Flakja e Kanunit dhe flijimi për dashuri

0
314
Kristaq Turtulli - Përroi qante në mesnatë

Shkruar nga Fatmir Halimi, botues, shkrimtar, kritik, analist.

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, ShB ProkultPress, Prishtinë nxori nga botimi romanin më i ri, “Përroi qante në mesnatë” të shkrimtarit ndërkombëtarisht të njohur Kristaq Turtullit, me qëndrim ne Kanadanë e largët, i cili tashmë është i përkthyer në disa gjuhë të botes.

Shkrimtari i shquar Kristaq Turtulli i pas botimeve të fundit, të suksesëshme të Sagës së madhe Shqiptare, në dy libra: ZËRA NË LAVJERRËS dhe ZËRA NË HUMBËTIRË dhe libri me tregime dhe novela: LITARI I MALLIT, këtë vit po paraqitet para lexuesve edhe me një roman të ri Përroi qante në mesnatë.

Ne interpretimet e mia letrare për shkrimtarin e madh të letërsisë sonë i qasem vetëm nga metodat postmoderne të letërsisë, sepse edhe shkrimi i tij romanor është poastmodern dhe assesi një roman i thjeshtë e tradicional.

Pra edhe sot për ta zbërthyer dhe interpretuar romanin Përroi qante në mesnatë, të Turtullit mund ta bëjmë vetëm përmes metodave dhe kategorive stilistike postmoderne.

Ky roman gjatë interpretimit na ofron një gamë të gjerë të këtyre kategorive stilistike si; intertekstualitetin, oralitetin, metatekstin, metagjuhën, retrospektiven, komentin, shkallën e shkrimit, mandej magjiken, fantastiken e shume të tjera.

Teksti që na e ofron autori në romanin Përroi qante në mesnatë, është mjaft i vështirë dhe i ndërlikuar për t’u kuptuar si përmbajtje dhe për ta interpretuar me diskursin kritik. Kjo ndërlikueshmëri vërehet përgjatë gjithë veprës, që nga fillimi e deri në fund, e jo siç ngjet në shumicën e rasteve te shkrimtarët e tjerë vetëm në faqet e para e mandej rrëfimi shkon rrjedhës së vet. Por këtë autori nuk e bën rastësisht, e bën qëllimisht me një vetëdije të lartë artistike e letrare, siç bëjnë shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë botërore.

Romanin Përroi qante në mesnatë duhet ta lexojmë me një frymëmarrje, me një hap, dhe vetëm atëherë do të shohim se teksti i tij na ofron një fushë të paanë të interpretimeve diskursive. Romani si përmbajtje shtron idenë e flakjes së kanunit në njërën anë, si dhe ngadhënjimin të dashurisë edhe mbi fatalitet nga ana tjetër, siç është ajo e Markut me Mrikën.

Dashuria në mes dy të rinjve si temë është shumë e vjetër dhe e trajtuar deri në stërhollime nga shkrimtarë që nga antika e vjetër e deri më sot, por gjithashtu edhe gjakmarrja është temë e vjetër dhe e trajtuar nga shkrimtarë që nga mesjeta e këndej. Mirëpo gjakmarrja si fenomen në popull është e shtrirë në të gjitha kontinentet e botës si në Evropë, Azi dhe Amerikë, por në Evropë me theks të veçantë në gadishullin Ballkanik, të të gjithë popujt e saj, e sidomos populli shqiptar.

Për këtë në mesjetën e vonshme lindi dhe u shkrua kanuni me emrin Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili do të gjen zbatim kryesisht te fiset shqiptare të veriut. Kanuni në fillimet e saj, siç e potencon edhe autori i romanit Turtulli kishte për qëllim që të rregullonte jetën shoqërore të fiseve shqiptare, pra nga anarkia jeta të kalonte në një nivel të rregullave dhe normave me te cilat rregullohej martesa, ndarja e qiftit, ndarja e pronave, besa, dhënia e besës dhe marrja e saj, hakmarrja e shume të tjera. Mirëpo gjakmarrja në shek. e XX dhe tash edhe në shekullin e XIX –të është një dukuri negative në shoqëri, të cilën dukuri e kanë trajtuar dhe luftuar shkrimtarët e letërsisë sonë si Ernest Koliqi me veprën Gjakmarrja, I. Kadare, R. Kelmendi e shume të tjerë.

