ZIJA ÇELA DHE GRIDA DUMA

0
366
Grida Duma - Zija Çela

Alfons Zeneli Alfons AL Zeneli

Lexoj në rrjetet sociale një shënim të Grida Dumës për letërsinë e Zija Çelës. Parë nga një këndvështrim i pergjithshem, kemi dy elementë : Zija Çelën si shkrimtar e njeri dhe Grida Dumën si politikane e njeri. Për Zijain ka shumë njërëz që mund të flasin shumë. Kritikë, studiues, lexues. Personalisht e kam mik tashmë të vjetër e të çmuar. Zijai është shkrimtar i elitës kombëtare jo vetëm se është autor i nje liste shumë të gjatë romanesh, tregimesh e tekstesh të tjera të ndryshme por sepse të gjitha shkëlqejnë edhe cilësisht.

Është rast i rrallë ky kur autori ka këtë shkallë të lartë përfshirjeje në veprat e veta. Aq sa sa më shumë ta lexosh aq më e vështirë bëhet për të kuptuar nëse Zijai është krijuar nga romanet e veta apo romanet janë krijuar nga ai. Përfundimisht nga cilado anë e horizontit ta kundrosh figurën e Zija Çelës, do të shfaqet madhështia e tij si njeri. Në këtë madhështi, është e vështirë të vërehet bindja politike e tij. Por gjithsesi, ai nuk është i djathtë. Le të themi se në bindjet e veta mbase anon pak majtas në kuptimin jo teknik të fjalës.

Tani të vijme tek elementi i dytë i temës tonë : Grida Duma. Grida është tashmë një politikane jo e re por as e vjetër. Ajo që dihet është se Grida spikat në mënyrë krejt të veçantë dhe është shndërruar në një zonjë eksponente e politikës shqiptare. Kjo ka ardhur për arsyen e thjeshtë dhe të vetme që mund të të ngrejë në nivele të tilla : formimin si njeri dhe staturën intelektuale kulturore. Por edhe për shkak të elokuencës që ajo zotëron. Këto janë rrethanat në të cilat Grida është shndërruar në një aktore të rëndësishme dhe figurë të admirueshme të se djathtës por edhe jashtë saj.

Për këdo mund të ngjasë pak e çuditshme që në këtë valë cunamike problematikash sociale, ekonomike, politike dhe ngushtësisht zgjedhore, një politikane e djathtë shkruan për letërsinë aq më tepër për veprën e një shkrimtari i cili nuk i përputhet bindjeve të veta dhe situatës. Natyrisht nuk po pretendoj se ky është një gjest i rrallë apo i çuditshëm. Por dua ta evidentoj si një shembull që e grish individin, politikën dhe mbarë shoqërinë që t’i drejtohet “Mekës” së vlerave, potencimit të vlerave njerëzore, iluminizmit si e vetmja udhë që na çon drejt paqes dhe mbrothësisë si komb. Do të ishte shumë frymëzuese për njerëzit të ndiqnin atë komunikim të thjeshtë e njerëzor që gjeneron dije, mirësi dhe bëhet themel i bashkegzistencës shpirtërore.

Në një formë a në një tjetër, keto rreshta i ngjajnë predikimit. Por, imagjinoni për një çast sikur të gjithë kundërshtarët, të gjithë rivalët të kërkonin e të nxirrnin në pah vlerat e njëri tjetrit, të ndiznin në çdo komunikim dritat e dijes e të mirëkuptimit. A do të ishte Shqipëria jonë më e bujur, më e pasur, më e paqtë, më e ngrohtë per ne dhe ata që do të vijnë. Nëse po, le ta bëjmë. Asnjëherë nuk është vonë per vepra të mira.