Ibrahim Kelmendi
JUSUF GËRVALLA:
[Tifozi besnik dhe etuziast i Sabri Novosellës, Z. Shaban Muharremi, pardje afishoi koment në shkrimin e Jusuf Gërvallës “Bashkimi bën fuqi”, duke cituar një fragment nga ky raport që Jusufi ia ka dërguar udhëheqësit të tij, Sabri Novosellës. Prandaj po ndihem i obliguar ta publikoj të tërin, që të interesuarit të informohen për bashkëveprimtarinë, angazhimet, keqkuptimet, konfliktet, që i kishim atëherë në emigracionin politik, po vetëkuptohet nga këndëvështrimi i Jusuf Gërvallës, në stilin e raportimit sekret udhëheqësit…]
RAPORT (Sabri Novosellës në Stamboll), më 31 korrik 1981
Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare
– Komitetit të Degës “Hasan Prishtina”
R A P O R T
mbi disa çështje rreth punës së organizatave Grupi komunist “Zëri i Kosovës” dhe Fronti i Kuq Popullor.
Nga dita e arratisjes sime në RF të Gjermanisë, më 14 dhjetor 1979, këtu kam pasur kontakte me përfaqësues të Grupit komunist “Zëri i Kosovës” dhe pastaj me ata të organizatës Fronti i Kuq Popullor. Le të më lejohet të shënoj këtu disa përshtypje dhe disa vrojtime lidhur me punën e tyre, aq më parë lidhur me punën e Frontit të Kuq, pasi Dega “Hasan Prishtina” mendon se është e arsyeshme të thërriten edhe përfaqësuesit e tij për bashkimin e organizatave dhe të veprimtarisë sonë.
Me përfaqësuesin kryesor të Grupit komunist “Zëri i Kosovës” jam njohur, pra, në fund të dhjetorit 1979. Quhet Riza Salihu, nga fshati Mushtisht. Ra fjala për organin e LNÇK “Zëri i Kosovës” dhe ai, me një ton të ashpër, shprehu dyshimin jo vetëm në ekzistencën e këtij organi dhe të LNÇKVSH, por edhe në besnikërinë time. Arsyeja ishte se ai qëndronte vetë në krye të Grupit me të njejtin emër dhe, meqë, siç del logjikisht, nuk dinte për ekzistimin e LNÇKVSH dhe kishte edhe vetë një logjikë të kufizuar, kurrsesi nuk ia kapte rradakja të bënte dallimin në mes një organizate me emrin “Zëri i Kosovës” dhe një organi me titull “Zëri i Kosovës”, që i takonte koinçidentalisht një organizate krejt tjetër. Po atë natë, ai më njohu mua dhe vëllaun tim me dy shokët e tij, Hysen Gega (tani i burgosur në burgun e Prishtinës) dhe Maksut Saramati, me punë të përkohshme në RFGJ. Që në fillim ra në sy kapadaillëku në rigorozitetin prej një shefi bande i Riza Salihut dhe natyrshmëria e zgjuarsia e dy shokëve të tij (anëtarë të KQ të “Z.K.”).
Me Hysenin e Maksutin u pamë dhe ndjenjëm disa herë me radhë dhe e pritëm bashkë Vitin e Ri 1980. Hyseni lente të kuptohej se kishte diku në Gjermani një shok më të mirë se Rizanë, një student. Ai fliste dendur për të dhe vëllaut tim, Bardhit, që kishte njohur kohë më parë një person të tillë, i shkoi mendja mos ishte fjala për njëfarë Ibrahim Kelmendin. Por Hyseni e fshehte, prandaj nuk ngulëm këmbë për t’u njohur. Pak ditë më vonë vijnë te Hyseni e Maksuti dhe na tregojnë se si Rizai kishte ardhur, që në takimin e parë me mua, në përfundim se unë jam “i dërguar special i UDB-së” dhe se u kishte propozuar haptazi Hysenit e Maksutit të më likuidonin bashkë me vëllaun, Bardhin. Ata u hapën në “muhabet” për dy arsye, sipas pohimit të tyre: e para, lidhur me Rizanë kishin pasur disa dyshime më përpara, dhe e dyta, tashmë ishin takuar me Ibrahimin dhe ai i kishte këshilluar të më afroheshin se gjoja ai e ditka kush jam dhe se jam “i mirë“.
