17 milionë dollarët e Serbisë që e përmbysën Shqipërinë

0
986

Polemikë me Bedri Islamin

Xhafer Leci

Duke patur parasysh përmbajtjen shterpë dhe plotë shpifje të reagimit të Bedri Tafës (Islamit) të botuar në fletushkën e tij “Epoka e re” të datës 14. tetor 2002, faqe 7, duke patur parasysh faktin se ai ne vend se të përballët me faktet të cilat ia kemi parashtruar në letrën tonë të parë, jo për ta linçuar siç shprehet ky harbut, ngase secili varet në çengelin e vetë, por për t’ia përkujtuar haptazi para opinionit të gjerë shqiptar, se ajo që ka shkruar në pamfletin-librin e tij “E fshehta e hapur e Kosovës” si dhe ajo që ka thënë në reagimin e tij lidhur me ngjarjet dhe karakterin e Lëvizjes për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, janë pikëpamje të tij personale, sipas nesh të paqëndrueshme politikisht, historikisht dhe kombëtarisht.

Kjo që themi shihet çartë edhe në reagimin e tij të fundit, kur ai duke mos patur argumente që të na përgjigjet lidhur me çështjet dhe pyetjet e shtruara në letrën tonë, i hendikepuar nga mëkatet dhe e gjithë ajo që ka bërë në dëmë të Frontit për çlirimin e Kosovës, ai vazhdon me përsëritjen e akuzave bajate kundër kryetarit të LDK-së, përkatësisht kundër kryetarit aktual të Kosovës Dr. Ibrahim Rugovës, për të cilin kur erdhi në Gjermani deklaronte se “ populli shqiptar në historinë e tij nuk kishte qenë kurrë më i bashkuar sa në vitet e 90-ta nën udhëheqjen e Dr. Rugovës” (kështu ka deklaruar B.I. në njërin nga tubimet tona të organizuara me bashkatdhetarët tanë në Kirchheim-Teck), ndërsa qëkur u fut në radhët e LPK-së nuk la gurë as dru pa gjuajtur kundër të njëjtit që dikur e pati lavdëruar?!

Mashtrohet B.I. nëse mendon se mund ta njollosë veprimtarinë kombëtare dhe politike të LDK-së dhe liderit të saj, kur edhe zogjët në mal e dinë, se është pikërisht Dr. Ibrahim Rugova politikani shqiptarë i vetëm i cili, në kohën kur në Beograd bëheshin plane për asgjësimin e dy milion shqiptarëve të Kosovës, me guximin e tij intelektual të pashoq do të vihet në ballë të popullit të vet për ta udhëhequr deri në çlirim dhe pavarësi të plotë. Këto dhe shumë fakte tjera të asaj kohe dhe gjithë viteve derisa Kosova ishte e robëruar nga serbët, e dinë mirë B.I. alias “Susllovi” i LPK-së.

Por mjerimi i tij intelektual qëndron në faktin, sepse ai dhe gjithë ata që historinë tonë kombëtare e shpërdoruan dhe vazhdojnë ta keqpërdorin për interesa të ngushta personale dhe klanore, janë të verbuar nga urrejtjet që kanë ndaj atyre të cilët me mençuri dhe diplomaci të rrallë ia dolën që ta mposhtin njëherë e përgjithmonë politikën e gjenocidit dhe hegjemonizmit sllavo-greko-ortodoks në Ballkan.

Është herezi politike të mendosh se Zoti ua ka rezervuar të drejtat ekskluzive vetëm një kaste njerëzish që ta vlerësojnë dhe shkruajnë historinë tonë kombëtare sipas kutit të tyre, për ne, të mbrapsht dhe të njëanshëm deri në ekstrem. Është po ashtu injorancë e pakufi nëse dikush mendon se rreth luftës çlirimtare në Kosovë ka apriori vetëm “një të vërtetë”, ose se ekziston vetëm një pikëpamje absolute politike rreth ngjarjeve në Kosovë të cilat shënuan dekadën e fundit të shekullit të kaluar, duke i cilësuar pikëpamjet e shumicës së popullit si “rrugë e gabuar” dhe “antikombëtare” siç pretendon ta paraqes LDK-në dhe politikën e saj ky profiter lufte.

