POEZI QË REFLEKTON BOTËN POETIKE-SHPIRTËRORE TË POETIT

0
353
Sabit Abdyli - Orë bukurshkrimi

Nga: Isak A H M E T I

(Sabit Abdyli: Orë bukurshkrimi, poezi, ShB “Rozafa”, Prishtinë 2019. Redaktor Sali Bashota).

Kam në dorë librin më të ri me poezi: ORË BUKURSHKRIMI, të poetit Sabit Abdylit, që vjen me shumë elegancë dhe filozofi poetike-jetësore. Ndjenjat e tij dhe mendja, bota e tij poetike-shpirtërore, vijnë në mënyrë fare spontane, në kohë dhe rrethana të ndryshme duke filluar me poezinë: METAMORFOZA E KËNGËS, nga viti i largët 1989, me të cilën edhe hapet libri për të vazhduar deri në kohën më të re (2019), kur e ka shkruar edhe njërën nga poezitë e tij më të bukura më titull: NËNËS (2019), vargjet e të cilës po i japim në tërësi për të shijuar bukurinë e tyre, bukurinë e fjalës dhe të shpirtit të poetit:

“Për fëmijët e lulet zemra i vlonte
syrin rreze e shpresë
në bebëzat e saj si në syprinë
liqeni

nëntë pash të thellë
shihja vetën vëllezërit motrat
qilimin kuq e zi punuar në vegje
djepat bekonte me këngë
e kënga ishte vetë Ajo (fq. 150).

Shënime biografike për autorin

Nga shënimet që na i ka ofruar vetë autori, del se Sabit Abdyli u lind në vitin 1946, në fshatin Kabash të Anamoravës, Komuna e Vitisë. Shkollën fillore dhe të mesmen i ka mbaruar në Vit, SHLP në Shkup, kurse Fakultetin Filozofik: Gjuhë dhe letërsi shqiptare në Prishtinë.

Pas Luftës së fundit në Kosovë(1999), Sabiti, bashkë me familje, është vendosur në Zelandën e Re. Atje ka vazhduar të merret mjaft intenzivisht me shkrime duke bashkëpunuar me gazeta e e revista që dalin në gjuhën shqipe. Para librit: ORË BUKURSHKRIMI, të cilin po ju paraqesim, Sabiti ka botuar njëmbëdhjetë vepra të tjera siç janë:

1. Kabashi i Anamoravës, Prishtinë 1997 (monografi),
2. Ankthi i pranverës ’99, Prishtinë, 2004, (libër dokumentar),
3. Kohë e lumtur, Prishtinë, 2005, (përmbledhje me poezi),
4. Bijtë e shqipes, në tokën e reve të bardha, Auckland, 2010 (prozë, poezi dhe artikuj për Mërgatën shqiptare në Zelandë të Re),
5. Letra, Anekdota, Aforizma, Gjilan, 2013,
6. Na Kabashi jem t’ndam nji zjarrmi, Gjilan, 2013,
7. Dallgë malli, Prishtinë, 2016,
8. Tybe këta veç kabashë janë, Prishtinë, 2016,
9. Thërrmija jete, Prishtinë, 2017,
10. Letra për babuqin gasterbajer në Gjermani, Prishtinë, 2017,
11. Dy skenarë për film “Një atdhe kemi” metrazhit të gjatë dhe “Lisi” metrazhit të shkurtër.

Krejt në fund të këtyre shënimeve biografike vlen të theksohet se Sabiti Abdyli, që nga vendosja e tij në Ishullin e largët (29 tetor 1999), është aktiv në organizimin e aktiviteteve artistike ndërthurur edhe me veprimtari për ruajtjen e unitetit, gjuhës dhe traditave kombëtare në mesin e Mërgatës shqiptare në Zelandën e Re.

ORË BUKURSHKRIMI
——————–
(Struktura e librit)

Librin e tij në fjalë të cilin po e marrim në shqyrtim, autori e ka strukturuar në gjashtë cikle, me 132 poezi:

I. DAULLET E LAGURA,
II. NË KOPSHTIN KUQ E ZI,
III. KU BREN MIZA HEKUR,
IV. CICMIC ME VETVETEN,
V. NË KRYE TË VENDIT dhe
VI. FUNDI I PËRRALLËS.