Këto ishin dyshimet e shokëve më të ngushtë të Rizasë lidhur me veprimtarinë dhe me personalitetin e tij:
– Rizai jetonte me vite në Gjermani, por as punonte as kishte zënë banesë të përhershme. Me se mbahej, pos me paratë e punëtorëve tanë?
– Rizai e kishte theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e moralitetit, te çdo patriot e revolucionar. Vetë jetonte me një serbe dhe kishte me te një djalë me emër sllav. Këtë e kishin zbuluar shokët, e nuk ua kishte thënë ai vetë.
– Ç’është më me rëndësi, mënyra e organizimit të Grupit “Z.K.” ishte bërë e dyshimtë edhe për bashkëpunëtorët më të ngushtë të Rizasë. Sipas kësaj mënyre, në organizatë mund të hynte çdo shqiptar që “do të luftojë për atdhe“. Çdonjëri që hyn në organizatë duhej të jepte shënimet e sakta biografike (emri, mbiemri, vendlindja, datëlindja, vendi i punës) dhe, mbi të gjitha, këto shënime si dhe betimin ta bënte me shkrim, me dorë të vet. Nga listat me të dhëna të tilla të hollësishme, një mbahej nga shokët e tyre në atdhe dhe një tjetër nga Rizai në RFGJ. Para se të arrija unë këtu, pothuaj të gjithë njerëzit e organizuar prej Rizait (kryesisht në Ferizaj e në Prizren) ishin burgosur pa mundimin më të vogël nga policia, sepse arrestimet ishin bërë në bazë të listave të përmendura.
(Mërgimi mund ta dijë për çfarë të burgosurish është fjala: kur ishim në atdhe, ne gjatë takimeve kemi pas biseduar me të disa herë lidhur me një grup të rinjsh ferizajas, që vepronin demonstrativisht nëpër qytet nën hundët e policisë. Unë këtu kur kuptova hollësitë lidhur me organizimin e “Z.K.”, supozova se ishin pikërisht ata të arrestuar.)
Edhe Rizai, më vonë, e H. dhe M. që në fillim, i thoshin edhe me emra shokët e tyre të burgosur, kryesisht në dy qytetet e përmendura. Tre apo katër prej tyre përmenden në artikullin e parë të “Lajmëtarit” Nr. 1. Nga bisedat që kam pasur me H. e M. kam kuptuar se puna e Grupit komunist të tyre konsistonte në radhë të parë në botimin e disa trakteve (nëse më bie në dorë ndonjë prej tyre do t’jua dërgoj) dhe në shfaqjen e disa filmave të huajtur nga shokët gjermanë, miq të RPSSH. (Kur unë vetë mora kontakt me këta shokë gjermanë, më thanë se pas një kohe janë detyruar ta largojnë Rizanë nga lokalet e partisë së tyre, për shkak të arrogancës së tij.)