Por sot këtë dukuri negative të shoqërisë sonë e lufton dhe e trajton si temë edhe shkrimtari ynë i madh K. Turtulli me veprën e tij Përroi qante në mesnatë, i cili do ta shtjelloi nga të gjitha aspektet e saj. Këtë e bën përmes dy personazheve kryesore siç janë Mark Tota dhe Mrika, vajza e Simon Shkabës.

Marku është një djalë i rritur jetim nga nëna e tij Dranda, e cila edhe pse ia vranë burrin familja e Simon Shkabës, ajo Markun nuk e ushqeu me urrejtje dhe me këmishën e përgjakur të babait të tij, që ai kur të rritet të marrë hak, përkundrazi ajo e edukoi me idetë përparimtare e ta fal gjakun e babait të tij . Kështu edhe ndodh, përkundër pasojave që do t’i vuajnë, sepse sipas kanunit familja duhet të marrë hak.

Marku më vonë edhe do të dashurohet në vajzën e gjakësit të tij, në Mrikën, e cila është e fejuar në djep nga familja me Kalosh Gjetshin, për të cilin ajo nuk kishte kurrfarë ndjenjash. Këta të dy përkundër rregullave të kanunit nuk e ndërpresin dashurinë e tyre. Marku për këtë dashuri është në gjendje ta falë gjakun e babait, por edhe të bëhet shok ushtrie me Kaloshin, të fejuarin legjitim sipas kanunit, të Mrikës dhe atij t’ia sqaroj se dashuria e tyre është mbi të gjitha.

Ndër të tjera autori në rrëfimin e tij paraqet edhe këtë bisedë në mes të dy shokëve të fëmijërisë, kur Marku i thotë Kaloshit se këto janë doke dhe zakone të prapambetura, që shoqëria jonë e qytetëruar i ka flakur që moti:

“- Kanuni thotë se burrin e maleve e fisnikëron falja, – i tha Marku,- Kanuni ka bazë pajtimin, shuarjen e gjaqeve…”
Përroi qante në mesnatë, fq.104

Por këtë nuk e përballon Kaloshi, pasi që sipas zakoneve atij iu është nëpërkëmbur nderi dhe sedra e burrit:

“- Hej më flet për faljen, pajtimin dhe shuarja e gjaqeve! Po ndera e burrit?! – foli mbytur Kaloshi dhe me vete shtoi; ’Unë kam pas vetes të drejtën, familjen, fisin, katundin dhe kanunin. Pa u thelluar më flet për besë e falje, kur s’e di ç’është lufta, marrja e drejtë e gjakut, më flet vetëm marrëzira. Çfarë dreq burri malësie je që, shkele me të dyja këmbët, besën, nderin e shenjtë të burrit, të familjes, fisit, katundit. Hëm, më flet për besë dhe falje të pakuptimtë, ngaqë je rritur larg sheshit të burrave. Ke nëpërkëmbur, nënvleftësuar, ke lënë të qëndrojë varur në gozhdën e vjetër, të flejë, të ndryshket pushka e gjatë e familjes dhe traditës. Ke qëndruar i strukur, mbledhur si esh, i vetëm, nën futën e trashë të lokes Drande. Hasmi të vrau babën, prita e verbër të ngriu gjyshin plak, të shkretoi shtëpinë. Hasmi yt ka vite që bredh dhe ngrefoset për shtatë palë qejfe në katund. Këmisha e gjakosur e babës u zverdh, u bë trokë, u shkul prej telit ku ish ndehur dhe u flak si lëvere në qilar, pa iu marrë haku! Me papjekuri u përkule, lëpive gëlbazën në baltën e vjetër. Hej, Mark Tota, për hakmarrje, hasmëria e fisit dhe e besës ka shumë fije të dukshme dhe të padukshme, që mban të ngërdheshur si merimangë. Si skile u ngrite dhe vodhe të fejuarën time, ku, ku nëne, cucën e hasmit shekullor’.”
Përroi qante në mesnatë, fq.105