Gjashtë ciklet të lartshënuar të librit: ORË BUKURSHKRIMI, e lidhin në një tërësi arkitekturën poetike të këtij libri, që ngërthen tema dhe motive nga më të ndryshmet, por që karakterizohen me elegancë gjuhe dhe stili, janë poezitë e këtij libri plot sharm dhe lexohen me një frymë duke lënë tek lexuesi jo vetëm mbresa të pashlyeshme por edhe kënaqësi estetike. Për më tepër, tek ky libër, siç e ka vënë re edhe poeti e studiuesi, Ramadan Musliu (tashmë i ndjerë), kemi një rikonstruktim poetik të një bote të thyer së jashtmi dhe për brenda.

Për ta ndërtuar këtë mozaik poetik autorit i është dashtë të këtë ndjerë atë realitet të përditshëm deri në palcë, ta ketë vështruar së jashtmi si rrënojë dhe së fundmi, i mbushur pezëm nga dhembja, të fillojë rikonstruktimin e një modeli të idealizuar dhe ta vë atë përballë kësaj rrënoje. Kësisoj vihen në një paralelizëm semantik dy realitete, ai i përparshmi, prej të cilit ka mbetë gërmadha, dhe tjetri, ai i imagjinatës autoriale, si komplement i tij (fq. 153).

Realiteti poetik dhe reagimi i vetë poetit këtu, siç e ka vënë re R. Musliu (po aty), nuk lë hapësirë për të përfshirë sa që duket se ai korrektivi imagjinativ autorial është si një lloj bukurshkrimi, rishkrim dhe riformësim i një jete të mbyllur në figura që është edhe evokacion, por edhe kujtim që ringjallet duke marrë një trajtë të re, nga pak sureale por aktive gjithsesi.

Poezitë që janë përfshirë tek libri: ORË BUKURSHKRIMI, nuk janë vetëm shfrim çasti, pohimin e dëshmon largësisa e datave në fund të çdo poezie duke filluar nga viti i largët 1989 e deri tek viti 2019, vit ky edhe i botimit të librit. Shtytja e çastit është shkrepëtimë e shpirtit poetik, është përflakje e joneve pozitive e negative, janë këto poezi “bubullima” të një shpirti të tendosur, që godet furishëm, jo rrallë:

Rrëzojnë diktaturën,
derdhin në bronz një të njëjtë me
bujë,
dhe vazhdojnë jetën si më parë
në diktaturë
(Mësuar, fq. 123) ose

Kalërojnë ligjet
emrat pa emra zvarrnikë
kalërojnë ndrydhin liritë
shkelin premtimet
zvarrë zvarrisin fjalën
me kode që ata dinë
hanë s’hanë fjalë
synojnë maje
të etur kroje shterojnë
grigja me gishta n ‘gojë
hajt bir
(Emrat pa emër, fq. 121),

Bajraktatizmi mendësi e jonë,
ajka në shpinë të popullit,
loz lojën kalorësi,
mbrapshtitë në rritje
e mbara, e nira
ende larg
(Mendësi, fq. 130).

Pa hyrë në analizë më të thelluar të këtij libri me poezi me larmi temash e motivesh, nga më të ndryshmet, le të më lejohet të theksoj se poeti në fjalë, Sabit Abdyli ka skalitur mjeshtrisht në vargje figura që kanë dhënë kontribur të çmueshëm për Nënëmadhen, për Kosovën, për Çamërinë, për burrat e mëdhenj të kombit siç janë: Dedë Gjo Luli, Ismaili, Boletini etj. Në këtë frymë është shkruar edhe poezia: NJËHERË PËRKULET BURRI (fq. 51), që ka vlerë antologjike-kombëtare:

Dedë Gjo Luli,
Ismaili,
Boletini,
Vëllezërit Topulli,
Ademi,
Agimi…
u përkulën
kur puthen Flamurin“.

Kjo është poezia e një pjekurie tashmë të arrirë e Sabit Abdylit, prej të cilit presim edhe libra të tjerë!