DEKLARATË E DEGËS SË LDK-SË NË ZVICËR

0
916
LDK logo

Zofingen/Aargau, 17.09.2016.

LDK-ja DUHET TË DEKLAROHET KUNDËR DHUNËS FIZIKE DHE VEPRIMEVE HULIGANE

Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër, mbajtur më 17 shtator 2016 në Zofingen (AG)

Zofingen: E shtunë, 17.09.2016

Nën drejtimin e kryetarit të Degës, Shefqet Dibrani, u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Kryesisë së LDK-së në Zvicër. Temë e këtij takimi ishte sulmi fizik dhe huliganizmi i orkestruar kundër ing. Nazmi Pecit – anëtar i kryesisë dhe veprimtarëve të mirëfilltë të degës së LDK-së në Zvicër, që ndodhi më 10.09.2016 në Langendorf (SO).

Kryetari i Degës Shefqet Dibrani dhe më pas anëtarët e kryesisë: Ismet Limani, Shaqir Shala dhe Nazmi Peci, shpjeguan para të pranishmëve për incidentin kundër Degës së LDK-së në Zvicër, ku pa asnjë shkas është sulmuar fizikisht njëri ndër themeluesit dhe veprimtari shumëvjeçar i Degës së LDK-së në Zvicër ing. Nazmi Pecit. Kryesia e Degës e gjykon këtë veprim të inskenuar, i cili, si i këtillë, cenon dhe njollosë kulturën demokratike dhe tolerancën politike, vlera trashëgimore këto që i kultivon dhe ruan Dega e LDK-së në Zvicër. I gjithë skenari ndodhi pasi kryesia e Degës së LDK-së, pas ftesës së Haki Latifit, ka pranuar uljen në bisedime me Haki Latifin, Arif Baftiun dhe Ajet Avdylin të cilët janë padyshim skenaristët dhe përgjegjësit kryesorë për gjendjen e krijuar në Degën e LDK-së në Zvicër, që nga Kuvendi i VIII-të zgjedhor i mbajtur më 10 maji i vitit 2015 e deri në ditën kritike të 10 shtatorit 2016 në Langendorf të Solothurnit.

Kryesia e Degës së LDK-së është e vetëdijshme për korrektësinë e procesit zgjedhor në Degën e LDK-së në Zvicër, por, pavarësisht nga rrethanat e disfavorshme, vendosi që të ulet në biseda me palën e pakënaqur, me dëshirën dhe vullnetin më të madh të mundshëm për të dalë nga kjo situata dhe për t’i afruar divergjencat. Por vullneti i mirë dhe gatishmëria për dialog, delegacionit të degës iu kthye në bumerang, me skenar dhe intriga e që përfunduan me përleshje fizike. Dhuna mbi ne ndodhi pa asnjë shkas, pa asnjë provokim dhe pa asnjë fyerje nga pala e Degës së LDK-së në Zvicër.

Por, siç u vërtetua, Haki Latifi ka mbledhur rreth vetes edhe tipa që nuk njihen në opinion për aktivitet të mbarë dhe me të kluar të dyshimtë e të përfolur, siç është rasti edhe me Mustafë Belulin. Ndërsa, pretendimet e kësaj tresheje dhe ndonjë tjetri, të thëna në mjetet e informimit publik, sidomos nëpër rrjetet sociale, janë tërësisht trillime të kulluara dhe përpjekje për të fshehur të vërtetën e një skenari të keq për të cilin mban përgjegjësi sidomos Haki Latifi dhe Ajet Avdyli me kërkesën e të cilëve u rikthyen këto bisedime.

Dege a LDK-së shpreh habinë e saj se si ka mundësi që burra të rreth 60-tave, të cilët janë prind dhe baballarë, të shkruajnë, shantazhojnë e mashtrojnë opinionin ashtu siç dolën dy deklarata në emër të gjoja një Dege të LDK-së në Zvicër nga të cilat vjellët vetëm vrer e gënjeshtra, pallavra të cilat edhe fëmijët i kuptojnë se janë sajesa të individëve që kanë probleme serioze me vetveten e tyre, pastaj me rrethin dhe shoqërinë si tërësi.

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër shprehu habinë e saj se si ka mundësi grupi i Haki Latifit, Ajet Avdylit dhe Arif Baftiut, të paktën të mos distancohen nga dhuna dhe huliganizmi që ka ndodhur në mbledhjen të cilën ata e kanë organizuar dhe si ka mundësi që ndaj Delegacionit të Degës së LDK-së, i cili shkoi në takim me ftesën e tyre dhe me marrëveshje paraprake, të sillen në atë mënyrë. Pastaj kryesia e Degës së LDK-së shpreh habinë pse Kryesia e LDK-së në Prishtinë të mos distancohet nga dhuna fizike të cilën e kanë përdorur grupe përreth Haki Latifit, të njohur për arrogancë, vulgarizim dhe skema të tilla. Po ashtu ka qenë obligim moral i Komisionit për përcjellje të zgjedhjeve në Degën e LDK-së në Zvicër, të distancohet nga dhuna e ushtruar.

Ky do të duhej të ishte obligim moral edhe i të gjithë atyre deputeteve dhe deputetëve që kanë ardhur në Zvicër për ta mbështetur e përkrahur një grup antidemokratik të njohur edhe për veprime radikale, përpjekje kjo e hapur për t’ia instaluar Degës së LDK-së në Zvicër dhe për t’i zbatuar përmes po këtyre strukturave të dhunshme si në kohërat e një sistemi që ka perënduar kohë më parë. Po ashtu, distancimi nga dhuna, e veçmas ajo fizike, do të duhej të ishte obligim moral edhe për intelektualët dhe veprimtarët tjerë të LDK-së të cilët është dashur ta ngritin zërin e tyre, sepse ing. Nazmi Peci, nuk ka qen emër i panjohur për ta.