Përafërsisht katër muaj pas takimit të parë me Rizanë, u takuam edhe njëherë, në banesën e H. Ishim prezentë unë e vëllau, pastaj Ibrahim Kelmendi (ishim njohur me të ndërkohë), Hyseni e Maksuti dhe Rizai. Ne u fjalosëm keq me të, sepse patëm rastin të hetojmë që të gjithë se ai kishte prirje të gënjejë dhe t’i shmanget bisedës parimore. Këto ishin pikat që rrahëm: Pse ai, pa verifikuar dyshimet e veta, që në takimin e parë kish kërkuar nga shokët e vet të më likuidonin mua dhe vëllaun; pse, me muaj të tërë, në stacionin hekurudhor të Shtutgartit, ku dalin e rrinë punëtorët tanë, kishte agjituar kundër meje (pa i vërtetuar akoma dyshimet) me fjalët: “Ruajuni se këndejpari vepron filan fisteku, i dërguar special i UDB-së; Pse ai vetë (edhe pse ia kisha tërhequr vërejtjen që në takimin e parë), vazhdonte kontaktet me njëfarë Adem Povataj nga Strellci, i cili, pasi kishte marrë më qafë disa punëtorë stinorë në Titograd, më 1978, duke i ngashënjyer së pari për punë patriotike e pastaj duke ua dorëzuar komplet UDB-së (që Rizai kishte kontaktuar dhe vazhdonte të kontaktonte me këtë njeri, ia thoshin ndërsy shokët H. e M.); pse ai, si komunist që i thoshte vetes, edhe pasi kishte parë rezultatet e hidhura të mënyrës së organizimit me lista të anëtarëve të organizatës, vazhdonte punën me të vjetrën dhe merrte njerëzit më qafë. Gjatë gjithë bisedës ai mbajti një qëndrim qyqar, që s’kishte aspak të bënte me qëndrimin e një komunisti shqiptar. Në fund ai pranoi se kishte gabuar sa u përket shpifjeve të pabazuara rreth meje e vëllaut dhe premtoi se nuk do ta përsëriste. Por, që të nesërmen ai e përsëriti, në Stacionin e Shtutgartit.
Nga gjysma e gushtit të vjemë te unë erdhi në banesë policia kriminalistike gjermane (po atë orë Bardhi ndodhej në qendrën e kësaj policie në Shtutgart, ku e kishin marrë nga puna). Ata na morën në pyetje veç e veç. Çështja kishte të bënte me Riza Salihun. Ai kishte hapur në postën e Shtutgartit 14 fah-postale në emër të 14 njerëzve të ndryshëm, ku ndalte letrat e këtyre dhe i lexonte për nevojat e veta. Mes të 14, kishim qenë unë e vëllau, Hysen Gega, Ibrahim Kelmendi etj. Policia e kishte zënë, e kish hedhur në burg dhe dyshonte se është agjent i UDB-së. Ndërkohë që Rizai kishte shpallur ndër punëtorë sesi ka kërkuar azil politik në Gjermani, ai kishte qenë pesë herë, në prag të burgimit, në konsullatën jugosllave në Shtutgart. Këto i kishte të shënuara në bllokun e shënimeve.
Për mua, vëllaun dhe Ibrahim Kelmendin kishte dhënë te policia deklarata shumë të liga me shkrim, me plot gënjeshtra edhe për dy takimet që kishim pasur e ku kishim shumë dëshmitarë. Policia në fjalë kërkonte prej nesh: të thoshim edhe ne se Rizai është spiun jugosllav. Natyrisht, ne s’bënim dot një gjë të tillë pa qenë të sigurt, dhe insistimet e policisë, të bazuara nga ana e saj në disa fakte që ne s’na e mbushnin mendjen, i kthenim mbrapshtë me arsyetimin se UDB-ja ka mundësi të mëdha të kurdisë gracka, e kështu ka mundur të veproj edhe me R. S. Pastaj tërë vjeshtën dhe tërë dimrin s’dëgjuam gjë për të.
