10 LULE POETIKE NË NJË BUQETË

1
371
Flora Agolli

1. EKUILIBRI IM

Lumturia tashmë, përherë e njëjtë më është,
Diell optimist që dot se kap, ulur vetëm në një stol,
Në pranverë të jetës a në vjeshtë,
Gjunjët e shpirtit mi ngroh, mi inkurajon.

Trishtimi ka një mori varietetesh,
Në labirinthet e anatomisë, kores e nënkores,
Të demoralizimit të kokës e Tokës,
Të motivimit të ri nga shiu drejt Diellit të Botës.

Animi nga Dielli, sekreti mbajtës pa dorëzim,
Jetoj jetën racionalisht me forcat e zemrës,
Shtrëngoj nofullat dhe grushtat në xhepin tim,
Shpenzoj kohë pozitive, vaj ti shtoj kandilit të jetës.

Tiranë 20 Tetor

2. JETA IME NE UNIFORMA

Në çerdhe të Tiranës me rroba bebeje më veshën,
Që 40-ditëshe, më treguan, e asnjë kujtim s’kam.
Në kopësht një përparëse e bardhë me fjongo,
Më kujtohet qartë në trupin tim, pas hekurosjes së mamasë.

Qepte mamaja kopsat, tegelat na forconte,
Pa gjumë, në kazanë me sapun i zjente,
Që dita estetike të na shkonte,
Mëngjeseve si flutura përdore,
mua e motrën na merte.

Përparsja e bardhë në shkollë,
Suplementare mbi të zezën u vendos,
Ju mbahen mend kallamarët me pena,
Sa herë xhepat, tantellat na ka njollos?

Në klasat e pesta e bardha zëvëndësohej,
Në përparëse të zezë me jakë të bardhë zbukurimi,
Shallin e kuq ëndërronim,
Në klasë të shtatë kur të vinim.

Betimin Parti-Enver jemi gati kurdoherë!
Çdo mëngjes drejtoresha në mikrofon kujtonte:
Për çështjen e Partisë e të Popullit të jeni gati!
Kraharorët në rritje njëzëri brohorisnin: Gjithmonë gati !

Shkolla e mesme pa shall pionieri,
Me përparëse të zezë, me jakë të bardhë e pa jakë,
Të gjitha vajzat si top sheqeri,
I gëzoheshim jetës si llokum, si brum i ardhë.

Në aksione kominoshe nuk vesha kurrë,
As çizme llastiku nëpër brezare,
Por nuk shpëtova nga kilotat në fiskulturë,
Zboret, veshjet me karabinë si ushtare.

Deri në fakultet uniforma na shoqëroi,
Si tregues urdhërimi, kujdes, kontroll, zotërim,
Në lirinë e re seç na ngatërroi,
Me estetikën që donte më shumë investim.

Punët na erdhën, cilësitë na i rritën,
Me dosje në duar kishim për detyrë,
Integritet, llogaritare në Qytet Studenti,
Me përparëse të bardhë të visheshim në zyrë.

Verat e nxehta të bardhën na detyronin,
Ta mbanim të pambuktë, ta mirëtajtonim,
E bardha tre ditë më veshi komplet,
Fustan nusërie e vello, borëbardhë e vërtetë.

Po të më kishin pyetur
Se cilën uniformë pëlqeja më shumë?
Dashurisht do përgjigjesha:
Kangurin-veshje, ku fusja bebin,
Arielin e Davidin krijuar nga unë.

Tiranë, 19. Tetor. 2021

3. SHOKU I KLASËS

Në një dyqan do blija pajisje elektrike,
Klienti para meje i njohur në zë,
Ktheu kokën me përshendetje dhe në ikje,
Te profili me maskë, kujtova ballin dhe vetullat nën të.

Artan! – e thira, ai u shtang i ngrirë.
Sytë e Florës?! Sa kemi pa u parë, ç’koençidencë!!
Gjithë shkolla e mesme m’u shfaq e dlirë,
E ftova në kafen ngjitur, ta kthenim në festë.

Të dy me maska e të thinjur u ndjemë të rinj,
Respektin, adoleshencën mbanim nën lëkurë,
Mjaftuan ca pikante nga skenat e shkollës,
Dhe qeshëm të pafajshëm si dikur.

Kujtimet rrufisnim me ëndje e qeshnim,
Mësues,shoqërinë, ngjarje kujtuam,
Epitetet, në lumin e gëzimit për klasën derdhnim,
Sa ti kërkonim kamarjerit një foto harruam.

4. PRINDËRORE

Mëngjes… Hap sytë…
Zgjohem dhe filloj kthjellohem,
Fëmija lëviz dhe shtriqet në krevatin përbri,
Ora e zgjimit ka ardhur si për fëminë e prindërit e tij.

Si lepurush hidhet e na vjen në shtrat,
Do përkëdhelje me fjalë dhe fërkim të artë.

Fjala e parë e ditës për ne është fjala shpirt,
E dyta: zemër, e treta: yll, e katërta: thesar!
Këtë dhuratë fëmijët na i dhënshin përjetë,
Bota, dhoma gjumi plot dashuri të ketë,
Kjo është parajsa e përfytyruar në të vërtetë.

