Nga Mero Baze, TemA
Vjosa Osmani do të jetë presidentja e re e Kosovës, pasi gjunjëzoi koalicionin e Albin Kurtit të bënte pazare me një deputet të listës serbe, dhe t’i garantonte atij një vend në Qeveri për një ish- zëvendësministër të dënuar për korrupsion.
Vendimi për të negociuar me një deputet të listës serbe, erdhi pasi tre deputetë të LDK refuzonin të votonin në seancën për Osmanin, dukë kërkuar që kryeministri Albin Kurti të ulej në negociata me opozitën për postin e presidentit.
Albin Kurti, i cili shantazhonte se do të çonte vendin në zgjedhje dhe nuk do ulej me opozitën, në fakt, nuk shkoi në zgjedhje, por u ul e negocioi me listën serbe për të punësuar një hajdut në Qeveri.
Me këtë rast ai i theu dy parime mbi të cilat kishte ngritur kauzën e tij morale. E para, që nuk do kishte një president që do varej nga lista serbe, dhe e dyta, nuk do gjunjëzohej para korrupsionit.
Ai në fakt u gjunjëzua para të dyjave për karrigen e tij në pushtet dhe nuk guxoi të shkonte në zgjedhje, ashtu si shantazhonte.
Ai thjeshtë bëri pazar për një të korruptuar me listën serbe, duke siguruar dy deputetë dhe bleu një deputete nga partia e Haradinaj, dhe një nga partia e Hashim Thaçit, gjëra që nuk i ka bërë asnjë president më parë.
LDK ka qëndruar për t’i bërë kuorumin Hashim Thaçit, se kanë qenë në një koalicion qeveritar, pas një marrëveshje politike, dhe jo pas pazareve të pista si këto të Albin Kurtit.
Nuk kishte dyshim që Albin Kurti kryeministër do ishte një njeri tjetër nga Albin Kurti opozitar.
Ai opozitari shiste shtëpinë gjoja për luftën, ky tjetri shet luftën për një shtëpi 400 metra.
Ai i opozitës donte një shtet të mos varej nga lista serbe, ky i pushtetit i var në qafë listës serbe presidentin e Kosovës, vetëm të mos ndajë pushtet me shqiptarët e tjerë.
Ai i opozitës betohej se korrupsioni i bën tradhtarë liderët e vendit, ky i pushtetit e nis punën duke emëruar hajdutë të dënuar për korrupsion në Qeveri.
Pra ky ende pa nisur i ka realizuar gjithë përfytyrimet që kanë shqiptarët në Kosovë për liderin e keq që mund të udhëheqë Kosovën, siç i vizatonte Albin Kurti kundërshtarët e tij.
Tani së paku nuk do dëgjojmë më dëngla moraliste të patriotit Kurti, që nuk varet nga lista serbe, që nuk emëron të korruptuar, dhe do të jemi të qetë se përveç shtëpisë 400 mije euro në botën skandinave, ka dhe një 400 metra në Prishtinë, dhe nuk i humbasin librat.
Votat po. Ato mund t’i humbasin më shpejt se çfarë ka menduar.