Të tretën herë u takuam me të në demonstratat e punëtorëve tanë në Shtutgart. Ishte vënë në bisht të kolonës, me duar në xhepa dhe pa asnjë shok me vete. Pas demonstratës m’u afrua. Përshëndeste punët e mia, lavdëronte (ishim më këmbë dhe s’pata si ta pyesja për çfarë punësh e kishte fjalën) dhe thoshte se do të kish qenë mirë të bisedonim. Aty për aty ishin zënë me Ibrahim Kelmendin dhe Ibrahimi ia kishte ndaluar pjesëmarrjen në demonstratat e ardhshme. Unë e qortova Ibrahimin, se s’bënte ashtu, dhe Rizait, ndërsy Ibrahimit, i thashë që e kish derën hapur për ta thënë mendimin e vet. Ai tha se më ka diçka borxh dhe se do të bënte një autokritikë. Unë i shpreha gatishmërinë se do ta dëgjoja kur të ketë qejf, por atë ditë e sot as më kërkoi më dhe as e kërkova unë. Tani po dëgjoj se paska ndërruar mendje lidhur me mua dhe nëpër njerëz nuk flitka më keq.
Lidhur me këtë person ka edhe një të dhënë me rëndësi. Diku nga viti 1976, Rizain e ka plagosur me thikë një kroat. Kroati i ofron një hartë dhe Rizai e refuzon me fjalët “Nuk e pranoj një Jugosllavi të tillë, e cila s’e ka edhe Kroacinë brenda.” Në spitalin e Shtutgartit pastaj e kanë vizituar njerëzit e konsullatës jugosllave dhe e kanë mburrur për patriotizëm jugosllav. Disi pas këtij rasti fillon edhe veprimtaria partiotike (?) e Rizait.
Me përfaqësuesin e Frontit të Kuq Popullor, Ibrahim Kelmendin, jam njohur në janar të vitit 1980. Më ka sjellë për t’ia korrigjuar disa artikuj të përgatitur për gazetën “Bashkimi” dhe më ka propozuar që të shkruaj edhe unë për këtë fletushkë. Pasi e kisha lexuar numrin e saj të parë qysh në vendlindje dhe e dija se gazeta bie në duar të popullit, bile në një gjendje jo të lakmueshme e pashë të arsyeshme t’i përgjigjem pozitivisht për propozimin dhe konkretisht fillova me bashkëpunimin. (Bashkëpunimi im fillon me atë numrin, që ia kam dërguar Mërgimit, ku në faqen e parë është një vizatim që paraqet grushtet e të burgosurve tanë, që shpërthejnë grilat e dritares së burgut.)
Më vonë Ibrahimi ka ardhur bashkë me e Maksut Saramatin dhe kanë kërkuar prej meje që të vihem në krye të tyre e t’i udhëheq (tashmë Hyseni e Maksuti e paskëshin braktisur Rizain dhe kishin kaluar në anën e Ibrahimit). Unë e refuzova kërkesën e tyre, se s’bënte të jem njëkohësisht në dy organizata. Përveç kësaj, ua kisha tërhequr që më parë vërejtjen se konspiracioni duhej mbajtur i pacënuar edhe këtu ashtu si në vendlindje. Kërkesa e tyre e dytë ishte që së paku t’i këshilloja, si “njeri me përvojë”, dhe unë tërë kohën atë punë bëja. Por, ndërsa kërkonin këshilla dhe i aprovonin ato, në punën e tyre ishin mësuar të vepronin krejt ndryshe dhe s’hiqnin dot dorë nga mënyra që i kishte rrëmbyer dhe ua diktonte çdo hap. Përveç tjerash, me gjithë sqarimet e shumta nga ana ime, ata konspiracionin e konsideronin si frikë, zhburrërim dhe jopatriotizëm.
Që të mos zgjatem me detaje, ja vrojtimet e mia në pika të shkurtra lidhur me veprimtarinë dhe personalitetin e I. Kelmendit. Kurdoherë ka anuar nga aksione të natyrës terroriste dhe në këtë drejtim i ka nxitur edhe shokët e vet. Unë ia kam tërhequr vërejtjen se kjo gjë është e dënueshme edhe nga pikëpamja e PPSH. Më vonë kam vërejtur, në librin që ma ka dhënë hua për lexim, se i ka pasur të nënvizuara pikërisht mendimet e Leninit lidhur me kotësinë dhe rrezikshmërinë e terrorizmit në lëvizjen revolucionare. Kam ardhur kështu në përfundim se ai ka një prirje të natyrshme kah terrorizmi dhe e bën me vetëdije. Pikërisht në kohën që jam njohur unë me të, ai ka pasur kontakte, madje edhe negociata me emigracionin reaksionar shqiptar, për një veprimtari të përbashkët në mbledhje armësh dhe mjetesh materiale. Madje në atë kohë, Ibrahimi kërkonte një njeri “të ndershëm e trim”, që për një kundërshpërblim prej nja 50 mijë markash gjermane, do të kryente në Kosovë një aksion sipas porosisë së reaksionit shqiptar antikomunist.