Për këtë Kaloshi edhe e vret Mark Totën, shokun e fëmijërisë dhe të ushtrisë së tij. Pra ai aktin e vrasjes e bën derisa ata janë në shërbim ushtarak, larg vendlindjes së tyre, në një vend të quajtur Përroi i Shestanit. Pra e vret në pabesi, kur Marku dëshironte të pi ujë në lumin e vogël Shestan.

Përmes trajtimit të kësaj ngjarje, përmes rrëfimit të këtyre ndodhive, të cilat kanë mund të ndodhin në të gjitha hapësirat e trevave veriore shqiptare, autori ia arrit qëllimit që përmes artit të flaket kanuni e mbi të të ngadhënjej dashuria. Në këtë rast edhe pse dashuria përfundon me fatalitet e lë frytin e saj, pasi që Mirka është shtatzënë me Markun dhe do ta lind djalin e tyre.

Metatekstualiteti

Metatekstualiteti, si kategori stilistike është shumë i rrallë në diskursin letrar. Në diskursin kritik Metatekstualiteti kupton praninë e komentit që i lidhë dy tekste. Ngjashëm kuptohet edhe në diskursin letrar e sidomos në prozë. Kjo ngjet kur autori fut dy tekste të ndryshme që komunikojnë apo që bashkëveprojnë njëri në tjetrin dhe mbi këto dy tekste e krijon komentin.

Turtulli si shkrimtar me vetëdije të lartë artistike këtë e arrin mrekullueshëm kur në shkrimin apo rrëfimin e vetë te Përroi qante në mesnatë, fut si tekst të veçantë epilogun, ku brenda 4 apo 5 faqeve na e paraqet Drin shalësin, si një mërgimtar, i cili për ta mbajtur familjen kishte shkuar në fund të botës.

Kishte marrë një dhomë me qira në mënyrë që të kursente sa më shumë, e që më vonë ta merrte edhe gruan dhe fëmijët e tij, për të cilët kishte shumë mall. Punonte oficer kompanie dhe i shikonte vetëm punët e veta, por policia e shtetit kërkojnë ndihmën e tij për ta identifikuar viktimën, që ishte një bashkëvendës i tij. Drini e identifikon dhe u thotë policeve se e njeh të vrarin, pra është Kalosh Gjetshi, i cili para 20 viteve ia kishte vrarë Drinit shokun më të mire që e kishte pas në shërbim ushtarak.

Ky është teksti i parë, epilogu. Shkëputet këtu për ta vazhduar rrëfimin me një tekst krejt tjetër, në një vend tjetër dhe në një kohë tjetër, pra para 20 e ca viteve, kur Drini ishte Komandant i truprojave në ushtri.

Tash në tekstin e dyte për të cilin edhe folëm në fillim, rrëfimin më nuk e bën autori, por ia lë në dorë narratorit, që në këtë rast është vetë Drin Shalësi, i cili njëherit është edhe protagonist kryesor i të gjitha copëzave të teksteve, si për gjëmën e madhe që dëgjohet në përroin e Shestanit, ku ata bënin roje, si dhe për të gjitha ndodhitë e tjera, pra edhe për vrasjen e Mark Totët në përroin ku shërbenin ata si ushtarë. Rrëfimi këtu jepet në retrospektive për të ardhur deri te varrimi i Mark Totët në vendlindjen e tij, si dhe burgosja e Kalosh Gjetshit.

Teksti i tretë e që mund ta quaj edhe si koment është prologu.
Me këto faqe edhe përmbyllet romani, kur hetuesia pasi që e kishin e arrestuar dhe burgosur vrasin e Kaloshit, Drin Shalësit ia dhanë një ditar të vrasësit. Atëherë nga ditari lexuesi, por edhe Drini si narrator i të gjitha ngjarjeve e kupton se vrasësi është djali i Mark Totët, Shtjefëni, i cili është i detyruar ta marrë hakun e babait.

