Shkruan Prof. Zymer Mehani
Gjuha shqipe është gjuhë indoevropiane që flitet në Shqipëri, në Kosovë, në Republikën e Maqedonisë, në Republikën e Malit të Zi, në Serbinë Jugore (Presheva, Bujanovci, Medvegja) dhe nga shqiptarët etnikë në pjesë të tjera të Ballkanit jugor, sidomos në Greqi, në krahinën e Çamërisë dhe në diasporën arvanite a arbërore, në Greqinë ishullore e më gjerë. Gjuha shqipe flitet gjithashtu edhe përgjatë bregdetit lindor të Italisë, që nga Peskara (krahina e Molises me qendër Kampobason), në Pulia (Shën Marcano) dhe në krahinën e Potencës (Shën-Kostantini dhe Shën-Pali), pastaj rreth 20 ngulime në krahinën e Kalabrisë, në dy pjesët e saj: në Kalabri të Poshtme me qendër qytetin e Kozencës dhe në Kalabrinë e Epërme me qendër qytetin e Katanzaros; në ishullin e Sicilisë, kryesisht në krahinën e Palermos; si dhe në disa qytete të mëdha të Italisë së veriut, si “diasporë e diasporës arbëreshe”, më vonë edhe si shtresë më e re e emigracionit prej eksodeve shqiptare të viteve ‟90 të shekullit që u mbyll. Shqiptarë ka edhe në Gjermani, në Belgjikë, në Zvicër, në Suedi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, Bullgari (katundi Mandricë), në Ukrainë (disa ngulime rreth Odesës, ku shqipja vijon të jetojë).
Shqipja është një ndër gjuhët moderne që përfaqëson një degë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane.
Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, lashtësia dhe karakteri origjinal i tyre, kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë. Në mënyrë të veçantë, gjuha, historia dhe kultura e shqiptarëve, tërhoqi vëmendjen e botës gjermane. Me të u mor edhe një filozof i madh, siç ishte Gotfrid Vilhelm Leibnitz, që punoi një shekull para lindjes së gjuhësisë krahasimtare. Ai mendonte, se studimi krahasues i gjuhëve ishte themelor për të ndërtuar një histori universale të botës, për ta kuptuar dhe për ta shpjeguar atë.
Në disa letra, që ai i shkruante një bibliotekari të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, në fillim të shekullit XVIII, shprehet edhe për natyrën dhe prejardhjen e gjuhës shqipe dhe pas disa luhatjeve, arriti në përfundimin, se shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë. Megjithatë, studimet shkencore për gjuhën shqipe, si dhe për shumë gjuhë të tjera, nisën pas lindjes së gjuhësisë historikekrahasuese nga mesi i shekullit XIX. Njëri nga themeluesit e kësaj gjuhësie, dijetari gjerman Franz Bopp, arriti të provonte, qysh në vitin 1854, se shqipja bënte pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe se zinte një vend të veçantë në këtë familje gjuhësore. Pas tij, studiues të tjerë, si Gustav Meyer, Holger Pedersen, Norbert Jokli, studiuan aspekte të ndryshme të leksikut dhe të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe.
GustavMeyer-i qysh në vitin 1891 hartoi një Fjalor etimologjik të gjuhës shqipe (Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strasburg 1891), i pari fjalor i këtij lloji për shqipen. Përveç këtyre, një varg i madh gjuhëtarësh të huaj, si Franc Miclosich, Gustav Weigand, Carlo Tagliavini, Stuart Man, Eric Hamp, Agnia Desnickaja, Herman Ölberg, Harallamb Mihaescu, Wilfried Fredler, Oda Bucholtz, Martin Huld, Giovann Battista Pellegrini, etj. kanë dhënë ndihmesa të shënuara për studimin e historisë së gjuhës shqipe, të problemeve që lidhen me prejardhjen e saj, me etimologjinë, me fonetikën dhe me gramatikën historike, si edhe në studimin e gjendjes së sotme të shqipes.
Ndërkaq, krahas studimeve të albanologëve të huaj për gjuhën shqipe, lindi dhe u zhvillua edhe gjuhësia shqiptare. Ajo i ka fillimet e saj që në shekullin XVII, kur Frang Bardhi botoi të parin fjalor të gjuhës hqipe “Dictionarium Latino-Epiroticum” (1635).
Gjatë Rilindjes Kombëtare u botuan disa gramatika të gjuhës shqipe. Kështu, në vitin 1864, Dhimitër Kamarda, një arbëresh nga Sicilia, botoi veprën “Saggio della grammatica comparata sulla lingua albanese”, Livorno 1864, vëll.II “L‟Apendice al saggio dalla gramatica comparata sulla lingua albanese”, Prato 1866.