(Lidhur me këto çështje kemi pasur një dialog të përbashkët dhe bukur të rreptë në praninë e tij unë dhe dy shokë nga Vjena, lidhur me këtë është dashur të jetë i informuar patjetër Profesori, në qoftë se është i informuar për çkado lidhur me I. Kelmendin.)
Ka pasur vërejtje rreth Kushtetutës së RPSSH dhe rreth përgatitjes “luksoze” të librave të shokut Enver në “dëm” të botimeve letrare të RPSSH! Vërejtjen e parë na e ka thënë hapurazi mua dhe shokëve të Vjenës, të dytën vetëm mua. Arsyetohet se ka të drejtë të bëjë vërejtje gjithfare dhe këto dilema të tij nuk i paraqet te masat, por i diskuton vetëm me shokë. Unë s’mund ta di, a është e saktë kjo. Ka dyshuar me këmbëngulje në drejtësinë e artikullit të “Zërit të Popullit”, ku shprehej gatishmëria e RPSSH për t’u ardhur në ndihmë popujve jugosllavë po të kërcënohen këta nga BRSS, dhe dyshimet e tij kanë qenë edhe të shokëve të tij.
Përkundër bindjeve të mia se është e panevojshme dhe e pamirë një gjë e tillë, jam detyruar të udhëtoj me qindra kilometra për ta “arsyetuar” te shokët e tij artikullin e përmendur. Ai më ka propozuar pastaj me këmbëngulje që këtë gjë ta përsëris edhe me shkrim në artikullin e “Bashkimit” me titull “Zëri i Popullit – zë i të gjithë shqiptarëve” (këtë numër s’e keni pasur prandaj po jua dërgoj). (Pas kësaj, kam vendosur të mos bashkëpunoj më me të dhe kam vendosur ta nxjerr “Lajmëtarin e lirisë“. Kështu kam vepruar nga gushti 1980, deri në fillim të vitit 1981, kur më ka ardhur në derë me disa materiale të çoroditura për numrin e ri të “Bashkimit”. Ndërsa ishim duke punuar në këtë numër (që Mërgimi e ka veçuar si më të mirin), ai në ndërkohë e kishte lejuar Hysen Gegën të shkonte për kryerjen e një aksioni në Kosovë.
Gjoja Hyseni e paska përbërë që të mos më tregojë mua për këtë gjë, se unë s’e lë të shkojë. Vërtetë nuk do ta lija, se ai kishte respekt ndaj meje dhe, meqë aksioni ishte i natyrës terroriste, e dinte edhe mendimin tim. Pas disa ditë qëndrimi ilegal në Kosovë, bashkë me njeriun me të cilin ishin nisur prej këndej – një njeri i dyshimtë edhe për mendimet e Ibrahimit e të Hysenit, Sadik Blakaj, për të cilin Mërgimit i kam shkruar më herët – Hyseni bie në burg, kurse Sadiku kthehet në Gjermani shëndosh e mirë. Fajin për burgosjen e Hysenit unë ia vë Ibrahimit.
