ARKETIPI I PAVETËDIJES KOLEKTIVE

0
377
Romani Malësorja i Nazmi Rrahmanit

Kritikë letrare

Fragment nga studimi: “KARAKTERI dhe ARKETIPI”, në romanin“MALËSORJA” të Nazmi Rrahmanit.

Shkruan: Shefqet Dibrani

Sipas teorisë së psikoanalistit zviceran Karl Gustav Jung, “Hajria nuk u bë Heroinë vetëm duke imagjinuar të mirat, ajo u bë Malësore (heroinë e romanit) vetëm për shkak se i ka kundërshtuar veprimet e shëmtuara!…” 

Arketipi, ka kuptimin e fillimit, trajtës, tipit që formohet në gjenezë, d.m.th. ekzemplari i parë – origjinali, ndërsa në gjuhësi ka kuptimin “trajta fillestare më e vjetër e një fjale nga e cila krijohen fjalë të përbëra (kompozita), kuptimi fillestar i fjalëve”. Në planin letrar, kemi të bëjmë me aspekte, “natyrore” (organike),  “logjike” (shkakore), “historike” (rendi dhe uniteti i komplotit), të gjithë këta parametra e kanë përcaktuar dramën e ngjarjes në romanin “Malësorja”, të Nazmi Rrahmanit, pasi: “E para lejon lirinë, qartësinë, indiferencën, e dyta zgjon pritje, padurim, interes patologjik”, dhe të gjitha këto përbëjnë mozaikun e vlerës letrare për të cilen ne po angazhohemi.

Përkufizimi letrar i nocionit “Arketip”

Arketipet janë mënyra në të cilën shprehen një sërë përvojash dhe kujtimesh në lidhje me paraardhësit. Me fjalë të tjera, secili personazh zhvillon një seri arketipesh, varësisht prej rastit dhe çastit. Në këtë mënyrë, arketipet e romanit “Malësorja“, kanë mbrojtur idenë kryesore të veprës, (braktisjen e dogmave), nëpërmes veprimit që kategorizohet si pavetëdije e turmës kundër individit.

Parë nga ky prizëm, të gjitha personazhet e romanit “Malësorja“, iu referohen tipareve të përbashkëta mendore, të cilat zhvillohen propercionalisht dhe në raport me rrethanat e ngjarjes kanë ndikuar në vetëdijësimin e Hajries. Një nga pasionet më të mëdha të Karl Gustav Jungut, ishte arkeologjia dhe ky pasion ndoshta rezultoi në vetdijën e tij, për të nxjerrë teorinë rreth arketipeve si struktura ekzistuese dhe universale në pavetëdijen njerëzore.

Tamam ashtu siç e kemi thënë edhe më parë, Arketipi, më shumë ka të bëjë me atë çfarë krijohet në fillim, d.m.th. me origjinën, për të sajuar pastaj modelin që do të ketë trajtë e formë të subjektit me kompozitat e saj.

Arketipet e Karl Gustav Jung në romanin “Malësorja”

Arketipet e Karl Jungut, janë forma – modele univerale, d.m.th. pjesë e pavetëdijë kolektive, një homologim psikik i instiktit. Ato kanë të bëjnë me imazhin e dukurive, dhe me mënyrën e sjelljes së personazheve të cilët brenda atyre rrethanave ndërtojnë personalitetin, e pastaj nëpërmes tyre shpjegohen një varg imazhesh mendore, në varshmëri me këto personazhe që i ndeshim në romanin “Malësorja”.

Hajria, është ajo gruaja e mençur, dhe padyshim ajo është heroina e veprës, (kurse autori i ka dhënë epitetin Malësore), po ashtu arketipe të rëndësishëm brenda romanit janë edhe djemtë e saj, Aliu dhe Sabiti, sidomos në raport me nënën dhe qëllimin e saj kryesor për t’i braktisur zakonet dhe dogmat arkaike.

Sipas Karl Jungut, arketipet janë forma që i jepin imazh autonom personazheve, veprimi i të cilëve shijohet si proces i pavetëdijës kolektive, pasi ata nuk kanë arritur të zhvillohen individualisht, ndonëse kanë gjeneruar ngjarje të shumta, kryesist nëpërmes ndikimit të kontekstit sociokulturor (zakoneve). Lloje të arketipeve janë zhvilluar tek secili personazh i veprës në fjalë. Këto veti karakteristike, edhe për romanin “Malësorja”, barten nga personazhi në personazh, ose nga gjenerata në gjeneratë, për të krijuar vijimësinë arketipe e përshtatshme për secilin personazh të romanit.

Në këto raste ndikimet kulturore dhe rrethanat patriarkale (si zakone paraardhëse), janë të pashmangshme, prandaj janë  ndikues në arketipet e personalitetit të Hajries. Problemet që ishin grumbulluar, pa fajin e saj, kanë ndikuar në pavetëdijen e personazheve, të cilët shpesh herë, nga pavetëdija, kanë përcaktuar sjelljen dhe vetëdijen psikike të Hajries, e pastaj edhe te të tjerëve.

