Zymer Mehani
Në përvjetorin e rënies
Më 18 prill 1999 edhe fshatarët e Bellopojës u larguan nga shtëpitë e veta për t’u strehuar gjetiu dhe për t’u shpëtuar reprezaljeve të forcave militare dhe paramilitare serbosllave. Edhe në këtë fshat hynë bandat e egra çetnike dhe ushtria e policia serbe, ku dogjën shumë shtëpi, plaçkitën gjithçka, por vranë edhe disa fshatarë. Në një gjendje të tillë u ndodh edhe fshati Bellopojë, i cili nuk u kursye, por në mënyrën më barbare u demolua, duke shkatërruar çdo gjë që ishte e vlefshme për banorët. Ishin dëmtuar prej dorës çetnike pjesa më e madhe e shtëpive.
Fatkeqësisht edhe Bellopoja pësoi mjaft nga lufta, si ekonomikisht, po ashtu edhe në viktima. Lufta mori pra edhe viktima, si nga radhët e luftëtarëve të UÇK-së, ashtu edhe nga popullsia civile. Gjithashtu edhe Shaban Beqir Avdiu (1971-1999) nga Bellopoja ra me armë në dorë duke mbrojtur popullsinë civile në fshatin Sharban, më 18 prill 1999. Ky ushtar i UÇK-së vetëm pak vjet më parë e kishte kryer shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm mu në bankat e shkollës së Tërrnavës.
Menjëherë pas përfundimit të luftës (13 qershor 1999) popullsia filloi të kthehej në vatrat e veta (të cilat i gjeti të shkatërruara dhe të bëra shkrumb e hi) për ta vazhduar sërish jetën.Mbi popullatën civile shqiptare u bënë krime të luftës të kryera nga forcat qeveritare serbe e jugosllave në Kosovë nga 24 marsi deri më 12 qershor të vitit 1999 – periudhë që përkon me kohëzgjatjen e fushatës së bombardimit të NATO-s mbi Jugosllavi. Okupatori serb me makinerinë e tij vrastare, ushtrinë dhe policinë, si dhe me formacionet paramilitare ndërmori një fushatë të koordinuar dhe sistematike për të terrorizuar, vrarë e dëbuar shqiptarët etnikë të Kosovës, e cila u organizua nga nivelet më të larta të qeverive serbe e jugosllave të asaj kohe.
Gjatë luftës, veçanërisht në pranverën e vitit 1999, dhjetëra civilë shqiptarë, pasi i vranë e i masakruan, forcat serbe i hodhën në puse (bunarë) të ujit të pijshëm anembanë Kosovës, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit. Ky rast është ndjekur nga Josef Martinsen, koordinator i UNHCR-it dhe Ndihma e Kishës Norvegjeze në programin e emergjencave “Nxjerrja e trupave nga puset në Kosovë”, korrik 1999-mars 2000.
Ja çfarë shkruan ky humanist për ngjarjen e Bellopojës, në librin e tij “Puset e vdekjes në Kosovë”:
“18 prilli në Bellopojë
Të dielën e 18 prillit, bombardimet nga NATO-ja kanë hyrë në javën e katërt. Fuqitë Evropiane filluan të diskutojnë pushimin e bombardimeve me qëllim që Millosheviqit t`i epet një mundësi për ndërprerjen e spastrimit etnik, ky skenar ishte trishtues për gjeneralin Clark dhe sekretarin gjeneral të NATO-s Javier Solana. Ndërprerja eventuale e bombardimeve do t`i shkatërronte të arriturat e deritanishme të NATO-s, ndërsa do t`i jepte shumë shans të madh regjimit të Millosheviqit në spastrimin etnik të Kosovës. Në fshatin Bellopojë edhe në këtë të diele u kryen disa vrasje në pus.Hajdin Hajdini (65-vjeçar) dhe Rexhep Hajdini (80-vjeçar) u gjetën të vrarë në pus, në oborrin e Hajdinit, më 18 qershor 1999”.
Hazir Hajdini, djali i Rexhep Hajdinit, tregoi se pasi u kthyen në fshat pas dy muajve, i gjeti trupat e të atit dhe xhaxhait të tij në pus. Personi i tretë i vrarë në afërsi të këtij pusi ishte Muharrem Hajdini. Hazir Hajdini më tutje tregon se në një mur të shtëpisë së tyre ishin të shkruar tre emra serbë. Që të tre të vrarët ishin varrosur në afërsi të shtëpisë së tyre.
REXHEP (HAZIR) HAJDINI
Rexhep (Hazir) Hajdini u lind në fshatin Bellopojë të Podujevës, më 25. 03. 1925. Qysh nga mosha e re nisi të punojë punë nga më të ndryshmet, por shquhej me talentin e tij të rrallë në lëminë e ndërtimtarisë dhe ishte në Llap dhe më gjerë si mjeshtër i dalluar i ndërtimtarisë. Thuajase çdo çati e shtëpive të fshatrave Halabak, Bellopojë e Tërrnavë, por edhe gjetiu ishte ngritur nga duart e tij të arta dhe nga të gjithë njihej dhe nderohej e respektohej si punëtor i urtë dhe i vyeshëm.