Sipas ditarit që e lexon Drini aty merret vesh se djali i ri, Shtjefëni për ta lidhë kurorën e dashurisë së tij, familja e vajzës që e do i qesin si kusht që ta marrë hakun e babait, sepse kjo familje nuk ia jep vajzën një burri që e mban në shtëpi barrën e gjakmarrjes. Pra edhe ky gjatë aktit të vrasjes i kërkon falje Kaloshti duke i thënë se jam i detyruar të të vras, se përndryshe nuk e kisha bërë, pra edhe ky bën një flijim të madh për dashurinë e tij të madhe që ka ndaj vajzës, të cilën e do shumë.

Pasi që e identifikuam se narrator në roman është Drin Shalësi, disa raste por që janë shumë të veçanta, këtë rol e merr edhe vetë autori Turtulli, sidomos kur futet në shtjellimin dhe zanafillën e kanunit të Lekë Dukagjinit, për rëndësinë e tij që pati te shqiptarët ndër shekuj si rregullim shoqëror, por dhe si dukuri negative sot në shoqëri.

Pra, dhe këto copëza merren si metatekst në diskursin letrar, sepse nga këto autori ndërtoi komentin e tij. Prandaj mund të them se rrëfimi në metatekst ndërtohet mbi një gjuhë të figurshme e metaforike, por jo metonimike. Të gjitha këto elemente për metatekstualitetin do të arrihen me sukses dhe me nivel të lartë artistik te romani Përroi qante në mesnatë.

Oraliteti dhe metagjuha në tekstin letrar

Oraliteti në tekstet e Kristaq Turtullit hetohet edhe në veprat e tij të mëhershme, si te romani Zëra në humbëtirë, e sidomos te ky i fundit Përroi qante në mesnatë.

Me oralitet kuptojmë fjalën, prandaj fjala si pikënisje shënjon gjuhën si mjet oral komunikimi, ku bashkë me të edhe lind krijimi i shkrimit. Oraliteti në tekstin Përroi qante në mesnatë na paraqitet qysh në fjalinë nistore: “Dikur moti…” që është e barasvlershme me fillimin e përrallave tona popullore: “na ishte një herë moti..”. Oraliteti me model përrallën popullore e përcjell sidomos rrëfimin e tekstit për gruan që lindi djalin e quajtur Shestan, e të cili iu hodh në përroin e këtij fshati:

“Dikur moti e quanin: Përroi i Zi, ngaqë dheu kishte ngjyrë të errët në të zezë. Përpara se të hapej rruga, ndërtoheshin tunelet dhe të ngrihej reparti, humbi, ndoshta u mbyt në përrua, një fëmijë i vogël me emrin Shestan. Flitet se atëherë përroi ishte i rrëmbyeshëm dhe s’u gjend kurrë. Vërtetësia dhe arsyeja e largimit të fëmijës prej familjes, lënies në mëshirë të fatit dhe zhdukjes s’u morr vesh kurrë.

Pleqtë e moçëm të fshatit, lëkurë flashkët, me qeska të fryra poshtë syve, zëra holluar nga pleqëria, rrëgjimit e ankthit, thanë se nuk do të quhet më përroi i zi, siç ishte thërritur deri dje, por përroi dhe lugina e Shestanit dhe mbi të gjitha, s’ ka gojë të flasë, por ama, të vesh veshin të dëgjosh, të rrëqethin rënkime të heshtura, të ngarkuar me shtegtimin e leqendisur dhe të vetmuar të shpirtrave. Disa pleq të tjerë shtonin se rrëmbimi, lënia dhe zhdukja e fëmijës Shestan në luginë s’ish aksidentale, ndodhi nga shkaku i xhelozisë femërore dhe hasmërisë së fshehur.

