TRIME, SYSHQIPONJË
M’duhet një copë zemre
Për kthim n’dashuri
Ngrohtësi zemre m’duhet
Për shpresë n’ardhmëri
Aty ku u linda
Aty ku të njoha
Më pëlqen t’jetoj
Sa shpejt kalon koha
TRIME, zgjatma dorën
Se të dua Ty
T’i puth vetullat Tua
Me qerpik e sy
TRIME, ngrohtësinë e parë
Të sonës dashuri
Me Ty e shijova
Shpirti im u shkri
Aty zure vend
Dhe u fute vrik
Rri e mos më ik
Mos më lërë pa mend
Rri e mos më çmend
Me lundrën dashurore
Po lundrojmë të dy
Në valë të shkumbëzuara
T’shtrenjtës dashuri
TRIME, Ti je ajri
Që brenda meje lëkundet
Ti je Besa e dhënë
Që asnjëherë s’tundet
Ti mua më shkrin
Brenda për një çast
M’përvëlon dhe më pas
N’kujtimet e mia
Tretem dhe humbas
TRIME, unë me ty
Jam princ edhe mbret
N’zinxhirë dashurie
M’ ke lidhur përjetë
TRIME, as më thua
Ç‟na bashkon me Ty
Një shikim
Një puthje
Dhe një dashuri
Çastet më të ëmbla
Bashkë i kem shijuar
Ditën flenim bashkë
Natën rrinim zgjuar
E nga gjumi zgjohemi
Sepse dashurohemi
Për sytë Tu jetoj
Se të dashuroj
TRIME, për Ty vdes
Se pa Ty s’du’ t’mbes
TRIME, zemra ime
T’kam pritë i paepur
Për të përshëndetur
Të të puth pa reshtur
Ëmbël t’ledhatova
Se të dashurova
TRIME, shkëndijë flake
E kësaj zemrës Sate
Mbi duart e Tua
Ndalen duart e mia
N’çastet e një nate
TRIME, shpirti im
Ta dish-dashuria
Kur kthehet n’pikllim
Dije je lëngimi
I qerpikut tim
TRIME, jam i etur
Duart për T’i prekur
Se për Ty kam mall
Se vazhdoj të të dua
Me dashuri t’rrallë
TRIME, për këta sy
T‟bëj dashni me Ty-
Më mirë se t’flut’roj
Thellë në kaltërsi
Shpirti seç gjallërohet
Terri n’dritë shndërrohet
TRIME, gjatë të prita
Ta dish, je si drita
M’ke hyrë në damarë
Si ethe e bardhë
TRIME, moj dashni
S’po mundem pa Ty
As frymë s’po mund t’marr
Po tretem në flakë
Po mbetem pa gjak
Pak edhe ngapak
Pa shkëndijë e zjarr
TRIME, dashuri
Pse s’jemë bashkë ne dy
Shkojmë jetën të ndarë
Me shpresa t’lënduara
E me shpirt të vrarë
Më thuaj pastaj
Vallë, unë a kam faj
TRIME, syshqiponjë
Sa shumë më mungon
Digjem si qiri
E të flas nuk di
Të këndoj harroj
Më mbyllet kjo gojë
Gjuhën e kafshoj
Zëri që të ndalet
Për të gëlltitë fjalët
Emrin s’ta shqiptoj
Se më mbysin hallet
Sa më vjen çudi
Harrohem pa Ty
TRIME, yll i artë
Mungesa e gjatë
Më mundon çdo ditë
Më shqetëson çdo natë
Për shpirtin t’ënd t’artë
Ndizem edhe digjem
Si pishtar i zjarrtë
TRIME, diell e hënë
Pasha babë e nënë
Shpesh Ty të kam thënë
Kur Ty s’të kam pranë
Jam aspak i pasur
Jam me zemër t’ plasur
Por kur të kam pranë
Me ty gjithçka kam
TRIME, sy i zi
Sa kam mall për Ty
Për flokët e Tua
Malli më djeg mua
TRIME, rreze- ar
Për Ty kam shumë mall
Si për rrugët ku shkela
Për herën e parë
TRIME, dashuri
T‟lutem shko tani