Më 1882, Kostandin Kristoforidhi botoi “Gramatikën e gjuhës shqipe” dhe më 1886, Sami Frashëri botoi “Shkronjëtoren e gjuhës shqipe”, dy vepra gjuhësore të rëndësishme të shekullit XIX për gramatologjinë e gjuhës shqipe. Nga fundi i shekullit XIX, Kostandin Kristoforidhi përgatiti edhe një “Fjalor të gjuhës shqipe”, i cili u botua në vitin 1904 dhe përbën veprën më të rëndësishme të leksikografisë shqiptare, që u botua para Luftës se Dytë Botërore. Në vitin 1909, botohet Fjalori i shoqërisë “Bashkimi”. Pas shpalljes së Pavarësisë, u botuan një varg gramatikash dhe fjalorë dygjuhësh, për të plotësuar nevojat e shkollës dhe të kulturës kombëtare.
Në fushën e gramatikës u shqua sidomos prof. dr. Aleksandër Xhuvani (1880-1961).
Një zhvillim më të madh njohu gjuhësia shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur u krijuan edhe institucione shkencore të specializuara, si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave, Universiteti i Shkodrës, më vonë, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Tetovës etj. Gjatë kësaj periudhe, u hartuan një varg veprash përgjithësuese nga fusha të ndryshme të gjuhësisë. Në fushën e leksikologjisë dhe të leksikografisë, përveç studime leksikologjike, u hartuan edhe një varg fjalorësh të gjuhës shqipe dhe fjalori dygjuhësh, nga të cilët, më kryesorët janë: “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), etj. Kohët e fundit kanë dalë edhe “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe” (2000) dhe “Fjalor frazeologjik ballkanik” (1999); “Fjalor i shqipes së sotme” (2002), “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe” (2004), si dhe “Fjalor i gjuhës shqipe‟” hartuar nga Mehmet Elezi (2006).
Në fushën e dialektologjisë është bërë përshkrimi e studimi i të gjithë të folmeve të shqipes dhe është hartuar “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, vepër madhore që u botua në Itali (vëll.I, Napoli 2007, vëll.II, Napoli,2008). Eshtë bërë botimi i fonetikës dhe disa gramatikave të niveleve të ndryshme, nga të cilat, më e plota është “Gramatika e gjuhës shqipe” I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997), hartuar nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, me kryeredaktor Mahir Domin.
Një vend të gjerë në studimet gjuhësore të këtij gjysmëshekulli, kanë zënë problemet e historisë së gjuhës shqipe, problemet e etnogjenezës së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, të etimologjisë, të fonetikës dhe të gramatikës historike etj. Disa nga veprat themelore në këto fusha janë:
“Studime etimologjike në fushë të shqipes” në 7 vëllime, nga E.Çabej; “Meshari” i Gjon Buzukut (E.Çabej); “Gramatika historike e gjuhës shqipe” (Sh. Demiraj); “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (Sh. Demiraj); “Gjuhësia ballkanike” (Sh. Demiraj) etj.
Gjatë kësaj periudhe, gjuhësia shqiptare zgjidhi edhe problemin e gjuhës shqipe letrare kombëtare, të njësuar me çështjet teorike të së cilës është marrë veçanërisht prof. Androkli Kostallari, por edhe jo pak studiues të tjerë nga Tirana, Prishtina etj.ndër të cilët, duhen përmendur sidomos Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Mehmet Çeliku, Ethem Likaj, Gjovalin Shkurtaj, Shezai Rrokaj; nga Kosova Akad. Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Fadil Raka, Qemal Murati, Shefkije Islamaj etj. Në kuadrin e punës që është bërë në fushën e gjuhësisë normative dhe të kulturës së gjuhës, janë hartuar dhe një numër i madh fjalorësh terminologjikë për degë të ndryshme të shkencës e të teknikës.
Përveç veprave të shumta që janë botuar në fushën e gjuhësisë, veprimtaria e gjuhësisë studimore e studiuesve shqiptarë pasqyrohet në botimin e disa revistave shkencore, nga të cilat më kryesoret sot, janë: “Studime filologjike” (Tiranë), “Gjuha jonë” (Tiranë); “Gjuha shqipe” (Prishtinë); “Studia albanica” (Tiranë); “Jehona” (Shkup) etj.
Studime te rëndësishme mbi gjuhën shqipe janë bërë nga gjuhëtarë në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, si dhe në qendrat, katedrat ose institutet Albanologjike në diasporën arbëreshe të Italisë, si dhe në metropole të Evropës e të Amerikës ku ka lektorate të mësimit të gjuhës shqipe, ku janë botuar një numër i konsidrueshëm veprash mbi historinë e gjuhës shqipe, fonetikën, gramatikën, leksikun etj. në arealin gjermanik, mund të përmendet puna dhe botimet e katedrës së shqipes në Universitetin e Mynihut (München) dhe të Bonit, fillimisht me botimet e Martin Camajt dhe të ish-nxënësve të tij: Walter Breu, Elvira Glaser, Gabriele Birken Silverman etj. dhe sidomos të Armin Hetzer-it, Oda Bucholz-it, Bardhyl Demirajt etj.