NJERIU QË JETËS I DHA JETË, REVOLUCIONIT I DHA KUPTIM, SAKRIFICËS I DHA QËNDRESË

0
1491

“Adem Demaçi në faqet e historisë”, përgatiti Rudi Berisha, botoi KL” Zahir Pajaziti” 2016

Milazim F. KADRIU

Vargut të librave kushtuar, simbolit të rezistencës sonë kombëtare, njeriut që kapërcej të gjitha vështirësitë dhe pengesat që ia qiti okupatori dhe asnjëherë nuk u dorëzua, Adem Demaçit, këto ditë iu shtua edhe një libër me poezi nga grup autorësh të cilën e përgatiti dhe botoi kryetari i KL”Zahir Pajaziti”, Rudi Berisha. Dalja në dritë e këtij libri në prag të 80 vjetorit të lindjes së Demaçit sigurisht se është i një rëndësie të veçantë ngase tregon për interesimin dhe përkushtimin për nderimin e jetës dhe veprës së atdhetarit unikat të vendit tonë. Demaçi me punën dhe veprimtarinë e tij inspiroi shumë krijues të fushave të ndryshme që të krijojnë poezi, këngë dhe vepra tjera kulturore.

Ky libër erdhi në shenjë respekti për veprën e gjallë, që jetës i dha jetë, revolucionit i dha kuptim, sakrificës i dha qëndresë, humanizmit i dha shpresë, politikës i dha drejtim, dha dhe shumë gjëra për vendin, çlirimin nga okupatori dhe për lirinë e shumë pritur.
Në po këtë frymë është edhe libri poetik “Adem Demaçi në faqet e historisë” i cili hapet me recensionin e Prof. Migrena Allatit për të vazhduar më pas me një shkrim biografik të titulluar “Bacë Adem Demaçi hero kombëtar shqiptar. Kushtimet hapen me një shkrim të Ukshin Hotit ”Adem Demaçi –histori e gjallë e Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare” për të vazhduar me poezitë që nisin me vargjet e heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci,

Idol-bir besnik i dheut të shqipes,
Flakadan i pashuar i dijes dhe dritës,
Në çdo vatër frymëzon në atdhe
Bacë-gjithmonë në zemër të popullit je.

për të vazhduar më tej me poezitë nga autorët tjerë si Rudi Berisha, Shaqir Foniqi, Mexhid Mehmeti, Shqipe Hasani, Sheremet Ajazi, Mirvete Elmazi-Mehmeti, Izet Hoti, Ganimete Jashari, Namik Selmani, Jahë Fida, Vehip Sadiku, Izet Shala, Mevlyde Mezini-Saraçi, Ismet Tahiraj, Abide Gashi, Sherife Berisha –Thaçi, Ragip Sallova, Maxhun Osmani, Bilall Maliqi, Rrahman Hyseni, Fadil H. Curri, Ramë Smajlaj, Mirvete Kabashi-Leku, Rabije M. Bytyqi, Xhemajl Rudi, Elhame Gjyrevci, Hysen H. Ymeri, Yll H. Ymeri, Linditë R. Berisha, Ajet Shala, Sheremet Prokshi, Nezir Prokshi, Rrahim M. Sadiku, Bajram Balaj, Shaban Pllana, Milazim F. Kadriu, Sabit Zeneli, Kosovare Pajaziti, Ramiz Havolli, Zymer Mehani, Hamdi Aliu, Beqir Musliu, Abdullah Konushevci)

Këto poezi do të qëndrojnë dhe do të kenë krenari ashtu si kishte dhe ka Adem Demaçi të cilit i kushtohen.

Andaj të gjithë autorët e përfshirë në këtë antologji pasqyrojnë jetën dhe veprën e Demaçit secili në mundësinë e tij dikush më drejtë e dikush më thellë por që të gjithë ndjejnë dhe bashkëjetojnë me veprën e simbolit tonë kombëtar. Pa dyshim se meritor është autori Berisha që i mblodhi dhe i botoi në një libër të gjitha këto krijime të autorëve që kanë për qëllim që të nderojnë veprën e te madhit dhe të veçantit të kombit tonë, Adem Demaçi.
Të gjithë autorët shprehën frymëzimin që kishin për Bacën që është një figurë unikate, që barti me dekada fanarin e dritës për të larguar errësirën e robërisë nga këto troje.

Prof. Migena Arllati në recensionin e sajë për librin “Adem Demaçi në faqet e historisë” ndër të tjera thotë : “ I gjithë libri funksionon si një letër e gjatë, e dërguar në një adresë : LEXUESIT SHQIPTAR ; kushtuar një emri shkruar me të arta : ADEM DEMAÇIT ; si një dedikim prej njerëzish zemërmirë dhe aspak harrues ndaj vlerave : POETËT.
Me syrin, shpirtin dhe dorën poetike, ky botim sikur sjell një bekim engjëllor mbi thinjat e Demaçit tashmë mbi 80 vjeçar, i cili ndihet i gjallëruar kur sheh se rreth vetes ka vajza dhe djem që dinë të vlerësojnë. Dhe atij i ka hije fjala hijerëndë dhe e ngazëllyer, sepse është një përmendore e gjallë e mundit dhe sakrificës së popullit shqiptar.”

Ashtu si e çmojnë poetët e kësaj antologjie, autori i librit po edhe mbarë populli Adem Demaçi ishte dhe mbeti Flamurtari, Udhërrëfyesi dhe Sinonimi i përhershëm dhe emblematik i luftës dhe të të gjitha përpjekjeve të tjera çlirimtare dhe patriotike të kombit dhe atdheut tonë të përbashkët. Dhe, njëri ndër akterët dhe protagonistët me të rëndësishëm dhe kryesor të shtetit dhe pavarësisë së gjithëmbarshme të Republikës së Kosovës dhe rrugëtimit drejtë Bashkimit Kombëtar.
Andaj poezitë e këtij libri përpos vlerës letrare e artistike kanë vlerën dhe peshën historike.

Libri përmban edhe fjalën e Adem Demaçit të dhënë para gjykatës në vitin 1958
Prej këtu ku jam po ju them edhe njëherë se nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi.
Nëse Serbia do të vazhdoj me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u bërë shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën. Kaq
Adem Demaçi

Libri përmban edhe një album me foto të ndryshme të Bacë Adem Demaçit si dhe një shkrim nga Rudi Berisha të titulluar “Ndriçim për të gjithë Kombin Shqiptar, dritë për atdhe, dritë për Shqipëri, Baca Adem Demaçi”.