Disa fjalë për vëllimin poetik “Valët e jetës” të poetit Hajdin H. Krasniqi

0
266
Hajdin Krasniqi - Valët e jetës

Zymer Mehani

Edhe në vëllimin poetik “Valët e jetës” poeti Hajdin H. Krasniqi, po na befason e magjeps me burimet tematike, me freskinë e gjuhës dhe përgjithësisht me vlerat artistike. Këto elemente të strukturimit sipas urdhrit teoriko-letrar, na bëjnë për të kuptuar se ky autor tanimë e ka arritur pjekurinë e plotë, ngase forma e paraqitjes serioze, e formulimit dhe e peshimeve të kreacionit letrar prore është konstante.

Ashtu sikurse te libri “Aromë Shegëze”, edhe në poezitë e përmbledhjes “Valët e jetës” të poetit Hajdin H. Krasniqi, sidomos te poezitë satirike-humoristike, por edhe te të tjerat, gjithnjë do të gjejmë pakënaqësi, idhtësi, por edhe krenari, ku ai do të vazhdojë të ravijëzojë karakteret e përbrendshme të njeriut, me virtytet apo me veset e tij, siç janë humaniteti, atdhetarizmi, trimëria, besa, miqësia; grindja, përçarja, tardhëtia, hipokrizia, kopracia, smirëzia etj.

Poezitë në përmbledhjen “Valët e jetës” autori Krasniqi i ka konceptuar në dy pjesë (1. Shkëndija drite dhe 2. Satirike, ironike, humoristike).
Autori Krasniqi, përgjithësisht te të gjitha poezitë ia ka dalur që me rima të thurë të gjitha freskitë, dritat, forcën dhe dramat e mëhershme dhe të aktualitetit të këtij nënqielli.

Pra, mund të shprehemi figurativisht që ky libër përmban kallinj dhe fruta të arrirë poetikë, ngase fjala është për poetin Hajdin H. Krasniqi, i cili i ka zhvilluar me përpikëri harqet e veta të artit poetik, që është përcaktuar me sukses dhe ka zënë vend në horizontet e letërsisë shqipe përgjithësisht, e veçanërisht në poezinë tonë kombëtare.

Poezitë e paraqitura në përmbledhjen “Valët e jetës” të poetit Hajdin H. Krasniqi, mund të thuhet se dallohen me me tematikë dhe motivikë të larmishme, poashtu edhe me një stil krejt të veçantë. Në këto poezi do të gjejnë vend për t’u trajtuar hidhërimi, mallëngjimi, si dhe vese e viryte të tjera (edhe te poezitë e pjesës së parë, si dhe te ato satirike), duke pasur kujdes në formë dhe përmbajtje.

Në vëllimin “Valët e jetës”, autori Krasniqi e ka pasuruar edhe më tej stilin dhe leksikun poetik duke na dhuruar medaljone të vërteta poetiko-lirike, në të cilat ka gjetur vendin e vet shprehja lapidare dhe eliptike, me laryshi imazhesh të reja autentike dhe eklatante lirike.
Poeti do të këshillojë me vargjet e veta (poezitë Këshillë, Pasqyra, Historia, Forcat t’i bashkojmë, Kurrë nuk harrojmë, Sfida, Apeli i vargjeve të mia etj.), që njeriu të jetë i virtytshëm, sidomos ndaj kombit dhe atdheut.

Edhe lumturia, dituria, jeta, ëndrrat, shpresa etj., janë tema të shtjelluara në vargjet e poetit Hajdin H. Krasniqi (poezitë: Lumturia, Kur shkojnë vitet e shumë të tjera), sikurse edhe pezmi, që ia shkaktojnë krimet, vrasjet, grabitjet, rrena, mashtrimi, dhuna, hidhërimi etj, etj,. (poezitë: Ikën korbat, Sot o kurrë, Dolli turpi, Eu, Serbi!, Padrejtësia e ndonjë tjetër).

Motive tjera të trajtuara në përmbledhjen “Valët e jetës” të poetit Hajdin H. Krasniqi janë edhe ai i vendlindjes (te poezitë: Vendlindja, Unë dhe Shega, Babai e lisi, Roga e Metës, Lugu i Plepave etj.,) Të këtij motivi janë edhe poezitë, ku paraqitet ndarja e padrejtë e qytetit të Mitrovicës (poezitë. Ndarja, Qyteti i ndarë dhe Zëri i arsyes), pasiqë autori jeton prej vitesh atje; motivi atdhetar (poezitë: Bacalokët, Shqipërisë, Lirisë, Moj Kosovë, Nënë e fëmijë, Pavarësisë, Kur vjen marsi, kolonat e zbrazjes, Pranvera 1999, Ti, baba, Reçaku-dhimba jonë, Sopatat e ndonjë tjetër); poezia peizazhiste (poezitë: Pranvera, Erdhi prilli, Vjeshta, Shi vjeshte, O ju male, ky lis, Dimir, Dhjetori, Ndërrimi i viteve, Rotacion etj.); poezitë përkushtuese për prindërit, vëllanë, nipin, miqtë poetë e shkrimtarë etj. (poezitë: prindërve të mi, Majat e diturisë, Lumit etj); motivi i mërgimit (te poezitë Mos ikni, Kthehuni, Loti i nënës, Fshatra të braktisura, Diasporës, Është mëkat, Dheu i huaj etj.); motivi social (poezia A del kush të më ndihmoj e ndonjë tjetër).

Edhe te poezitë satirike (ironike, humoristike) poeti Hajdin H. Krasniqi, do të përdor në vargjet e veta thumbimin e fishkullimin me fjalën artistike, që do t’i godasë njerëzit me vese (deputetë e pushtetarë të pandërgjegjshëm, por edhe këdo tjetër) dhe do t’i ironizojë e satirizojë pamëshirshëm, ashtu siç di ai me penën e tij majeprehtë.

Dhe fare në fund duhet përmendur se Hajdin H. Krasniqi e kupton me seriozitet rolin dhe detyrën e artistit (të poetit), ngase frymëzimin dhe lëndën i gjen duke kërkuar, hulumtuar problemet dhe çështjet e përgjithshme, me të cilat çdonjëri prej nesh preokupohemi vazhdimisht. Ai e ka këndin e vet të të vrojtuarit, nga i cili i shikon dhe heton çështje thelbësore të zhvillimit tonë individual e shoqëror, pa u mashtruar asnjëherë. Thënë poetikisht, ai nëpër zgavra i ka shikuar e hetuar problemet dhe çështjet dhe pastaj zëshëm i ka thënë ato që i ka menduar, duke na dhënë një pasqyrë krejt reale të aktualitetit.