GJUHA AMTARE SI LËNDË MËSIMORE DHE SI GJUHË MËSIMORE

0
2063
Zymer Mehani - bibliotekë

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Gjuha amtare, përveç se është lëndë mësimore, njëkohësisht është edhe gjuhë mësimore. Kjo e dhënë i obligon edhe arsimtarët e lëndëve të ndryshme mësimore që përdorimit të gjuhës standarde shqipe t’i kushtojnë vëmendje shumë më të madhe. Sepse, edhe mësimdhënësit e lëndëve të tjera, në një mënyrë, janë arsimtarë të gjuhës shqipe, ngase përmes gjuhës amtare, i shpjegojnë njësitë mësimore. Ndërkohë, është e ditur në teorinë e mësimit se nxënësit janë të prirur t’i përvetësojnë shprehjet gjuhësore të arsimtarit, të bindur se ato janë të drejta.

Arsimtari, në orë të mësimit, duhet ta flasë dhe ta shkruajë drejt gjuhën standarde. Ai duhet të flasë rrjedhshëm, qartë, t’i ketë gjithnjë parasysh aftësitë psikologjike dhe fizike të nxënësve dhe stilin që përdor para tyre, t’i zgjedhë konstruktet gjuhësore sipas përjetueshmërisë së tekstit dhe të ndodhive që i zbërthen, të mos përdorë fjalë dhe shprehje të pakuptueshme për nxënësit, p.sh., në një orë mësimi në klasën e pestë, arsimtari përdor, ndër të tjera, edhe këto fjalë:

promovim, ese, opus, symbol, atribut etj., të cilave, si të pakuptueshme që janë për nxënësit e shkollës fillore, duhet t’ua sqarojë domethënien ose t’i përdorë sinonimet e tyre më të kuptueshme për aftësitë e nxënësve të këtij niveli shkollor; të shprehet me fjalë më të shkurtra dhe të mbështetura mire nga ana semantike e sintaksore, të bëjë nyjëtimin e tingujve gjuhësorë sipas parimeve fonetike-fonologjike në aparatin e të folurit dhe këtë t’ua shpjegojë edhe nxënësve, t’i korrigjojë trajtat e gabuara gjuhësore të nxënësve në të folur dhe në të shkruar në tabelë, në fletore etj., të ndjekë me interesim literature më të re gjuhësore si dhe ndryshimet eventuale si rezultate të hulumtimeve të reja shkencore-gjuhësore etj.

“Në gjithë veprimtarinë e shkollës është e domosdoshme që të përdoret një gjuhë standarde e përpiktë, e pastër dhe e kulluar, duke synuar që jo vetëm gjuha e teksteve të jetë plotësisht e normuar, e njësuar, por edhe që të folurit e mësuesit e të nxënësit të çlirohet nga të gjitha luhatjet e ndikimet dialektore, të vihet në përputhje të plotë me gjuhën e tekstit” (Grup autorësh, Gjuha letrare shqipe (Elemente të normës së sotme letrare), Prishtinë, 1984, f. 5).

Në shpjegimin e çështjeve gramatikore, shembujt duhet t’u prijnë rregullave, ashtu siç e kërkon metodika e gjuhës dhe përkufizimet t’i mbështesë në shembuj, që të jetë më shumë praktik dhe më pak teorik e që është në frymën e parimeve didaktike-mësimore dhe të mësimdhënies së reformuar; Shembujt për shpjegimin e njësive gramatikore duhet të merren nga konteksti i veprave letrare ose nga teksti i përpiluar nergut për njësinë e caktuar gramatikore, sepse është më praktike dhe më e kapshme për nxënës dhe jo me fjali të shkëputura, siç veprohet shpesh në orët e këtilla; -të organizojë punën në grupe të vogla nxënësish dhe, pas shpjegimeve përkatëse, t’u jepen detyra që vetë nxënësit ta përmirësojnë njëri-tjetrin, strategji kjo e mësimdhënies, e cila aktivizon vetë nxënësit dhe nxit punën e pavarur të të gjithë nxënësve.

-të zgjojë të nxënësit interesimin për krijimtarinë letrare për fëmijë, t’i udhëzojë nxënësit për ta kërkuar dhe për ta krijuar shprehjen e bukur artistike dhe të organizojë edhe orë letrareë – t’i formulojë drejt dhe në mënyrë precise pzetjet që ua shtron nxënësve, sepse, në pyetje të përgjithësuara, siç bëhen shpesh, p.sh., “Na thuaj diçka për republikën e Kosovës”? etj., nxënësi nuk di nga ta fillojë përgjigjen; -t’i ketë parasysh: mënyrën e të shprehurit dhe teknikën e të
folurit: tempoja, toni, sipas nevojës, intonacioni, pushimi, shenjat e pikësimit etj.

Nga këto që u thanë, përfundojmë me faktin se gjuha standarde në shkollë, posaçërisht përdorimi i drejtë i saj, duhet të jetë detyrë parësore për mësimdhënësit në përgjithësi, e veçanërisht për arsimtarët e gjuhës shqipe, në mënyrë që këta të jenë model i kultivimit të kulturës gjuhësore si në të shkruar, po ashtu edhe në të shprehur, në mënyrë që nxënësit ta kuptojnë rëndësinë që ka gjuha shqipe dhe gradualisht t’i përvetësojnë rregullat gramatikore të saj. Nga kjo pikëpamje, pa përjashtim, të gjithë mësuesve dhe arsimtarëve u vihet përpara obligimi që të flasin dhe të shkruajnë sa më mirë në gjuhën standarde, sepse shkolla është vendi më i përshtatshëm për ta kultivuar kulturën gjuhësore.

Prof. dr. Hasan Mujaj me të drejtë thotë se “Shkolla është vendi më i autorizuar ku nxënësit, ndër të tjera duhet ta përvetësojnë përdorimin e drejtë të gjuhës standard, sin ë formën e shkruar, ashtu edhe në formën e folur” (Hasan Mujaj, Favorizimi i antivlerave, Prishtinë, 2005, f. 182, 183).