Nëpër të ashtuquajtura klube kosovare në mërgim, që ishin dhe shumica vazhdojnë të jenë çerdhe agjenturore të përfaqësive diplomatike jugosllave në Perëndim, I. K. është ekspozuar në masën më të madhe të mundshme edhe para përfaqësuesve diplomatikë jugosllavë. Ua ka thënë hapurazi të gjitha të palarat e Jugosllavisë titiste. Pasoja pozitive ka qenë inkurajimi i punëtorëve kosovarë, pasoja negative – dëmtimi i disa punëtorëve që kanë marrë pjesë në klubet ku është paraqitur I.K. Këta punëtorë ndodhen në burgje jugosllave.
Është nip i një agjenti me zile të UDB-së, i quajtur Ramë Nikçi ose Ibërdemaj, punon në postën e Pejës. I biri i këtij Ramës ndodhet me punë në Mynhen dhe ka qenë aktivist i dalluar, madje edhe kryetar klubi në Mynhen. Ibrahimi kritikon hapurazi si agjent dajën, por ka kontakte të vazhdueshme me djalin e dajës dhe, për sa mund të vërehet, edhe simpati ndaj tij. Ka provuar t’ia plotësojë këtij daje të vogël (Gani Ibërdemajt – edhe lidhur me këtë njeri është dashur të jetë i informuar Profesori) dëshirën për t’u takuar me mua.
Më vonë, kur ka qenë puna që të formojmë këndej një shoqëri kulturo-artistike të punëtorëve të mërguar, me shokun e “Lirisë” e kemi provuar Ibrahimin lidhur me dajën e tij të vogël: meqë ky Ganiu qenka këngëtar dhe instrumentist i mirë në vegla muzikore folklorike, Ibrahimi propozoi që edhe ai të hynte në atë shoqëri. Po kur erdhi puna te aktiviteti konkret, Ibrahimi tha se Ganiu donte pak “lutje”. Në anën tjetër, më 25 maj, në festën jugosllave të rinisë, Ganiun e gjejmë në ballë të një orkestrine dhe të ca valltarëve shqiptarë e jugosllavë, bashkë me të shoqen, në Stadiumin e Mynhenit. E kemi konsideruar të panevojshme të kërkojmë ndonjë sqarim nga Ibrahimi, dhe ky vetë s’e ka marrë mundimin të na sqarojë, as lidhur me këtë rast dhe, përgjithësisht, as për raste të tjera. Tash i gjithë Mynheni flet çmos pikërisht për këtë farë Ganiun.
Në kufirin gjermano-zvicëran, Brahimit dhe Hysenit u ka zënë policia e huaj disa qindra ekzemplarë të “Bashkimit” dhe ua ka marrë. Me këtë rast, Ibrahimi nuk është treguar i gatshëm për të pranuar kritikat. Përgjithësisht, nëse ia numëron gjestet dhe punët e kritikueshme, ai thotë: “Mos m’u kap vetëm për disa gabime, të vogla“. Menjëherë pas kësaj, bashkë me shokët, kanë vazhduar rrugën për në Çekosllovaki, në gjurmim të armëve (ndoshta profesori mund të ketë ndonjë informim nga ana e shokëve të Pragës lidhur me sjelljet e tyre në atë vend, sepse e di që shokët e Pragës kanë pasur kontakte dhe bile disa mosmarrëveshja me ta, sipas fjalëve të I. dhe H.). Vetë më ka treguar gjoja për disa sugjerime, që i kanë bërë shokët e organizatës së tij në vendlindje, dhe të cilave ai nuk u është përmbajtur fare. Të imponohet përshtypja se as që ka shokë të tillë në Kosovë.
