Liria e Fjalës, “Liria e Fyerjes” apo “Liria e Kriminelit”?

0
179
Gjergj Kabashi

Gjergj Kabashi, Revista Drini21 Prill 2021

Kaloj më shumë se një muaj ditë, që u rrah mizorisht gazetari hulumtues i Insajderit, Visar Duriqi, duke i thyer edhe dhëmbët. Edhe fare të mos kishim lexuar ndonjë shkrim të tij, gjendja në të cilën e solli krimi i organizuar nga nëntoka kriminale e shtetit tonë, i qet hije të zezë mbarë vendit dhe atij populli.

Mua personalisht nuk më intereson aq shumë solidarizimi në rastet e tilla i shoqatave të gazetarëve, që quhen “profesioniste” atje dhe as zhurmat e tyre demagogjike, që u shërbejnë për ta fshehur pas tyre paaftësinë profesionale. Ky rast i rëndë i krimit ndaj gazetarit që shquhet për shkrime kritike, duhet zbuluar pa marrë parasysh se kush ishte dhe si quhet ai që i zu pusi, Visar Duriqi dje, apo Arbana Xharra pardje.

Arbana Xharra e rrahurGazetarja Arbana Xharra duke pritur që t’i jipet ndihma e parë në QKUK, pas rrahjes në orët e vona në garazhën e banesës së saj, pasi ishte kthyer nga Tirana…

Meqenëse nuk i mbeti gjë tjetër në Kosovë, u detyrua të shpërngulej në SHBA, pasi që më parë e kishte lënë gazetarinë për PDK-ën! Deri sot kurrë nuk u dha ndonjë lajm për zbulimin e atij apo atyre personave që e rrahën mizorisht.

Përgjakja e Visar Duriqit Ndihesh tepër keq dhe trishtohet vetëm po ta shikosh foton…, se çka i bënë në mesnatë gazetarit hulumtues Visar Duriqi, pasi kriminelët i kishin zënë pusi tek banesa në Fushë – Kosovë. Më shumë se një muaj pas rrahjes mizore të tij, ende askush nuk u arrestue nga ana e policisë për atë rrahje.

Përgjakja e gazetarëve e tregon ligësinë tonë dhe mënyrën joetike të jetës së atij populli. Ata kriminelë që rrahin në terrin e natës, duke planifikuar krime e përcjellë viktimën në atë mënyrë që “as policia s’mund t’i hetojë”, paraqesin një turp të madh për vendin tonë, një marre e turp kolektiv, që s’mund të përpihet kurrqysh.

Në mbarë globin pothuaj kemi gazetarë hulumtues-zbulues, që shpesh e qesin në pozitë inferiore edhe policinë me zbulimet e tyre, andaj është për t’u befasuar pa masë se si gazetarë të tillë nuk kemi në Shqiptari, në Kosovë jo se jo ! (Kemi, kemi, Artan Hoxha, Klodiana Lala, etj. që rezikojnë për zbulimin e krimeve…)

E vërteta për krimet ndaj gazetarëve duhet zbuluar deri në fund dhe ajo duhet të tregohet ashtu siç është në të vërtetë dhe pa fshehur asgjë, qoftë për atë që i ndodhi gazetarit Visar Duriqi para më shumë se një muaj ditë, apo përgjakja që iu bë Arbana Xharrës, tema këto që për një gazetar të vërtetë hulumtues, që s’merr “leje prej askujt” për punët e tij profesionale, nuk përfundojnë e nuk mund të largohen kurrë nga fokusi profesional, u pajtua a s’u pajtue gazetarja a gazetari që ka pësuar.

Gazetarët duhen mbrojtur nga sulmet e tilla “misterioze” që ua rrezikojnë edhe jetën, ashtu siç duhen zbuluar dhe ndriçuar veprimtaritë joprofesionale të atyre gazetarëve, që shkruajnë pa fakte dhe vazhdimisht shpifin pas asnjë pasojë për ta.

Gjithsesi ai popull duhet të mendojë shumë më shumë për “Lirinë e Fjalës”, “Lirinë e Fyerjes” dhe “Lirinë e Kriminelit!”.