Dhe krejt e qetë fli
N’heshtjen e lënduar
T’shpirtit tim t’trazuar
Unë nuk e di, TRIME
Ti a e ke ditë
Edhe pse kam sy
Pa Ty s’më bëjnë dritë
TRIME, buzët tua
As m’i ke falë mua
E fjalët e tua
Përkunden në erë
Dije, mos harro
Se të du’ përherë
TRIME, zemra ime
Më kujto pa dhimbje
Ty t’kam dashuri
E kjo zemra ime
S’do të rrah pa Ty
Moj e shtrenjta TRIME
O Besnikja ime
KOSOVË, E LASHTA DARDANI
Me bukë, kripë e zemër
Në gjirin tënd u rritëm
E kurrë s’u gjunjëzuam
As kurrë s’u nënshtruam
Para rrebesheve e furtunës
Para maltretimeve e dhunës
Për ty u betuam përjetë
Me plagë në shtat
Me dhembje varg
Besa besë për Ty-
Jona dashuri
Pushtuesit erdhën e ikën
Në shtat t’ngulën heshtën e thikën
Të dërrmuan e t’drobitën
E plagët s’t’u përthanë
Me gjak shpesh t’u lanë
Në ty u bënë kërdi e ploje
Se dritë dielli kërkoje
Se lirinë gjakoje
Sa gjakun derdhe për liri
Kosovë, e lashta DARDANI
E bukur je ti ZEMRA E ATDHEUT
Ti je vetë foleja e SHQIPEVE ME DY KRERË
E ne pa ty s’mundemi t’rrojmë dot
Si dikur, si dje, as sot e as mot
Ty të kemi NËNË, KOSOVË denbabaden
Për ty s’mjaftojnë këngët as vargjet që them
Ti Kosovë kreshnike je më e bukura e dheut
Dashuri mbi dashuritë-ZEMRA E ATDHEUT
KURRË S’E MOHOJ KOMBIN
Kishë edhe xhami kam kombin shqiptar
Etnia nuk matet me asnjë kandar
Shqiptarë qemë dhe jemi si dje, edhe sot
Besojmë shqiptarisht, kemi veç një Zot
-Me asnjë thesar nuk matet liria
As drejtësia s’matet,- e tha Perëndia
Me pasuri, mall, kurrë nuk matet jeta
Me ar as argjend s’ blihet e vërteta
Kurrë s’e mohoj kombin, gjuhën, Skënderbeun
Se veç një Zot kam – FLAMURIN-ATDHEUN
FRYN MURLANI
(Motiv popullor)
Fryn murlani me stuhi
Malet seç ushtojnë
Kryetrimin e Arbërisë
Rendin, e kërkojnë
Kërkojnë shpat’n e Kastriotit
T’Arbërisë Kryezotit
Uturojnë stuhitë në male
Për një Përkrenare
E kërkojnë një Kryetrim
Zot të atdheut tim
Që i mundi shumë ushtri-
Një Perandori
JU LASHË
Ju lashë male
Me dëborë
Të lashë ARBËR
Dhe Arborë
Ju lashë fusha
Me lulëkuqe
Të lashë nuse
Buzëburbuqe
Të lashë motër
Faqekuqe
Ju lashë
Ara me ugare
E lumenj
Me ujëvare
Ju lashë varre
Të të parëve
Të lashë lopë
E manar
Të lashë shok
duke qarë
të lashë Llap
I dëlirë
Të lashë qen
Lidhë n’zinxhirë
Të lashë magje
Me pak miell
Të lashë nënë
Dritë e diell
U largova
Me dëshirë
Kur të kthehem
T’ju shoh t’lirë
JU RIMA T’ATDHEUT
1.
Nga gjoksi hoq’t zemrat
I shndërruat n’ plumba
E plumbat e pushkës
N’zemra i shndërruat
Për Kosovën trime
Këtë atdhe të shtrenjtë
Dhe gjakun ia falët
Shqipes pa u hamend
Lulëkuqe ka emrin
N’ të lulëkuqet rriten
Me ngjyra t’ Flamurit
Gjer në qiell harlisen
Me shekuj Shqiptare,
Kala gur mbi gur
Rrofsh, Kosovë dardane-
Shqipe në Flamur
2.