Me shpërthimin e luftës sonë çlirimtare, më 1999, edhe Rexhepi me vëllezërit e tij, Hajdinin dhe Muharremin kishin dhënë një besë dhe ishin betuar për të mos i lëshuar shtëpitë, por ato do t’i mbronin deri në fund të jetës së tyre. Ata qëndruan të pathyeshëm gjer në frymën e fundit, duke i mbrojtur pragjet e shtëpive dhe nderin dhe krenarinë e shqiptarizmit.
Në ofenzivën e 18 prillit të vitit 1999 që ndërmori okupatori edhe ndaj Llapit dhe fshatit Bellopojë, meqë bandat kriminale serbe nuk ia dolën që Rexhepin ta zinin të gjallë, sikurse Muharremin dhe Hajdinin, ata çetnikë të pështirë këtij burri shqiptar iu hakmorën për së vdekuri, duke e hudhur trupin e tij të pajetë në bunarin e të vëllait, Hajdinit.
Ky atdhetar, punëtor dhe trim ishte i martuar dhe pas vetes la një familje tejet të mrekullueshme, që gjithmonë ishte në shënjestër të okupatorit serb. Rexhep Hajdini pas vetes la dy djem dhe dy vajza. U vra në përleshje me bandat çetnike, më 18. 04. 1999, në oborrin e të vëllait të tij, në Bellopojë.
Lavdi përjetësisht këtij trimi!
U prehtë në paqe në tokën e atdheut!
MUHARREM (HAZIR) HAJDINI
Muharrem (Hazir) Hajdini u lind në fshatin Bellopojë të Podujevës, më 26. 08. 1932 në një familje punëtore dhe atdhetare që gjithmonë i ndejti karshi okupatorit serb. Shatë klasë të shkollës fillore Muharremi i kreu në Tërrnavë, kurse mësimet e tjera nuk i vazhdoi për shkak të kushteve ekonomike të pavolitshme. Për të siguruar ekzistencën e familjes, mori rrugën e kurbetit, si shumë bashkëvendës të tij dhe ngase ishte punëtor dhe e donte punën, me djersë e mbante familjen e tij, duke punuar nëpër vise të ndryshme të ish-Jugosllavisë gjersa u pensionua. Po ashtu, edhe në fshat Muharremin e njihnin si bujk dhe punëtor të dalluar. Edhe pse ishte i moshuar, ai vazhdimisht kohën e çonte duke punuar.
Periudhën e viteve ’90 dhe shpërthimin e luftës Muharremi e përjetoi rëndë. Shpesh familja e tij u bastis nga policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, duke e maltretuar me tërë familjarët. Por, këto bastise rezultonin gjithnjë pa sukses për okupatorin.Sikurse të gjithë shqiptarët atdhedashës, po ashtu edhe Muharremi paraqitjen publike të UÇK-së e priti i entuziasmuar dhe me gëzim tejet të madh, për të cilën ndihmë morale, por edhe materiale e dha edhe i biri i tij, Raif Hajdini, që e ndihmoi luftën dhe UÇK-në në lëmine e logjistikës.
Edhe pse ishte i shtyrë në moshë, Muharrem Hajdini pati vizituar të gjitha pikat e ZOLL-it, duke hecur këmbë me kilometra të tëra me të vetmin qëllim, që të aktivizohej në radhët e UÇK-së, por dëshira e tij mbeti e parealizuar nga shkaku i moshës së shtyrë.Edhe babai i Muharrem Hajdinit, Haziri ishte luftëtar i LDB-së, që u vra në fshatin Gegaj të Llapit, më 1943.
Edhe Muharremi, si shumë të tjerë, ishte betuar për të mos e lëshuar pragun e shtëpisë. Kur bandat militare dhe paramilitare iu kishin afruar shtëpisë së tij, xha Muharremi i kishte pritur me plumba, ashtu siç pritet armiku shekullor, gjersa i qenë harxhuar të gjithë. Bacë Muharremi qe goditur nga një snajperist serb mu në këmbë, dhe ashtu me plagë të shkaktuara e nisi duelin fyta-fyt e dhëmbë për dhëmbë me paramilitarët dhe çetnikët serbë, me ç’rast në një moment, i vërsulet një paramilitari duke ia rrëmbyer automatikun , por në ato çaste goditet për vdekje nga rafalët e një paramilitari tjetër, duke rënë kështu në mbrojtje të truallit, ku u lind dhe u rrit, ashtu siç u ka hije atdhetarëve të vërtetë.
