SHQIPTARI dhe PENSIONI

0
377
Pensioni

Shënim

Arben Çokaj

Sa më shumë punëtorë të jenë në Shqipëri sot, aq më shumë kontribues ka për pagimin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, aq më shumë do ketë para në kasën e pensioneve dhe pensionet do të jenë relativisht më të larta. Nëse nuk paguan kush, nuk ka si të ketë as pensione të larta! Pra, është një llogari e bërë, që varet nga kontributet e atyre që punojnë!

Sigurimet shoqërore paguhen për të paguar kontribut për pensionin dhe për shërbimin shëndetësor, aq sa mund të marrësh tek ne në Shqipëri. Për aq sa paguan, në fakt edhe merr pension apo shërbim shëndetësor falas në Shqipëri. Më keq paraqitet situata në disa vende të tjera, që mbahen edhe për demokratike dhe të zhvilluara e më të pasura.

Shteti shqiptar me aq mundësi sa ka, mban edhe vijueshmërinë – ai paguan pensione edhe për ata njerëz, që kanë vite pune në kohën e komunizmit. Nëse kasa e pensionit nuk mbushet nga kontribuesit e rinj, ajo ka më pak para për të paguar pensionet eksistuese dhe të ardhëshme. Kjo është logjike, për ata që e kuptojnë.

Por Kola X ka punuar në Shqipëri, ka punuar në të zezë a kushedi edhe nja 10-15 vjet në Greqi, ku nuk merr asnjë kokërr leku pension, pastaj shkoi edhe në Amerikë, edhe atje punoi sa punoi në të zezë, dhe nuk merr as atje pension. Kështu i ka mbetë vetëm pensioni i punës në kohën e komunizmit… e ai vetëm, nuk mjafton. Ai pension nuk është i lartë, edhe kur ke vite të plota pune, e jo më për Kolën X, që del disi më i vogël, se nuk i ka vitet e plota të punës në atë kohë se shkoi emigrant më 1990. Kështu Kola tani ankohet se Rama i paguan atij një pension të vogël… Por pensionin nuk e paguan Rama…

Ajo që është paksa e pakuptueshme me këta shqiptarë është se në Shqipëri këta nuk duan të paguajnë as sigurimet shoqërore – sillen sikur u ka dikush borxh, dhe shajnë apo kërkojnë llogari gjithë kohën. Shajnë komunizmin dhe nga ana tjetër duan që shteti t’i mbajë pa punuar e pa kontribute – tipar ky i komunizmit. Por shteti kapitalist nuk mban kënd, nëse nuk ke kontribute, nëse nuk ke paguar më parë. Pra, këta shajnë komunizmin dhe nga ana tjetër duan që shteti shqiptar sot t’i mbajë pa punuar ose t’u japë pension të lartë pa kontribute. Kjo gjendje, natyrisht që i zhgënjen!

Pastaj e duan edhe pensionin e madh, kurse Greqisë apo Amerikës, ku kanë punuar më parë, në të bardhë apo në të zezë (ku nuk kanë dhënë kontribut), nuk i kërkojnë asgjë dhe e kuptojnë këtë punë. Kurse Shqipëria, sipas tyre ka për detyrim me i mbajtë ata, po si? Ku me i marrë Shqipëria paratë, kur Greqia apo Amerika nuk kanë?

Pra, shqiptarë të dashur, për të mos përfunduar si Kola X, duhet që kur punoni të paguani edhe sigurimet shoqërore, kontribuoni edhe për kasën e pensionit, dhe duhet paguar për disa vjet, për të marrë një farë pensioni, sepse sasia e pensionit varet edhe nga vitet e punës, që një person paguan për të! E kjo, jo vetëm në Shqipëri!