Disa fjalë të ëmbla
N’varg dua t’i lidh
Të këndoj për Ty
O atdhe ILIR
Le të jehojnë brigjet
Nga kjo melodi
Zemrat të na shkrihen
Si mua dhe ty
Kënga për Atdhe
Le t’fluturojë vetë
Me jone të zjarrta
T’ushtojë mal e det
Mbi çdo dashuri
Ty t’kemi Atdhe
T’mbajmë në zemrat tona
Je i shtrenjtë për ne
3.
Të dua ATDHE
Në gaz e në vaj
Kur qesh e kur qaj
Ngado që të shkoj
Ty të marr me vete
Kaloj male dete
Dhembjet t’i duroj
Të gjitha për besë
T’përqafoj e vdes
4.
Të dua, atdhe, të dua
Në gëzime, në hidhërim
Të dua për çdo natë
Të dua për çdo ditë
Të deshta kur ishe në skëterrë
Të dua tani kur je në dritë
Atdhe i shtrenjtë të deshta
Atëherë kur vuaja bashkë me Ty,
Kur ma vrisnin vëllanë, mikun në pabesi
Për ty qajta, qesha e këndova
Urrejta mallkova e u helmova
Të deshta edhe kur ishe plot me dhembje
Për ty pata gjithë shpresë dhe dëshira
Edhe kur duroje atdhe shumë të deshta
Kur bijtë e tu rrokën armët
Për liri, prapë nuk reshta.
Të dua atdhe i dashur,
Për ëndrrën tënde të pranverës
Për sythin e dëshirave në shpërthim
Për jetë dhe për dashurinë e jetës
E për shpresën tënde, për dritë, për agim…
NË PREKAZ DUARTROKAS
Këtë Prekazin legjendar
Ç’e ruan një lapidar
Bacë Ademi n’monument
N’zemrat tona hyri e mbet
Hyri n’timen poezi
I përulem me lot n’sy
Me të hasmin ç’e zu belaja
Nëpër t’luftërave tymnaja
Meteori bie vetë
Meteor ish me t’vërtetë
Dhe vullkan që fort shpërthen
Yll i qiellit që shkëlqen
QËNDROVE LUAN
Pa diell e pa hënë
Kalove mugëtirën
E rrugën e nise
Për rreze lirie
Moj bijë Ilirie
Me shekuj robërie
N’ballë të k’saj Arbërie
S’u pa dritë e diellit
As kaltërsi e qiellit
As ngjyra t’ylberit
Prej ankthit e tmerrit
Zemrat ishin t’etura
Për një copë liri
Për Ty Nënë Shqipëri
Për Ty Kosovë trime
Për Ty Dardani
Na goditën valët
Na rrëmbyen dallgët
S’na fundosën dot
As dje dhe as sot
Se s’i ndalëm kurrë
As pushkë dhe as top
Të mbrojtëm sa mundëm
Me gjak dhe barot
Në kullat krenare
Prej shkëmbi e guri
Me guxim shqiptari
Me trimëri prej burri
Qëndrove luan
Kokën kurrë s’e ule
Trupin s’e përule
As syrin s’e rrudhe
Korba e gjarpinj
Ujqër dhe arinj
I zhdukëm sa mundëm
Besën kurrë s’e tundëm
Atdhe, sot t’kanë hije
K’to rreze lirie
JASHARËT
I vranë
Por s’vdiqën
Si vdiset
Treguan
Dhe kombin
Nderuan
Për popullin tonë
Ranë
– Liria s’ka çmim
Me zë të lartë thanë
SHQIPONJA
E braktise qiellin
Dhe male e shkrepa
E brigje e kodra
Erdhe n’gjakun tonë
Në një fushë të kuqe
Dy krerë i zgjerove
Aty rri gjithmonë
Shqiptarët ndër breza
N’dekada e shekuj
Me gjak ta ujitën
Shqipe atë fushë t’kuqe
Lart në qiell valo
Në tonin atdhe
Sot edhe përherë
Je e shenjtë për ne
Shqipe në Flamur
