Investigimi tronditës i “Fiks Fare”/ Çfarë ka në qoftet që shiten në Tiranë

0
1976

Lapsi.al, 14 Shtator 2016

Dhjam derri, pastë pule, stomak pule dhe erëza. Këta janë përbërësit e qofteve që shiten nëpër rrugët dhe marketet e Tiranës.

Tregtarët mashtrojnë me etiketat ku reklamojnë se qoftet kanë përmbajjte mishi viçi. Vendin e mishit të viçit e kanë zënë stomakët e pulave dhe dhjami i derrit. Tirana, por dhe shumë qytete të tjera, janë kthyer në një qebaptore të madhe, pasi qoftja është një nga produktet që konsumohet nga të gjitha shtresat dhe moshat.

Nisur nga fakti që në çdo rrugë kryesore të kryeqytetit, zgarat kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, Fiks Fare realizoi një investigim mbi mënyrën e prodhimit të qofteve, me çfarë mishi përgatiten, përbërësit që i hidhen brenda gjatë përpunimit dhe kushtet higjieno-sanitare.

Vëzhgimi u krye në disa rrugë kryesore, si ajo e Kavajës, e Durrësit, qendra e Tiranës, etj, ku çmimi i një qofteje varion nga 20-25 lekë.

Çmimi i lirë lidhet edhe me konsumimin e saj në masë. Në të gjithë vendin janë 52 punishte të përpunimit të mishit. Numri më i madh i tyre është përqëndruar në qarkun e Tiranës. Plot 34. Në këto kushte, gazetarët e Fiksit shkuan në një nga pikat e prodhimit të qofteve, që ndodhet pikërisht në Laprakë, e cila nxjerr qofte në treg me etiketën “Xhois”. Në këtë punishte u bisedua me prodhuesin, i cili pretendon që shet qofte me mish gjedhi. Të tillë edhe e reklamon. “Nuk janë qofte derri, janë gjedhi, janë importi. Kam edhe qofte për hamburgerë, por ato i marrin shkollat. Ato nuk janë për zgarë, janë për fastfood”, thotë pronari i punishtes gjatë bisedës me gazetarë e Fiks Fare.

Por për të verifikuar fjalët e pronarit të kësaj pike, Fiks Fare shkoi në një pikë frigoriferike, ngjitur me punishten. Punëtori i frigoriferit tregon sesi prodhohen qoftet. Ai na jep formulën e prodhimit të qofteve. Në këtë formulë vetëm mish gjedhi nuk ka. Sipas tij, ata që prodhojnë qoftet, u hedhin 70 % pastë pule, erëza, stomak pule dhe dhjamë. Tregojnë se punishtja që ka xhiruar Fiks fare furnizohet tek ata dhe merr pastë pule, stomak pule dhe shumë pak shpatull derri për të prodhur qoftet.

“Tani pasta e pulës është gjithë brumë i përgatitur. Përzihet me shpatull derri, hidhen erëzat dhe bëhet qoftja. Kjo nuk ka kockë, as ajo nuk ka kockë. I hidhet 70 % pastë pule nga ata që duan të fitojnë, pasi kjo është më e lirë. I hedhin pak mish, i përziejnë dhe hanë mileti”, – thotë punëtori i pikës frigoriferike.

Të gjitha këto u verifikuan edhe nga inspektorët e AKU, të cilët ushtruan kontroll në punishten e zbuluar nga Fiks Fare, ku vërtetohet se mish gjedhi nuk ka fare.

Gjatë inspektimit, as teknologu dhe as drejtuesi teknik, nuk ndodhen në punishte. Pronari i saj, gjatë bisedës me inspektoren, kur ajo e pyet nëse ka përdorur mish gjedhi, ai e mohon një gjë të tillë. Ai pranon se ka përdorur mish derri, stomak pule, etj, por jo mish gjedhi. Madje, atij i gjendet sasi mishi me datë të kaluar skadence, ngjyrues, e shumë produkte të tjera, që nuk lejohen. Në këto kushte, gjatë kontrollit të AKU-së, pronari i punishtes i drejtohet bashkëpuntorit të Fiks Fare, për të cilin mendon se është inspektor i AKU-së, se a do të marrin ndonjë lekë.

Ai kërkon të hyjë në pazar me bashkëpuntorin e Fiks fare, duke menduar se është inspektor i AKU-së.

Gjatë bisedës që bën me të lë të kuptohet se grupin e mëparshëm të inspektimit që i kishte shkuar për kontroll e kishte paguar.

“Me thuaj pazarin. Sa do? Ik e bëj muhabet. Grupi që ka qenë përpara ka marrë nga një 50 –she. Sa doni ju? 150? A do merrni ndonjë lek ju, apo çfare do bëni?”, – i thotë pronari bashkëpuntorit të Fiks fare, duke menduar se ishte inspektor i AKU-së.

Madje, me qëllim për të shpëtuar nga penalizimi, prezantohet si miku i Kreshnikut. Madje disa here gjatë bisedës me bashkëpuntorin e Fiks Fare përmend emrin e Kreshnikut, i cili mban postin e zv/drejtorit të përgjithshëm të AKU-së.

“Jam shoku i ngushtë i Kreshnikut, s’jam duke e marrë fare në telefon. Kreshniku m’i ka bërë. E kam shok të ngushtë. Thuaj tani që është shoku i Kreshnikut”, – i drejtohet pronari i punishtes bashkëpunëtorëve të Fiks Fare, i cili do të vijojë investigimin gjatë ditëve të tjera. Në fund të këtij kontrolli inspektorët e drejtorisë së AKU-së, Tiranë vendosën të bllokojnë punishten ku prodhoheshin qoftet deri në përfundim të analizave.