Qëndresa dhe heroizmi i pashembullt i bacë Muharremit ishte tmerr për hordhitë çetnike serbe, por frymëzim atdhedashurie për brezat tanë që do të vijnë. Atë arritën që ta eliminojnë fizikisht, por nuk ia dolën që ta vrasin idealin e tij për lirinë e atdheut, me të cilin ideal sot po rriten nipërit dhe mbesat e tij, gjithmonë me kujtimin për bacën Muharrem, me të cilin ndjehen tejet krenarë.
Ky trim dhe burrë i Bellopojës ra për lirinë që sot po e gëzojmë duke i bërë nder fshatit ku u lind dhe u rrit, Llapit, Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Ai ra në altarin e atdheut, bashkë me dy vëllezërit e tij, Rexhepin e Hajdinin, po ashtu trima të shquar.S’ka dyshim se bacë Muharremi do të mbetet shembull heroizmi për ne të gjallët se si duhet bërë sakrifica për atdhe dhe komb. Ai sa qe gjallë, prore na thoshte se liria nuk falet, por fitohet.
Muharrem (Hazir) Hajdini pas vetes la bashkëshorten, tre djem dhe vajzën. Pra, u vra në përleshje me bandat çetnike dhe kriminelët serbë në ofenzivën ndëshkuese të okupatorit, më 18 prill 1999, duke e mbrojtur pragun e shtëpisë.
Lavdi këtij trimi të Bellopojës dhe të Llapit heroik!
HAJDIN (HAZIR) HAJDINI
Hajdin (Hazir) Hajdini u lind në fshatin Bellopojë të Podujevës, më 01. 04. 1937. Rrjedh nga një familje e dëshmuar atdhetare me tradita të shëndosha kombëtare.
Në lagjen Raçi (Hajdini) të Bellopojës gjendej edhe një shtëpi e vogël përdheske, që nga pamja e jashtme nuk dallohej me asgjë nga shtëpitë e tjera të kësaj lagjeje, por edhe të fshatit. Këtu si edhe në shtëpitë tjera shqiptare të Bellopojës mbretëronte, varfëria, skamja, mjerimi dhe shfrytëzimi nga okupatori serb. Por, nga ana tjetër, aty kultivohej atdhedashuria dhe fryma e denjë e luftës çlirimtare, që te Hajdini dhe vëllezërit e tij e ushqente babai atdhetar i shquar i kësaj ane, Hazir Hajdini, i cili me punën e vet mezi arrinte t’i ushqente fëmijët e vet, ndër të tjerët edhe Hajdinin.
Kur lindi Hajdini, më 1937, familja ishte në gjendje të rëndë ekonomike, sepse edhe tërë popullata shqiptare e Bellopojës, e Llapit dhe e tërë Kosovës vuante nga skamja. Duhej shumë punë për të siguruar kafshatën e gojës. Por edhe pse nuk kishte pasuri, Haziri pati dashurinë prindore për fëmijët e vet dhe për familjen. U mundua Haziri me bashkëshorten qe te fëmijët e tyre ta ushqenin dashurinë ndaj atdheut dhe punës së ndershme. Kështu edukata që Hajdini mori në familje nga prindërit e tij pati ndikim të madh në hapat jetësorë të tij deri në atë masë, saqë jetën ia fali atdheut.
Edhe Hajdini, pra, ky trim dhe atdhetar është biri i luftëtarit të LDB-së, Hazir Hajdini, i cili qe vrarë në Gegaj të Llapit, më 1943.
Hajdini fëmijërinë e kaloi në fshatin e tij të lindjes. Qysh herët, në moshë fare të re, u detyrua të punojë punë të ndryshme nëpër vende të ndryshme për ta siguruar ekzistencën e familjes. Me djersë, mund dhe sakrifica të mëdha e fitoi edhe pensionin, pak vjet para se të shpërthente lufta.Edhe Hajdini, bashkë me vëllezërit e tij, Rexhepin dhe Muharremin, kishin vendosur që bandave çetnike serbe t’u dilnin ballë për ballë, të cilat donin që të shkilnin nderin dhe krenarinë shqiptare.Pas një rezistence të armatosur kundër bandave paramilitare dhe militare serbe, ata u kacafytën me kriminelët serbë, derisa u vranë, kurse trupat e tyre të pajetë paramilitarët i hudhën në bunarin e bacë Hajdinit.
Bacë Hajdini tregoi ndershmëri, virtyte dhe bujari sa ishte gjallë. Ai tregoi heroizëm, guxim dhe atdhedashuri që do të jenë frymëzim për brezat e ardhshëm se si duhet luftuar për atdhe dhe komb. Ky trim i Bellopojës dhe i Llapit heroik ishte i martuar dhe pas vetes la një familje të shëndoshë, gjithnjë në frymën kombëtare. I ndjeri pas vetes la bashkëshorten, dy djem dhe gjashtë vajza. U vra në përleshje me bandat çetnike, më 18 prill 1999, në oborr të shtëpisë së tij.
Lavdi përjetësisht trimit Hajdin Hajdini!…