POGRADECARI QË E NDIENTE VETEN KOSOVAR

0
399
Dhimitër Pasko

Dhimitër Pasko
(1907-1967)

Nga Sinan GASHI

Doktori i shkencës së ekonomisë (Rumani, 1934), Dhimitër Pasko, kishte lënë emër të përjetshëm me krijimtari letrare, e cila ishte edhe mjaft e begatë dhe e larmishme. Emri i tij letrar është Mitrush Kuteli, por i nënshkroi punimet në të përkoshmet apo edhe veprat e plota e recensionet e tyre me Izedin Jashar Kurtulija, Dr. Pas, e tjerë. Punën e pati filluar në Bankën qendrore rumune, në inspektoriate, e po atje nisi fillin e krijimeve letrare, njëherë po në gjuhën rumune. Edhe kur kthehet në Shqipëri (1942) nis punën prej ekonomisti, për t’u përcaktuar pastaj deri në vdekje për letërsinë, edhe pse kishte botuar një numër libradh nga lëmi ekonomik. U shqua edhe si krijues për fëmijë, edhe si kritik letrar, edhe si romansier, edhe si poet e edhe si përpilues librash të autorëve të tjerë.

Vepra poetike “Sulm e lot” është më e përkryera dhe dëshmitarja e një talenti të rrallë. Ndër të tjera shquhet “Poemi kosovar”, shkruar nga Izedin Jashar Kutrulia, më 1943 në Prizren. Poema është në përbërje prej pesë këngësh: Qëndrimi, Durimi, Sulmi, Ndërtimi, Qëndrimi.

Derisa poetët e tjerë të traditës lidhen me ngjarje dhe forcojnë mendimin përmes personaliteteve të shquara dhe bëmave të tyre, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) zbërthen tërë një histori të fatit tragjik të shqiptarit-kosovarit nën këmbën e dhunën e armikut serb. Ajo që është qenësore dhe vizionare e këtij krijuesi, i cili ndihet krenar të jetë shqiptar e mbi atë kosovar, është qëndresa. Kënga e parë dhe e pestë e poemës ka këtë titull, ka këtë mesazh.

E njeh mirë historinë që nga lashtësia, e shpreh përjetimin e dhunës, vrasjes dhe tendencave shkombëtarizuese nga armiku. Kërkon të durohet, të sulmohet, të ndërtohet vazhdimisht e po ashtu të qëndrohet. Asnjë poemë e deritanishme nuk përshkruan kaq bukur fazat e dhunës së sistemit sllav mbi kosovarin, si vrasja, shpërngulja në Anadoll, ndjekja për në Allbani. Ajo që e forconte banorin e këtyre trojeve, kosovarin varfnjak në truallin e pasur, të vrarë në oborrin e shtëpisë së tij, të ndjekur pandërprerë, është dashuria për truallin e lindjes, për gjakun që i rridhte nëpër deje që kishte gjasimin me frymarrjen e tokës së lashtë ilire-shqiptare. Mitrush Kuteli këto i ndjen thellë dhe i thotë bukur, shkurt dhe prerë. Mendimi ka kuptimin e plotë, të deklarimit poetik-historik.

Secila nga pesë këngët ka një përmbajtje, ka një mesazh që mund të mirret si i veçantë, por edhe lehtë dhe detyrimisht inkorporohet në tërësinë e poemës për Kosovën e kosovarët. Dëshmohet në fillim pra, lashtësia e vendbanimit, kërkesa për liri të mirëfilltë e pa padron. Gjithashtu sfidon kërkesat serbo-malazeze se ky ishte vend i tyre. “Se jam këtu kur Mali i Zi/ish Iliri;/Kur nga një det në tjatrin det/Isha zot vet!”.

Kënga e dytë Durimi, është deklarimi më konkret i një njeriu, i një familjeje, i një tragjike:

Se babën t’im m’a vranë
Naçallnikët,
Podporuçnikët,
Edhe gllavnikët.

Në këtë mision pastaj rekurtohen agrarët, tugjarët, xhandarët. Represioni pastaj vjen me vrasjet, dhënien e armëve për vëllavrasje, përzënien për në Turqi apo të mirrte rrugët e kurbetit si punëtor krahu, sharraxhi e çka jo. Për padronët “raja ndër raja”. Megjithatë besimi për të ardhmen e lirë nuk shuhet, se këtu ishte malli i tokës, i gjakut, i vatanit.