Mbase, për anëtarësinë e LDK-së ekziston një e vërtetë të cilën B.I. nuk guxon ta pranojë e ajo është se Dr. I. Rugova është dhe do të mbetet lideri i pakontestueshëm i dy milion shqiptarëve të Kosovës i pëlqeu kjo ose jo B.I. dhe bashkëmendimtarëve të tij, gjë të cilën populli shqiptar e ka dëshmuar tri herë me votën e tij të lirë duke i dhënë mbështetje të pa rezervë.

Një thënie popullore thotë: “nuk ka popull të marrë askund në botë”, prandaj me atë që keni shkruar kundër LDK-së dhe liderit të saj historik ju z. B.I. keni ra në kundërshtim të potë me rregullat e lojës demokratike, dhe kjo nuk na habitë fare, sepse jeni të mësuar që çdo gjë në jetë ta vlerësoni me kutin dhe logjikën staliniste-enveriste nga e cila siç shihet kurrë nuk do të liroheni. Nuk ka popull të marrë në botë, pra as kombi shqiptar në Kosovë nuk është i tillë, ashtu siç pretendoni ta paraqisni ju në shkarravinat tuaja, sidomos bëni gabim fatal kur LDK-në e paraqisni si “prodhim” të LKJ-së duke akuzuar turpshëm për tradhti kombëtare shumicën dërmuese të kombit shqiptar në Kosovë e që kjo shumicë siç dihet përbën spektrin kryesorë politikë atje !

Sa i përket asaj që thoni se Aktivi i LDK-së në Kirchheim-Teck është ndër më të fundit që ka ngelur në Gjermani nuk keni thënë asgjë të re, sepse ndryshimet e natyrshme brenda Lëvizjes sonë kombëtare ne i kuptojmë si proces në rrugën tonë të transformimit politik dhe asgjë nuk dëshirojmë që t’ia imponojmë anëtarësisë sonë, më së paku procesin e evoluimit politik. Nëse anëtarësia e partisë tonë e sheh për një çast të arsyeshme zvogëlimin e veprimtarisë së saj në mërgim, këtë e kuptojmë si avancim të mëtejmë të mendimit politik brenda saj dhe jo si “dështim” siç mundoheni ta nënçmoni ju organizimin e LDK-së në diasporë, kur dihet se ajo ishte dhe është promotori kryesorë i organizmit të jetës së mërgimtarëve tanë, të cilën ju dhe partiza e juaj e keni luftuar me të gjitha mjetet, por që nuk ia keni dalë kurrë në arritjen e këtyre qëllimeve ogurzeza. LDK-ja në diasporë nuk ka qenë “vatër sherri” siç shkreton ky shpifës dangallë, sepse ajo ishte forca kryesore e cila diti ta organizojë mërgatën shqiptare dhe t’i dalë në ndihmë atdheut me të gjitha mjetet, sidomos me plotësimin e kërkesave të luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë në armatim, qoftë me luftëtarë.

Ata të cilët sot orvaten që t’ia mohojnë LDK-së rolin dhe kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, sipas mendimit tonë janë rrënuesit më të mëdhenjtë të historisë dhe gjithë asaj që u arrit me aq shumë mund dhe me aq shumë gjak, sepse të bësh orvatje që ta denigrosh tërë një Lëvizje kombëtare, tërë një histori të krijuar nën masat më të ashpra të gjenocidit dhe terrorit shtetëror serb çfarë ishin ato gjatë tërë shekullit të kaluar në Kosovë, është krim i llojit të pa parë intelektual dhe politik.

Ky bukëpërmbysur siç është B.I. të cilin LDK-ja i ndihmoi që të vendoset në Gjermani si azilantë, gjegjësisht si “dezertorë” i demokracisë (duke ikur nga atdheu) është shumë e vërtetë, por që kurrë nuk e kemi thënë se ka qenë anëtarë i saj, veçse se ka gjetur strehim nën çatinë e LDK-së. Dhe, për fat të keq të tij, qëkur u bë anëtarë i LPK-së, nuk i ndali kurrë kritikat, shpifjet dhe sharjet makabre kundër LDK-së dhe liderit të saj Dr. Ibrahim Rugovës, që e gjithë kjo natyrisht se na ka revoltuar dhe na ka shtyrë të dyshojmë me shumë arsye se ardhja e tij në Perëndim ka qenë në shërbim të propagandës antirugovë, ngase as sot nuk mund ta kuptojmë ndryshe luftën e tij të paskrupulltë që po e bënë kundër forcës kryesore politike në Kosovë dhe diasporë, pra kundër LDK-së si parti-lëvizje dhe udhëheqësit të saj historik.