E fortë- shkëmb e gur
ARBA IME
ARBA ime, moj
Dua të shikoj
Ti je bota ime
I jetës kuptim
Të do shpirti im
Me Ty
Qetësi gjej
Për Ty
Dashuri ndjej
Je i shpirtit tim
Shërim e shpëtim
Je i zemrës sime
Shpëtim e shërim
Në jetë
Kurr u rrëzova
Shpejt u ngrita
Vrik
Të zgjohem
M’ndihmove
Dorën ma shtrëngove
Të fortë m’bëre-
Shkëmb
Më bëre granit
Me zemër më ndihmove
Më bëre çelik
Më mbushe me shpresë
Nuk më le të vdes
M’bëre ta dua jetën
Ti je lulja vetë
Lulja më e bukur
Trëndafil me fletë
Ke zemrën qëndresë
Ke shpirtin fortesë
Je kala prej guri
Je kështjellë për besë
Nuk m’u ndave kurrë
Ti moj zemra ime
Ti moj drita ime
Ti moj jeta ime
Ti më dhe fuqi
Më mbushe me shpresë
Me zemrën si det
Më bëre si mbret
Ti o zëri mjaltë
Ti o loti i valë
Ti o syri i zi
Imja dashuri
Me Ty
Çava errësirën
Dimrin e bëra verë
Lotin e bëra gëzim
Sëmundjen e ktheva n’shërim
Edhe kur rrënkova
Edhe kur rash n’shtrat
Kur malli m’kaploi
Mërzia m’ flakëroi
Ti më ngushëllove
Ti më freskove
Ti më ndihmove
Ti më dashurove
Ti më shërove
Ti më shpëtove
Me dashuri të dëlirë
O zemër e mirë
Me ty kam fuqi
Për ty kam dashuri
Se Ty të kam jetë
Të kam valë e det
Të kam mal me borë
T’kam zemër, ARBORË
THA KOMANDANT GURI
Ra n’gjunjë, puthi dheun
Gatitu te Flamuri
Betimin e dha
Ai, Komandant GURI:
– Do të jem pa zemër
Nëse për Ty s’kam dashuri
As shpirt s’do të kem unë
Nëse s’luftoj për tënden LIRI
S’do të ketë kurrë liri
Atje ku shqipet s’fluturojnë
S’do të ketë ngrohtësi
Aty ku këngët për Ty s’jehojnë
Këto fjalë i tha GURI
Me besën prej burri
U nis n’luftë të shenjtë
Për ty ATDHE i shtrenjtë
KËNDO
Këndo
Me shushurimën e gjethit në mbrëmje
Dhe me gurgullimën e lumit në mëngjes këndo
Këndo
Me përkëdheljen e lehtë të erës
Dhe në zbardhëllimin e agut këndo, mos pusho
Këndo
Edhe me plagë po të jesh në zemër
Dhe në vuajtje po të jetosh këndo
Këndo
Dhe në fytyrë kur nuk ke buzëqeshje
Edhe kur s’të këndohet, s’ka dorëzim, këndo
Këndo
Se njeriu është më i fortë se guri
Kështu thotë urtia ndër shekujt që kalojnë
Këndo
Dhe kurrë ti mos e ndal këngën
Gëzo ditët që vijnë se gjithmonë nuk jetojmë
JEHO, KËNGË SHQIPTARE!
Jeho, këngë shqiptare
Në fusha dhe male,
Në kalatë me gurë,
Në arat me grurë!
Jeho, mos u ndal,
Në gjuhën amtare
Për Shqipen me dy krena,
N’kalatë me bedena!
Jeho, mos pusho,
O këngë legjendare,
N’odat plot me burra,
Në lumenjtë me gurra!
Jeho, mos u lodh,
Për Shpatë, Përkrenare,
Të trim Skënderbeut-
Heroit të Atdheut!
Jeho, mos u shuaj,
N’kullat kosovare,
Për trimëreshat çame,
Për motrat dibrane!
Jeho, këngë shqiptare,
Në Shqipërinë e Madhe,
Si n’Kohën e Motit
Të Gjergj Kastriotit!