Po prita
Dhe prita
Të vijë dhe për mua
Dita!
Tani,
Tani
Liri!

Kënga e tretë – “Sulmi”, është kërkesa për thyerjen e kufinjve, atyre që u vunë padrejtësisht, se atje “ngrite kufij/që ndanin, / e qanin/ vëllezëri:”. Në krahasim me pjesën paraprake, ky është shumë i shkurtër, por sërish me optimizmin për zhdukjen e asaj që krijon pakënaqësinë, dhunën, ndarjen.

Kënga e katërt –“ Ndërtimi”, mesazhi vjen nga balta, nga ajo baltë shqiptare ku prehet babai i vrarë, që të mbrohet toka me çdo kushte, sepse ekziston tradita shekullore e rezistencës.

Të pashë të vrarë, or Baba,
E pa qefin si për hata,
Rreth e përqark me xhandërma.
Desha të qajë e s’qava dot,
E të bërtas, s’bërtita dot,
Pa asnjë lot, pa asnjë lot.

Kënga e fundit – “Qëndrimi”, sikur është mesazhi i këngës së parë. Lashtësia, autoktonia dhe lëvizja për liri potencohet, duke mos parë asgjë para atdheut e lirisë së tij, se “përmbi fe./ E kam Vatan! E kam Atdhe!”. Andaj edhe përfundimi vjen kështu bindës:

Se jam këtu nga moti
Kur vetë zoti
E bëri fushën – fushë
E malin mal
Unë jam këtu
E do të jem
– dem baba dem –
– sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri!

Shtrirja tematike e çështjes këtu është e shprehur mjaft bukur, duke përdorur sensin e masës, shprehjen e lehtë poetike dhe domethënien e qartë dhe jetëgjatë historike.

Njeriu që e përjetoi më së rëndi ndarjen, çarjen por dhe më me forcë e potencoi optimizimi për ardhmërinë e lumtur, është Mitrush Kuteli, qoftë si Dhimitër Pasko, si Dr. Pas, apo edhe si Izedin Jashar Kurtulija. Përmes vargut dinamik, të prerë dhe domethënës, pa e rënduar faktografia e vrazhdë e jetës reale, bënë që poeti t’i plotësojë dy kërkesa, të cilat nisën fillimthi si kërkesa personale: të krijojë art letrar dhe të shprehë ngarkesën shpirtërore të fatit kombëtar tragjik.

Jo vetëm në këtë poemë që u botua në vëllimin e përmendur më herët, edhe në veprat e tjera nuk i largohet asnjëherë qoftë temave historike shqiptare, qoftë atyre folklorike, të cilat do ngriten në gradën artistike – detyrë kjo e çdo krijuesi të mirëfilltë. Edhe titujt e veprave sikur deklarojnë këtë që në fillim, si Net

Shqiptare, Tregime të Moçme Shqiptare, Baltë nga kjo tokë, Në një cep të Ilirisë, e tjerë.
Forca e dashurisë ndaj atdheut dhe artit bëri që tërë përgatitjet e specializuara në lëmin e ekonomisë, t’i zëvendësojë me fjalën e bukur, me fjalën domethënëse dhe funksionale në raport me shoqërinë, njeriun shqiptar të dëshirave të vonuara në realizimet e tyre.

POEM KOSOVAR

Kënga e parë

QËNDRIMI

Jam shqiptar
e kosovar:
Zot e krenar,
– Zot e bujar –
mbi këtë Dhe,
q’e kam si fe’,
e përmbi fe:
E kam Vatan!
e kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që bres pas bres,
që gjithmon!

Ti shkja thërrt,
ti shkja bërtet,
gjer lart në ret:
se jam barbar.

Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mali i Zi.

Po vendin t’im e dua,
lirin e dua, –
e s’dua, –
zot
mbi mua.

Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.

Se jam këtu kur Mali i Zi
ish Iliri;
Kur nga një det në tjatrin det
isha zot vet!

Un jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.

Un jam këtu e do të jem
– dem baba dem –
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri!