ALKIMIST I TË SHPREHURIT ESEISTIK

0
303

(Ali Sutaj dhe e shtuna e “Lapsit të kuq” të tij)

I prisja me padurim dhe i lexoja (e rilexoja nga disa herë) me shumë pasion, shkrimet e tij (të rralla). “Lapsi i kuq” (i tij) të shtunave ishte kënaqësia e leximit të javës. Aty ai nënvizonte, theksonte (vërtet) me “laps të kuq” tema, që preknin aktualitetin e rëndë, por që ai i trajtonte në mënyrën e tij dhe për to përherë përcillte mesazhin e tij të veçantë.

Gani Bytyçi Nga Gani BYTYÇI

Ali Sutaj, së pari ishte mësues por unë nuk e kam njohur atëherë. Nuk e kam njohur as kur e ka nisur gazetarinë. Atë e njoha shumë vjet më vonë, në vitet e kulmit të gazetarisë, publicistikës dhe eseistikes, që ai e bëri sistem. Pra, atë e kam njohur në vitet ‘80. Ishte i thjeshtë, miqësor e modest. I vëmendshëm dhe me shumë respekt ndaj tjetrit. Vrojtues i kujdesshëm, i thellë në mendime dhe në zbërthimin e problemeve që trajtonte. Pa studime të larta e me renome, që zakonisht njerëzit u referohen, por me një horizont, dije e kulturë të përgjithshme brilante. Ishte i pasionuar pas letërsisë e artit dhe njohës i shkëlqyer i tyre. Letërsinë shqipe e njihte në tërësinë e saj të plotë.

I çmonte lart shkrimtarët e traditës. Admirues (fanatik) i Gjergj Fishtës. Në të vërtetë, mbi këtë frymë letrare e kulturore të përgjithshme (të traditës), që e njihte shkëlqyeshëm, ai e kishte ndërtuar edhe profilin e vet intelektual e krijues. Motiv frymëzues i kishte autorët e traditës. Çdo varg i Fishtës për të ishte një libër i tërë, një filozofi më vete. Atë e njihte në frymën e thellë e të tërësishme të tij. Gjergj Fishta kurrë nuk ishte i ndaluar për të. Atij ia kujtonte ditëlindjen dhe ia njihte mirë jetën. Ditëlindjen e Fishtës ai përherë e shënonte me ndonjë varg, me ndonjë thënie ose ide të tij. Ndonjëherë edhe me ndonjë shënim të tërthortë. Po atë, na e kujtonte gjithsesi. Fishta për të ishte (përherë) i gjallë. Në të vërtetë, ai i kujtonte të gjithë shkrimtarët, që ishin të anatemuar.

I njihte dhe i çmonte vlerat supreme letrare, kulmet e letërsisë. I kishte të veçantë Kutelin, Konicën, Kadarenë, Agollin, Martin Camajn, Petro Markon … I vlerësonte lart: Shekspirin, Kafkën, Kamynë, Cvajgun, Balzakun, Dostojevskin, Kërlezhën, Danilo Kishin e të tjerë… Sa e sa herë më kishte folur për eseistiken e Kërlezhës, të cilën (më vonë) e studiova me pasion. Ishte fanatik i mendimit të thellë e shterues. Mjeshtër i papërsëritshëm i fjalës, i cili temat e mëdha e tepër të ndjeshme, i kthente në të shprehur eseistik. Se ku i gjente e nga i mblidhte ato copëza mendimesh filozofike, aforistike, nga gazeta, revista e libra… I nënvizonte, i kufizonte, i priste, i ruante, i përkthente… Pastaj u gjente vend (diku) në tekstet e tij, ku i nxirrte si mesazhe tekstuale…

Disa herë më kishte dhënë copëza të tilla nga vepra e Danilo Kishit (kur unë atë akoma nuk e njihja me tamam).

– Merri këto tekste dhe, të lutem, m`i përkthe se më duhen, më kishte thënë. E dija që ai ato tekste mund t`i përkthente me një të hedhur sy. Pastaj e shihja që ato shkrime e mendime (të përkthyera) i nxirrte diku e për ndonjë rast të veçantë.

Shumë kohë më vonë e kuptova arsyen pse më jepte të përktheja tekste të D. K. Ishte dëshira e tij që të më fuste në veprën e shkrimtarit më të njohur (disident) të kohës.

Ai kishte njohuri të thella e të kompletuara letrare dhe artistike.

