Një grusht pranverë

0
402
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi

Mëngjesi derdhej me ngjyrë të vjollcës së porsa çelur. Agonte , ndërmjet aromës dhe formës së vjollcës, me gjethe në trajtën e zemrës. Bredhte, një çun me tufën me lule, e cila çel në fillim të pranverës, me ngjyrë të kaltër si në të kuqe dhe me erë të mirë.

– I shet manushaqet, – ai ikën, nuk më dëgjon.
– Sa i ke lulet vjollcat… – ai nuk përgjigj.
– Sa i ke lulet me ngjyrë të kaltër, si në të kuqe , – i them e ia përshkruaj lulet e vjollcës, të cilat i ka mbledhur ende pa aguar në brigjet e Gërmisë.

Ai ecën fluturimthi e rrugës nga kalon derdhet aromë e këndshme e vjollcës.
– Ku i ke mbledhë gjithë ato vjollca?
– Në natyrë, – flet e më shikon me kureshtje. – I shes. A ke ndërmend ta blesh ndonjë tufë?
– Jo, veç desha të të tregoja se ato e kanë derdhur një grusht pranverë në qytet…
– E ti, nuk e do pranverën apo jo, – tha e ngarend rrugës.

Për çdo mëngjes vjen dhe ndalet para Bibliotekës së qytetit, anëtar i së cilës është. Herë e merr ndonjë libër me poezi e herë tjetër ndonjë libër me tregime… Natyrisht, më parë i shet lulet, më vonë të ketë dëshirë dhe të lexoj ndonjë gjë të bukur.

Këtë herë do të qëndrojë një çik kohë para pallatit, më të madh, në këtë pjesë të kryeqytetit. Para pallatit më të lartë, që ik nga retë e kaltra të mëngjesit të ndritur, atij pallatit që bën fjalë me ballkonet e qiellit. Sytë i ka të skuqur. Flokët e ngatërruara e buzëqeshjen e zbehtë e të shkrirë nëpër buzët e lëvarura. Zbret nga brigjet që e rrethojnë Kryeqytetin me një copëz pranvere në duar, me atë pjesën e pranverës që e sjell ndër lagjet ende të fjetura dhe e derdhë aromën e maleve, aromën e lules së posa çelur.

– Cili është ky fëmijë që e shet pranverën, – do të psherëtija nga e shikoja para Pallatit të rinisë, ndërsa ai tashmë po ikte nga silueta te tjetra, të shiste tufat me lule vjollce…
– Kush do lule?
– A do kush lule…

Në gjithë këtë përpjekje ka diçka të bukur dhe të dhembshme, një pjesë fati, një pjesë gati të fjetur dhe të lodhur…
Më afrohet. E parandiejë t’i rrah me hov zemra. A do t’i blejë apo jo ndonjë tufë me lule?
– Sa tufa lulesh do t’i marrësh?
Mëngjesi tashmë ka ikur. Në rrugë tashmë janë rralluar kalimtarët, vetëm ndonjë grua del të blejë ndonjë gjë në dyqan.

– Lulet tashmë e tatën çastin e vet. Më duhet të kthehem në shtëpi dhe të bëhen gatim për shkollë. Detyrat i kam bërë më herët… Derisa të mësyjë për shkollë do t’i ndihmoj nënës në punët e shtëpisë apo do të shkruaj apo dhe do të lexoj ndonjë libër… Harrova të të tregoj fare. Kam nisur dhe të shkruaj ndonjë varg poezie për fëmijë, apo ndonjë copëz proze.

Ja, a dëshiron ta dëgjosh ndonjë pjesë të poezisë. Ndoshta është mirë të ta lexoj Lulja mbi borë. Ia kam kushtuar manushaqes, luleve që marrin hov të parat pasi të nxjerrë sy pranvera dhe të nisin të cicërojnë zogjtë me etje.

Lulja mbi borë

Me gjethe zemre, vjollca çel mbi borë,
Qiellit vjen dhe dallëndyshja e vjetër.
Unë hap dritaren, përshëndes me dorë,
– Folenë s’e ke, mike, por thurim tjetër.

Foleja që e le majë lisi, zog i mirë,
Nuk ia doli ta përballojë stuhinë.
Këtu mbretëroi një dimër i vështirë,
Një luftë e përgjakshme për lirinë.

Bashkë me folenë tënde ra dhe lisi plak,
Flaka gllabëroi dhe degën e gjatë mbi liqe’,
por ngelëm ne: thurim një fole tjetër, të re,
për ty nën çati, për lejlekun mbi oxhak.

Me gjethe zemre, vjollca çel mbi borë,
qiellit vjen dhe dallëndyshja e vjetër.
Unë hap dritaren, përshëndes me dorë,
– Folenë s’e ke, mike, por thurim tjetër.

– Qenka një poezi e mirë, me frymëzim e shkruar dhe me përmbajtje, për të bukurën lule, e cila çel mbi borë…
– E kam një fletore me poezi.
– Sille nesër fletoren dhe do i zgjedhim disa më të suksesshmet, ta dërgojmë në redaksinë e Pionierit për botim. Aty e kam një mik të hershëm, i cili do ta botojë. Ti nuk mund të shkruash dhe po deshe keq, ndërsa e do pranverën dhe lajmëtarët e parë të ringjalljes së natyrës. Ai që e ndien në vete të bukurën e ka thellë të fshehur poetin, brenda shpirtit…

Ai mi soll ndër duar lulet e mbledhura në mëngjes ndër brigje dhe buzëqeshi.