Përshtypja e parë dhe e fundit lidhur me këtë çështje është se ai, përveç disa punëtorëve të tubuar rreth tij në botën e jashtme, të paorganizuar po vetëm të furnizuar me literaturë revolucionare dhe të inkurajuar, tjetërkë as që ka prapa vetes. Kjo, edhe në një mënyrë mund të provohet bindshëm. Më vjen një ditë, (vitin e kaluar), në derë me disa shkresurina që vetëm titullin e kishin të qartë: Programi dhe Statuti i Frontit të Kuq Popullor, dhe më lutet t’ia korrigjoj në pikëpamje drejtshkrimore. Më pastaj më autorizon që të preki, po e pashë unë të arsyeshme, „si njeri me përvojë“, edhe në anën materiale të pikave të përfshira në program e statut. Mirë, them, dhe meqë përmbajtja e shkresurinave ishte pa kokë pa bisht, i hy unë punës me gjithë seriozitetin dhe ato pak njohuri që kisha.
Gjithmonë kisha parasysh, pas punës sime, ai do t’ua kthente shokëve për diskutim Programin dhe Statutin e Organizatës së tyre. Por, doli ndryshe. Doli se I. K. i ishte tekur të bënte një natë pa gjumë dhe të hartonte këmbadoras një program dhe statut të një organizate revolucionare, të cilin e botoi dhe e shpërndau si „literaturë revolucionare“ menjëherë pas „korrigjimeve“ që i bëra unë. E puna që kisha bërë unë më atë rast, s’ishte punë korrigjimi. Shokët e Vjenës e mbajnë larg. Bile, kur njërit prej këtyre shokëve, i cili më qortoi pse rrija me I. K., i thashë se është një njeri që imponohet me këmbëngulje dhe unë, si shqiptar, nuk mund ta përzë nga shtëpie ime, ky m’u përgjegj fjalë për fjalë kështu: “Ia paske frikën, prandaj s’e përzen si qenin!”
Ka disa muaj që i kam ndërprerë marrëdhëniet me të. Kur takohemi rastësisht flasim, por punë të përbashkëta nuk kemi. Bashkëpunimi me të gjatë demonstratave të mbajtura në Perëndim ka shkuar përmes shokut të “Lirisë”. Kështu e kam parë unë të arsyeshme të veproj, duke marrë për bazë vrojtimet e parashtruara më sipër si dhe disa anë negative në sjelljen elementare të I. K., që herë duken agjamillëk, herë djallëzi të thella.
Përndryshe, një meritë të tij, mendoj nuk mund ta përbuzë askush: që nga viti 1977 e këtej, i vetëm, po me një vitalitet të pashoq, ka bërë shumë në shpërndarjen e literaturës revolucionare, si ka mundur e si ka ditur, dhe në njëfarë politizimi spontan të një pjese të mirë të punëtorëve tanë në botën e jashtme. Është njeri komunikativ dhe i popullarizuar te punëtorët. Udhëton shumë, vlon prej idesh, shpesh naive e të papërpunuara, ndonjëherë edhe të qëlluara.
SOKOLI
(U botua për herë të parë në www.albaniapress.com, 2 tetor 2011 nga Faridin Tafallari, së bashku me punimin “Kur Jusuf Gërvalla shkruante”; publikuar edhe në librin elektronik, të titulluar VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 246-250, që ka për autor trashëgimtarit organizativ të Jusuf Gërvallës, Z. Xhafer Durmishi.)
***
Që të kuptohen relacionet që kishte viktima Jusuf Gërvalla me xhelatin Sabri Novosella, po sjell një fragment nga letra e parë, që Jusuf Gërvalla në emigracion ia ka dërguar Sabri Novosellës:
“Untergruppenbach, RFGJ 14 prill 1981
I dashuri shok, Bashkim!
Letrën tënde (një fjalë apo një shenjë sado të vogël) e kam pritur si qorri sytë. Siç do të shohësh pak më poshtë, ajo ka për mua një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, bile rëndësi jetësore.
Muajt e parë të arratisë sime u merakosa për efikasitetin e Organizatës sonë.
