“PAGA E VOGËL, FITIMI I MADH!” PASURIA PA MBULESË, KONFISKIMI I DOMOSDOSHËM

0
255
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

IDRIZ ZEQIRAJ

“Nga e thëna, deri tek e bëra”, – ndanë një det i tërë. Deklarimi i pasurisë për zyrtarët e lartë shtetërorë dhe politikanët, është normë, pothuajse, e përbotshme. Një shtet, mirë i organizuar, heton, zbulon dhe, ligjshëm, ndëshkon, kur pasuria nuk justifikohet, me pagën e marrë. Ky rregull krijon bazën e profilaksisë, parandalimit “të sëmundjes korruptive”, një “epidemi” e përbotshme.

I. Vërtet, edhe në Kosovë, zyrtarët e lartë shtetërorë, politikanët e rëndësishëm, obligohen, ligjërisht, të deklarojnë pasurinë e tundshme dhe të patundshme, siç janë paratë e gatshme, të depozituara, veturat, shtëpitë, banesat, tokat dhe të tjera.

Nga përllogaritja profesionale e bërë, rezulton se pasuria e tundshme dhe e patundshme, e të gjithë zyrtarëve të lartë dhe e politikanëve të Kosovës, të para luftës, të marrë së bashku, nuk kalonte shifrën e 5 (pesë) milionë euro. Ndërkohë, sot, shumë zyrtarë zotërojnë miliona, veç e veç!

Pse-ja dihet. P.sh. edhe për një defiçit, qoftë edhe për 400 marka mangësi, në arkën e shtetit, ligji monist i Kosovës e ka dënuar vjedhësin me 4 (katër) vjet burg efektiv. Kurse sot zbulohen milionat e vjedhura nga shteti dhe ka hapësirë, jo vetëm për t`i shpëtuar ndëshkimit ligjor, por, vazhdon njëjtë, pa cënuar as karrierën e mëtejmë politike!

Zyrtarët e sotëm, të vjetër dhe të rinj, në moshë dhe karrierë, kanë përgaditur, paraprakisht, infrastrukturën, që mundëson korrupsionin, përkatësisht, hajninë zyrtare. Në krye të kësaj hajnie, u vunë ish-komandantët e “luftës”, të cilët, realisht, në pjesën më të madhe, jo vetëm nuk ishin pjesë e luftës, por, përkundrazi, me dashje apo padashje, kanë sabotuar luftën, madje, të ndihmuar nga Tirana zyrtare social-komuniste, Sigurimi francez, për të ardhur ke lidhjet konspirative me Serbinë.

Baza ligjore, për kontrollin mbi vërtetësinë e burimeve të pasurive pa mbulesë, të zyrtarëve shtetërorë dhe të politikanëve tanë, ekziston. Por, ndërhyrja e politikës, në sistemin e drejtësisë, duke emëruar prokurorë e gjyqëtarë nepotikë dhe korruptivë, pengon, deri në stopim, hetimin dhe ndjekjen penale, të të pasuruarëve të paligjshëm. Rrjedhimisht, drejtësia është e kapur, pikërisht, nga kapësit e institucioneve shtetërore e deri në kapjen edhe vet shtetin!

Deklarimi i përvitshëm të pasurisë, nga zyrtarë shtetërorë dhe politikanët, duke llogaritur pagën zyrtare në institucionin e shtetit dhe tejkalimi i pasurisë, mospërputhja, zbulon pasurinë e pa mbulesë. Dhe, për këtë organet kompetente, duhej të vepronin, të hetonin dhe zbulonin korrupsionin, burimin e përfitimeve korruptive, hajnore. Por, në kushtet aktuale, vështirë të ndodhë kjo. Sepse, drejtësia, gjyqësia, si pushtet i ndarë, udhëheqja shtetërore, qeveria, nuk ka qasje në veprimtarinë e saj, ligja nuk lejon ndërhyrje.

