Ju ngadhnjyet… – Zymer Mehani

0
382
Zymer Mehani - Fadil Curri me poete

Zymer Mehani

(Luftëtarëve të Koshares, të rënë më 9 prill 1999)

Të hekurtit topa ende mbajnë erë gjaku
Të hidhur, t’neveritshëm, plot helm e plot tmerr
Prej nga vinte e zeza vdekje si korbi… vetë kobi
N’atë kasaphane… n’atë skëterrë të mjerë
E demonët e përjargur vetëm me një sy
Donin të na zhbinin si mua dhe ty
Ata – të gatshëm me një dorë në hanxhar
Me ata dhëmbë të prehtë mu si kanibalë
Që ecnin nëpër terr e kafshonin pandërprerë
Dhe sakatonin e verbonin egërsisht si përherë
Edhe lulet e njoma, ato lulëkuqe deshën t’i nxinin
Dhe Zotin e shanin …e diellin e pështynin
Se i tillë është shpirti i tyre, të tillë zemër kanë
Mungëtirë, sterrë, skëterrë, të akullt, kallkan…
Kafka dhe eshtra të kryqëzuara
E të përbalturat armë, të lyera dhe me gjak
Ende mbajnë erë mortje… vrer, helm a farmak
E ne na sjellin përherë neveri, trishtim,
Sepse deshën t’lahen me gjak t’popullit tim
E tillë ishte lakmia e tyre për këtë tokë arbërore
Për këto fusha të paanë, k’to male majeprehta
Për Alpet Plisbardha të kësaj Toke të shtrenjtë
Që kurrë s’u përkulën as u gjunjëzuan dot
Para gjithë atyre tytave kobzeza vdekjesh e gjaqesh
Por bijtë e shqipes me gjokset sa bjeshka
I dërrmuan dhe i mundën hienat e kulçedrat
Lirinë e gjakuar me shekuj e fituan
Dhe në t’atdheut altar përjetësinë e fituan…


Çudi…

Një komb i vogël
N’pesë pjesë i ndarë
Si mund t’ mbajë n’supe
Gjithë këtë barrë?!…

As është dëgjuar
As nuk është parë
Si asht e zhveshën
Dhe sot është gjallë…

E mban mbi supe
Emrin e vet
Dhe s’don të dijë
Për krajl, as mbret
Është Zot i vetes
Prej deti n’det


Shqetësim

Shpirt e zemër i shqetësuar
Porsi vala n’det t’trazuar

Gjak shqiptari e soj albani
Shpërthimtar si llavë vullkani

Muza vargje m’dhuron n’jetë
Zemrën seç ma çon përpjetë

Fati ynë shpeshherë i zverdhur
S’ia dimë vlerën gjakut t’derdhur

Mirëpo, dije, o zemra ime
Se i huaji s’ sjell miklime

Në këtë botë ka rënie e shembje
N’shpirt e n’zemër m’sjellin dhembje