19.10.2021

5. CaCO3 = SHKUMËSI

Guri gëlqeror më habiste pa masë,
E vogël isha, shkruanim në murre e dërrasë,
Shkruanim në pllakat e shkallës ngjyrë gri,
Kërkonim të luanim se ishim fëmijë.

Shkollë të mesme, që në vit të parë
Mendelejevi, shkencat më vunë në garë,
Klasa habitej, mbeta në tabelë,
Ushtrime e shkumsa në duar përherë.

Sot në shkallët e pallatit, komshien e mirë takova,
Kujtoi tim bir, Arielin, u befasova,
-“Më ka dhuruar disa shkumsa me ngjyra,
Sa herë i ledhatoj më trishtohet fytyra…”

-Dale, ti shoh!-them me pezmatim,
– Të lutem, nuk ti jap i kam kujtim,
se tani që s’është këtu mes nesh,
kur hap kutinë e qepjes,
Engjellin e pallatit aty do ta gjesh…

CaCO3 që nga fëmijëria e deri më sot,
Si shkumës, sukses e dështim, me mua vazhdon e lot…

20.10.2020

6. SHPENDIT TRIM, LAVDI
( Heroit Skerdilajd Llagami, UÇK )

Uji, që krijon liqen natyral,
Nuk kurthohet kursesi;
Ikën me lum nëntoksor,
Ose si avull në lartësi.

Liqeni yt, Shpend i madh,
Njomi Kosovën me liri,
Shpërndau kumte trimërie:
“Unë bie, të rrosh ti!”

U përleshe me armiqtë,
Në beteja, ku fitove,
Me vëllezër kosovarë,
Shqipërinë lartësove.

Lumi i gjakut tënd në deje na rrjedh;
Ndiejmë dhimbie, s’të kemi këtu,
Ti pulson tani në emra rrugësh,
Në listën e heronjve gjithashtu.

Heroizmi yt, dritë e pashuar,
Vepra jote ngihet mbi spektrin e mbretërve,
Ngjan si meteor i tejflakëruar,
Je shpend flamuri, në jetë të jetëve!

7. REFERIMI IM

Gruaja e parë, nëna ime e qeshur e fortë,
Gruaja e dytë, gjyshja ime zonjë,
Gruaja e tretë motra ime nuse dhe nënë,
Gruaja e katërt, unë kur u bëra vetë Hënë.

Emancipimi i gruas për mua, një mbledhje grash,
Eskursion me kolektivin e mamasë,
Sarafani i shkurtër ngjyrë gri në sytë e mi si fëmi,
Mbrëmjet e grave kur s’më merte, rrija vetëm në shtëpi.

Mamaja, faktor vendimtar në familjen cilësore,
Me fustanet me lule, klimë pranverore,
Pantallona ajo s’kish por vetëm brerore,
Dashuria, ngjasimi me nënën, e para mësonjtore…

8. GËRSHËRA

Unë dhe një djalë, të panjohur në këtë botë,
U pëlqyem, u martuam, u bëmë gërshërë e plotë.
Na lidhi fëmija ynë, na bëri më të fortë.

Fëmija u rrit dhe pret figurina revistash tani,
Pa ditur që për gërshërën prindër,
Vidë lidhëse është ai.

Në varreza, sado lule të ketë, nuk është kurrë pranverë.

17.10.2021

9. ZILITË E MIA

Kujtoj se në rininë time kisha zili,
Vajzat e gjata, gjimnastet, balerinat.
E “gozhduar” financiere në zyrë,
Ngjaja me partitarët, bilancet, shkresurinat.

….

Kur kisha dy femije djem, kisha zili,
Ata, që drejt të ardhurave bënin vrap.
Zilitë e bardha, na nxisnin në garë,
Të përparonim me vrap, jo me hap…

…Sot, që jam pa Arielin tim, kam zili,
Jetën e lumtur t’a ktheja përsëri.

Në varreza, sado lule të ketë, nuk është kurrë pranverë.
Edhe nëse jeta vazhdon,
Vazhdon ndryshe me dhimje që s’mbaron…

19 Tetor 2020

10. KRAHASIM

Qënia ime është e re sa zjarri,
Dhe e vjetër sa magma.

Poezia ime është e re sa grimca,
Dhe e vjetër sa Toka.

Dashuria ime është e re sa vesa,
Dhe e vjetër sa uji.

Vijimësia ime është e re sa drita,
Dhe e vjetër sa Dielli.

Mëmësia ime ështe e re sa fryma,
Dhe e vjetër sa ajri.

Motoja ime është e re sa ngrohtësia,
Dhe e vjetër sa dashuria.

Tragjedia ime është e re sa dhimbia,
Dhe e vjetër sa tragjeditë.

18 Tetor 2020

FLORA THOMA LARA (AGOLLI)

1 KOMENT

  1. Krenohesha se te njihia e te lavderoje,
    Po se ishe poete, si lexova sot u kenaqa,
    Te lumte ajo PENE, komanduar mendja yte,
    U kenaqa dhe s’gjej fjale t’iu pershendesia;

    Dita NJEMIJE – Flora JONE – dhe POETE !

    Toronto 21-04- 2021, Guri Naimit D.

Komentet janë mbyllur.