Fshatarët u lodhën së thirruri dhe kërkuari në përrua dhe anë e kënd vendit. Ishte mot i keq, bënte ftohtë dhe ngricë. Nëna e fëmijës Shestan vazhdoi ta kërkonte edhe pas dorëzimit dhe tërheqjes së bashkëfshatarëve. Nga dhembja dhe stërmundimi u çmend dhe filloi të bridhte zhveshur lakuriq në mesnatë, aq sa hijet dhe gjithë gjallesat e gjalla zbytheshin, bile dhe pemët zhvoshkeshin, bari thahej. Përroi turbullohej dhe fshati llahtarisej. Trokiste në dyer dhe ftonte fshatarët ta ndiqnin pas…”
Përroi qante në mesnatë, fq.45

Legjendat, por edhe përrallat tona nuk kanë autorësi dhe përfundojnë çdo herë në kontekstin e pavërtetësisë, po kështu ndodh edhe te rrëfimi për fëmijën e vogël Shestan, pasi që i pari që dëgjoi zëra dhe të qara të fëmijës në këtë përrua ishte Marku.

Ai gjatë natës kur bënte roje dëgjoi zëra dhe ulërima, të cilat atij i ngjanin në vaj dhe zë fëmije. Për t’u bindur për këto që thoshte Marku, Drini si komandant i vendrojës, një natë i angazhoi edhe disa ushtarë të tjerë që ta vërtetojnë këtë. Ata gjithë natën do të ecin nëpër luginë dhe përroin e Shestanit, por nuk arrijnë të binden se është zë fëmije. Ata mundën të dëgjojnë atë natë gjithfarë zërash e ulërimash, por jo edhe vaj fëmije.

Prandaj mund të them se autori këtu ka një stil të veçantë të shkrimit, i cilin e shndërron në gjuhë arti, pra në metagjuhë. Ky model bëhet shtrat i pëlqyer i autorit për krijimin e gojëdhënave ose legjendave të tjera, siç është edhe legjenda për Gjin Kroin, i cili ishte një ushtar që shumë moti kishte luftuar në një betejë në fushat e Kosovës dhe vetëm ai kishte shpëtuar.

Nga ajo kohë ai u paraqitet njerëzve vetëm natën dhe vetëm në varreza. Kjo i ndodh edhe Trinkës kur shkon të qaj e të fshihet në varreza, pasi që babai i saj Simoni i thotë se ka ardhur koha të martohej me Kaloshin. Gjin Kroi asaj ja merr Markun, e kjo është një koincidencë se po atë natë atje larg në ushtri Kaloshi e vret Mark Totën. Sipas legjendës kur Gjin Kroi ta merr më të dashurin me vete, ai edhe do të vdes shumë shpejt, për ketë arsye edhe Trinka do të vajton deri në mëngjes nga frika se do t’i vdes asaj Marku, gjë që kjo edhe do të ndodh më vonë.

Autori me këto rrëfime orale sikur i plotëson të gjitha kriteret e një rrëfimi përrallor, siç është edhe kriteri fantastik, ose fantastikja me Gjin Kroin, i cili ngritet nga varri dhe i merr më të dashurit tanë, të cilët i bart në fluturim dikund larg në errësirë.

Këtë element të orales autori e kooperon shumë mirë në tekstin e tij, duke krijuar një gjuhë të re të të shprehurit në tekst, pra duke krijuar një metagjuhë të ligjërimit të tij artistik. Oraliteti, metagjuha dhe fantastikja në letërsinë postmoderne janë kategori stilistike mjaft e theksuar në ndërtimin e teksteve, sidomos te romanet fantastike-shkencore.

Prandaj si përmbledhje e gjithë kësaj që thamë mund ta përmbyllim se shkrimtari i madh Kristaq Turtulli të gjitha elementet posmederne, siç i cekëm metatekstin oralitetitetin, metagjuhën, fantastikën, shkallën e shkrimit, komentin e shumë të tjera i shfrytëzon shumë mirë në ndërtimin e rrëfimit, ku ato bëhen kategori stilistike të autorit, me të cilat dëshmohet edhe një herë vetëdija e lartë artistike në ndërtimin e romaneve të tij, e veçanërisht te romani i tij i fundit Përroi qante në mesnatë.

FATMIR HALIMI, botues, shkrimtar, kritik, analist