Ndikimi i rrethit dhe i shoqërisë është i pashmangshëm në zhvillimin e arketipeve që janë model i imazheve, edhe i simboleve, ato janë shfaqur si forma të pavetëdijes kolektive, dhe janë rezultat i zakoneve të kaluara, të cilat në formë imazhesh janë zbërthyer për gjatë ngjarjeve dhe ndodhive në romanin “Malësorja”. Vlenë për t’u theksuar, disa nga bisedat dhe sjellja e personazheve, bashkë me reagimet e tyre, herë – herë emocionale, kanë tipizuar disa nga mënyrat për t’i dalluar arketipet, dhe në raste të caktuara, arketipet me ngarkesë negative, janë të njohur për nxitje dhe intriga, prandaj aty ku ka pasur mundësi edhe janë izoluar, (le të kujtohet izolimi që iu ka bërë Sabitit, për ta detyruar atë të heq dorë nga gjakmarrja).

Për të dalluar më mirë se çfarë është arketipi Karl Jungu, pos të tjerash e ka marrë hijen e cila përfaqëson pavetëdijen e njeriut. Pra forma e njeriut e shndërruar në hije është një model arketipi, pastaj “nga njëra anë, hija është një arketip që përfaqëson tërësinë e pavetëdijes. Së dyti, hija i referohet aspektit të pavetëdijshëm të personalitetit të njerëzve, karakterizuar nga tipare dhe qëndrime që egoja e vetëdijshme nuk i njeh si të vetat.”

Shikuar nga ky prizëm, edhe personazhet e romanit janë arketipe, ndërsa individi është antagonist ndaj hijes. Kjo do të thotë, se personazhi antagonist, i referohet aspektit të pavetëdijshëm të vetvetes që dikush dëshiron ta ndajë me të tjerët. Në këtë kuptim, edhe “uni” i individit është “imazhi arketip i tërësisë,” i përjetuar si një fuqi transpersonale që i jep rëndësi dhe kuptim jetës. Në shqyrtimin tonë, Hajria, edhe si nënë që ishte, përbën një imazh arketipal përmes së cilës zbulohet përkushtimi i saj deri në flijim që lidhen me amësinë, pastaj Malësorja, si epitet, është figura më e rëndësishme që përfaqëson arketipin i cili i referohet imazhit të fuqisë së brendshme, e që karakterizohet nga luftimi i hijes (pavetëdijes), do me thënë nga ajo pjesë e pavetëdijes që vetëdija e refuzon.

Pra, epiteti Malësore, është sinonim i Heroinës, është vlerë zakonore, së këndejmi është një arketip i romanit, që lufton me vendosmëri kundër hijes, në një mënyrë jo reflektuese, por spontane dhe me durim admirues. Në këtë kuptim, njeriu i mençur sjell reflektim dhe racionalitet në performancën e vet. Malësorja, epitet i zonës, por njëkohësisht Heroinë e romanit, karakterizohet nga këto veti, ajo përmes mënyrës së sjelljes i ka zhvilluar dhe i ka përshtatur efektet e veprimit, kurse “ëndrra e saj është dimensioni më magjik i së ardhmës dhe i shpresës për pafajësinë e saj.

Arketipi, ose pavetëdija kolektive

Arketipet në romanin “Malësorja”, janë personazhe të mahnitshme, qofshin edhe si pavetëdije kolektive, ato janë elemente të fuqishme në prozën e shkrimtarit. Kuptimi i arketipeve të fut më mirë në thellësinë e botkuptimit të veprës, që është qasja më psikoanalitike për fenomenet dhe proceset nëpër të cilën kalonte shoqëria.

Leximi i kujdesshëm mundëson për t’i identifikuar më mirë arketipet, dhe në të njejtën kohë për ta njohur më mirë edhe qëllimin e personazheve që pasqyrojnë historinë e trevës si sjellje universale e shoqërisë patriarkale. Andaj, Hija përfaqëson pamjen e anës së errët, aspektet e pashprehura, të parealizuara ose të refuzuara të diçkaje. Fytyra e hijes është, antagonizëm i reales. Hijet mund të përfaqësojnë potenciale të pashkelura, të tilla si afeksioni, krijimtaria ose aftësia psikike e cila nuk shprehet.

Epiteti Malësore, tashmë është rrënjosur në historinë e shkolllës shqipe në Kosovë, prandaj është edhe arketipi më përfaqësues i arsimit shqip, gjatë shekullit të kaluar. Malësorja, e cila njëkohësisht është Heroina e veprës, e tejkaloi fantazmën e ideologjisë komuniste që kishte synim zhdukjen e tërsisë dhe të etnisë shqiptare në këto treva.

St. Gallen, 15.04.2021