PROZA E SOTME SHQIPE NË OPTIKËN STUDIMORE TË PREND BUZHALËS

0
2626
Prend Buzhala - Amëza e rrëfimit

(Prend Buzhala: Amëza e rrëfimit, botoi “Rozafa”, Prishtinë, 2012)

Nga Isak A h m e t i

Në vitin 2012, shkrimtari, poeti, kritiku dhe studiuesi Prend Buzhala (fitues edhe i Çmimit”studiues 2012″), ka botuar librin e tij të radhës me titull:Amëza e rrëfimit, libër ky me shkrime kritiko-letrare ku aitori ka vënë në fokus prozën e sotme shqipe, romanin dhe rrëfimin, të botuar nga autorët shqiptarë, qoftë në vitet e mëhershme apo në vitet e fundit. Ky libër, të cilin po ju paraqesim këtu, është vazhdim dinjitoz i kolanës së veprave të fundit të fushës së interesimeve kritike e studimore të Prend Buzhalës.

Në këtë libër të rrallë, në mjedisin tonë kulturor këtu në Kosovë por edhe në Shqipëri, autori në fjalë, P. Buzhala, me pedanteri dhe kompetencë profesionale, ka marrë më shqyrtim, analizë dhe vlerësim, prozën e sotme shqipe: janë 47 autorë me mbi 60 vepra në prozë( tregime, novela, romane). Në këtë vepër, do ta quaja kolosale, me mbi 500 faqe, autori në fjalë na ka dhënë një pamje ndryshe të prozës së sotme shqipe. Është me rëndësi të theksohet se me këtë libër të rrallë, studiuesi në fjalë, P. Buzhala, ka dhënë një kontribut tejet të çmueshëm në shkencën kritike letrare shqipe, ka zbuluar dhe arsyetuar me individualitet ecurinë e letërsisë moderne shqipe, ka evidentuar, siç është vlerësuar edhe me rastin e nominimit “studiues i vitit 2012” tentimet për risinë dhe mirëfillësinë e saj.

Vëprën në fjalë, autori e ka ndarë në gjashtë kapituj :
1. HOMAZH PËR ALKIMINË E RRËFIMIT (ku janë trajtuar autorë dhe vepra të autorëve që nuk janë më në mesin tonë:Vath Koreshi, Mehmet Kajrazi, Beqir Musliu dhe Murat Isaku),
2. RAMIZ KELMENDI TREGIMTAR – portreti i tij dhe veprat,
3. POETIKË E NDËRLIQSHME-profilizime krijuese: Ismai Kadare, Rexhep Qosja, Fatos Kongolli, Anton Nikë Berisha, Visar Zhiti, Diana Çuli, Jusuf Buxhovi, Ramadan Haziri dhe Gjon Marku,
4. THELLËSITË SHTRESORE TË RRËFIMIT, ku janë trajtuar veprat e sutorëve si:Elvira Dones, Daut Demaku, Nasi Lera, Ndue Deda, Brunilda Zllami, Petrit Palushi, Bajram Sefaj, Tonin Çobani, Halil Zendeli, Halil Haxhosaj, Adem Drmaçi, Ibrahim Kadriu, Mexhid Mehmeti, Bedri Tahiri, Hysen Berisha, Valdet Avdiu, Ibrahim Kelmendi, Reshat Sahitaj, Ramadan Mehmeti, Anton Gojçaj, Mehill Vataj, Fran Camaj, Pal Ndrecaj, Biser Mehmeti dhe Dibran Fylli
5. KATARZA E QENIES ËNDËRRIMTARE, ku janë trajtuar utorët si:Herolinda Zenuni, Vilson Culaj, Ardian Jasiqi dhe Jetir Buja
6. BIOPROZA, MODELI DOKUMENTAR, ku janë trajtuar këta autorë: Rasim Selmanaj, Fritz Radovani, Bedri Islami dhe Edmond Berisha.

Ky libër me shkrime kritike-letrare për prozën e sotme shqipe, ku, siç e ka vënë re edhe Dr. B. Muhadri, spikat mprehtësia e kritikut dhe studiuesit të pasionuar pas leximit dhe analizës së gjithanshme, është një kontribut shumë i çmueshëm, jo vetëm në shkencën kritike letrare shqipe, por libër ndihmesë e çmueshme për studiuesit e letërsisë, për lexuesit dhe për gjithë ata që janë dashamirë të letërsisë dhe artit.