Luftën për pushtet e cila bëhet duke i respektuar rregullat e lojës demokratike si dhe etikën politike brendapërbrenda spektrit politikë shqiptarë e që ka për qellim begatimin e mendimit dhe veprimit politik si nevojë kohe dhe si vlerë e demokracive bashkëkohore e kemi kuptuar dhe do ta konsiderojmë gjithherë si pozitive, por shpifjet, gënjeshtrat, të pavërtetat, shantazhet, denigrimet, nënçmimet, falsifikimin e fakteve, shtrembërimin e ngjarjeve, ndërrimin e tezave dhe nënçmimi i rolit të bartësve kryesorë të ndërrimeve pozitive historike si dhe të ngjarjeve të mëdha që shënuan kohën dhe Lëvizjen tonë nacionale për çlirim dhe pavarësi të Kosovës, të cilat B.I. i bërë në librin-pamfletin e tij, që na kanë detyruar ta kundërshtojmë publikisht duke qenë të bindur se e vërteta mbi ngjarjet dhe luftën çlirimtare në Kosovë nuk është dhe as nuk mund të jetë privilegj dhe as monopol i askujt dhe kushdo qoftë, më së paku i një përçarësi dhe profiteri të luftës siç është dëshmuar me qëndrimet e tij të deritanishme Bedri Tafa (Islami).

Ajo që thotë akuzuesi im se: “E njoh prej kohësh këtë njeri, dhe e di, se megjithëse është tejet i gabuar në rrugën e tij, përsëri nuk mund të vjellë aq vrer të zi ndaj meje. Jam i bindur se ai jo vetëm që nuk e ka shkruar, por ndoshta as nuk e ka lexuar (fjalën e ka për letrën tonë, v.j.). Ky është një nga pamfletët e zakonshëm të zi, hartuar në mbetjet e degës së LDK-së në Shtutgart, ose ku e ka qendrën e tij tani Gagica dhe ndonjë nga “gicat” e tjerë të tij”.., s’është tjetër veçse akuzë banale e mbushur përplot me megalomanizëm tipik komunist, sepse sipas kësaj që thotë del se Xhafer Leci është “analfabet” dhe nuk ditka të mendoj dhe të shkruaj letra, dhe të cilit sipas tij, dikush tjetër nga “qendra” ia ka shkruar dhe përgatitur shkrimin!? Ja, se me çfarë metodash nihiliste dhe “argumentesh” fyese shërbehet ky megaloman hazard duke bërë ofendime të nivelit më të ultë ndaj meje, pastaj edhe ajo se gjoja me të (B.I.) po na u merrkan shërbimet e fshehta të LDK-së?! I themi me përgjegjësi të plotë morale dhe kombëtare se është kryesia e Aktivit të LDK-së në Kirchheim-Teck autore e reagimit tonë të parë e jo dikush nga “gicat”, siç akuzon dhe fyen ky shpifës, që në raste të këtilla është krejtësisht e natyrshme që korrekturën në aspektin gjuhësor ta bëjë ndonjëri prej nesh që i njehë mirë rregullat e drejtshkrimit shqip.

Ti or B. I. je ai që ke shkruar dhe po vazhdon të shkruash zi e më zi kundër realitetit objektiv të kohës, dhe ti e dinë mirë se është LDK-ja ajo e cila e ndihmojë luftën çlirimtare bashkë me forcat tjera liridashëse, por të pyesim se ç’bërë ti për çlirimin e Kosovës, përveç përçarjeve që i ke në palcë, ndaj ju sigurojmë se sikur ta kishe vënë vetën në shërbim të sinqertë të afrimit të shqiptarëve dhe bashkimit kombëtar edhe sot do të ishe i respektuar sikur ditët e para kur erdhe këtu në Gjermani për të kërkuar strehim (azil politik para organeve shtetërore gjermane), ndërsa neve na thoje se kam nevojë për rregullimin e lejes së qëndrimit ekonomik.

Edhe sot i kam në kujtesë të hidhur deklaratat tua politike para trupit gjykues në Shtutgart për njohjen e azilit se me çfarë fjalësh banale e fyeje dhe poshtëroje shtetin shqiptar dhe presidentin e atëhershëm Dr. Sali Berishën për të cilin thoshe se “është një diktator absolut, se ushtron terror ndaj gazetarëve dhe shtypit të lirë në Shqipëri..” Unë dhe disa shokë që ishim aty duke e përcjellur seancën ulnim kokën nga turpi se me çfarë gënjeshtrash e denigroje atdheun tënd, por edhe përkthyesja nga Shkodra z. Eva (nuk ia mbajë mend mbiemrin) që punonte së bashku me Gjon Radovanin dhe përkthyesin gjerman Joahim Röhm, skuqej nga ajo që villte goja jote!? Dhe, tani po bëhen katër vite kur ne e kuptuam “misionin” tënde të vërtetë, kuptuam, por me një vonesë, edhe detyrat që kishe marrë nga PS dhe udhëheqësit e saj për t’i shërbyer interesave të kuislingëve të Tiranës.

Dhe, vërtetë tani po shihet çartë se sa me besnikëri i ke kryer detyrat e marra nga padronët tu. Qëkur erdhe këtu në Gjermani diasporën shqiptare të Kosovës e përçave deri në atë masë sa ndasitë e tilla politike në mes të shqiptarëve nuk mbahen mend në historinë e re politike të Kosovës, duke nxitur urrejtje midis tyre vetëm pse LDK-ja mendonte dhe vepronte sipas vullnetit të popullit, dhe ndryshe sipas konceptit tënd!
Me qëndrimet dhe shkrimet anti-LDK dhe anti-Rugovë të dala nga mendja dhe shpirti servil je treguar shumë shpirtligë dhe i pakulturuar dhe për asnjë çast nuk ke hezituar që shqiptarët e Kosovës t’i ndashë sipas asaj (jo)logjike antishqiptare në: “atdhetarë” dhe “tradhtarë” , në “kosovarë” dhe “shqiptarë” , në rrugë të “drejtë” dhe rrugë të “shtrembët”, në “përkrahës” dhe “kundërshtarë” të luftës çlirimtare dhe UÇK-së, në “aktivë” dhe “pasivë”, në të “bardhë” dhe të “zi” , etj, etj, gjë që është krejtësisht e kuptueshme për ata që i njohin mirë metodat dhe mjetet që ka përdorur UDB-ja serbe për shkatërrimin dhe zhbërjen e gjysmës së shtetit administrativ shqiptar, gjë të cilën e ka shtruar publikisht V. Shesheli qysh në vitin 1992 kur bëri pyetje në parlamentin serb se ku kanë shkuar 17.000.000 USD (17 milionë dollar) të cilit përgjigje i dha vetë kryetari i Parlamentit te Serbisë Mirko Marjanoviç me 1997 duke i thënë; ja shihe se ku e sollën Shqipërinë dollarët tonë..!?

Ti z. B.I. në reagimin tënd ke përmendur shumë gjëra që sipas mendimit tonë nuk kanë asnjë kuptim siç nuk kemi mundur ta kuptojmë as atë se ç’dëshironi kur e keni përmendur shumën prej 300 mijë DM që, sipas jush i paska grumbulluar Aktivi ynë për vetëmbrojtje? Kjo shumë nuk i përgjigjet realitetit sepse është katër herë më e vogël e cila nuk është tubuar në vitin 1992 por në tetor të 1991-së, kur ti ende nuk kishe ardhur në Gjermani.
Atëbotë në Shqipëri bënin ushtrime ushtarake Komandanti ynë legjendarë Adem Jashari bashkë me dy heronjtë tjerë Sali Çekun dhe Zahir Pajazitin dhe ti shumë mirë e dinë se për herë të parë ke dalë në Gjermani si mysafir së bashku me z. Sokol Gjoka, gazetar. Bashkë me të edhe keni marrë pjesë në mbledhjen që kishte organizuar Nëndega e LDK-së për Baden Ëurttemberg të cilën e drejtonte z. Shaban Bobaj, dhe fill pas përshëndetjes ju dha fjalën e ju folët, ne iu duartrokitëm dhe u ngritëm në këmbë të gjithë nga gëzimi se në mesin tonë për herë të parë kishim dy vëllezër nga shteti amë.