Unë, në bazë të bisedave në takimet tona, e dija që organizata ka për detyrë dhe është e zoja të marrë kontakt me anëtarët e vet edhe në rrethanat më të vështira, siç është burgu. Nga ana tjetër, megjithëqë vështirësitë për të marrë kontakt me mua, duke u nisur nga karakteri i hapët i kufirit jugosllav me Perëndimin, i konsideroja vështirësi relative, …për disa muaj rresht s’më vinte fjalë as zë. Dhe gjendja e tillë, e cila më jepte dorë ta gjykoja Organizatën, do të vazhdonte deri më sot, sikur ndërkohë unë vetë të mos e bëja një ligësi të kobshme. Ti mund të mos e dish, por shkaktari i arratisjes sate jam unë! Mbase natën që do të jesh arratisur ti, mua më morrën në telefon nga UDB–ja e Pejës dhe më bënë presion të çuditshëm, gjithsesi monstruoz, që të tregoja kush është Bashkim Prishtina. As që më ka shkuar mendja se e kisha humbur aq shumë truallin nën këmbë.
I përgjumur dhe me gjasë fare i humbur siç isha, në kthetrat e një ligësie të pashembullt dhe fare të huaj për mua deri atë çast, unë rashë në provimin e rëndësishëm: kallëzova shokun! Për të “shpëtuar” fëmijët e vëllait, morra në qafë fëmijët e shokut, fëmijët e vëllait, por që nuk na kishte bërë nëna. Dhe në këmbim të kësaj fitova: faqen e zezë dhe barrën e rëndë të ndërgjegjes së ligur, si kurrë ndonjëherë në jetë. Atë çast e tutje, jeta edhe ashtu e errët, me strumbullar të vetëm, luftën modeste dhe gatshmërinë për flijim në emër të idealit të lartë të lirisë, m’u errësua edhe më. Brerja e rëndë e ndërgjegjes dhe ndjenja e thellë e shkatërrimtare e fajit ndoqën pa mëshirë dhe në çdo hap të gjitha netët dhe ditët e arratisë sime të hidhur, e cila, pas gjestit tim qyqar, e humbi gjithë qëllimin e vet dhe m’u shndërrua në gur të rëndë në zemër.
Menjëherë pas aktit tim të lig, unë, tashmë i “shpërgjumur”, i bëra telefon një shokut tim në Podujevë, që të vinte të të lajmëronte për rrezikun. Por, sigurisht ka qenë vonë për gjithçka. Atëhere m’u shfaq një motiv i fuqishëm, që për gjestin tim qyqar t’i rrëfehesha shokut të parë që do të takoja. Po shokë nuk kisha. Gjithë natën e gjatë u detyrova t’i shtrohem gjykimit të vëllait të vogël këtu, të shoqes sime dhe, bile, gjykimit të heshtur të djalit tim 12-vjeç, i cili ishte prezent kur ngjau biseda. Më pastaj, prisja t’i rrëfehem ndonjërit nga shokët e Organizatës, kur të merrja eventualisht kontaktin e pritur. Ndërkohë dëgjova për arratisjen tënde dhe vendosa që së pari të të rrëfehem ty, e pastaj kujt do që e kërkon puna.
Unë pra, shok i dashur, u korita keq. Me “meritën” time, ti tani do të mund të ishe në duart e UDB-së; me po këtë “meritë”, ti u detyrove të dalësh në kurbet, peshën e të cilit e di unë mirë. Të mos të flasim për dëmet që i kam shkaktuar Organizatës, e kështu edhe idealit të lartë të popullit tonë të shumëvuajtur. Prandaj s’më bën zemra të kapem pas fjalës së urtë të popullit, që thotë se duhet të jetë‚ i lumtur ai që u korit një herë, për të mos u koritur më kurrë. Sado që jam i sigurt se ligësia e turpi i tillë nuk do të përsëriten kurrë tek unë, pa e ngrënë së pari mishin tim e të fëmijëve të mi.
Tani, fatin tim të mëtejshëm e keni plotësisht në dorë ti dhe shokët. (…)”
[ Botuar për herë të parë në librin e Faridin Tafallarit, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME, Tiranë 2010, faqe 256-261 ]