Të gjitha strukturave udhëheqëse të LDK-së po ua rikujtojmë edhe një herë se Nazmi Peci ishte themelues i Degës së LDK-së në Zvicër, themelues i Fondit Humanitar Gjithëkombëtar, kryetar i parë i Fondit të Trepërqindshit. Pastaj ing. Nazmi Peci ishte anëtarë i KP të LDK-së, nënkryetar i Degës në të gjitha mandatet.

Nazmi Peci, në vitet e nëntëdhjeta, ishte njëri nga përgjegjësit kryesor për dërgimin e grupeve të armatosura në Shqipëri dhe po ashtu personi përgjegjës për rajonin e Mitrovicës dhe të Shalës së Bajgores për të dërguar grupin e dytë, veprimtarë të përzgjedhur e të përgatitur të cilët më vonë do të bartin tërë barrën e organizimit të UÇK-së në Mitrovicë, Shalë të Bajgores dhe Vushtrri. Po ashtu ing. Nazmi Peci është edhe njëri nga intelektualët kosovarë që përjetuan golgotën e izolimit serb në marsin e vitit 1989, pikërisht në kohën kur të tjerët koketonin me pushtetin serb në Kosovë. Nazmi Peci, bashkë me intelektualë të shumtë, përjetuan tortura çnjerëzore, por dinjitetshëm qëndruan duke u përballuar me atë dhunë dhe atë terror.

Nazmi Peci edhe në fillim të viteve 80-ta ishte i burgosur për veprimtari politike në shërbim të interesit kombëtar dhe të lirisë së Kosovës.

Ndërkaq, huliganët e tanishëm, bashkë me inspiruesit dhe nxitësit e tyre, ose strukeshin si struci, ose ishin në shërbim të së keqes.

Këta që prodhuan dhunën edhe në Degën e LDK-së në Zvicër si dhe ata që përpëliten për të hutuar opinionin, dalin krejt qesharak e fëmijëror. Prandaj, tendenca për të bërë krahasime barazuese në mes atdhetarit dhe huliganit, është fyese dhe e papranueshme, e qëllimshme dhe me prapavijë të tejdukshme për të drejtuar dhunën fizike ndaj të gjithë atyre që janë në mbrojtje të proceseve dhe të demokracisë.

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër, mori këto qëndrime dhe doli me këto kërkesa:

– Dhuna fizike e ushtruar më 10 shtator 2016, ishte një skenar i organizuar dhe orkestruar për të prolonguar proceset zgjedhore dhe për t’i penguar veprimet demokratike në Degën e LDK-së në Zvicër, prandaj nuk do të lejohet kurrsesi që kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër, të bëhet nga grupe të interesit dhe banda të cilat mjet për të realizuar qëllimin, pos tjerash, e kanë dhunën fizike.
– Në rrethanat e krijuara, të mos tentohet organizimi i ndonjë “kuvendi zgjedhor” në Degën e LDK-së me metodat e nëntokës dhe duke manipuluar, pasi pasojat janë të paparashikueshme. Kryesia e LDK-së në Prishtinë merr përgjegjësitë për të gjitha zhvillimet negative.
– Tash e tutje, asnjë bisedë nuk mund të zhvillohet pa pranin e përfaqësuesve të LDK-së nga Prishtina.
– Të gjitha deklaratat, reagimet dhe qëndrimet janë pjesë e punës kolektive të Degës së LDK-së në Zvicër, prandaj përpjekja për t’i kualifikuar ato si veprime vetëm të një individi, përkatësisht vetëm si qëndrime të kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër, kanë qëllime të caktuara dhe janë të papranueshme.
– Dega e LDK-së në Zvicër dhe kryesia e dalë nga Kuvendi VIII Zgjedhor kanë legjitimet të plotë, prandaj e sugjerojmë kryesinë e LDK-së në Prishtinë, se duhet të bisedojë me kryetarin legjitim z. Shefqet Dibrani dhe kryesinë e Degës së LDK-së në Zvicër për t’i zgjidhur problemet, duke lënë prodhimin e akuzave publike.
– Autorizohet kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, Zotëri Shefqet Dibrani, që në afatin më të mundshëm të udhëtojë për në Kosovë, në mënyrë që me Kryesinë Qendrore dhe me komisionet përkatëse të ulen në dialog për t’i zgjidhur problemet për të cilat më së paku është fajtore Kryesia e tanishme e Degës së LDK-së në Zvicër.

Pavarësish se fjala, besimi dhe mirëkuptimi u pritën me dhunë fizike e me tradhti nga grupe dhe banda huligane, kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër, me të gjitha strukturat e saj organizative është e vendosur të vazhdojë aktivitetin e saj duke i sfiduar të gjitha veprimet antistatutore dhe antidemokratike të grupeve të paautorizuara dhe se edhe më me vendosmëri do të jetë mbështetëse e reformave demokratike që do të ndodhin në LDK. Andaj edhe bëjmë thirrje publike që të mos provokohen edhe më tutje veprimtarët dhe anëtarësia e LDK-së në Zvicër.

Zofingen, 17.09.2016.
Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër