POSTULAT E UÇK-së

0
241
Bekim Rexhepi

Le të pyesim se si të na kthehet kjo dashuri për UÇK-në? kur rrezatimi i kriminelëve në emër të UÇK-së duket se ende nuk ka rënë matanë bjeshkëve të perëndimit.

Nga Bekim Rexhepi

Kur ra krahu i luftës nga pushteti na doli si azat, tash jehona e UÇK-së. Në kryq u vënë pikat e gozhdave dhe tash pritet se kush të bije viktima, sekti i krimit pas logos së UÇK-së ka shënjestër, presidentja e re u atakua dhe nuk do të na çudisi retorika e lodhshme dhe fshehja pas gishtit të fajësisë. Haga është vetë gracka që ia kurdisën vetvetes pjesëtarët e UÇK-së. Hashim Thaçi ishte sikur Enver Hoxha qëndroj në male si mercenar, jo duke luftuar me armikun serb po duke luftuar me armikun e mishngrënies me pula e qengja.

Duhet ta pranojmë faktin se këta të ashtuquajtur UÇK-ista kur erdhën në pushtet e përligjën dashurinë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nëpërmjet dashurisë për grabitje dhe uzurpim të të gjitha lirive duke e përvetësuar këtë liri të skajme vetëm për vete, madje po kështu vazhduan të përdorin regjim e tyre për të linçuar të të tjerët duke mos llogaritur se liria e vendit nuk mund të përgjysmohet vetëm në militar.

Madje regjimi i krahut të luftës arriti të formatizojë edhe shtresën e tyre të varur si veteran, ata u socializuan në mënyrë që të mbesin zë i fashitur kundrejt padrejtësive që mund të sillte regjimi i tyre. Strategjia e tyre ishte kjo qe ata të futën dhe të marrin diçka dhe tu mbyllej goja nga histeria e tyre, por histeria e tyre do rikthehej ne bumerang më pastaj. Nuk ka dyshim qe paslufta dhe pushteti këta hyzmetçar të krimit dhe korrupsionit në emër të UÇK-së u bënë milioner.

Në një artikull të më hershëm në vitin 2015 i kam quajtur si “Milionerët e varfër”:
(https://telegrafi.com/milioneret-e-varfer/). Këta milioner duket se janë shtuar këtyre njëzetë viteve të fundit edhe në Kosovë. Ankandi i tyre është politika e tenderëve. Milioneret e varfër të Kosovës në politikë blejnë poste dhe marrin tenderë nga pasuria e vendit, sikur të ishin prona të baballarëve të tyre të trashëguara.

E korruptuan fatin e qytetarëve dhe të vendit të tyre duke shkallmuar dashurin për lirin dhe atdheun. Asnjëherë nuk do të pyes se si u pasuruan në një vend me kaq mjerim ekonomik dhe se sa miliona kanë arritur të kenë? Nuk është punë e imja kjo, vetëm konstatoj gjendjen që tashmë është e faktuar para qytetarëve. Këtë mund ta bëjë qytetaria e përgjegjshme sepse fundi është detyrë e secilit qytetar të ndershëm të ketë përgjegjësi në fatin e vendit të tyre.

Milioneret më të mëdhenjtë janë në gjepat e PDK-së, sepse këta në emër të luftës dhe të UÇK-së arritën që të mbajnë pushtetin më gjatë, arritën që gjatë mandatit të tyre qeverisës të shesin dhe të privatizojnë gati të gjitha ndërmarrjet e shtetit, hapën tenderë të gjithanshëm, duke u përshpejtuar që sa më shpejtë të bëhen milionerë.

Në Kosovë pa mëdyshje se ka milionerë të pasur dhe milionerë të varfër, të cilët u pasuruan në kurriz të fatit të vendit dhe të qytetarëve të Kosovës, pa treguar minimumin e kujdesit për vendin dhe qytetarët. Fshehën miliona në vendet ku shpëlarja e parasë garantohet me ligje të mos ndjekjes ligjore nga vendet e dyta. Pra, me keqardhje duhet ta themi se deri këtu ka vajtur puna e milionerëve tanë që shpërdoruan pushtetin – o qytetar të mi, këta janë pisat dhe reliktet tona që në emër të UÇK-së e kontrabanduan gjithë dashurinë për UÇK-në.

Dhe le të pyesim se si të na kthehet kjo dashuri për UÇK-në? kur rrezatimi i kriminelëve në emër të UÇK-së duket se ende nuk ka rënë matanë bjeshkëve të perëndimit.

Mbesim me konstatimin përfundimtar se postulata për UÇK-në, megjithëkëtë nuk ka nevojë për prova, ajo gjendet në veprën dhe gjakun e dëshmorëve të saj.