VEPRA E ANTON NIKË BERISHËS NË OPTIKËN STUDIMORE TË AUTORËVE SHQIPTARË E TË HUAJ

0
2587
Anton Nikë Berisha - Arbëreshët

Nga Isak A h m e t i

Në botim të tri shtëpive botuese: Argeta-LMG, Faik Konica dhe Fjala Hyjnore, Tiranë-Prishtinë, 2011, ka dalë në dritë libri me titull: Vepër e pasur dhe e qenësishme, ku janë përfshirë nëntëdhjetë e dy(92) punime të gjashtëdhjetë e një (61) autorëve, shqiptarë e të huaj, kushtuar veprave të llojeve të ndryshme të Anton Nikë Berishës, që shtrojnë dhe ndriçijnë çështje të rëndësishme të kësaj vepre të pasur e të qenësishme, siç del nga punimet e tyre.

Në krye të këtij libri, interesant dhe me shumë vlerë,që ka gjithsejtë 622 faqe, pas: Dy fjalë për botimin (fq.3-5) nga Labinot Berisha, vjen punimi :Dashuri “misionare” për letërsinë shqiptare(shqip dhe italisht) i Prof. Françesk Altimarit, drejtor i Dipartamentit të gjuhësisë të Fakultetit të letërsisë e të filozofisë të Universitetit të Kalabrisë, shkruar enkas për këtë botim, ndërsa në vend të parathënies vjen punimi i Prend Buzhalës : Veprimtari e pasur dhe cilësore letrare e shkencore, ku, në përgjithësi, vështrohen çështjet kryesore të veprimtarisë letrare dhe shkencore të autorit në fjalë dhe Bibliografia e zgjedhur e veprave dhe punimeve të botuara të tij, që dëshmojnë konkretisht për punën e frytshme 43 vjeçare.

Autorët që janë përfshirë, me punimet e tyre, në këtë vepër, janë: Adem Abazi, Adriatik Kallulli, Agim Deva, Ali D. Jadiqi, Ali Olloni, Amik Kasaruho, Anton Çefa, Anton Gojçaj, Anton Grishaj, Arben Prendi, Bajrush Morina, Bardhyl Matraxhiu, Basri Çapriqi, Behar Gjoka, Demush Shala, Domenico Korradini H. Brussard, Don David Xhuxha, Don Pren Kola, Faruk Tasholli, Fazli Syla, Erneida Topi, Enver Mehmeti, Esat Kamberi, Françesko Altimari, Giuseppe Schiro di Modica, Griselda Doka, Hasan Kelmendi, Isak Shema, Isak Ahmeti, Klara Kodra, Labinot Berisha, Lazër Stani, Matteo Mandala, Mehmet Gëzhilli, Ndue Ukaj, Nicola Bavasso, Ollga Dulaj, Petraq Kolevica, Pietro Manali, Prend Buzhala, Qamil Batalli, Qemal Morina, Ragip Sylaj, Ramadan Musliu, Rifat Ismaili, Rifat Kukaj, Robert Elsie, Sali Bashota, Sergio Paolo Foresta, Sylejman Syla, Sylë Osmanaj, Shefqet Rexhepi, Shpend Halili, Shyqri Galica, Xhafer Syla, Xhemail Mustafa, Vehbi Miftari, Vincenzo Belmonte, Ymer Çiraku dhe Zejnullah Halili.

Libri në fjalë është strukturuar në katër pjesë.

Pjesa e parë
VEPËR ME VLERË TË QENËSISHME
Pjesa e dytë
PËR VEPRAT NË FUSHËN E STUDIMIT TË LETËRSISË
II. PËR VEPRAT PËR LETËRSINË GOJORE

Pjesa e tretë
PËR ROMANET
I. PËR ROMANIN “GJIN BARDHELA I ARBRESHJA E GURËZUAR”
III. PËR ROMANIN “NËNA E DRITËS”
IV. PËR ROMANIN “FERRI I LODHUR”
V. PËR ROMANET “MOTRA KËRKON VËLLEZËRIT” DHE “E BUKURA E DHEUT”

Pjesa e katërt
PËR VEPRAT NË POEZI “UJËVARË DRITE NË ZEMËR”DHE”PILIVESA E FLAKËRUAR”.

Në shkrimin e tij me titull:UNA PASSIONE”MISIONARIA PER LETTERE ALBANESI(DASHURI “MISIONARE” PËR LETËRSINË SHQIPTARE), fq.6-15), profesori arbëresh i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, drejtor i Dipartamentit të gjuhësisë të Universitetit të Kalabrisë dhe drejtues i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë pranë këtij Universiteti, F.Altimari, ndër të tjera shkruan se kontributi i Anton Nikë Berishës është i paçmueshëm jo vetëm si profesor pranë Katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Kalabrisë, por edhe si shkencëtar, si autor monografish.

S’ka dyshim se brenda veprimtarisë së tij shkencore të frytshme, të kualifikuar e të disallojshme, tema letrare e arbëreshëve të Italisë, pas asaj të poezisë gojore në kontekstin ballkanik, përbën temën e parapëlqyer të kërkimeve të tij, që e ka përligjur me monografi e punime kritike, të botuara në Itali, në Shqipëri e në Kosovë, mbi disa nga figurat e veprat më të rëndësishme të traditës sonë letrare, nga ajo romantike e pasromantike (nga Jeronim De Rada e Zef Skiroi) deri tek ajo bashkëkohore (nga Dushko Vetmo tek Vorea Ujko, nga Zef Del Gaudio tek Lluka Perrone, nga Enza Skutarri tek Zef Skiroi, fq.11).

Kontributet e tij studimore mbi veprat letrare të autorëve të traditës sonë letrare, qoftë shqiptare-si Gj.Fishta, E.Koliqi e M. Camaj – qoftë kosovare A Shkreli, M.Krasniqi, A. Pashku e A.Podrimja – objekte të trajtimeve të tij të shumta, por edhe argumentet e kurseve të tij universitare e të tezave të laurimit të udhëhequra nga ai, ndriçojnë rolin e “misionarit’ të pasionuar për letërsinë shqiptare (vep. e cit. fq.13).

Krejt në fund vlen të theksohet se punimet e A.N.Berishës me bashkautorë, të botuara nga shtëpi botuese ose nga institucione të ndryshme shkencore, sidomos nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, nuk janë përfshirë në këtë vëllim përkundër faktit se autori në fjalë ka botuar edhe shtatë vepra studimore për mendimin dhe besimin e Nënë Terezës,tashmë edhe zyrtarisht shenjtereshë.