BE nuk do t’ia shlyejë Malit të Zi borxhin 1-miliardësh që ka ndaj Kinës

0
284
Mali i Zi

Zëri, 13 prill 2021

Bashkimi Evropian nuk do ta ndihmojë Malin e Zi të shlyejë një kredi një miliard dollarëshe ndaj Kinës.

Podgorica në vitin 2014 hyri në marrëveshje me një bankë shtetërore kineze për të financuar 85 për qind të kostos së autostradës 177 kilometra të gjatë deri në kufirin me Serbinë.

Deri tani janë ndërtuar 40 kilometrat e parë, me një vlerë 20 milionë dollarë kilometri, ndër seksionet më të shtrenjta në botë.

Kostoja e kredisë ndaj Kinës llogaritet sa çereku i prodhimit vjetor malazez, por Brukseli thotë se përgjegjësia për situatën është e Podgoricës.

“BE-ja është donatori, investuesi dhe partneri tregtar më i madh i Malit të Zi. Ne vazhdojmë t’i mbetemi në krah, por nuk kemi për të shlyer kredi që merren nga palët e treta”.

Nëse kredia nuk paguhet sipas termave, Banka e Import-Eksporteve e Kinës do të ketë të drejtë të marrë si kolateral toka ose asete shtetërore.

Në rrethana të tilla e gjejnë veten edhe shtete si Sri-Lanka, Pakistani ose Xhibuti në Afrikë, që fillimisht u tërhoqën nga ofertat me kredi për projekte nga Kina, por tani nuk po i shlyejnë dot.

Mali i Zi po pret dritën jeshile për anëtarësim, por situata me Kinën e shqetëson BE-në.

“BE-ja është e shqetësuar nga efektet socioekonomike dhe financiare të disa investimeve kineze, ose nga borxhet që ato krijojnë për një shtet. Ekziston rreziku i një varësie prej borxheve”, deklaroi Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për punët e jashtme.

Sipas organizatës amerikane, “Freedom House”, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut i kanë hua Kinës, përkatësisht, 39 dhe 20 për qind të borxheve të tyre publike.