Dhe ti z. B.I. përmend në shpifjet tua dhe merrë për argument gazetën “Rilindja” dhe “Bujku” duke harruar faktet se shkrimet e gazetave nuk janë gjithmonë objektive kur është fjala për ngjarjet e mëdha historike, ngase dihet se këto të përditshme kanë qenë në shërbim të politikës së majtistëve, ndaj si të tilla “argumentet” që ti përdorë në paraqitjet tua publike për ne janë subjektive me të cilat vazhdon të manipulosh për qëllime abuzuese dhe shpifëse kundër LDK-së dhe krahut të djathtë politikë shqiptarë.

Kjo është evidente, prandaj duke ngrënë drekë herë të njëri dhe duke pirë kafe herë tek tjetri shqiptar i Kosovës, duke dëgjuar vetëm nga rrëfimet e tyre për hallet e popullit shqiptar të Kosovës, nuk mund të bëhet dhe as të shkruhet historia. Jo, zotëri, sepse historia objektive dhe e paanshme nuk mund shkruhet nga Gjermania duke bërë shpifje ndaj LDK-së, por nga vendi i ngjarjeve dhe me dëshmitarë të gjallë siç ka vepruar Prof. Dr. Zekeria Cana dhe shumë intelektualë tjerë!

Po ashtu në reagimin tënd shpifës dhe propagandistik je marrë me gjëra krejtësisht minore siç është çështja e rregullimit të lejeve të qëndrimit dhe të punës në Gjermani, me vetura luksoze, etj, gjë të cilën ne e konsiderojmë çështje private, megjithëse shumica e mërgimtarëve shqiptarë nga Kosova këto çështje i kanë rregulluar në mënyrë krejtësisht të ndershme dhe nuk janë të vetmit të cilët kanë bërë martesa me femra gjermane, sepse një gjë të tillë e kanë bërë shumë popuj të Europës lindore e jo vetëm shqiptarët.

Në mungesë të fakteve valide për t’u përgjigjur në pyetjet tona B.I. shtron edhe çështjen e “shqiptarit të ndershëm” dhe “të pandershëm” njëjtë sikur bënte regjimi i instaluar serbë në Kosovë, d.m.th. ata që kolaboronin me te ishin shqiptarë “të ndershëm” dhe ata që kundërshtonin atë regjim quheshin shqiptarë “të pandershëm”?!

A thua pse i përdorë këto krahasime për shqiptarët B.I. sot, dhe për çfarë qëllimesh, mbetet të shohim në vazhdimin e dytë të librit-pamfletit të tij të paralajmëruar për botim, përkatësisht do të “mësojmë” se cilët shqiptarë sipas “kritereve” të tij komuniste janë “të ndershëm” dhe cilët janë të “pandershëm”?! Një gjë e kemi të çartë se krahasimet e këtilla ka kohë që na vijnë si kërcënime gjithnjë në raport ndaj kundërshtimit tonë të ideologjisë leniniste-enveriste, përkatësisht kundër ideologjisë dhe hegjemonizmit pansllav dhe pangrek të cilin e konsiderojmë si rrezikun më të madh për kombin shqiptar, dje, sot dhe nesër. Kjo ndarje kaq e pamoralshme për ne shqiptarët e Kosovës nuk është ndonjë risi, ndaj edhe kësaj të B.I. nuk i frikësohemi fare.

Në fund, dhe lidhur me atë se së shpejti B.I. do ta botojë pjesën e dytë të librit-pamfletit të tij, dëshirojmë t’i themi se nëse me këtë paralajmërim mendon të na frikësojë, i themi haptazi se për asnjë çast nuk e kemi ndërmend që të zmbrapsemi nga qëllimet, qëndrimet dhe idealët tona kombëtare të shprehura përmes anëtarësimit tonë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, udhëheqës i të cilës është dhe do të mbetet lideri i saj kombëtar Dr. Ibrahim Rugova.

Xhafer Leci,
Kryetar i Aktivit të LDK-së, Kirchheim-Teck
Shtator, 2002