrojtjes Civile, u shkon mendja të përpiqen ta shuanin zjarrin.

– Jo, jo! E paska marrë zjarri në të gjitha anët shtëpinë, dhe mos u lodhni kot, se nuk mudemi ta shuajmë gjithë këtë zjarrë! – u ishte drejtuar pronari i shtëpisë, Ilmi Mehmeti.
Kur këta ishin ndalur e po shihnin kah digjet shtëpia, një mace po bën turr të hyjë në zjarrë! Njerëzit po përpiqen ta ndalonin, por ajo bënte turr drejt zjarrit!

– Çka është kjo punë me macen, o Ilmi? – e pyesin të pranishmit, mbasi macen e kishin zënë dhe nuk po e lëshonin më, se ajo po donte të hynte në zjarrë.

– O, nuk ka faj ajo pse do të hyjë në zjarrë, sepse në një qoshe të shtëpisë i kanë mbetur të vegjlit e saj! – ua pret Ilmiu që e dinte këtë.

Macen e ndaluan të mos digjej vetë, por ia kishin parë lotët në sy, duke qajtur për të vegjlit e saj që i ishin djegur në zjarrë, për të cilët po donte të hynte edhe vetë drejt zjarrit e të shkonte tek të vegjlit e saj!