Partia fituese, koalicioni në pushtet, ka premtuar luftë krimit të organizuar, korrupsionit, deri në çkapjen e shtetit. Qeveria Kurti 1, për ta përgaditur kuadrin ligjor, formoi Komisionin e juristëve të pavarur, për ta bërë Vettingun e nevojshëm. Por, abuzuesit e pasurive të brezave shqiptarë, bythë-laskuriqët e djeshëm, milionerë të sotëm, u aktivizuan dhe rrëzuan qeverinë-Kurti!

Kumbar i krijimit të qeverisë-Hoti, përkatësisht, LDK-PAN, ishte Hashim Thaçi. Edhe pse ishte i gatshëm, Komisioni i pavarur për Vettingun, qeveria-Hoti formoi një Komision tjetër, nga gjyqëtarë, të cilët ishin pjesë e kontigjentit për hetim, sabotuan hetimin dhe mashtronin opinionin, sikur po hetonin.

II. Është iluzive të besohet, që të inkriminuarit në krime gjithfarëshe, në hajni zyrtare, në kapjen e të gjitha institucioneve shtetërore, ta bëjnë drejtësinë. Pa një Vetting, mirë të organizuar, as që mund të shpresohet për një hetim të pasurive pa mbulesë dhe, aq më pak, sekuestrimi, konfiskimi i këtyre pasurive të uzupruara, të grabitura, të vjedhura, madje, zyrtarisht, siç janë shumë nga privatizimet abuzive.

Janë mijëra hektarë tokë të privatizuara, me çmime qesharake. Janë blerë metrat me vezë, dikur, për t`i shitur, sot, me lopë! Arsyetimi i pasurisë të patundshme, prej qindra hektarësh tokë të privatizuar, kryesisht, nga ish-komandantët, ekziston dokumentacioni përkatës ligjor. Por, ndonëse, blerja privatizuese, nuk është e justifikuar, nuk është punuar dhe shfrytëzuar, por, thjeshtë, bllokuar. Për më keq, sipërfaqja madhore e saj, ka shërbyer për të vjelur para të majmë, nga shteti, sipas një ligji favorizues për bujqërit, për ta stimuluar punimin e tokave, të cilat, me shumicë janë lënë të djerra ose livadhe.

Kjo vlen edhe për objekte industriale, troje, lokacione me hapësira të mëdha, të privatizuara me mashtrimin e investimit dhe të punësimit të të papunëve! Të gjitha privatizimet, qofshin tenderuese apo “partizançe, me pushkë”, janë përfituese reciproke, dhënësi zyrtar dhe marrësi privat. Në këtë mënyrë, është shpërdoruar dhe abuzuar, me pasuritë e brezave shqiptarë.

Janë masive kontratat fallse, që bartin emrat e farefisnisë apo të miqësisë. Ndërkohë që, prapa tyre fshihet pronari i vërtetë, zyrtar i lartë shtetëror, apo politikan i regjur mafioz. Kjo e vështirëson hetimin dhe zbulimin e pasurive të paligjshme, duke e vështirësuar konfiskimin e tyre. Përveç Prokurorisë, Gjyqësisë, në rastin e hetimit dhe të zbulimit, duhet të ndihmojë edhe shërbimi intelegjent i Kosovës dhe qytetarët, atdhedashës të devotshëm.

Një ditë para zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, koalicioni qeveritar LVV-Lista “GUXO”, paralajmëroi ligjin, për hetimin e pasurive të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të politikanëve. Nëse pasuritë janë fituar me meritë, nuk do të kenë asnjë pasojë, sepse prona e bërë me ndershmëri është e shenjtë dhe, si e tillë, respektohet dhe mbetet e paprekshme. Por, në të kundërtën, nëse pasuria nuk ka mbulesë, Gjykata, në bazë të ligjit, për konfiskimin e pasurisë të pajustifikueshme, duhet të veprojë pa asnjë hezitim. Ky ligj do të këtë efekt për të gjithë kohëzgjatjen e pas çlirimit.

Prokurorët, hetuesit, gjykatësit profesionstë të kësaj çështjeje, duhet ta kenë parasysh trashëgiminë; bizneset e suksesshme dhe të ndershme; punësimi i gjatë në Mërgatë, të krahasohen dhe, nëse rezulton përputhshëm, të mos preket.

V a z h d o n