Besimi (që më krijoi) për të shkruar

Kisha nisur të shkruaja e të botoja ndonjë poezi a tregim. Ndonjëherë edhe ndonjë ese. Kur e takoja, më thoshte “ta kam lexuar e rilexuar shkrimin”… Unë nuk i besoja asaj që dëgjoja. Një mjeshtër i fjalës (siç ishte ai), një stilist i hollë i saj, një artist, që me aq pasion e latonte fjalën e shkruar dhe e thellonte mendimin letrar e estetik të saj, të më thoshte se i ka lexuar e rilexuar ato pak gjëra që unë shkruaja atëherë, ishte krejt e pabesueshme. I prisja me padurim dhe i lexoja (e rilexoja nga disa herë) me shumë pasion, shkrimet e tij (të rralla). “Lapsi i kuq” (i tij) të shtunave ishte kënaqësia e leximit të javës. Aty ai nënvizonte, theksonte (vërtet) me “laps të kuq” tema, që preknin aktualitetin e rëndë, por që ai i trajtonte në mënyrën e tij dhe për to përherë përcillte mesazhin e tij të veçantë. Pas vitit 1981, kur urrejtja shoviniste e pushtuesit kaloi në dhunë të pashembullt e çnjerëzore, shkrimet e tij ishin aq goditëse. Duke rrëfyer ngjarje jete, ai krijonte metafora me të cilat përcillte mesazhin e tij të qartë.

Të gjithëve (neve të atyre gjeneratave) na kujtohet se si u bë temë dhe sa urrejtje u derdh rreth natalitetit tonë. Sa fyerje u bënë në adresë të femrës-nënë. Fëmija i tretë i prindërve shqiptarë, nga regjimi pushtues, u bë i jashtëligjshëm! Nuk di ta kenë njohur Evropa e bota këtë barbari, këtë krim, këtë ndjenjë antinjerëzore. Atëherë, ai e pati shkruar atë esenë e tij »Nëna e 12 fëmijëve». Një apologji e vërtetë, që i bënte amësisë, gruas-nënë, jetës së re, lindjes së fëmijës, qoftë ai edhe i dymbëdhjeti. Ai lindjen e ktheu në kult. Për ta shijuar e për ta kuptuar bukurinë, thellësinë dhe magjinë e asaj kryevepre eseistike, ajo duhet lexuar. Ai niste nga një restorant i kryeqytetit, në një kënd të të cilit dy të rinj flisnin për dashurinë. Nga jashtë vinte jehona e një kënge, që (po ashtu) për motiv kishte dashurinë. Në stacionin e autobusëve, një nënë e re po i jepte gji foshnjës së saj. Dhe, ai, diku në një libër, nënvizonte (vërtet) me laps të kuq letrën, që një nënë i shkruante të birit në kurbet.

– Biri im i dashur, më janë verbuar sytë nga malli, i thoshte nëna të birit.

– Eja në shtëpi, djali i nënës. Toka po e bën bereqetin. Bukë e bulmet kemi. Edhe kopshti po na jep perime, vazhdonte nëna.

– Eja, biri i lokes, se jam mërzitur shumë. Skamje kemi pasur gjithmonë, po, ja, unë ju rrita të dymbëdhjetëve, i bënte thirrje nëna djalit të saj.

Kështu disi ishte ajo ese-kushtrim e tij e papërsëritshme. Dhe ajo thirrje, ai mesazh që bëhej, shkruhej e zeza në të bardhë. Kjo thuhej atëherë kur fjala vriste. Kur ajo gjykohej, dënohej. Vritej. Bëhej tabu. Ndalesë. Kthehej në mallkim. Dhe kjo fjalë, e shkruar, si me magji, shndërrohej në mesazh. Bëhej kushtrim për qëndresë. Kjo ishte diçka madhështore, që sapo e lexoje të krijonte një përjetim të veçantë, një madhështi brendapërbrenda vetes! Ai, vërtet, ishte magjistar i të shprehurit eseistik.

Kishte intuitë të veçantë ndaj ngjarjeve

Kish shumë vjet që ishte ndarë me alkoolin. Madje nuk e pinte asnjë pikë. Nuk e kishte bezdi të rrinte me miq, edhe kur pihej alkool. Këtë e kishte bërë shumë herë. Ndodheshim në Janjevë, ku shkonim ndonjëherë. Të gjithë ishin gazetarë. U tha se po flitej që shteti i atëhershëm, në prodhimet e qumështit, që prej andej vinin në Kosovë, kishte futur një materie për sterilizim të shqiptareve.

Ai aty e hodhi mendimin që të publikohej kjo përflitje, në kuptimin pse përhapen dezinformata dhe kështu të nxitej një studim-hetim rreth atij shqetësimi. Ai kishte një intuitë të veçantë ndaj ngjarjeve dhe problemeve. Mendësinë djallëzore dhe urrejtjen e fqinjëve tanë (pushtues) i njihte në thelb. Ishte njeri me njohuri, dije e përvojë të rrallë historike, shoqërore, letrare e artistike.

Ali Sutaj i përket plejadës së gazetarisë së epokës së “Lapsit (të kuq)”, që ka përfunduar, ngase këtë hapësirë, tashmë e ka pushtuar gazetaria digjitale (mbase edhe diletante).

10 prill, 2021
Cyrih

Postoi: Sh. Dibrani
Marrë nga Gazeta FAKTI: http://gazetafakti.com/?p=4888